Vetëm një ditë të kësaj jave pasi u zhvillua në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë debati mes deputetit Pandeli Majko dhe Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për veprimtarinë e ngadaltë dhe jo efektive të organit të akuzës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk mungoi të paraqitet para kamerave Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë. Të paraqitet para kamerave jo rastësisht dhe jo më larg se sa të nesërmen e atij sherri të pritshëm, por për t’u kumbuar edhe një herë politikanëve dhe funksionarëve të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, deklaratën konsekuente të Brukselit, sipas të cilit, dy drejtimet veçanërisht shqetësuese në luftën kundër kriminalitetit mbeten kusht i panegociueshëm drejt integrimit evropian.

     Në të vërtetë, ky Prokurori i Përgjithshëm kësaj rradhe kishte vajtur në Komisionin Parlamentar të Ligjeve që t’i përfitonte institucionit që drejton nga thesi i Buxhetit të Shtetit për vitin 2015 më shumë para se sa më parë, pa u përgatitur (si gjithmonë) që ta mbështeste kërkesën e tij me argumente bindëse dhe të besueshme nga veprimtaria e deritashme dhe piketat e ardhshme të këtij organi të rëndësishëm, për të ndryshuar imazhin e vendit tonë në kuadër të çeljes së negocionatave për anëtarësimin në BE. Pavarësisht, se ai ishte thirrur për të raportuar mbi gjetjet në progres – raportin e 2014-s, dhe pavarësisht gjithashtu bindjes së përgjithshme se do të ishte e kotë të prisje nga Llalla aftësi shqyrtuese, drejtuse dhe argumentuese, për shkak të mediokritetit profesional dhe kulturor gati proverbial të tij, ai po ai do të jetë.

Me të njëjtin refren të përpunimit të bulmetrave: nuk mund ta përballojmë këtë sfidë të madhe të shoqërisë shqiptare me kapacitetet e pakta që kemi; jemi në hetime dhe do të vijijmë të hetojmë çdo rast ku kemi dyshime etj, etj. Pra, çka mbetet nga gjithë ky proces përpunues nuk mund të jetë veçse hirë. Ndërsa Llalla “lan duart”, si në rastin për arrestimin e ish – Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, kur deklaroi para afro 10 ditësh publikisht, se atëherë ndodhej jashtë shtetit.

Se çfarë do të ndodhë më pas me karrierën e Llallës nuk mund të paragjykohet, për të nxjerrë ndonjë përfundim të saktë. Por debatet me ‘të, për sa kohë nuk ka dhënë dorëheqjen deri në përfundim të mandatit të funksionit që i është besuar, sidoqoftë janë të domosdoshme. Janë të domosdoshme, sepse shërbejnë për të shkundur, të kuptohemi, jo atë që nuk ka ç’ti vjelësh, por tërë piramidën e prokurorëve që ushtrojnë ndjekjen penale dhe përfaqësojnë akuzën në gjyq në emër të shtetit, duke qenë apo duke u bërë të vetëdijshëm që në ushtrim të kompetencave të tyre t’i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Këtij konteksti i përket edhe nevoja për të shtruar më poshtë edhe një problem, që pothuajse nuk përfshihen fare në praktikën disa vjeçare të organit të akuzës. Nuk përfshihen nga keqkuptimi i një dispozite të Kodit Penal, apo nga (sh)përdorimi në mënyrë të cekët i përmbajtjes së tij? Le të shpjegohemi.

Në numrin e afro tre javëve më parë të një të përditshmeje të vendit, botohej një artikull i ish Presidentit të Republikës, Rexhep Meidani: “Për seriozitet akuze dhe jo kallëzim “teatral” si precedent!”, nëpër të cilin (ndonëse në një tjetë sens të komentit tonë të sotëm) autori kritikonte me raste konkrete shfaqje të një prirjeje të dëmshme në vlerësimin e ndjekjes penale. Nga kjo mund të kuptohet, se mjafton që vendimet e organeve shtetërore të merren në mënyrë kolegjiale, pasojat e dëmshme që rrjedhin gjatë zbatimit të tyre janë të justifikohen, duke lënë mënjanë apo duke harruar përgjegjësinë konkrete individuale dhe kolektive.

“Puna është – thotë Meidani, duke iu referuar veprimtarisë së organeve drejtuese të bankës së Shqipërisë – që ky model duhet rrëzuar nga ana politike e ligjore, gjyqësore e morale. Përndryshe, si i tillë, ai e lehtëson të ardhmen e zyrtarëve të nivelit të lartë, madje u shërben atyre në kapërcimin e përgjegjësisë morale-penale, shkeljeve, abuzimeve apo paaftësive në detyrën e tyre”. Dhe, këtu ka të drejtë autori. Por, nëse ky model duhet të rrëzohet nga ana politike, një nevojë e tillë nuk bëhet e domosdoshme nga ana ligjore, sigurisht po të mos mungojë vullneti dhe formimi për të lexuar dhe interpretuar mirë dispozitat.

Konkretisht, neni 45 i Kodit Penal (Zbatimi i ligjit penal ndaj personave juridikë) parashikon që personat juridikë, me përjashtim të institucioneve shtetërore, përgjigjen penalisht për veprën penale të kryer në emër ose dobi të vet nga organet dhe përfaqësuesit e tij. Mirëpo, përgjegjësia e personave juridikë nuk përjashton atë të personave konkretë, të cilët kanë kryer ose janë bashkëpunëtorë në kryerjen e një ose më shumë veprash penale. Veprat penale dhe masat ndëshkuese përkatëse të tyre, që zbatohen ndaj personave juridikë, si edhe procedura për ekzekutimin e këtyre masave, nuk janë dhe nuk mund të jenë arbitrare, ato vendosen me ligj.

Vërtet që, për shembull, Këshilli i Ministrave kolegjialisht (pra, si person juridik) nuk përgjigjet penalisht. Por, kolegjialiteti nuk mund të sfumojë përgjegjësinë individuale, nëse vërtetohet që me veprimet ose mosveprimet është kryer një vepër penale. Kështu, sipas nenit 45 të Kodit Penal, për një vendim qeverie mund të gjendet fajtor dhe të përgjigjet jo vetëm moralisht dhe politikisht, por edhe penalisht vetë kryeministri, apo një ministër iniciator ose i fushës që tenton të rregullojë vendimi.

Le të mos harrojmë ndjekjen penale të ish Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për tragjedinë e shpërthimeve në Gërdec. Gjithçka që ndodhi atje mbi 5 vjet më parë legalizohej fillimisht edhe nga një vendim qeverie, iniciator i formulimit të të cilit ishte ai Ministër. Pavarësisht, se gjykimi i tij në Gjykatën e Lartë u ndërpre për shkak të imunitetit nga mandati i tij i deputetit, mandat i rifituar në zgjedhjet parlamentare të 2009 – s, çështja ndaj tij nuk u mbyll.

Por as atëherë Prokurori i Përgjithshëm nuk iu drejtua Kuvendit për riheqjen e kësaj pengese, dhe as më vonë kur imuniteti i deputetit ishte kufizuar me një amendim kushtetues dosja përkatëse nuk u paraqit përsëri në majat e piramidës gjyqësore, ndonëse vepra për të cilën është akuzuar Mediu as nuk është amnistuar dhe as parashkruar sot e kësaj dite. Indiferenca e organit të akuzës shoqëroi edhe publikimin e akteve juridike të tjera të Qeverisë ‘Berisha’, midis të cilave le të veçojmë për arsye vendi Marrëveshjen për Delimitimin e Kufijve Ujorë me Greqinë, që u nënshkrua në Tiranë më 26 Janar 2010. Vetëm tri ditë përpara se sa të nënshkruhej ajo, një të premte në orën 14, kur ministrat e kishin mendjen për t’iu lëshuar pushimeve të fundjavës, ish – kryeministri i thirri ata në një mbledhje të Qeverisë, sa për t’iu komunikuar eventin e ardhshëm dhe për t’iu kërkuar ngritjen e dorës për aprovimin e asaj Marrëveshjeje nga Qeveria shqiptare.

Sikur të mos shpërthente pak ditë më vonë një opinion i shëndoshë qytetar masiv dhe të shpallej një vendim unanim i Gjykatës Kushtetuese për ta shfuqizuar aktin e ndërmarrë si të papajtueshëm me Ligjin tonë Themelor, pasojat do të qenë të pariparueshme dhe katastrofike në cenim të sovranitetit dhe të integritatetit territorial. Por vendimi i Qeverisë për këtë Marrëveshje famëkeqe asnjëherë nuk u bë objekt shqyrtimi penal, duke mos u drejtuar gishti te përgjegjësit individualë të hartimit të saj: ish – kryeministri, Sali Berisha dhe ish - Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha.  

Zgjodhëm vetëm dy ilustrime në adresë të Këshillit të Ministrave, si një nga organet më të larta shtetërore, pa vijuar me “gërmime” në instancat më të ulëta të asaj kohe të perënduar. Në ato instanca, si: ERE, Autoriteti Mbikqyrës Financiar etj., deri te Banka e Shqipërisë, të cilat me vendimet e tyre “kolegjiale” kanë bërë në rrugë antikushtetuese dhe antiligjore kërdinë, duke ushqyer pa ndërprerje krimin e organizuar dhe korrupsionin, si edhe duke frenuar kështu zhvillimin e vendit dhe dëmtuar rëndë imazhin e shtetit tonë. Ndërkohë”, Prokuroria nuk ka hedhur ndonjëherë as sytë poshtë kësaj “ombrelle kolegjialiteti”, ku kanë hedhur valle me zilka figura të ndëshkueshme veprash kriminale.

Nëse atëhere, pra nën qeverisjet e Berishës ekzistonte një klimë tensioni e nderë, që u fuste dridhmat edhe titullarëve të Prokurorisë dhe gjithë sistemit gjyqësor të korruptuar dhe të urdhëruar nga ajo, a mund të justifikohet Shefi i organit të akuzës në ditët e sotme, kur ushtrimi i postit që mban lidhet drejtpërsëdrejti me perspektivën evropiane të vendit dhe Kryeministri aktual i tij nuk pretendon të bëhet as prokuror dhe as gjykatës, si parardhësi i vet, të cilin populli me votën e tij e nxorri një herë e mirë në pension politik?!

Në këtë vështrim, e rëndësishme është t’u kujtohet më së shumti kolegëve të Llallës, se përjashtimi që përmendet në nenin 45 të Kodit Penal ka të bëjë vetëm me organet shtetërore si persona juridik (siç është edhe Këshilli i Ministrave apo organe të tjera të qeverisjes qendrore dhe të asaj vendore). Por, meqë përgjegjësia penale është individuale, nëse vërtetohet kryerja e veprës nga një apo më shumë pjesëtarë të personit juridik dhe për të njëjtin akt të marrë nën autoritetin apo vulën e këtij lloj personi, duke sjellë pasoja të rënda ekonomiko – financiare dhe social – kulturore për vendin, ata duhet të përgjigjen dhe të ndëshkohen penalisht.

Përndryshe, vesi i korrupsionit dhe i përfitimit kriminal nga ata që pranojnë të marrin mbi vete çdo përgjegjësi publike, duke u strukur te “kolegjialiteti” i vendimeve të veta, sigurisht që do të vijojë, madje me përmasa të reja gjithnjë e më tronditëse.     


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)