Kevin Lila: Balerini i përzgjedhur i Agron Aliajt

Kevin Lila: Balerini i përzgjedhur i Agron Aliajt
TIRANE- Kevin Lila, sapo ka mbushur 18 vjeç. Ësh të ende nxënës në Shkollën e Baletit. Na tregon se në rrugën e tij si balerin ka qenë djaloshi më me fat. Një ditë një njeri i dashur që ai e adhuronte shumë vjen dhe duke i vënë dorën në sup e i thotë: Ty do të marr për rolin e Gjergj Elez Alisë. Ai ishte Agron Aliaj. Çfarë mrekullie ishte për të. Vetë Maestro e përzgjodhi! Si është e mundur...?! "Unë vërtetë kam punuar fort, por gjithmonë kam menduar se për një student është ëndërr edhe ta prekësh një skenë të madhe si ajo e Teatrit të Operës dhe Baletit e jo më të vijë vetë Mjeshtri e të thotë se ty do të jap një rol si solist". Rrëfimet e Kevinit janë të shkurtra dhe ende të pazonjat për të dalë nga goja e tij. Ka emocione, edhe pse kanë kaluar ditë nga shfaqja e premierës "Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë, që u ngjit në Teatrin e Operas dhe Baletit pa Agron Alinë. E preku suksesin, por Kevin Lila duket tepër modest. Ai ka edhe një trup të bukur prej balerini, por ndryshe nga moshatarët e tij nuk e demonstron. Suksesi i tij i parë në skenë i qaset me frikën se mos vetëlëvdohet. Madje përpiqet të më shpjegojë se nuk donte ta bënte këtë koment pas premierës. Ai vërtetë është i lumtur që publiku e ka pritur mirë, por s'do ta besonte dot suksesin pa ia thënë me gojën e tij vetë maestro Aliaj. Atë natë Agron Aliaj mungonte në sallë, pas aksidentit që pësoi. Kevinit i mbushen sytë me lot dhe ne e kuptojmë se fjala e Agron Alisë për të është fjala e fundit e sigurisht siç do të kuptojmë nga të dhënat e para të talentit të tij është ky edhe starti i një suksesi tjetër.
Në fëmijërinë tënde si nisi dëshira për vallëzimin?
Kisha shumë dëshirë të kërceja, sa herë dëgjoja muzikë e bëja këtë. Gjyshi më vinte muzikë popullore kur isha katër pesë vjeç dhe më thoshte se kisha talent. Pastaj e vunë re të gjithë. Familja ime me origjinë nga Dibra jetonte në Elbasan. Deri në moshën 9 vjeç unë nuk kisha marrë ndonjë edukim të veçantë për kërcimin në balet. Kur mbusha nëntë vjeç familja ime u shpërngul nga Elbasani dhe erdhëm në Tiranë. Kaloj një ditë me prindërit tek shkolla e baletit dhe dëgjohej muzikë. Prindërit më pyetën. Ke dëshirë të shkosh në shkollën e baletit. Po u thashë unë. Kështu nisi, thjesht. Më vonë me mua kanë punuar shumë profesorë dhe më mësuan këmbënguljen për të vazhduar. Doni t'ju përmend të gjithë emrat.

Do të ketë një rast tjetër për këtë. Gjatë bisedës më thatë se për rolin e Gjergj Elez Alisë ju zgjodhi vetë maestro Agron Aliaj. Cilat ishin marrëdhëniet tuaja me të?
-Me profesor Agron Aliaj kemi punuar në shfaqjen e "Zhizelit". Atëherë isha në formë dhe kisha shumë dëshirë të luaja. Ai më shihte, më ndihmonte. Një ditë ai erdhi dhe më tha: "Të dua për shfaqjen e Gjergj Elez Alisë". Mua mu bë shumë qejfi. Ishte një emocion për mua, sepse jo çdokush mund të marrë në dorë një rol solisti. U ndjeva sa i lumtur aq edhe në siklet e përgjegjës. Ishte një ndjesi e përzier me shqetësimin sesi do ta bëja. Unë e dija që Agron Aliaj ishte një nga koreografët më të mirë,e për mua nga më të mirët në botë. Kur më tha që dua të bësh rolin e Gjergj Elez Alisë, nuk po e besoja dot. Ka shumë profesionistë të baletit dhe unë as që mund ta ëndërroja atë rol.
Provat e para ti i bëre me profesor Agron Alinë ?
Duke bërë provat me profesorin e shikoja tërë sy e vesh për të kuptuar çdo gjë. Ai më ndihmonte shumë dhe unë ndihesha me fat që punoja me të. Atë ditë që u bë aksidenti ju nuk mund ta imagjinoni sesi jam ndier, sepse ai ikte çdo mbrëmje vonë i lodhur nga puna me ne. Kam ndjerë një boshllëk të tmerrshëm dhe dhimbje (sytë i mbushen me lot). Debutimi i parë në rolin e Gjergj Elez Alisë ishte shumë i rëndësishëm për mua. Duhet ta dini se për ne studentë është shumë e rëndësishme kur përfshihemi në premiera dhe për këtë duhet falënderuar edhe drejtori i Operas, Zhani Ciko, që na ofron mundësinë për t'iu ngjitur në skenë.
Për mua ishte fat i madh që po punoja me profesor Alinë dhe kur u aksidentua jam ndjerë shumë-shumë keq.
Sa ju mungonte profesor Aliaj gjatë provave?
Shumë. Ishte një rol kyç për mua. Më jepte besim. Unë ndjeva keqardhje shumë të madhe që nuk ishte ai në sallë në çastin kur debutova. Madje, natën e premierës zonja Valdete, bashkëshortja e Agron Alisë që kishte ardhur aty bashkë me djalin më tha: Profesor Agroni të ka kërkuar. Më ka thënë: "A erdhi Gjergji?". Unë u ndjeva shumë keq sepse edhe pse e kisha vizituar më parë, nuk isha kur më po kërkonte vetë ai. Jo çdokush mund të kërkojë personazhet e tij në atë gjendje që ishte Maestro. Kështu ndjeva një detyrim shumë më të madh. Unë vajta ditën e aksidentit, vajta e më mbrapa. Sërish e takova, ishte mirë, por nuk i lëvizte duart. Kishte probleme dhe, prapëseprapë, e kishte vëmendjen të bisedonte e të më jepte këshilla.
Çfarë këshillash?
Duhet të kesh vëmendjen të japësh maksimumin. Duhet të nxjerrësh patjetër rolin sepse gjithë baleti varet nga Gjergji. Përpiqu të japësh një emocion që të gjithë të mbajnë mend se kush e ka kërcyer. Që nga ai moment që u shkëputa me të kërceja me shumë pasion. Duhej t'i ktheja besimin dhe ta shpërbleja emocionalisht për lumturinë që më fali kur ma besoi mua atë rol. Gjithë shfaqjen atij ia kam dedikuar (sytë i mbushen sërish me lot) dhe shpresoj të bëhet më mirë. Dua të kthehet përsëri.
Çfarë është ajo gjë që mund ta bëjë të veçantë një student nga Shkolla e Baletit?
Është pasioni i gjithë mësueseve të mi, që të mësojnë jo vetëm teknikën e baletit, por edhe si të japësh emocion dhe të kesh këmbënguljen për të bërë figurën e duhur. Dhe është një Mjeshtër si Agron Aliaj që të thotë se një balerini i del përpara detyra të bëjë shumë më tepër sesa kërkon kërcimi. Atë natë që vallëzoja kujtoja porosinë e profesorit që thoshte: "Mos harro edhe emocionin, jo vetëm në rolin tënd, por të dish t'ia përcjellësh edhe publikut".

Dhe atë natë që nuk e patë Agron Alinë në sallë si u ndjetë?
Për mua nuk ishin këmbët që luanin. Ishte emocioni që doja ta transmetoja në publik që të kënaqeshin të gjithë. Ishte hera e parë që mësova se çfarë ishin duartrokitjet e publikut. Ky publik më tregoi shumë. Por unë edhe sot nuk jam i bindur, nuk jam i qetë. Do të doja që t'ia dërgoja videon e regjistruar së bashku me një tufë lulesh Maestro Agronit e të ma thoshte ai sesi ia kisha dalë. Kjo është dëshira ime e madhe që profesori të shërohet dhe të më tregojë sesi kam dalë.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza