Deputeti i PS, Alqi Bllako: Koha për një socializëm të ri ekonomik

Deputeti i PS, Alqi Bllako: Koha për një socializëm të ri ekonomik

Foto ilustruese

Matematika është shkencë ekzakte. Ekonomia nuk është. Nëse do të ishte, nuk do të garohej edhe për prodhim të retorikës ekonomike. Megjithatë, të dhënat që aktiviteti ekonomik gjeneron në aspektin sasior dhe atë kohor janë një bazë e mirë për të kuptuar prirjet dhe për të tentuar t’i afrohemi sadopak reales. E rëndësishme është që çdo politikë ekonomike të bazohet në të dhëna empirike, të cilat nëse vihen në kontekstin e duhur nuk të lejojnë të gabosh.

Në përditshmërinë e debatit politik dhe ekonomik është e vështirë, por jo e pamundur, të dalim nga korniza e “sa mirë po veprojmë ne dhe sa keq vepruat ju” dhe anasjellas. Ajo që mund të na bashkonte është: “mundemi të bëjmë më mirë”.

Unë besoj se shumë gjëra janë bërë mirë, por ka të tjera të cilat mund të bëhen më mirë.

Politika fiskale përgjatë dy mandateve të Partisë Socialiste është mbështetur në parimin e drejtësisë: duke synuar një shpërndarje jo uniforme të barrës, ku ata që fitojnë më shumë duhet të paguajnë më shumë. Synimi i këtij shkrimi nuk është aspak të argumentojë në mënyrë empirike benefitet e një qasjeje të tillë, pasi mjafton që dikush të shfletojë vetëm disa nga qindra studimet mbi këtë temë për t’u bindur. Por, synon të hapë nje debat të ri mbi qëndrueshmërinë, shkallën e drejtësisë dhe konceptin real të pabarazisë sistemike.

Shqipëria klasifikohet si një vend më barrë fiskale jo të lartë krahasimisht me mesataren e vendeve të OECD-së, por edhe me vendet e rajonit, nëse i referohemi totalit të të ardhurave në raport më PBB-në. Në vitin 2019, viti i fundit normal para pandemisë, ishte 24.7%.

Pavarësisht dëshirës utopike për taksim sa më të ulët dhe shpenzime publike sa më të larta, mendoj që ky është nivel jo i lartë i barrës fiskale. Përkundrazi! Megjithatë, këtu fillon edhe analiza e parë.

Praktikisht politika fiskale synon të gjenerojë të ardhurat e mjaftueshme për financimin e shpenzimeve publike që stimulojnë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse duke krijuar në të njëjtën kohë sa më pak efekte shtrembëruese.

Sigurisht, pavarësisht jo-profesionalizmit tonë të shpeshtë i cili përkthehet në propozime afatshkurtra ditore, mujore apo stinore mbi nivelin e taksave, ka një debat shumë të gjerë akademik si mbi sistemin optimal të taksimit, gjithashtu edhe mbi nivelin optimal të taksës.

Të pretendosh të financosh jo vetëm politikat sociale gjithmonë në rritje, por edhe të ndërtosh infrastrukturë të munguar por të domosdoshme si pararojë e zhvillimit, sigurisht pa prekur borxhin, për më tepër referuar nivelit ku termeti dhe pandemia e sollën, përbën së paku një sfidë të rëndësishme politike dhe menaxheriale.

Përtej taksës, ka një të vërtetë universale në ekonomi që shpeshherë e harrojmë; për të garantuar rritje ekonomike të qëndrueshme një vend duhet të jetë në gjëndje të rrisë jo vetëm sasinë e mallrave të prodhuar, por edhe shumëllojshmërinë:

Së pari, Shqipëria ka nevojë të menjëhershme të shtojë nëpërmjet diversifikimit portofolin e produkteve për eksport. Sasia dhe llojshmëria e produkteve që Shqipëria eksporton sot janë të pamjaftueshme për të garantuar qëndrueshmëri.

