TIRANË, 9 Qershor /ATSH/ -Kryebashkiaku i Kavajës dhe njëkohësisht kandidati i Aleancës per Shqipërinë Europiane në këtë bashki, Elvis Rroshi, është ndalur në komunën e Luzit për t'u njohur nga afër me problemet që ka ky komunitet.
Kandidati i koalicionit të majtë, u ka premtuar banorëve se çdo shqetësim i tyre do të marrë zgjidhje pas 21 qershorit kur komuna e Luzit të bëhet pjesë e bashkisë së madhe të Kavajës.
"Brenda vitit rruga hyrëse e Luzit do asfaltohet dhe ndriçohet, si dhe qendra e komunës do rikonstruktohet për t'u bërë model si ajo e Kavajës. Tokat që u janë grabitur nga 'të mëdhenjtë' do ju kthehen sërish. Gjithashtu, brenda këtij viti do pastrohen kanalet kulluese dhe vaditëse, për t'i dhënë fund njëherë e mirë këtij problemi", ka thënë Rroshi.
Rroshi ka deklaruar se kundërshtari i tij, Engjëll Cara, nuk ka prezantuar ende asnjë projekt për zhvillimin e Kavajës, duke ndjekur të njejtën politik me atë që ka ndjekur kur ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Kryebashkiaku Rroshi është shprehur se ndihma e vazhdueshme që jep qeveria e kryeministrit Edi Rama për bashkinë e Kavajës, do të bëjë të mundur realizimin e projekteve që kjo bashki ka për përmirësimin e jetës së banorëve në çdo lagje dhe fshat të Kavajës. /gj.m/ /a.ke/