Bilanci i viktimave si pasoje e koronavirusit në vendin tonë vazhdon të rëndohet. Në 24 orët e fundit 4 persona e kanë humbur betejën me COVID-19, duke e çuar në total 89 numrin e viktimave. Ministria e Shëndetësisë thotë se situata në spitalin infektiv është e rënduar, pasi në total janë të shtruar 72 paciente, 8 në terapi intensive dhe 4 të intubuar. "Ne 24 orët e fundit, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 4 qytetarë: një 68 vjeçar nga Durrësi, një 65 vjeçar nga Tirana, një 63 vjeçar nga Elbasani dhe një 71 vjeçare nga Shkodra, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, në gjendje të rënduar si pasoje e Covid19. Situata në spitalin infektiv vijon te paraqitet serioze, me pacientë që trajtohen në terapi intensive por edhe pacientë të intubuar, një pjesë e tyre mosha të reja", thuhet në njoftimin e ministrisë.

Tirana vazhdon të jetë vatra më e nxehtë me 62 raste më pas Shkodra me 6 raste, 4 në Gjirokastër, nga 3 raste në Durrës, Pukë, nga 2 raste në Korçë, Mirditë, Tropojë, Malësi e Madhe, dhe nga 1 rast në Krujë, Fier, Lezhë, Kavajë, Rrogozhinë, Berat, Tepelenë. Burime për Report Tv bëjnë të ditur se rasti i Fierit është kreu i PD në Roskovec.

"Në 24 orët e fundit janë shëruar 6 qytetarë, duke e çuar në 1881 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1401 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës", thuhet në njoftim.

Apeli për qytetarët
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju rikujton të gjithë qytetarëve të konfirmuar pozitivë që janë në kushte shtëpie, të respektojnë detyrimin ligjor për të qëndruar të izoluar, për të mos rrezikuar shëndetin e të tjerëve. Nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127. Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19

COVID-19 – Statistika (11 Korrik 2020)

Testime totale          31933

Raste pozitive                    3371

Raste të shëruara    1881

Raste Aktive              1401

Humbje jete              89 (Qarku Tiranë 47, Durrës 14, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 14, Kukës 1, Elbasan 4, Lezhë 1, Berat 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë                591

Durrës                229

Shkodër             178

Vlorë                  120

Lezhë                 68

Fier                     42

Kukës                 41

Korçë                  34

Elbasan             33

Berat                   25

Gjirokastër       22

Dibër                  18

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:29
Kreu i PD në Roskovec i infektuar me Covid-19

Gazetari i Report Tv në Fier, raporton se rasti i infektuar me Covid është kreu i PD në Roskovec. Ai ka 10 ditë me temperaturë dhe kollë, por është në gjendje të stabilizuar dhe ndodhet i izoluar në shtëpi.

Ora 10:19
Pedagogia infekton familjarët dhe kolegen me koronavirus në Gjirokastër

Në Gjirokastër janë konfirmuar 5 raste të reja me COVID-19, ku të gjithë janë kontakte të pedagoges të dalë pozitive disa ditë më parë.

Të infektuar me koronavirus kanë rezultuar bashkëshorti dhe dy fëmijët e pedagoges, nipi i saj dhe një kolege e saj në punë.

Ora 09:26
Një person pozitiv me COVID-19 në Krujë, rast kontakti

Një rast pozitiv me covid-19 ka rezultuar në Krujë në 24 orët e fundit. Nga 30 tamponët e bërë ditën e djeshme një ka dalë pozitiv, ndërsa janë në pritje të përgjigjeve për 7 tamponë të tjerë.

Personi i infektuar që doli pozitiv është rast kontakti.

Shifrat e të prekurve me covid janë rritur ndjeshëm gjatë dy javëve të fundit, ku ditën e djeshme u shënuan 90 raste të reja dhe 2 viktima.