Së dyti, Shqipëria ka nevojë të shtojë e të orientojë investimet e huaja direkte drejt prodhimit të produkteve apo shërbimeve komplekse, që kërkojnë “know-how”, i cili vështirë të gjëndet brënda kufijve kombëtare, si dhe kapital të konsiderueshëm.

Pa këta elementë, jo vetëm nuk mund të garantojmë qëndrueshmëri të rritjes ekonomike por as mundet të jemi konkurrues si në tregun rajonal ashtu dhe me gjerë. Ministria përgjegjëse për zhvillimin ekonomik duhet të marrë rol primar dhe më aktiv në këtë proçes.

Në të njëjtën kohë, mosrritja e barrës fiskale krijon presion të shtuar mbi nevojën e mirë-menaxhimit të të ardhurave. Jo vetëm që investimet publike duhet të jenë të mirë prioritizuara dhe sa më efikase, por edhe incentivat apo subvencionet qeveritare duhet të adresohen kryesisht drejt sektorëve apo produkteve specifike që sjellin diversifikim të mallrave apo shërbimeve për eksport. Në këtë mënyrë do të garantojmë jo vetëm qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike, por edhe rritje më të shpejtë të të ardhurave.

Qëndrueshmëria është njëra anë e medaljes, të cilën praktikisht duhet ta kishim targetuar dhe zgjidhur prej vitesh por ku ende ka paqartësi dhe moskoordinim në orientim. Nëse nuk arrijmë të garantojmë së paku rritje ekonomike të qëndrueshme, e kemi të pamundur të kalojmë te ajo që përbën fazën e dytë të analizës, shkallën e gjithëpërfshirjes në këtë rritje ekonomike, si përbërës i domosdoshëm për zbutjen e pabarazisë si dhe fokusi kryesor i këtij shkrimi.

Problemi i parë lidhur me pabarazinë qëndron tek arsimi!

Debati mbi arsimin ka qënë kryesisht i fokusuar tek meritokracia e pranimit në Universitete – element ky tashmë mendoj i targetuar me sukses – duke u fokusuar jo mjaftueshëm tek cilësia. Besoj se, dhe jam krejtësisht i hapur ndaj kundërshtimeve, se arsimi ynë i lartë është tërësisht jo cilësor, sa i përket aftësisë për të zbutur pabarazinë sistemike.

Studimet tregojnë se ka një lidhje të drejtpërdrejtë dhe të fortë midis nivelit dhe cilësisë së arsimimit dhe pabarazisë, si në raport më nivelin e të ardhurave, ashtu edhe në raport me pasurinë e grumbulluar.

Një i ri/e re që vjen nga një familje me të ardhura të ulta ose mesatare, hequr rastet përjashtimore, ka probabilitet shumë më të lartë të fitojë të ardhura mbi mesataren nëse vjen nga një formim akademik cilësor!

Por, pavarësisht rritjes së të ardhurave mesatare, pabarazia në nivelin e pasurisë së grumbulluar, në rastin më të mirë, nuk ka shënuar përmirësimin e kërkuar e të synuar.

Mungesa e formimit cilësor akademik së bashku më mungesën e tregjeve të kapitalit, e cila kufizon ndjeshëm dhe rrit koston e financimit, vështirësojnë dhe mbyllin hapësirat e të rinjve për të zhvilluar start-up-e inovatore që jo vetëm rritin gamën e produkteve dhe shërbimeve për eksport, por njëkohësisht zbutin pabarazinë sa i përket pasurisë neto të trashëguar dhe grumbulluar duke e kthyer këtë të fundit në pabarazi sistemike.

Thënë këtë, mendoj se parimi i drejtësisë në sistemin fiskal duhet të zhvendoset nga koncepti i të ardhurës dhe pronës drejt pasurisë neto të trashëguar dhe grumbulluar.

Parimi i taksimit të pronës nuk e lufton pabarazinë sistemike pasi nuk merr në konsideratë burimin e financimit të saj; ndërkohë që taksimi i pasurisë neto të grumbulluar e bën këtë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Taksimi progresiv për pasuri neto mbi një nivel të caktuar, që normalisht duhet të jetë një nivel dysheme i konsiderueshëm do të krijojë një xhep të nevojshëm për financimin e politikave më të drejtpërdrejta për zbutjen e pabarazisë sistemike.

Një politikë e tillë mund të ishte financimi i drejtpërdrejtë në formë granti progresiv të çdo çifti të ri mbi 25 vjeç, me një nivel të ardhurash nën mesatare, me një vlerë ‘lump-sum’ të cilën mund ta përdorë për zhvillimin e një aktiviteti ekonomik, financimin e një banese të parë, etj. Shembulli ilustron faktin se shpërndarja e pasurisë duhet të jetë më e drejtpërdrejtë për të ndikuar zbutjen e pabarazisë. Ndihma sociale apo çdo formë tjetër e ngjashme ka pothuajse zero kontribut në formimin e kapitalit duke mos ndikuar aspak pozitivisht në luftën ndaj pabarazisë sistemike.

Konceptet e qëndrueshmërisë, drejtësisë në shpërndarje dhe eleminimit të pabarazisë sistemike janë mjaft të gjëra, por janë njëkohësisht baza mbi të cilat duhët të ngrihet dhe formësohet debati mbi një socializëm të ri ekonomik!

Hapat e parë janë padiskutim formësimi i një sistemi akademik cilësor dhe ndryshimi i qasjes ndaj konceptit të drejtësisë fiskale dhe rishpërndarjes. Të tjerat do t’i trajtojmë në vijim…

*Autori është deputet i Partisë Socialiste

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 23/10/2021 14:40

    Zoti Bako beri nje analize te sajte ekonomike per modelin qe ne kemi . Socialuzem ekonomik kemi kur te heqim dore nga politikat neoliberale qe bazohen ne privatizimin e te gjithe ekonomise kur socializmi i ri mbeshtetet ne rolin e sgtetit ne efektet abuzive te monopoleve ose me jeq oligopoleve qe i zene frymen ekonomise.Per mua ndryshimi duhet te jete ne sektorin e hidrokarbureve ku albpetroli duhet te jete Rafinerine e tij per te mbyllur ciklin e prodhimir ,duhet medoemos qe siperfaqet e hidrocentraleve te Vaut te dejes dhe Fierzes te kene panele lundruese fotovoltaitike per diversifikimin e energjise qe sit eshte nyja themelore e zhvillimit te nje vendi.Ministria e ekonomise dhe financave te paraqesin listet e produkteve qe importohen dhe qe mund te prodhohen ne vend per te ulur deficitin tregtar . Vetem keshtu do te kemi zhvullum te qendrtyesgem dhe ne favor te luftes kunder pabarazuse qe ne Shqiperi nje pjese e vogel ziterojne me teoer se 60 perqind te pasuruse kombetare . Shqiperia i ka mundesut pir duhet qe ne krye te puneve te vendisen specialustet e murefillte dge jo militantet qe vec abuzojne

    Përgjigju
  • Ndricim: 23/10/2021 14:07

    Nese mund t'i falenderosh Marksistet per nje gje, eshte se nuk i fshehin qellimet e tyre. Autori ka bere nje rruge shume te gjate per t'u kthyer ne pikenisje (Marx > Gramsci > Shkolla e Frankfurtit > Robin deAngelo > Marx) , por ashtu si qeni qe kthehet gjithmone te lepije te vjellen e vet, ka mbetur besnik i ideologjise se tij. Me fjale te tjera, "koncepti i drejtesise fiskale dhe rishperndarjes" nuk eshte asgje tjeter sesa "lufta e klasave" e "ri-branduar" per shekullin XXI. Nje popull i ndare eshte shume i lehte per t'u sunduar. Dhe te mos genjehet njeri se keta ideologe vleresojne ndonje gje me shume se "pushteti per hir te pushtetit".

    Përgjigju
  • Fbdndn: 23/10/2021 12:12

    Ndonje mendim per koncensionet ka ky?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Terrorizëm antisemitik

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Terrorizëm antisemitik