Rama: 20 miliardë lekë për programin e rindërtimit, ky është vetëm alokimi fillestar (VIDEO)

TIRANE - 20 miliardë lekë është fondi në buxhetin e shtetit për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit. Nga kjo vlerë, 13 miliardë janë lekë si transfertë nga të ardhurat buxhetore, dhe 7 miliardë janë të ardhura nga donacionet e ndryshme. "Por e gjithë kjo pako e parë është një alokim fillestar", tha kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë tha se fondi për të përballur rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit është zë i veçantë në buxhetin e shtetit që nuk prek asnjë nga parametrat e tjerë të buxhetit vjetor. Duke qenë një fond me program të posaçëm më vete, shefi i mazhorancës tha se kjo garanton transparencë. Në këtë fond do të rakordohen me njëra-tjetrën si pjesa e veçantë në buxhet ashtu edhe donacionet e dhëna për rindërtimin e vendit, dhe nëse do të shihet nevoja do të shtohet fond në çdo rishikim buxheti edhe gjatë 2020-ës.

Duke e quajtur 2020-ën, vitin e rindërtimit pas pasojave shkatërruese të tërmetit të 26 Nëntorit, Rama tha se do të ndërtohen lagje të reja në Durrës, Laç dhe tre në Tiranë, njëren tek “5 Maji”, një në “Kombinat” dhe e treta në “ish -uzinën e autotraktorëve”.

Akuzat politike në këtë moment të vështirë që Shqipëria po kalon pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, por edhe opinionet e shumta nëpër studio televizive dhe jo vetëm me protagonistë personazhe që flasin me status eksperti, kryeministri Edi Rama tha se do ndalohet që çdo kush të flasë publikisht në situata të fatkeqësive natyrore. Për këtë, shembull mori vendet e tjera në botë që e aplikojnë këtë rregull, ku Rama tha se do të shihet mundësia për tu përfshirë si pikë në reformën ligjore për rastet e fatkeqësive të mëdha natyrore

Kuvendi, votoi për dhurimin e 17 apartamenteve në pronësi të bashkisë së Tiranës për banorët e dëmtuar nga tërmeti.  Po ashtu u miratuan propozimet për pensionin special për pensionistët që kanë humbur familjarët e tyre në vlerën e 60 mijë lekëve në muaj dhe paga prej 100 mijë lekë për familjet që humbën familjarët nga tërmeti për gjithë jetën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:04
Deputeti i opozitës së re kërkon fjalën, Ruçi i kthehet: Debati u bë! S'do të të presim ty kur të vish nga kafja (VIDEO)

Procesi i votimit, ditën e sotme, është shoqëruar me një përplasje verbale mes deputetit të opozitës së re, Ralf Gjoni dhe kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Gjoni kërkonte fjalën e tij, por Ruçi ia bëri të qartë se gjatë votimin, ligji nuk parashikon debate.

Gjoni: Dua fjalën për procedurë

Ruçi: Debati u bë, por ti ishe në kafe. S'do të të presim ty kur të vish nga kafja.

Ora 15:12
Shembjet/ Rama: Provat, u fotografua gjithçka, po bëjmë gati dosjet! Fatura kërkon mbi 6 muaj kohë

Kryeministri Rama u shpreh se është fotografuar gjithcka, cdo provë në cdo pallat dhe po bëhen gati dosjet që do dërgohen para drejtësisë me emra konkretë. Përsa i përket faturës për dëmet, ai tha se duke parë vendet që e kanë kaluar këtë situatë së paku kërkon një gjysmë viti. "Kur ka mbërritur misioni i parë nga jashtë në mënyrë urgjente, por vonë, ndërkohë që ishin 38 të shpëtuar, kush i nxori? Këta me telat e mikrofonave, apo Ralfi duke kërkuar matrapik? Por njerëzit e shtetit. Na duhet të adresojmë në ligj përmirësimet. Më duket se na erdhi edhe Naltmadhnina, që tha po fshihen provat, cilat prova? E keni gabim është fotografuar gjithcka, kur ka ndodhur, menjëherë, gjatë procesit, edhe mbrapa dhe aty ku është pastruar janë marrë edhe kampionët e betonit edhe tullave edhe po bëhen dosjet gati.

Në vend që ti kthenin sallonet e tyre të energjive pozitive për të qetësuar njerëzit, u futën në garë se kush gjen më shumë delirantë për ti marrë edhe donin faturën e dëmeve dhe arrestime që ditën e dytë. Ndërkohë që vendet e tjera që kanë kaluar këtë situatë duan gjysmë viti në rastin më të mirë për të nxjerrë faturën. Donin edhe shtëpi, ndërkohë që fqinjët tanë kanë akoma në kabina njerëzit e prekur nga tërmeti i 2009. Këta pa varrosur të vdekurit i duan të gjitha, nqadë i kanë marrë qyl gjërat në jetë. Të gjitha ndërtimet, jo vetëm të shembura por edhe riparim janë në proces hetimi ditë natë. Që nga ora e parë është angazhuar grupi i policisë kriminale dhe tani po punojnë po punojnë. Janë dosje të tëra që po vijojnë të merren nga bashkitë. Po bëhet analizë, por duhen edhe ekspertë brenda për ta bërë" tha ai. Në fund të fjalës së tij, kryeministri ironizoi edhe deputetët e opozitës në Kuvend. "Ju jeni pasojat e tërmetit të opozitës, gërmadhat".

Ora 15:11
Rama: Ka pasur vjedhje se nuk ishin aktorë filmash ata në televizor, por nuk janë as 1 % e ndihmave të dhëna

Shefi i qeverisë tha se rastet e vjedhjes së ndihmave për të prekurit nga tërmeti janë reale, por nuk përbëjnë as 1% të asaj çka shqiptarët dhuruan për bashkëkombësit e tyre.

"Ka pasur raste me abuzimet e ndihmave, se nuk kanë qenë aktorë filmash, po ju shtoj dhe 30 të tjera që nuk kanë dalë në televizor, në raport me ndihmat që kanë ardhur nuk janë as 1 %. nëse episodet kthehen në vallë ne tendat televizive ku ata që ishin prekur nga tërmeti dukeshin normal dhe ata që i kishin tundur karrigen dukeshin sikur ishin çmendur, natyrisht që mesazhi është i keq, dhe ata që e ndjekin nga përtej kufijve, tmerrohen", tha Rama.

Ora 15:09
Rama vlerëson punën e ministrave në terren: Olta Xhaçka non stop në krye të detyrës pas lindjes, Belinda Balluku pushonte në makinë

Kryeministri Edi Rama foli gjatë fjalës së tij në Kuvend për punën e vështirë që kanë bërë ministrat në terren në këto ditë të tmerrshme që kaloi Shqipëria me tërmetin e 26 nëntorit. Rama tha se është detyrë e tyre të jenë në shërbim të njerëzve, por angazhimi non stop pranë të prekurve nga terreni ka shërbyer - tha ai - si energji pozitive për të vijuar punën me motivim. Për këtë dha shembullin e ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka e cila me rekomandim nga mjeku nuk duhej të sforconte veten pas lindjes së fëmijës, apo edhe të ministres së Infrastrukturës Beldina Balluku e cila për të pushuar pak orë ka fjetur në makinë pa shkuar fare në shtëpi.

"Kam dëgjuar lloj lloj budallallëqesh për ministrat. Unë kam zënë shumë vend në ekran e nuk e them për modesti por po mos të ishin të gjithë ata që shikoni mbrapa nuk do ishte bërë dot as 1/10-a e punës që është bërë. Se realiteti nuk është ai që tregon televizori, ai që secili percepton nga portalet. Realiteti është ai që është në territor dhe nuk është detyrimi i askujt nga anëtarët e kabinetit volumi i paraqitjes në televizor të secilit prej tyre. Nëse ministrja e Shëndetësisë nuk do të kishte qenë ditë natë në  krye të detyrës, sigurisht që nuk do kishim pasur maksimumin në raport me motivimin dhe mbështetjen e njerëzve atje.

Nëse ministrja e Mbrojtjes që sapo është bërë nënë nuk do kishte qenë non stop në krye të detyrës pavarësisht dhe insistimit të mjekësve, për të qenë gjithë kohës atje, do kishte munguar edhe shembulli i motivimit, ka qenë një super energji e vënë në dispozicion nga qeveria. Nëse ministri i Brendshëm nuk do ishte në krye të detyrës, nëse ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk do kishte pushuar në makina 2 orë sa për të vazhduar punën, sigurisht nuk do kishim pasur mundësi të karikonim dhe motivonim njerëzit, e kështu me radhë deri tek zv.kryeministri që ka qenë non stop. Nuk kemi bërë mrekulli, nuk kemi pasur perfeksion dhe punë pa të meta, por nëse në procesin e fillimit, nëse një tërmet që mori me vete një popull të tërë nuk do shkaktonte një situatë me intensitet aq të lartë emocionesh dhe nivel kaotizmi, dhe do ishim ndonjë shtet model në ndonjë planet tjetër", tha kryeministri.

Ora 15:00
Rama 'thumbon' BE-në për negociatat: Fjala zgjerim u bën tërmet

Nga foltorja e Kuvendit Rama shpalosi para deputetëve edhe njëherë planin si do të bëhen lagjet e reja për strehimin e të prekurve nga tërmeti. Ai tha edhe projekti i riparimit të godinave të prekura është gjigant duke e krahasuar me ndërtimin e një lagje tjetër.

"Do të ndërtojmë një lagje të reja në Durrës, një në Lac dhe tre në Tiranë, dy të rëndësishme nga pikëpamja te '5 Maji' dhe në Kombinat dhe një më të vogël në Shkozë. Me Lacin do të fillojmë brenda pak kohe në mars shpresoj të jemi në kantier. Me lagjen e Durrësit ka filluar projektimi, me lagjet e Tiranës po ashtu.

Ndërkohë që do të adresojmë edhe godina specifike në Lezhë dhe pika të tjera që përbëjnë rrezikshmëri. Edhe projekti i riparimit është gjigant, si të ndërtosh një lagje tjetër në vete, pasi ka shumë. Për pastrimin janë miliona ton mbetje që do të evakuohen".

Po ku do të shkojnë inertet? "Të gjithë sasinë e Durrësit do të përdorim për të mbyllur fushën e kancerit në Porto Romano, ndërsa të Krujës në Thumanë, apo të guroreve që na kanë turpëruar gjithë ne. I vetmi vend që mund të sakatojë dhe kthejë në gurore një vend të shenjtë në histori, Kruja' tha ai.

Pavarësisht momentit ku ndodhemi me tërmetin, Rama nuk kurseu një 'thumb' për BE-në lidhje me procesin e zgjerimit kur tha se shkakton tërmeti.  "15 milionë eurot janë të nxjerra me urgjencë nga KE-ja për tani në këtë fazë. E tha edhe Komisioneri për zgjerimin dhe fqinjësinë apo si ia kanë vënë emrin tani, se fjala zgjerim u bën pak tërmet. Na duhet të financojmë fazën e tanishme, akomodimin në hotele" tha ai.

Ora 14:54
Rama: Fondi për rindërtimin pas tërmetit nuk prek parametrat e buxhetit, do i integrojmë me donacionet

Kreu i qeverisë Edi Rama tha se fondi për të përballur rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit është zë i veçantë në buxhetin e shtetit që nuk prek asnjë nga parametrat e tjerë të buxhetit vjetor. Duke qënë një fond me program të posaçëm më vete, shefi i mazhorancës tha se kjo garanton transparencë. Në këtë fond do të rakordohen me njëra-tjetrën si pjesa e vecantë në buxhet ashtu edhe donacionet e dhëna për rindërtimin e vendit, dhe nëse do të shihet nevoja. do të shtohet fond në çdo rishikim buxheti edhe gjatë 2020-ës.

"Buxheti angazhon një fond afro 20 miliardë prej të cilave 13 miliardë janë lekë si transfertë nga të ardhurat buxhetore, dhe 7 miliardë janë të ardhura nga donacionet e ndryshme. Por e gjithë kjo pako e parë është një alokim fillestar.

Kam dëgjuar të thonë se shteti paska mbetur pa lekë dhe s'paska kapacitet të përballojë këtë situatë, prandaj ne po i shtrijmë dorën botës? Është e pavërtetë ta dëgjojnë mirë të gjithë. Ne do ta programojmë të gjithë procesin sikur të mos marrim asnjë lekë nga bota, dhe do ta bëjmë. Kjo që bëjmë me buxhetin është fillimi i këtij programi Sikur asnjë kokërr leku të mos vijë nga bota ne do ta përballojmë.

Është mundim më vetë t'jua shpjegojmë juve se si do e bëjmë këtë punë.

Programi për rindërimitn do të financohet si fond buxhetor më vete. Aspekti dinamik i fondit është i rëndësishëm sepse shuma e alokuar që do të kalojë qysh sot nga buxheti i shtetit është e konsiderueshme për të hapur procesin, dhe garanton që programi të fillojë të zbatohet në shkallë të gjerë dhe nga ana tjetër krijon hapësirë të plotë për të shtuar në vijim nga buxheti qoftë për të integruar në të donacionet e dedikuara për rindërtimit, edhe gjatë vitit 2020 kur do të kryhen disbursimet e donatorëve. Është parashikuar skenari që në çdo rishikim buxheti të shtohen fondet. Përfshirja e fondit si program i posaçëm buxhetor i cakton qëllimit për të caktuar përgjegjësinë dhe për të vendosur monitorim të plotë mbi institucionet përgjegjëse.

Duke qenë zë më vete ne buxhet është i mundur të bëhet transparencë e plotë.

Objektivi ynë është i qartë, ne nuk do t'i prekim parametrat kryesorë të buxhetit vjetor, nuk do ta prekim ekonominë, por do të përdorim rindërtimin në funksion të ekonomisë. Nuk do të marrim nga njëra anë e popullit t'ia japim në anën tjetër popullit", tha Rama.

Ora 14:38
Rama: Në reformën për fatkeqësitë natyrore do u mbyllim gojën me ligj atyre që delirojnë publikisht dhe dëshpërojnë miletin

Akuzat politike në këtë moment të vështirë që Shqipëria po kalon pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, por edhe opinionet e shumta nëpër studio televizive dhe jo vetëm me protagonistë personazhë që flasin me status ekeprti, kryeministri Edi Rama tha se do të shihet mundësia që të mos lejohet çdo kush të flasë publikisht në situata të fatkeqësive natyrore. Për këtë, shembull mori vendet e tjera në botë që e aplikojnë këtë rregull, ku Rama tha se do të shihet mundësia për tu përfshirë si pikë në reformën ligjore për rastet e fatkeqësive të maëdha natyrore.

"Të marrim shembullin e Japonisë, Amerikës, Izraelit, që kur ndodhin fatkeqësi të këtyre përmasave jua mbyllin me ligj gojën atyre që nuk kanë çfarë të thonë, dhe nuk i jepet mundësia lloj-lloj personazheve të dëshpërojnë miletin. Kjo do të jetë një nga gjërat që do adresojmë në reformën për rastet e fatkeqësive të mëdha natyrore, Se nuk është e mundur që veç halleve të mëdha nga fatkeqësia populli të ketë edhe këtë hall të madh që me ditë e natë të flasin delirantë e sharlatanë që shfaqen si konstruktor, prokuror, sizmolog, etj. Dëgjova Ralfin që kërkonte matrapik dhe ishte i shqetësuar që në vrapin e tij për t'i ardhur në ndihmë njerëzve s'kishte parë matrapik. Nuk përdoret matrapiku Ralf në rrënojat ku ka ende jetë. Zonja fliste për makina luksi ndërkohë që në këtë buxhet që miratojmë janë hequr shpenzimet për makina, për vitrina dhe çdo nevojë të kësaj natyre. E mirëkuptoj që tërmeti ka bërë të veten edhe mbi ju dhe fjalimet tuaja", tha kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend. 

Ora 14:28
Maliqi: Mirë do ishte që të binin dhe muret e këtij Kuvendi, por nuk bie pika në…! Këta kanë miliarda, unë garsoniere (VIDEO)

Deputeti i opozitës Lefter Maliqi ka deklaruar gjatë fjalës ës ij kuvend se në kryeqytet po abuzohet me lejet e ndërtimit. Ai tha se mirë do ishte të binin muret e këtij Kuvendi.

"A e dini ju që këta që janë këtu pjesa më e madhe, kanë aq shumë të ardhura jo sa për 5 mijë apartamente por për 10 mijë. Pa hetoni njeherë dhe shihni se ku kanë shkuar lejet e ndërtimit.Leje babezi, kush mban përgjegjësi për shkollat që u prishën, “Emin Duraku” dhe “Sami Frashërit” apo me shoë që lyen shkallët lali Eri doni që ti mbuloni të gjitha. Mirë do ishte që të binin dhe muret e këtij Kuvendi, por nuk thotë kot ajo shprehja popullore që nuk bie pika në….Unë vetëm një garsionere mund të jap, po këta mund të japin miliarda, boll me mjekër si plak i moçëm, boll me çitjane në varrim, me çitjane te të rënët që kanë rënë dëshmor për këtë vend, ky është një turp”, tha Maliqi.

Ora 13:58
Shkrihet Grupi Parlamentar i Partive të Djathta në Kuvend


Gramoz Ruçi njoftoi sot se Grupi Parlamentar i Partive të Djathta është shkrirë, për shkak se janë larguar prej tij 4 deputetë. “Grupi i partive të djathta është shkrirë, për shkak se ka një numër më të vogël deputetësh sesa është kuorumi, janë larguar prej tij 4 deputetë”, u shpreh Ruçi në Kuvend. Kuvendi e sanksionon se për të krijuar grupe parlamentare kërkohet një minimum prej 7 deputetësh. Çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar.

Grupi përbëhej nga;
Adriatik Alimadhi
Selami Jenishehri
Zef Shtjefni
Kostaq Papa
Koçi Tahiri
Ervis Meço
Ramazan Gjuzi

Ora 13:48
Kujtim Gjuzi: Këtë muaj rrogën time do e çoj për familjet e viktimave të tërmetit (VIDEO)

Deputeti Kujtim Gjuzi ka deklaruar se rrogën e muajit Dhjetor nuk do ta tërheqë por do ta çojë në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti.

'Ishte tërmet natyror apo artificial. Bllokimi i vijës bregdetare nga betoni fillon kur Ilir Meta ishte kryeministër i vendit. Një muaj më parë kam thënë nga Lalëzi se pse vazhdoni të betonizoni. Unë jam 60 vjeç, kryeministri 55. Kur vdesin njerëz mbajm zi. Ju vjen për të qeshur se nuk ju ka vdekur njeri në shtëpi se i keni vilat këtej nga kodrat. Atë natë kam qenë në zyrë, por kam dalë edhe në terren dhe i kam parë të gjitha. Zoti president tha bëje gati buxhetin se e dije që ka tërmet. Qytetarët nuk duhet ta lëshojnë më vendin. Rrogën time në datë 3 janar nuk do ta marr do e çoj për viktimat", tha Gjuzi.

Ora 13:45
Manastirliu në Kuvend: Buxheti 2020, buxheti i rindërtimit pa cënuar shërbimet (VIDEO)

“Buxheti i vitit 2020 është buxheti i rindërtimit të qendrave shëndetësore dhe spitaleve, pa cënuar shërbimet për qytetarët” -  Kështu u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë fjalës saj në Kuvend. Manastirliu e nisi fjalën e saj me një falenderim për stafet mjekësore, duke bërë edhe një bilanc të situatës.

“Sapo kthehem nga spitali i Traumës ku takova Linditën, Manjolën dhe të lënduarit që ende po marrin shërbim në këtë spital. Dua të them se është bërë një punë e jashtëzakonshme nga mjekët dhe infermierët që kanë trajtuar më shumë se 900 të lënduar nga kjo fatkeqësi natyrore”, tha Manastirliu.
Duke theksuar se edhe strukturat shëndetësore janë prekur nga tërmeti, Manastirliu tha se janë marrë masa për riparimin e dëmeve.

“Për fat të mirë nuk ka dëme strukturore në godinat shëndetësore, ka dëme të rekuperueshme dhe ashtu siç bëmë me spitalin e Durrësit që u rehabilitua në kohë rekord, po punohet për rehabilitimin e strukturave të tjera shëndetësore që kanë pësuar dëme nga tërmeti”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi në Kuvend se nuk do të cënohet asnjë shërbim për qytetarët. “Buxheti i vitit 2020 është buxheti i rindërtimit. Nuk mund t’i mohohet qytetarëve kontrolli mjekësor falas, nuk mund t’u mohohet dializa, analizat laboratorike falas, siç nuk mund t’u mohohet rindërtimi i qendrave shëndetësore dhe spitaleve”, tha Manastirliu.

Buxheti 2020 parashikon rindërtimin e 120 qendrave shëndetësore. Do të fillojnë punimet për rindërtimin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Do të vijojë puna për ndërtimin e maternitetit të Beratit, Lezhës dhe Kukësit. Me buxhetin e ri, do të vijojë financimi për pediatrinë e Durrësit, do të vijojë financimi per rehabilitimin dhe zgjerimin e Spitalit Pediatrik në Tiranë; do të vijojë puna për ndërtimin e spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme në QSUT.
Sa i takon programeve të parandalimit, do të garantohet me buxhetin 2020:

Kontrolli Mjekësor Bazë falas për 475 mijë qytetarë/vit;
Vaksinimi falas sipas kalendarit të vaksinimit i 240 mijë fëmijëve;
Testimin falas për kancerin e qafës së mitrës për 17 mijë gra/vit;
Për herë të parë do të kemi një Program Kombëtar për Depistimin e hershëm të kancerit të gjirit; Do të realizohet në QSUT transplanti i palcës dhe do të hapet shërbimi i ri i kardio-kirurgjisë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i dyti pas QSUT.
Me buxhetin e ri vijon reforma në sistemin e mbrojtjes sociale që mbështet me pagesa të drejtpërdrejta 166 mijë persona me aftësi të kufizuar, duke siguruar për herë të parë mbështetje 100% për fëmijët me aftësi ndryshe dhe më shumë se 4500 të pasiguruar që do të përfitojnë për herë të parë nga kjo skemë.
Buxheti 2020 konsolidon skemën e pagesave të ndihmës ekonomike me 4.5 mld lekë për më shumë se 66 mijë familje që përfitojnë nga kjo skemë. Buxheti 2020 konsolidon mbështetjen financiare për bonusin e bebes për cdo të porsalindur. Buxheti i vitit 2020 është 77 miliardë e 735 milionë lekë që është 4% më i lartë se i vitit 2019 dhe 48% më i lartë se buxheti 2013.

Ora 13:38
Gjoni: Ditën e tërmetit isha tek pallati ku po kërkohej Diena bashkë me vajzën e vdekur! Forcat e shpëtimit nuk kishin as matrapik (VIDEO)

Deputeti i opozitës Ralf Gjoni tha gjatë fjalës së tij në Kuvend se në ditën e tërmetit ka qenë në Durrës që në orën 7 të mëngjesit tek pallati ku ndërroi jetë Diena Meçaj bashkë me vajzën Esiela dhe nënën Roza. Gjoni tha se forcat e shpëtimit po punonin në kushte jo të mira dhe kishin mungesë të mjeteve të nevojshme. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të personalizojë tragjedinë kombëtare duke bërë show në ekrane, ndërkohë që duhet të jetë pranë qytetarëve.

"Në 7 të mëngjesit kam qenë tek pallati i shembur ku po kërkohej mundësi për të shpëtuar Dienën me vajzën e vdekur në krahë. Ishte shumë e dhimbshme të qëndroje aty. Jam mahnitur nga gatishmëria e forcave të shpëtimit. Ky nuk është momenti që ne të bëjmë politikë të pisët.Tërmeti nuk pyet as për të majtë dhe as për të djathtë. E kam frenuar veten nga sulmet ndaj qeverisë për shkak se mendoj se fokusi ynë duhet të jetë tek të prekurit nga tërmeti. Po vjen momenti që ne të vazhdojmë të kërkojmë përgjegjësit. Duhet të jemi të vëmendshëm ndaj masave të marra apo të pa marra për të menaxhuar këtë situatë. Njerëzit thonë në dorën e Zotit. Njerëzit thonë që nuk ka shtet. Unë atë ditë kam parë heronj në detyrë shtetërore por shtetin nuk  e pashë. Atë ditë që mbërrita në Durrës u desh një orë e gjysmë për të gjetur matrapik. Nuk kishte doreza, nuk kishte kaska. Ata njerëz që lanë familjet e tyre dhe shkuan atje janë heronj të vërtetë. Shteti nuk ishte por heronjtë ishin atje. Në stadiumin e Durrësit mungonin batanijet në ditën e parë. Pse kishte mungesa që shtetit të përgjigjej. Çfarë masash janë marrë për inspektuar dhe mbroktur qytetarët pas tërmetit të shtatorit. Njerëz kishte por nuk kishte mjete, nuk kishte organizim. Nuk dua t'iu sulmoj por shteti ishte rrumpallë. Më rrumpallë se këto ditë nuk kam parë në 20 vite Shtet në Shqipëri. Nuk mund të kalojmë asnjë projekt ligj nëse vëmendja jonë nuk është te qytetarët. Në dorën e Zotit ishim, në dorën e shtetit nuk ishim. Në çdo ekran shohim vetëm Edi Ramë, ai duhet të japë llogari pse Shqipëria nuk ka një shërbim emergjencash. Të nderuar kolegë, ju ftoj t'i thoni Ramës të mos bëjë populizëm në këto momente dhe të mos personalizojë dramën kombëtare. Duhet t'i gjendemi afër qytetarëve. Duhen parë të gjithë kryetarët e bashkive që kanë dhënë leje ndërtimi në ato zona ku nuk duhet të ishte", tha Gjoni.

Ora 12:31
'Ata që humbën jetën nuk i kthejmë dot', Shahini: Kemi dy apo tre shkolla të përkohshme në hotelet përgjatë bregdetit (VIDEO)

Ministrja e Arsimit Besa Shahini tha se janë themeluar 2-3 shkolla të përkoshme në hotelet përgjatë zonës bregdetare ku janë strehuar pjesa më e madhe e të prekurve nga tërmeti.

"Hotelet ku janë strehuar qytetarët janë themeluar shkolla të përkohshhme që nxënësit e strehuar aty të mos humbasin mësimin.Kemi dy apo tre shkolla të përkohshme përgjatë bregdetit ku janë vendosur pjesa më e madhe e familjeve të prekura nga tërmeti. Ata që kanë humbur jetën nuk nuk mund t'i kthejmë, por do përpiqemi ta bëjmë sa më të lehtë situatën për ata që janë prekur nga tërmeti", tha Shahini.

Ora 12:10
Murrizi kërkon të hiqet TVSH për ndihmat ushqimore... por akti normativ ka hyrë në fuqi prej 5 ditësh (VIDEO)

Deputeti i opozitës së Re Myslim Murrizi ka kërkuar gjatë fjalës së tij në Kuvend heqjen e TVSH për ushqimet që shkojnë për të mbijetuarit nga tërmeti. Murrizi tha se duhen hequr tenderat e fshehtë, faturat dhe kasat e miqve, pasi nuk po kontribuohet aty ku ka nevojë.

"Nuk bëj politikë për atë ngjarje të rëndë. Shpreh konsideratë për të gjithë ata që kontribuan. Shpreh përbuzje për të gjithë ata klloun politik që gjetën kohën për të sulmuar dhe dolën nëpër kamera. Lini qurravitjet dhe mos bëni si fatorino fugoni. Qeveria nuk është shoqatë. I doni njerëzit kur vdesin. Keni 18 pika në diskutim, a kanë të bëjnë me tërmetin. Joo zero lidhje me tërmetin.

Flisni për koncesione për kasat. Hiqni tatimet për koncesionarët e makinave. Po ata që u dëmtuan nga tërmeti. 20 milionë euro ka parashikuar kjo qeveri për fatkeqësi natyrore në këtë buxhet. Ndërkohë dëmet përllogariten në 500 milionë euro. Boll me gallatë dhe me shoë, e video të njerëzve që thonë më ka humbur gruaja. E keni harruar tërmetin shumë. Halli i madh është qe të ikin nja 20 kaçakë nga këtu apo KCK siç ju thotë Rama. Nga ndryshon tërmeti dhe shembja e banesave prej tij nga shembja që i bëni ju. Paksoni luksin nga buxheti i 2020. Hiqni tenderët e fshehtë, mjaft me faturat dhe kasat e miqve. Hiqni TVSH për ushqimet dhe jo të koncesionarëve. Nuk po kontribuoni aty ku ka nevojë por po i çoni nëpër arka të shtetit", tha Murrizi gjatë fjalës së tij në Kuvend.

Por në fakt ky është një akt normativ i propozuar nga Ministria e Financave 5 ditë më parë. Ministria e Financave ka përgatitur një akt normativ që favorizon donacionet për të prekurit nga tërmeti nga bizneset që në datë 30 Nëntor.

Ora 11:33
'Nuk hahemi dot me Zotin', përlotet Balluku: Njerëzit para se të vinin të huajt i shpëtoi Luani, kishte ardhur nga Vlora para nesh (VIDEO)

Nën emocione të forta, teksa nuk ka mbajtur as lotët, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka folur për pasojat e tërmetit. Balluku tha se forcat shqiptare kishin shpëtuar shumë jetë derisa erdhën forcat e huaja, ndërsa u shpreh se opozita duhet të ketë fytyrën e Edlira Hyseni, deputetes së opozitës së re në Durrës e cila mbajti një fjalim prekës në Kuvend.

"Opozita duhet të ketë fytyrën e Edlira Hysenit.  Tërmeti i 26 nëntorit ngjarja më e rëndë e dekadave të fundit.  Opozitës i përulem me respekt shumë të madh por nuk jam emocionalisht gati për tu përgjigjur për ankesat e tyre. Programi që kemi është i shkëlqyer për të ndërruar banesat e reja, pavarësisht se dhimbja nuk kalohet.  Jetoj në tiranë por më është dashur të ndaj me ata shumë momente. Kemi arritur në Durrës para se të zbardhte, pranë Dy Gjelave gjetëm Dritan Lelin me dy zjarrfikës nga Vlora që kishin arritur para nesh. Ata njerëz nga rrënojat deri sa kanë ardhur të huaj i kanë nxjerrë zjarrfikësit shqiptarë, i ka nxjerrë Luani i cili kishte ardhur me Lelin. Shteti ka qenë i tëri në këmbë. Unë kam qenë në detyrën e ministrit por kam qenë atje si qytetare. Shalsi nuk e ka për detyrë të jetë në terren por ka qenë atje. Ky duhet të ishte një fjalim zyrtar për të dhënë numra dhe shifra. As kam dëshirë që t'i mbaj lotët në këto momente. Opozita duhet të ketë fytyrën e Edlirës. Opozita është aty për të bërë dialog, ndaj duhet të ketë fytyrën e Edlirës. Është shumë e lehtë që secili prej jush të dalë dhe të thotë se çfarë u bë gabim por nuk e di si është të dalësh përpara Ramën Lalës, i vetmi i mbijetuar nga familja Lala. Ne nuk hahemi dot me Zotin. Asnjë ndërtesa nuk do hidhet. Mos është koha të mendojmë për rindërtimin. Jemi këtu për t'u ngritur nga hiri si Feniksi. Ne duhet të jemi të gjithë bashkë për rindërtuar shpirtin e Shqipërisë. Nuk janë 51 ata që kanë vdekur. Na është goditur shpirti", tha Balluku.

Ora 11:27
Rudina Hajdari: Ndihem e revoltuar, shumë familje nuk kanë ndihma, shembja e shpejtë e objekteve akt kriminal (VIDEO)

Deputetja demokrate Rudina Hajdari e ka nisur fjalën e saj në Kuvend me një ngushëllim për familjarët e viktimave të tërmetit të 26 Nëntorit. Hajdari tha se duhen marrë masa për legjislacionin e planifikimit urban. Ajo e quajti shembjen e objekteve një akt kriminal pasi për të çdo objekt përbën një provë hetimore.

"Ndërsa ky vit po mbyllet mund të them me një pikëllim të thellë si nënë, si grua se ky është ndër vitet më të pikëlluar. Tërmeti na kapi të papërgatitur dhe pasojat e tërmetit do të duhen për vite me radhë. Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për çdo vullnetar që ofroi ndihmë. Ju treguat një ndjenjë të pashembullt solidariteti. Shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë forcat operacionale. Dua të falënderoj edhe mediat e gazetarët dhe të gjithë ata që u bashkuan me dorë në zemër për t;i dhënë  transparencë situatës. Ne treguam vlerat e popullit dhe zemërgjerësinë tonë. Të gjithë u bënë bashkë për të përballur pasojat. Shumë vende mike dhe partnere na u gjendën pranë dhe treguan se shqiptarët janë ata që e bëjnë Shqipërinë. Do u jemi gjithmonë mirënjohës. Është e vërtetë se tërmeti tundi themelet e ndërtesave në Shqipëri por tregoi se themelet njerëzore janë të pakufijshme. Buxheti i 2020 duhet të rishikohet për të përballuar këtë situatë. Inspektimi duhet të përfundojë sa më shpejt. Duhen marrë të gjitha masat për legjislacionin e planifikimit urban për emergjencë civile të standardeve të larta. Sot mund të ndihmojmë çdo kënd që është i prekur dhe të qëndrojmë pranë qytetarëve. Ka akoma kërkesa për të strehuar familje. Kontributet kanë ardhur si ndihmë e parë për qytetarët e prekur. Ndihem akoma e revoltuar dhe e shqetësuar sepse shumë familje nuk kanë ndihma. Nuk duhet të lëmë asnjë në rrugë. Duhen vënë të gjithë në dispozicion. Shembja e shpejtë e objekteve është një akt kriminale. Çdo objekt përbën një provë hetimore. Qeveria nuk mund të anashkalojë këtë transparencë. Duhet përgjegjësi para ligjit. Duhen anuluar kontratat koncesionare. Duhet të bëjmë çdo gjë për t'iu gjendur pranë qytetarëve. Njerëzit nuk do kenë më mëshirë për ata që abuzojnë. Duhet të jemi në krye të detyrë dhe qeveria të jetë e përgjegjshme", tha Hajdari.

Ora 11:10
Deputetja e opozitës së re shpërthen në lot gjatë fjalës në Kuvend: Jam prind, në katër të mëngjesit nuk kishte ndarje politike (VIDEO)

Deputetja e opozitës së re, Eldira Hyseni është përlotur gjatë fjalës së saj në Kuvend teksa ka folur për pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit. Nën emocione të forta ajo tha se Durrësi ka nevojë të ngrihet sërish pas kësaj tragjedie për këtë i duhet besimi dhe një qeveri që do i përgjigjet.

"Isha përgatitur të flisja për buxhetin por jemi në një situatë ndryshe nga çfarë kemi qenë. Durrësi, Thumana dhe vendet përreth. Unë jam prind, jam nënë dhe në këtë situatë patëm emergjencën të kujdeseshim për jetën. Në katër të mëngjesit nuk kishte ndarje politike. Njerëzit kanë humbur shumë në të gjitha drejtimet dhe sot Durrësi ka nevojë të rigjejë besimin. Durrësi ka nevojë për një shtet për një qeveri që do t'i përgjigjet. Durrësi ka nevojë për dashuri. Unë nuk dua të besoj që do preken ato lekë për personat e prekur nga tërmeti. Durrësi ka nevojë edhe për të gjetur drejtësi por prioritet është rikthimi në normalitet. Shkollat në Durrës janë të dëmtuara. Prindërit kanë frikë të rikthejnë fëmijët në shkollë. Kanë rënë pallate që janë ndërtuar në 10-vjeçarin e fundit. Kemi nevojë të besojmë tek qeveria, tha Hyseni.

Ora 10:11
Kuvendi 1' heshtje për viktimat e tërmetit/ Ruçi: Vetting lejeve të ndërtimit! U kam kërkuar ndihmë të huajve! (Apel opozitës)

Në nisje të seancës plenare pasi u mbajt një minutë heshtje për viktimat e tërmetit, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u shpreh se ka ardhur koha për një vetting të thellë për të verifikuar kualifikimet, aftësitë, agjencitë, procedurat, rregulloret, liçencimet dhe lejet për të ndërtuar. E ndërsa i bëri apel opozitës jashtë parlamentare që të vijojë bashkëpunimin që të bashkohen përballë kësaj fatkeqësie, ai tha se u ka kërkuar të gjithë homologëve të tij europiane, por edhe nga SHBA deri në Japoni mbështetje financiare për të rindërtuar zonat e prekura nga tërmeti.

Fjala e plote e Gramoz Ruçit
Para se të fillojmë me rendin e ditës, dëshiroj të ndaj me ju disa refleksione të miat, pas dhimbjes prej goditjes që na dha natyra.

Refleksioni i parëështë mësimi prej humanizmit, solidaritetit dhe sakrificavetë shqiptarëve kudo ku ndodhen, në Shqipëri, Kosovë, trevat e tjera shqiptare dhe në diasporë.

Ne, ligjvënësit, duhet ta lexojmë sjelljene qytetarëve e bashkëkombasve tanë.

Falenderoj të gjithë deputetët që në këto ditë u gjenden dhe janë pranë qytetarëve.

Vlerësoj përgjegjësinë, masat e impenjimin e Qeverisë për masat emergjente dhe përgatitjet për zgjidhjet afatgjata.

Falenderoj të gjitha palët politike, përfshirë opozitën, që dhanë shenja mirëkuptimi e vënietë jetës së qytetarëve mbi interesat politike dhe elektorale.

Por motrat dhe vëllezërit tanë të goditur nga tërmeti, të gjithë shqiptarët kudo ku janë, presin që relaksimi i betejave të stërzgjatura politike, të pasohet nga bashkëpunimi politik.

U bëj thirrje të gjitha palëve që si një lutje për shpirtin e 51 viktimave, tëndjejmë apelin e familjarëve të tyre, të njëmijë të lënduarve, të mijra familjeve që mbetën të pastreha, të nxënësve që u janë rrënuar shkollat dhe të bashkëpunojmë për tua lehtësuar dhimbjen.

Refleksioni i dytë lidhet direkt me punën tonë si ligjvënës të Republikës.

Gjatë viteve të fundit, por edhe gjatë këtyre tri dekadave, kemi kemi bërë reforma, kemi miratuar kodee korpuse të tërë ligjesh, të cilët kanë ndihmuar zhvillimin e Shqipërisë dhe përmirësuar mirëqenien e qytetarëve.

Por 26 nëntori na zgjoi dhe na kujtoi se diçka nuk e kemi bërë si duhet.

Unë do t’i ndaja ligjet që janë miratuar në dy grupe të mëdha: ligje që rregullojnë punët e shoqërisë dhe ligje që rregullojnë marrëdhëniet e bashkëjetesën tonë me natyrën.

Është e pamundur që në pak ditë të formosh një gjykim mbi papërsosmërinë e ligjeve tona. Por në këtë grup të dytë, mendoj se ka diçka që nuk shkon.

Prandaj mendoj se legjislacioni mbi tokën, mjedisin, ndërtimet, ujrat, parandalimin e fatkeqësive natyrore e çështje të tjera që lidhen me natyrën, burimet, pasuritë, por edhe kapriçiot e saj, nuk është thjesht i papërsosur.

Dyshoj se në mjaft çështje nevralgjike të kompetencave tona mbi natyrën dhe menaxhimin e marrëdhenieve me mjedisin, kemi probleme.

Ne, të nderuar kolegë, mund të merremi vesh shumë mirë me njeri-tjetrin. Mund të hartojmë ligje që na përshtaten ne dhe duket sikur i përshtaten edhe Shqipërisë. Por a mbështeten të gjitha ligjet tona në mirëkuptimin me natyrëndhe ligjësitë e saj?

Natyra mund të jetë e pabesë. Por pabesia e saj rritet në proporcion gjeometrik me paditurinë, abuzivizmin dhe pabesinë tonë ndaj natyrës.

Nuk rikthehem në pozitat e të Drejtës Natyrore nësemendoj dhe kërkoj që ligjet që miratojmë nuk mund dhe nuk duhet tu kundërvihen ligjësive të natyrës, të cilat janë universale, të pandryshueshme e të përjetshme.

Refleksioni i tretë lidhet me instrumentat që përdorim për të zbatuar ligjet që kemi miratuar. Sidomos korpusin e ligjeve të bashkëpunimit e bashkëjetesës me natyrën.

Nga ky korpus po veçoj bllokun e ligjeve për ndërtimet. Tërmeti i 26 nëntorit na kujtoi se kemi nevojë për një veting të thellë, për të verifikuar kualifikimet, aftësitë, agjencitë, procedurat, rregulloret, liçencimet dhe lejet për të ndërtuar.

Jo vetëm që ligjet nuk i kemi të përsosura, por edhe të tilla po të ishin, ato mund të kompromentohen e helmatisen nëse në këto instrumenta e mekanizma mbizotërojnë abuzivizmi dhe korruptimi.

Natyrisht, të verifikojmë sa përmenda më sipër, nuk është një punë e lehtë dhe kërkon vision, kohë, energji e vullnet.

Por unë mendoj se duhet të nisim të mendojmë për këto gjëra, që të mund të marrim masa afatgjata.

Mendoj se Kuvendi, krahas ekzekutivit, duhet tëmarrë pjesën e vet të detyrësnë këto rishikime ligjore. Për të cilat duhet të thërrasim e bashkëpunojmë me ekspertët më të mirë që ka vendi e bota.

Natyrisht, ne nuk mund të ndalojmë dhe as ndryshojmë ligjësitë e natyrës.

Por mund të rrisim shkallën dhe kapacitetet mbrojtëse ndaj tyre. Mund t’i minimizojmë pasojat, në vend që t’i shumëfishojmë ato. Për ndryshe, një fatkeqësi natyrore si tërmeti, nuk mbetet vetëm natyrore.

Së fundi, dëshiroj tju informoj se unë si Kryetar i Kuvendit u kam shkruajtur të gjithë Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të BE-së, Presidentes së  Dhomës së Përfaqësuesve dhe Presidentit të Senatit të Shteteve të Bashkuara, kryeparlamentarëve të vendeve fqinje, si edhe të gjitha vendeve tona partnere e mike, nga Kanadaja në Japoni, për t’i falenderuar për ndihmën bujare emergjente ndaj vendit tonë si edhe për të kërkuar mbështetje financiare për zgjidhjen e qëndrueshme e afatgjatë të problemit të strehimit dhe nevojave të tjera të banorëve të zonave të prekura nga tërmeti.

Jam i bindur se mbështetja e vendeve mike e partnere nuk do të na mungojë.

Ora 10:08
'U prehshin në paqe'! Kuvendi një minutë heshtje për 51 viktimat e tërmetit (VIDEO)

Parlamenti ka nisur seancën e sotme me një minutë heshtje për 51 viktimat nga tërmeti i 26 nëntorit.

"Në kujtim dhe nderim të 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit iu ftoj të mbani një minutë heshtje. U prehshin në paqe" tha Ruçi.

1575537021_2.jpg

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • I demtuari: 06/12/2019 02:39

    SHEMBJA E BANESAVE QE KANE PLASJE MURESH TJETER KORRUPSION I QEVERISE RAMA MESTRATEGJI AFATGJATE PERFITIMI BIZNESI NE KURRIS TE DEMTUARVE QE DO TU PRISHET SHTEPIJA

    Përgjigju
  • lani: 06/12/2019 00:46

    PO KU pyesin per durresin keta moj zonja deputete e durresit,,,keta duan te bejne para me pallate mbi gjakun tone,,,,,bejne pallate te dobeta,,pa sigurine europiane, sepse nuk dine te bejne gje tjeter,,,injoranti kaq di te beje,,,se mos jane industrialiste,,ish katunare e maloke,,....durrsaket tani te kene kujdes tani,,pallatet te mos jene me shume se 5 kate,,dhe para se ta bleni pajtoni nje arkitekt te zote tju thote se ja vlen te hysh ne pallat ose jo,,,,si puna e makines para se ta blesh e con per kontroll tek mekaniku,,..dhe jo ne kenete apo ne plazh,,po blete ne plazh I keni hedhur kot leket ne det...

    Përgjigju
  • zhani: 06/12/2019 00:39

    EDI RAMA MOS U PERPIQ TE fshehesh faktet dhe te mbulosh abuzimet me lejet ne bashkine e durresit,tiranes,e vlores,shngjinit,golemit,qerretit,velipojes, sepse je ne konflikt interesi,,,ti ,dako etj,,thirr nje hetim nderkombetar nga prokurore te huaj,,ndryshe nuk I besojme prokuroret e arta markut….

    Përgjigju
  • zuni: 05/12/2019 18:51

    BRAVO KUJTIM GJUZI, ,,KESHTU DYHET TE VEPROJNE TE GJITHE deputetet per te pakten 5 muaj….jemi ne nje katastrofe natyrore...

    Përgjigju
  • Populli: 05/12/2019 12:09

    Ju duhet te vareni te gjithe pa perjashtim nga i pari te i fundit. Ku arrin paftyresia njerezore ne keto momente dhimbje per gjithe shqiptaret. Zoti ju pafte sa me shpejt aty ku ju dhemb me shume.

    Përgjigju
  • Andi: 05/12/2019 11:11

    Ligjet "fiksale"???? Ju hani buke kot.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Blinken, Fidan diskutojnë për të ardhmen e Sirisë

Blinken, Fidan diskutojnë për të ardhmen e Sirisë