Janë artikuj shkencorë, të cilat i përkasin viteve 1980-2000 dhe që vijnë të përmbledhur në librin “Kërkime arkeologjike”, që tashmë ka parë dritën e botimit. Me autor Afrim Hotin, libri është një homazh për arkeologët që kanë kontribuar në vend.

“Libri i përket kolanës, tashmë disa vëllimshe, që është botuar me rastin e përvjetorëve të arkeologëve të njohur Vangjel Toçi, Halil Myrto, vazhdon me librin tim, do të vazhdojë dhe me të tjerë dhe që hedh dritë mbi aktivitetin kërkimor shkencor që është bërë në Durrës, konkretisht për këtë libër, gjatë viteve 1982.”, tha arkeologu Afrim Hoti.

Hoti vuri theksin edhe te rëndësia që mbart arkeologjia e Durrësit, duke e cilësuar qytetin si një nga qendrat kryesore të civilizimit mesdhetar.

“Nëntoka e Durrësit është një rezervat i madh. Durrësi nuk është periferi e qytetërimeve mesdhetare, por një nga qendrat e mëdha të tyre. UNESCO që në vitin 1989 ka përfshirë Durrësin dhe Apoloninë në trashëgiminë botërore mesdhetare.”, vijoi Hoti.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej arkeologut ishte dëmtimi i trashëgimisë arkeologjike si pasojë e ndërtimeve dhe moszbatimit të ligjeve në fuqi.

“Edhe pse ka ligje dhe dispozita që mbrojnë nëntokën e Durrësit, përsëri konstatojmë shkelje. Shpesh në mbeturinat e ndërtimeve të reja ndeshen materiale shumë të pasura arkeologjike që nuk arrijmë t’i parandalojmë.”

Sipas Hotit, botime të tilla synojnë të ndërgjegjësojnë institucionet dhe qytetarët për të zbatuar ligjin e trashëgimisë kulturore dhe për të treguar më shumë kujdes ndaj pasurisë arkeologjike të qytetit. Takimi u zhvillua në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, i cili është rihapur vetëm pak javë më parë.