Karnavali i nëntorit në Pallatin e Kongreseve! Festimi i librit fiktiv, si objekt spektakli dhe dekorimi ose festivali i pseudo-leximit, për ata që nuk lexojnë!

 Karnavali i nëntorit në Pallatin e Kongreseve! Festimi i librit fiktiv, si objekt spektakli dhe dekorimi ose festivali i pseudo-leximit, për ata që nuk lexojnë!

Panairi i Librit

Ngaqë e pata përjetuar vjet në nëntor 2023, gjatë 4 ditë, si një i ftuar anarshist dhe ilegal, Panairin e Librit vjetor të vjeshtës në Tiranë, desha për t'i ndarë disa përshtypje personale dhe intime me ju, të cilat janë natyrisht krejt subjektive dhe vlejnë aq sa vlejnë, por unë, as nuk them që e kam mirë apo me të drejtë dhe nuk ia imponoj idetë e mia askujt. Çdokush i vlerëson përmes analizës së tij brenda një lirie të plotë. Por unë për vetën time isha aty vjet me librin tim WELCOME TO PARIS, së paku një vepër e vërtetë prej 900 faqesh dhe me një përmbajtje kulturore, e cila nuk e ka sot për sot, objektivisht asnjë vepër letrare apo artistike  e botuar në vitët e fundit në Tiranë  dhe nëse eventualisht gaboj, më thoni pra mua, e cila, me titullin dhe autorin e saktë se m'intereson realisht ? Dhe gjatë atyre 4 ditëve, në realitet askush nuk më ka ardhur për ta lexuar seriozisht atë vepër, edhe pse m’i moren afërsisht 25 libra, por më tepër për arsye show dhe spektakli sesa për ta studiuar. Do me thënë e pashë qartë  që askush nuk e kishte mendjen reale për t'iu futur seriozisht letërsisë si art, por për t'u dukur trendi, fashion, ngaqë ishte një ngjarje vjetore me përmasa kombëtare, e mbireklamuar nga të gjitha televizionet e vendit. Natyrisht, që publiku shqiptarë shkonte për ta vizituar Pallatin e Kongreseve, gati mekanikisht, si një lloj detyre shkollore, apo sa për t'u argëtuar, për ta kaluar kohën, në vend se me shëtitur kot e pa qëllim apo për t'u zhagitur nëpër kafe. Bile, aty do shohim njerëz dhe eventualisht ndonjë personalitet të njohur, të cilin e kemi pa nëpër ekranet shqiptare, por pa e ditur saktësisht për çfarë ? Si artist, si shkencëtarë, si aventurier, si trafikant, si politikan ? Jo por qenka një fytyrë e njohur simpatike apo antipatike ! Ndoshta mund t'i flasim, mund ta bëjmë një foto selfie me të, mund ta pyesim sikurse shumica prej gazetarëve apo animatorëve tanë nëpër disa emisionë, sa për t'i mbushur programet. « Por zotëri Sherifi : kush jeni, me çka po merreni saktësisht dhe përse keni ardhur në Tiranë ? »

–        Sinqerisht nuk e di as vet se kush jam, as me çka merremi, me siguri me dallavere dhe uzurpim sikurse ju. Shes konserva qumshti në shesh, dhe kur kam një disponim mendor, luftoj me fjalë, idé dhe me vargje,  e muzikalizoj gjuhën shqipe dhe franceze, sa për qejfin tim. Kur ngelem si kloshard pa asnjë lek në xhep, ja kërkoj ndonjë humanisti të rrallë, një favor sa për sevapë. Dikush preket shpirtërisht dhe e ndihmon një UFO.

–        Por a i duhet kujt gjithë ajo punë ?

–        Jo, absolutisht askujt ! Jam dinauzori i fundit i këtij modeli në Jurasik Parkun shqiptar. E kam ngatërruar gjeografinë, epokën dhe shekullin.

–        A i ke shkruar ti vet gjithë këto libra zoti Sherifi ?

–        Jo, një kushëri afrikan, porse i kam firmosur unë, si plagjiator.

–        Por paska shumë faqe, kush i lexon këto … e për çka flet vepra ?

–        Nuk e di as vet … kanë ardhur me tonelata fjalë nga kozmosi dhe janë futur direkt nëpër fletë, pa na pyetur fare. Autori ngelet misterioz, një lloj fuqie enigmatike, por është dashur një dorë njeriu për t'i shënuar.

–        Asgjë nuk po kuptojmë, por po na dhimbësh shumë, që e ke bërë gjithë atë mundim. Po ta marrim një libër sa për humanitet, e sa kushton ?

–        Sa një Picë tek Juvenilja, por pasi kam ngelur pa drekë, mund të ma paguani edhe mua, përkundër një fotografie në tavolinë se po e zëvendësoj Kadarenë. Por mos ma merrëni librin kot, nëse nuk e keni mendjen për ta lexuar, se është gjynah !

–        Por libri është për t'u shitur more i shkretë. A je shkrimtar, apo çka dreqin je ? A jeton prej veprave të tua ? Sepse, neve e kemi për me të ba nder dhe për ta futur në bibliotekën tonë, tek Vila e ré 3 - katëshe të cilën e kemi ndërtuar para 6 muajsh. Do figurosh në salonin tonë, me Migjenin, Agollin, Ben Blushin, Tupjen, dhe si me u ba i bukur, i pasur, Don Juan, i ri, dinamik, atraktiv, sensual, erotik, me 10 leksione ? Plus, e kemi edhe një kujtim me ty në fotografi … Të kemi pa në televizion, dhe po na dukesh po ashtu simpatik edhe në jetën e përditshme.

A fiton shumë lek me gjithë këto libra ?

–        Jo, prandaj, po mendoj për t'u konvertuar në Kanabis dhe Kokainë në pleqëri. Se deri tani kam ardhur si Shënkolli, i cili ju dhuronte bombona dhe çokollata kalamajve me 6 dhjetor, ose si Dervish Luzha i Tropojës, dhe kam shqepur tash 34 vite Libra falas nëpër Shqipëri dhe Kosovë,  të cilat askush përpos 5 përqind ekspecione nuk i ka lexuar. Dhe i thash vetes : pse mos me u ba edhe unë « Mushk » si gjyshi im i Holivudit zoti Clint Eastwood, në filmin: « The Mule » ngaqë Poezia, Filozofia dhe bota e shpirtit kanë marrur fund me Elon Muskin, boten teknologjike dhe inteligjencën artificiale. Dhe aty, fatkeqësisht, nuk mund të hy tani !

Merreni veprën falas, nëse ju përshtatet për salonin tuaj dhe hupëni,

e mos të ju shoh më për së dyti ! Pra, nëse më kanë lexuar me pak përkushtim dhe seriozitet 2 Persona gjatë Panairit të Librit, kjo është një rekord. Kurse ata të rrallët që e kanë lexuar, sikurse miku im Ilir YZEIRI, Mevlan SHANAJ, Osman SHEHU, Kastriot RAMOLLARI me disa shokë, e kanë konsideruar si vepër emblematike kult për kulturën shqiptare. Atëherë, çka kam për t'ju thënë, nëse jam së pari 100 përqind i sinqertë me veten time dhe pastaj me juve ?

Për mua personalisht, Panairi i Librit i Tiranës, ka qenë objektivisht sipas konstatimit dhe përjetimit tim, një maskaradë groteske e paparë, një lloj teatrologjie, komedie njerëzore, tamam lojërat e cirkut të Jul Çezarit, por kinse kushtuar letërsisë, me një alibi kulturorë në sfond. Ndërsa, unë, në realitet, e kam pa një ngjarje puro komerciale, ku çdo gjë predominon në plan

të parë, reklama, show, spektakli, televizionet, tregtia, shitja, marketingu, publiciteti, por në asnjë mënyrë « kultura autentike e thellë dhe e pasur, apo letërsia si art, si botë, si zbulim i ri »

Pra, Pallati i Kongreseve ishte Teatri, Arena, ku vinin njerëzit e Publikut për të shëtitur nëpër korridore apo stenda, për ta kaluar kohën e tyre, për ta takuar sa për show dhe hajgare ndonjë autor, për t'u fotografuar me të apo mes veti, sa për të dëshmuar që isha në Panair … ( a po e shihni se edhe unë po shkoj ku ka kulturë, së paku në plakatat e hyrjes … ku e ke të shkruar fjalën Libër ). Pastaj, dikur ndonjëri prej tyre, do të thotë mbi 90 përqind patjetër, dilnin të shtyrë nga një refleks automatik i tipit Pavlovian, një farë auto-sugjestionimi mekanik, me një qese plastiku të mbushur me libra … por shumica prej tyre, hajgare të kota … sesi me u ba kështu dhe ashtu, si me korrur sukses në biznes, në seks, në plazh, sesi me u ba miliarder, sesi me kuzhinuar, sesi duhet me u veshur, sesi duhet me humbur peshë ose libra për t'ua mbaruar qejfin fëmijve të tyre me përralla, me vizatime, sa për të thënë ( a po e shihni sesa prindër të kujdesshëm dhe të mirë jemi ! ) e tjera ? Ose vepra sa për dekor, porse asnjë gjë nuk u lidhte me artin apo me botën letrarë në realitet. Do me thënë ishte një sfilatë gjigante, një hapening LIFE, një show dhe një spektakël, i skenarizuar brenda një prapa sfondi biznesi dhe tregtie, diçka e orkestruar mjaft profesionalisht mbi alibinë e Librit dhe të Letërsisë, me një ose 2 emblema sa për sy dhe faqe, siç ishte vjet Ismail Kadareja, me ndonjë kloun apo bufon komercial përreth, i cili njihet dhe shitet si shkrimtarë, ngaqë i ka të gjitha rrethet dhe mjetet mediatike me vete, por duke i lënë gjithë të tjerët nën hije. Kush e krijon evenimentin me prezencën e tij në Panair ? Garcia Markezi, Borgesi, Le Clezio, Michel Houellebecq, Ohran Pamuku, Douglas Kennedy, Patrick Modiano, Annie Ernaux ? Jo, por e krijon Blendi Fevziu apo Ermal Mamaqi, autorë madhorë !

Do me thënë, jemi në logjikën evidente bukë dhe lojëra, show dhe spektakël.

Mund të thuhet që Panairi i Librit vjetor i nëntorit në Tiranë, pavarësisht sesi e paraqesin dhe sesi e stërfryjnë dhe e propagandojnë të gjitha mediat shqiptare, (dhe aty mund t'i thuash vetës – po a mos i kanë blerë të gjithë ?) e celebron ose e feston LIBRIN, por vetëm si objekt tregtie, biznesi apo dekori, si objekt konsumi, sa për ta larë një lloj faji moral ndaj kulturës … Tani na duhet bile 1 herë në vit, për ta blerë ndonjë libër, sa për ta rikthyer në vendin e duhur ndërgjegjen tonë njerëzore. Pra, konkretisht, festohet 4 ditë me një masë vizitorësh të pabesueshme në një Pallat, sa që kishe për të thënë: « Waou, po ky Popull qenka gjenial dhe po e donë aq shumë letërsinë, po lexojshin me entuziazëm, qenkan fansa të artit dhe të kulturës. Super ! »

Kurse në realitet është një mashtrim dhe një iluzion kolosal. Jemi në Panairin e librit, në idenë fiktive të librit, në spektaklin dhe inskenimin e librit, si objekt komercial, duke luajtur me konotacionin që ka fjala « libër » për gjithë ata që nuk e lexojnë fare, porse e blejnë dhe e konsumojnë, së paku gjatë Panairit. Kjo është analiza ime dhe dëshmia e ime, të dashurit Miq dhe Mikesha !      

-  Po qysh ashtu zotëri Sherifi, je i vetmi që e shprehë atë mendim, o burrë ! Po e di dhe po më vjen keq, por për mua kjo është e vërteta ime. Nëse nuk jeni dakort, ma faktoni që e kam gabim me argumentet e juaja. Dakort ! Unë e kuptoj shumë mirë, që ky nuk është aspak narracioni apo propaganda zyrtare, sesi i është paraqitur ky eveniment ( dhe është tamam një eveniment i madh dhe i suksesshëm, ngaqë Publiku vjen në masë të madhe për ta shijuar … pra, unë them bravo për gjithë atë aspektin teknik dhe organizativ ) por ka një dallim të madh, për mos me thënë një kundërshtim radikal gjigant, sesi i është paraqitur Opinionit Publik Shqiptarë ( jo po e celebrojmë librin si art dhe si kulturë ) dhe se çka është në realitetin objektiv ( diçka krejt tjetër : pra, një show puro komercial dhe publicitarë, me pretekstin e librit si zhanër letrar dhe artistik … sepse, aty çdo gjë mund të jetë prezente, përpos letërsisë ! )

Mirëpo, kur e thotë shteti me versionin e tij zyrtarë, dhe vijnë të gjithë qeveritarët për ta inauguruar Panairin, sa për show dhe komunikim të mbrendshëm, me një narracion të filtruar dhe të parapërgatitur siç duhet, dhe kur e afirmojnë 24 orë në 24 të gjithë mediat televizive gjatë 4 ditëve, të njejtin narracion publicitar të veshur me fjalën « art dhe kulturë » si mund ta afirmon anarshisti Skënder Sherifi të kundërtën ? Dhe tani, kur e shoh për 1 orë kohë prezencë, e lere më 4 ditë sesi funksionon në praktikë ky lloj Panairi, mbi të cilën logjikë apo filozofi dhe sesi reagon konkretisht Publiku që e viziton, nxënsat e shkollave që vinin aty sa për t'u argëtuar, dhe mësuesit e tyre sa për ta shlyer brenda një alibie kulturore, 1 orë apo 2 mësim pedagogjik, dhe pastaj sjellja e njerëzve nëpër stande dhe korridore- ti e kuptojshe se çka është duke ndodhur ? Je një autor logjikisht i konsideruar si serioz dhe me vlera origjinale, i ulur 4 ditë nga 8 orë në një karrigë të Ioneskos, i cili nuk intereson absolutisht askënd, po flas si Lexues, porse ju dukesh simpatik gjithë atyre që të kanë parë në ekran gjatë emisionëve … dhe pikë ! Si mund ta mashtrosh vetën pastaj, kur e përjeton ti vet gjithë atë komedi burleske, patetike, por edhe tragjike për në aspektin kulturor. Kur e sheh që 90 përqind të Publikut vetëm shëtit dhe argëtohet brenda Panairit, ose del me një çantë plot me libra komplet të kota, të cilat nuk lidhen fare me letërsinë, bile nëse janë për fëmijët e tyre, prapë e mbushin një funksion real të saktuar. Ose blejnë libra pa e ditur as vet sepse, mekanikisht sa për t'i futur në raftin e bibliotekës së tyre në sallon, afër televizionit, sa për t'u dukur intelektualë të shkolluar, por të cilat natyrisht nuk i lexojnë. Atëherë, do rrahi shuplakë dhe do them bravo, super ! Unë, nuk mundemi personalisht për t'u pajtuar me rrenën, uzurpimin, falsifikimin, mitomaninë, inskenimin permanent, komedinë. Na vijnë njerëzit, mediat, organizatorët me shifra, me statistika dhe na thojnë që këtu në Shqipëri lexohet në masë me kaq përqind … që gjatë Panairit na erdhen kaq mijëra veta dhe na u shiten kaq mijëra libra. Dhe kur çdokush   i përsëritë këto informata për mua tëndencioze dhe mashtruese, ngaqë e deformojnë komplet realitetin objektiv, dhe lidhjen reale që ka Populli jonë me kulturën, me artin, me librin … porse e maskojnë me shifra dhe stastistika anekse. Kur çdokush që është pak serioz, e dinë shumë mirë, që tek neve në Tiranë, apo në Prishtinë, askush ose pak kush lexon realisht, bile a studentët e universitetëve, as pedagogët e tyre, përpos çka lidhet me fushën e tyre profesionale. Kur dihet që sallat e teatrit janë gjysma thatë dhe në ekspozita pikture nuk vjen askush. Çka ma kanë thënë mua vet, Njerëzit e profesionit !

Kështu, që unë i them vetës dikur : okay, e dua  jashtë mase Atdheun tim dhe i respektoj pa asnjë dyshim të gjithë bashkatdhetarët e mi, e kam atë parim dhe atë besnikëri që nga lindja, e kam brenda natyrës time dhe pikë. Mirëpo, pse duhet ta mashtrojmë vetën së pari, dhe pastaj njëri-tjetrin me gjithfarë mitomanie dhe dezinformimi flagrant ? Pse duhet për t'i thënë për interesë :          « e zezës, e bardhë ? » Pse duhet të marrim pjesë pa nevojë dhe në një mënyrë aq groteske dhe absurde, në gjithë këtë komedi, teatrologji, lojë rolësh, sa për t'u dukur kinse kështu apo ashtu … çka në realitet nuk jemi ? Dhe aq më tepër, çka unë nuk mund ta kuptoj : pse merr pjesë në këtë cirkus rrenash dhe në këtë spektakël të auto-mashtrimeve, vet shtresa mediatike    e vendit, dhe shtresa universitare, logjikisht e konsideruar si intelektuale ? Sepse, atëherë, problemi është më i rëndë dhe më i thellë, dhe për mua tepër shqetësues në realitet. Ngaqë, aty jemi në fushën e etikës profesionale, të logjikës racionale që lidhet me inteligjencën, e cila bazohet në argumente reale, të cilat na e faktojnë një të supozuar të vërtetë. Jemi pra, në fushën e shpirtit, të kulturës, të autenticitetit, të sinqeritetit, të psikologjisë, të anës morale, rigoroze, shkencore, pra të seriozitetit dhe kredibilitetit, nëse i themi vetës me plot të drejtë: që jemi elita e këtij Kombi, dhe ata që po e formojnë këtë Rini studenteske shqiptare për të ardhmën. E kemi atë përgjegjësi !

Por dakort, o Miq : po si mund të qendron ai objektiv, nëse neve fillimisht e pranojmë rrenën, e mbështesim të pa vërtetën, dezinformimin evident?

Kurse, logjika e shëndoshë do ishte për t'i denoncuar dhe për t'u prononcuar ashtu siç duhet dhe siç është realiteti objektiv i joni. Sepse, përndryshe, do humbim tek Gjeneratat e ardhshme, herët apo vonë, çdo besueshmëri dhe çdo kredibilitet me plotë të drejtë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 20/11/2024 03:19

    Nuk duhet t'a quani karnaval panairin e librit,zoteri! Per ju mund te jete karnaval,por nuk shoh ndonje shkrimtar a botues te thote nuk marr me pjese ne te.Sa per lexuesin,vertet sot nuk lexohet haq shume,kjo dhe fale rrjeteve sociale e kompjuterave e telefonave smart,por ndikon dhe mundesia ekonomike,vlerat,shkollimi,opinioni,gustot,por edhe keto duhen respektuar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Gati shqipe', turi me diasporën, Rama sot takim me shqiptarët e Londrës! Pamje nga salla

'Gati shqipe', turi me diasporën, Rama sot takim me shqiptarët e Londrës! Pamje nga salla