Dua ta nis fjalën time me një pasqyrë të numrit të madh të firmave që operojnë në Minierat e Bulqizës, janë gjithsej 54 Firma të liçensuara, në të gjithë galeritë e Bulqizës pra të inkuadruara në këto 54 firma, punojnë rreth 2400 punëtorë, përfshi këtu minatorë apo edhe punëtorë në sipërfaqe. Duke i shtuar edhe minatorët dhe punëtorët e Krastës dhe Batrës numri i tyre shkon në 4600 . Dua të them se Informaliteti është një plagë e rëndë për minatorët që punojnë në galeritë e Bulqizës, aktualisht Informaliteti ndër minmatorët që punojnë në galeritë e Bulqizës është në rekordin e shifrave, pra në ditët më të këqija. Nga ana e firmave nuk janë realizuar kontratat e investimeve as në vlerë monetare dhe as afatet kohore të përcaktuara sipas kontratave.
Sa janë efektive në punën e tyre, firmat që kanë marrë me koncesion galeritë e Minierës së Bulqizës ?
Dhënia me koncesion e galerive të shumta të Minierës së Bulqizës është e dështuar sipas mendimit tim, pasi kontratat kanë mangësi të theksuara ligjore dhe nuk ri-negociohen. Po ashtu ato janë të pa studiuara dhe nuk marrin parasysh edhe zhvillimin e zonës ku ato operojnë pra ushtrojnë aktivitetin e tyre të nxjerrjes së kromit, (këtu kemi parasysh nxitjen e punësimit, si dhe investime të ndryshme në dobi të komunitetit)
Si e shikoni ju mënyrën e pagesës dhe përdorimin e taksës që këto firma i paguajnë shtetit ?
Renta pra e thënë ndryshe taksa që merr shteti është e pa studiuar si dhe njëkohësisht është keq përdorur deri më tani nga Ministria e Financave. 6 deri në 10 % e taksës që paguajnë këto firma që shfrytëzojnë galeritë e Bulqizës, i shkojnë pushtetit vendor, fondit kombëtar të punësimit dhe buxhetit të shtetit. Minerali i kromit është në fund të fundit një pasuri kombëtare dhe duhet të ketë një planifikim .
Si e shikoni ju të ardhmen e Minierës së Bulqizës, pra jeni për këtë mënyrë copëzimi apo për dicka tjetër ?
Me premtimet dhe levizjet e para të qeverisë ka nisur të lëvizë diçka, ndërkokë që ekziston edhe presioni social për vetë situatën në të cilën gjenden këto miniera (ndodhen në zona shumë të varfra). Për mendimin tim duhet vetëm një firmë strategjike që të operojë në këtë zonë mineral - mbajtëse, pra në këtë mënyrë duhet vetëm një projekt,sepse copëzimi në disa firma dhe dhjetra galeri në të cilat punohet me projekte më vete e dëmton shumë punën në galeri pasi shfrytëzimi bëhet në mënyrë barbare dhe pa kriteret e teknollogjisë, dhe më tej rrezikohet jeta e Minatorëve
. Në këtë kuadër copëzimi në shfrytëzimin e mineralit hap rrugë për korrupsion dhe trafik influencash.
Gjithashtu copëzimi i këtij sektori në 54 firma pra në 54 projekte, bën që këto të fundit , pra zbatimi i projekteve, duke u zhvilluar seicila më vete, të jenë të pa lidhura organikisht në mes tyre, për të patur një shfrytëzim mbi bazë shkencore dhe teknologjike.
Deri më tani përgjegjësia ka rënë vetëm tek AKBAN-ja Agjensia Kombëtare e Burimeve natyror, e cila nuk ka monitoruar në përputhje me standartet dhe nuk ka monitoruar projektet, njëkohësisht u kthye për shumë vjet në një kalkulator të interesave të zyrtarëve mbi pasurinë kombëtare (kromin).
KOLECI: GALERITË E BULQIZËS SI NË VENDET E AFRIKËS QENDRORE
Vetëm Brenda tre viteve të fundit në Minierat e të gjithë Shqipërisë, si pasojë e aksidenteve në punë (në Galeri), kanë humbur jetën 40 Minatorë, ndërsa vetëm 6 viktima, janë rregjistruar vetëm ne galeritë e Bulqizës”-thotë Taf Koleci Kryetar i Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Industrisë, më tej Koleci shton-“ Humbja e jetës së njerëzve ka ardhur si pasojë e mos zhvillimit të të Minierave, pra të përmirësimit të kushteve të tyre teknike.
Dua të them se pronarët e galerive sidomos në galeritë e Bulqizës nuk kryejnë asnjë lloj investimi në Galeri, ndërsa galeritë e Bulqizës janë kthyer në një “Bumerang”,dhe unë do ti krahasoj galeritë e Bulqizës me homologet e tyre në vendet e prapambetura të Afrikës Qendrore” – thotë Koleci.
GJIKNURI: KONTROLL LICENCAVE TË KROMIT
Zoti Gjiknuri shfrytëzoi një takim pune dje me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore për të bërë të ditur se ndërhyrje do të ketë edhe në licencat e kromit ne zonen e Bulqizës.
"Kërkoj që brenda një afati të shkurtër, pas një urdhëri të nxjerrë nga unë, të përcaktohet përfundimisht zona e rrezikshme në Bulqizë në mënyrë që aty të mos zhvillohet më asnjë aktivitet minerar dhe të revokohen licensat të cilat operojnë në atë zonë. Kjo bëhet për të siguruar jetën e minatorëve, jetën e njerëzve. Ne nuk e kemi fare me industrinë e kromit, industrinë e kromit duam ta përkrahim", tha në një deklaratë pë median pak ditë më parë Ministri i Industrisë dhe Energjitikës Damian Gjiknuri. Por një tjetër sektor ku koncesionet do të rishikohen është edhe ai i energjisë elektrike. Ministri Gjiknuri ka lënë të nënkuptohet se Qeveria mund të ndërhyjë për të ndryshuar çmimin, sipas tij të lartë, me të cilin KESH detyrohet të blejë energjinë nga HEC-et e ndërtuara me koncesion
Shkrimi u publikua sot (18.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)