KAVAJË - Kandidati demokrat për kryetar bashkie në Kavajë Engjëll Cara, zhvilloi takim me gratë dhe vajzat sipërmarrëse të cilave Cara u dha një vend të veçantë në platformën e tij. Ai theksoi rolin e rëndësishëm që gruaja ka në zhvillimin e vendit ndaj edhe pikat e parë e projektit është barazia gjinore.

"Nuk mund të ketë zhvillim shoqëria, pa patur bekimin dhe mirëkuptimin e nënave dhe të grave, të cilat nga mëngjesi deri në darkë kujdesin e kanë për ne dhe unë betohem që në Bashkinë e Kavajës do të bëj në mënyrë taksative Administratën me 50% gra dhe vajza".- tha ai.

Cara deklaroi që do të nxisë gratë sipërmarrëse, të hapin një biznes dhe ta zhvillojnë atë me ndihmën e Bashkisë. Sipas tij vend të veçantë në projekt zë edhe ndihma sociale për kryefamiljaret femra.

"Do të bëjmë paketa sponsorizuese, ndihmuese, për të gjitha ato gra që do të nisin një biznes të ri, Bashkia e Kavajës merr përsipër t'i paguajë siguracionin në vitin e parë të zhvillimit të biznesit të saj. Do të bëjmë të mundur që nënat dhe vajzat e Kavajës të kenë mbështetjen e vazhdueshme të Bashkisë, kryesisht, ato nëna që janë kryefamiljare, do të kenë mbështetje sociale dhe fëmijët e tyre do të ndihmohen me bursa për arsimimn në shkollat e larta, pa patur kritere të tjera",-tha Cara.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)