Kodiku modern i Bujar Lucës në një ekspozitë të re në Paris, ku 'përballet' dhuna e liria

Kodiku modern i Bujar Lucës në një ekspozitë të re në Paris, ku 'përballet' dhuna e liria

Luan Rama dhe Bujar Luca gjatë ekspozitës

Nga njëra ekspozitë në tjetrën, nëpër qytetet e Francës apo të Italisë, piktori Bujar Luca përvijon me këmbëngulje prirjen e tij pikturale, përmes një arti abstrakt, por që në vetvete ka dhe anën figurative, pra shenjat, simbolet, domethëniet, gjestin piktural, të cilat duhet t’i vëzhgosh, ti zbulosh brenda telajove që nderen para publikut. Ekspozita e hapur mbrëmë në darkë në “Galerinë 55” në rue de Bellechasse, na risjell imazhe të parafërta që i kemi parë tashmë dhe në ekspozitën e hapur më parë ne bulevardin Haussman të Parisit, siç ishte gjetja e tij më e arrirë deri më sot, “Black Box”, të cilën e hapi dhe në “Galerinë Kombëtare të Arteve” në Tiranë.

Por veç tyre, në një atmosferë dhe linja krejt të tjera, publiku zbulon artin simbolik të këtij piktori çka e bën të mendojë rreth një teme të dashur për të: atë të lirisë, të ballafaqimit të dhunës dhe lirisë, të përpjekjes prometeane të individit të shtypur për tû ngritur në pidestalin e lirisë, çka është një luftë për jetë a vdekje dhe që arrihet më munde e sakrifica të mëdha. Dhe Luca na e zbulon këtë përmes tri lloj formash që përafrohen mes tyre për nga idea qëndrore, pra ajo e lirisë, një temë e dashur për të dhe që lidhet me gjithë formimin e tij artistik nën totalitarizëm.

Pikëtakimet pikturale me Bujar Lucën kanë një peshë të veçantë emocionale. Por përveç kënaqësisë së emocionit, ajo që prin është dialogu që vendoset midis vizitorit dhe vetë tablove, ku duke e lënë në krah krijuesin e tyre, duke e harruar atë për një çast, shikuesi nis të kapë mesazhet dhe të deshifrojë gjuhën pikturale, atë të shenjave, semiologjinë personale dhe origjinale të tij, ku pas çdo shenje, gjesti, lëvizje dinamike, të fiksuara përmes ngjyrave në telajo, hyn në shqetësimin e vet piktorit.

Aty ne nisim të zbulojmë idetë e tij, mesazhet, të kaluarën dhe shqetësimet e tij, kërkimin e tij piktural që veçanërisht këto 20 vjetët e fundit ka marrë një domethënie të re estetike, dhe ku shenjat-forma, me elokuecën dhe nganjëherë me vrazhdësinë e tyre, na afrojnë te ato, na shkulin nga realiteti momental dhe na futin në atë botë, ku historinë, shoqërinë, evolucionin dhe të ardhmen e shohim përmes atyre gjurmëve që ka lënë piktori mbi cohën e telajos apo letrën e bardhë.

Gjithë këto vizatime përbëjnë në vetvete një dorëshkrim shumëplanësh që ndryshe nga ato të skribëve në “scriptoria”-t mesjetare, me fjalë e imazhe në pergamenë të purpurt, me penën e hollë shpesh në të zezë apo në variacione të kafesë, piktori ndërton librin e tij, një lloj kodiku modern, ku në plan të parë të bijen në sy telat me gjemba, që janë një refren i kobshëm që nga kurora me gjemba e Jezusë (tablotë rrethore të ekspozuara në këtë galeri) tek gjembat e rrethimit totalitar shqiptar apo të Lindjes europiane, temë rreth së cilës ai ka punuar që në fillimet e idesë së Black Box dhjetë vjet më parë, ashtu dhe në cikle të tjera jashtë saj, në seri tablosh të mëdha si triptiku «Kufiri» treguar në ekspozita të ndryshme, veç të tjerash dhe në Sucy-en-Brie pranë Parisit. E pikërisht në këtë atmosferë, ne përvijojmë atë “kalim të nëndheshëm” të këtyre figurave ku spikat vuajtja ekstreme. Pikërisht në “Black Box” na u shfaqen imazhet e shenjtorëve si Saint Sebastian apo Saint Baptiste.

 

“Ishte Saint Sebastian një nga figurat e Kristianizmit që për rezistencën e tij ndaj vdekjes më ka ngacmuar në mënyrë të veçantë".Gjembat që kanë zëvendësuar shigjetat në ikonografine e Bujarit kthehen në simbol jete që i reziston vdekjes; bëhen një mburojë. Duke rrugëtuar në këtë “dorëshkrim” na u shfaq dhe tema e martirizimit të 300 kristianëve, një referencë e ngacmuar nga Dürer, por e interpretuar këtu me të tjera mjete. Dhe në vijim të kësaj, trekëndëshat, litarët, dhomat e izolimit vizatuar në bojë kine, çka na sjellin ehot e vargjeve të François Villon, poeti që donin ta varnin në mes të kryeqytetit.

Çdo vizatim ka diçka për të thënë, është një fjalë-imazh që sëbashku përbëjnë dorëshkrimin e madh, duke na sjellë kështu një dëshmi, një epokë, që nuk mund të shpjegohej vetëm me disa vizatime, një epokë që padyshim do të përvijojë të trajtohet nga ai në mënyra të reja si në seri në “Kurora me gjëmba”, ku dhe telajot kanë formë rrethore. “Unë vizatoj shenja pa emër, - thotë Luca, - por që evokojnë diçka… Gjeste që shfaqen fuqishëm dhe shënojnë imazhet e pamenduara më parë, dalë menjëherë nga inkoshienca jonë. Tiparet që krijoj nxitojnë që të afirmohen, duke u imponuar në fletën e vizatimit, për tu angazhuar plotësisht në pulsionet e pakontrolluara dhe duke u përpjekur njëkohësisht të krijojnë dhe ofrojnë të padukshmen”.

Luca vazhdon t’i rikthehet kësaj trajektoreje, lirisë së gjetur të krijimit dhe kërkimit të një stili personal, që tashmë është konsoliduar. “Përmes gjestit, - thotë ai, - vazhdimësisë, gjurmës e njollës së ngjyrës, piktura ime është e lidhur me shkrimin. Unë përpiqem të shkrij midis tyre shkrimin dhe pikturën, të gjej ritmet e brendshme që ngjizen mbi pëlhurë. Ky është “alfabeti” im. Qëllimi është gjetja e një gjuhe pa riprodhuar diçka, pa imituar, duke iu dhënë natyrshëm të panjohurës, pa u shqetësuar të di saktësisht se ku shkoj, duke propozuar dhe shpalosur shenja që më përkasin, pra duke i lënë liri lëvizjeve të mia”.

Duke qenë se Luca është tepër i lidhur me atë që quhet “Ecriture” (“Shkrim”) dhe i frymëzuar si gjithnjë nga poeti Charles Baudelaire, si një nëntitull të ekspozitës ai ka vendosur një varg të tij: “Në humnerën e tmerrshme dëgjohet goditja e rënies së imagjinuar të kompozicioneve të furishme dhe të shndritshme”.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë