KATAR 2022/ Anglia dështon sërish në Kupën e Botës, Franca e mposht për 90 minuta dhe gjen Marokun në gjysmëfinale (VIDEO)

FT/ Angli 1 - 2 Francë (Kane 54' / Tchouameni 17', Giroud 78')

Franca fitoi 1-2 me Anglinë në çerekfinalet e Kupës së Botës duke treguar se jo më kot janë kampionët në fuqi të turneut. Ndeshja për "Gjelat" nuk ka qenë e lehtë, teksa Tchouameni në minutën e 17 kaloi francezët në avantazh. Kane barazoi me penallti për "Tre Luanët" në minutën e 54 ndërsa ishte Giroud që në të 78 minutë gjeti golin e avantazhit për Francën dhe të biletës për në fazën gjysmëfinale. Maroku është kundërshtari i ardhshëm për Francën, me ndeshjen që luhet të mërkurë në 14 dhjetor në orën 20:00.

Dueli i Dohas nisi më mirë për Francën, me mesfushorin Tchouameni të Real Madrid që shënoi nga 25 metra në minutën e 17. Pickford u duk i papërgatitur në gjuajtjen nga jashtë zone, me sferën që u ndal në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll 0-1 për Francën, teksa Anglia protestoi për një penallti të padhënë.

Në pjesën e dytë ishte Kane që nga 11 metra barazoi ndeshjen në minutën e 54. Teksa ndeshja u duk se do shkonte në shtesë, Giroud në minutën e 78 kaloi Francën në avantazh. Të dy golat e Francës erdhën pas pasimeve finale nga Griezmann. Për t'u evidentuar minuta e 84 te Anglia, me Kane që gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Sërish Anglia nuk ia del të shkojë në finalen e një Kupe Bote, teksa në Europianin e fundit u renditën të dytët. Duket se penalltitë janë një makth për "Tre Luanët", teksa Kane me golin e shënuar barazon Rooney në krye të golashënuesve të Anglisë me 53 gola.

VIDEO:

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:39
VIDEO/ Gol me shije kualifikimi, Giroud i shënon Anglisë! 'Gjelat' sërish në avantazh, Kane humbet penalltinë e dytë

78' / Angli 1-2 Francë. Olivier Giroud shënon golin e dytë të ndeshjes dhe të parin në këtë sfidë. Pas asistit të Griezmann (i dyti këtë ndeshje), Giroud nuk fal me kokë.

84' / Angli 1-2 Francë. Kane gabon nga pika e bardhë e penalltisë. Kapiteni godet keq, me topin që shkon të tribunë. Anglezët humbasin shansin për të barazuar ndeshjen.

Ora 21:32
Gol historik për Kane, kapiteni i Anglisë barazon Rooney

Harry Kane ka shënuar golin e 53 me fanellën e Anglisë. Sulmuesi barazon Wayne Rooney në krye të listës së golashënuesve për "Tre Luanët", teksa ka mundësinë për të marrë vendin e parë duke qenë se është në aktivitet. Anglia po barazon 1-1 me Francën në Botëror.

Ora 21:16
VIDEO/ Arbitri 'korrigjon' vendimin, Anglia barazon Francën me penallti

54' / Angli 1-1 Francë. "Tre Luanët" barazojnë ndeshjen me kapitenin Kane. Sulmuesi ndëshkon Lloris në portë nga penalltia. Duelin mes dy lojtarëve të Tottehman e fiton sulmuesi.

Ora 21:09
VIDEO/ Polemika në Kupën e Botës, VAR s'i jep penalltinë Anglisë

Në minutën e 25 të ndeshjes mes Anglisë dhe Francës, kapiteni i "Tre Luanëve", Kane goditet nga pas dhe rrëzohet në zonë. Arbitri Sampaio konsultohet me VAR, teksa teknologjia ka vendosur që mos japë as faull jashtë zone dhe as penallti. Nga pamjet duket se kontakti ekzistonte.

Ora 20:19
VIDEO/ Vetëm 17 minuta lojë, Franca i shënon supergol Anglisë

17' / Angli 0-1 Francë. "Gjelat" e Dechamps kalojnë në avantazh pas vetëm 17 minutash lojë me një goditje perfekte nga Tchouameni. Asisti i Griezmann ka bërë që mesfushori i Real Madrid të shënojë një "perlë" nga 25 metra.

S.Dh/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    16 Nëntor, 09:13

    Kush ka pension më të ulët bonus më të madh në fundvit? Si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore