Banorët e disa fshatrave në zonën e Kolonjës protestuan sot në Qafzez, pranë urës së Baba Selimit, e cila ndodhet mbi lumin Osum. Protesta erdhi pas izolimit të mbi 10 fshatrave, të cilët prej një jave vuajnë pasojat e shirave të rrëmbyeshëm dhe përmbytjeve që kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën.

Ura lidhëse që shërben si rruga e vetme për të hyrë dhe dalë nga zona është dëmtuar rëndë, duke bërë të pamundur kalimin e automjeteve dhe mjeteve të emergjencës.Situata ka shkaktuar alarm tek banorët, të cilët thonë se në disa prej fshatrave të thellë ka persona të sëmurë që presin ndihmë. 

Banorët kërkojnë që institucionet të reagojnë nga ata pasi ura lidhëse e këtyre fshatrave me rrugën kryesore nuk u mundëson kalimin për shkak të dëmtimit të rëndë që ka pësuar.

“Ura ka rënë, xhadja është prishur andej. Po bëjmë dy javë të izoluar. Fëmijët janë në shkollë”, tha një banor.

“Jemi të izoluar nga ura, nuk kalohet. Këtej janë rreth 12 fshatra. Asnjë masë nuk kanë marrë, vijnë vetëm për vota”, tha një tjetër.

“Këtu nuk ka shtet, asgjë. Ka njerëz të sëmurë në zonat malore. Këtu nuk pyet asnjëri. Unë jam jashtë qeni, nuk vijnë fare ta shikojnë shtëpinë.  Nuk vijnë të shikojnë, vijnë vetëm për votime. Lumi është i rrezikshëm, po të hapet rezervuari merr fshatin. Kërkojmë rrugën dhe urën. Ka pleq të sëmurë, se tani pleq kanë mbetur.”, tha një tjetër.

"Kam pësuar një aksident, kam 20 ditë pa i bërë kontroll këmbës. Marr kryetarin në telefon, nuk përgjigjet. Vajza po qëbndron në konvikt në Ersekë, kam 20 ditë pa e parë.", tha një banore. 

Të izoluar janë edhe banorët e 6 fshatravëe në Dropull pasi është shembur ura në aksin Glinë–Nepravishtë. Banorët detyrohen të lëvizin në këmbë përmes rrugëve alternative, ndërsa emergjencat ende nuk kanë ndërhyrë për riparimin e urës. Po për shkak të shembjeve janë të pakalueshme akset rurale Frashër–Verçisht dhe Frashër–Miçan në Përmet.

Në qarkun e Beratit situata është përkeqësuar këtë të enjte. Reshjet intesive të shiut kanë bërë që të dalë nga shtrati lumi Osum. Rreth 40 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur në fshatin Veterrik. Edhe Semani ka dalë nga shtrati në fshatin Goriçan të Dimalit, duke përmbytur serat. Këto zona ishin dëmtuar edhe nga përmbytjet e javës së kaluar. 

Krujë, lumi Ishëm ka dalë nga shtrati, duke përmbytur dhjetra hektarë tokë bujqësore në fshatin Murqinë. Lagjja fundore e fshatit është izoluar, pasi rruga është mbuluar nga uji që arrin deri në 40 cm.

Prurjet jane shtuar dhe në Vjosë, duke arritur nivelin 7.55 metra tek ura e Mifolit. Situata po mbahet ne monitorim pasi lumi ka dalë pjeserisht nga shtrati, tek pazari i Novoselës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:13
Moti i keq/ Vijon rënia e inerteve në disa akse rrugore në Tropojë! Disa zona në qarkun e Kukësit probleme me energjinë elektrike

 

I gjithë territori i Qarkut Kukës vijon të jetë i përfshirë nga reshjet e shiut me intensitet të ulët deri mesatar. Për shkak të reshjeve, akset rrugore nacionale vijon rënia e gurëve, dherave dhe materialeve inerte.

Rëniet e gurëve dhe vërshimet e ujërave paraqiten më shqetësuese në disa segmente të rrugëve nacionale të Tropojës. Subjektet kontraktore janë në terren për pastrimin e tombinave dhe eliminimin e problematikave të hasura, kryesisht në akset, Bajram Curri - Fierzë,Dushaj - Lekbibaj, Bajram Curri - Valbonë.

Të gjitha akset nacionale në nivel qarku janë të qarkullueshme. Ndërkohë disa zona ka ndërprerje të energjisë elektrike: në Nj.Adm. Qendër Krumë, fshati Zahrisht Bashkia Has, Nj.Adm. Golaj, fshatrat Helshan, Kosturr, Perollaj.Tropojë, Nj.Adm. Bytyç,fshatrat Kam, Leshniq, Kepenek, Zherkë, Nj.Adm. Llugaj,fshatrat Bukovë, Demaliaj, Beg Pac.

Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë sjellë rritje të ndjeshme të rezervave hidrike në kaskadën e Drinit. Niveli i liqenit të Fierzës ka shkuar në 276.58 metra, ndërsa prurjet mesatare në hyrje janë rreth 430 m³/s.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së prurjeve, Heci i Fierzës nuk po prodhon energji elektrike, pasi asnjë nga katër agregatët nuk është aktualisht në punë.

Ora 12:08
Moti i keq/ Rritet sërish niveli i lumit Vjosa, del nga shtrati pranë Urës së Mifolit në Vlorë

 

Niveli i lumit Vjosa pranë Urës së Mifolit në Vlorë është rritur sërish në kuotat 6.75. Lumi ka dalë nga shtrati te pjesa e pazarit. Reshjet kanë bërë që të rritet edhe niveli i lumit Shushicë. 

Në bashkinë Sarandë, ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar, ndërsa po vijohet puna për rregullimit e argjinaturës së çarë në Çukë-Bërdënesh. 

Në Delvinë, po punohet për urën provizore që lidh Delvinën me fshatrat Lefterhor. Kakodhiq, Sopot si dhe pastrimet e rrugëve nga prezenca e gurëve. Ndërkohë, 4 banesa në fshatin Vllahat rrezikohen nga rrëshkitja e tokës. 

Ndërsa në Bashkinë Finiq, po vazhdon puna për hapjen e rrugëve rurale në fshatrat Leshnicë e Poshtme dhe Leshnicë e Sipërme si edhe Kostar e Brajlat.

Ora 12:01
Moti i keq/ Lumi Osum del nga shtrati në fshatin Veterrik të Beratit! Qindra ha tokë dhe sera nën ujë

Foto: Lumi Osum, Berat

Prej më shumë se një jave vendi ynë është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut. Po si paraqitet sot situata në qarkun e Beratit?

Sipas informacioneve autoritetet lokale bëjnë me dije se:

Lumi Osum prej pasdites së djeshme ka filluar ngritje graduale të nivelit. Nga prurjet lumi ka pësuar dalje nga shtrati në fshatin Veterrik në pikën e daljes javën shkuar ku ka përmbytur toka bujqësore rreth 30-40 ha.

Momentalisht niveli i lumit Osum është drejt rënies.

Lumi Devoll, nga EC Kuçovë për shkak të shkarkimeve me kuotë të ulet nga HEC Banjë, lumi ka prurje por është brenda shtratit të tij.

Për shkak, të prurjeve të të dy lumenjve, Osum dhe Devoll, niveli në lumin Seman ka pësuar rritje dhe ka dalje nga shtrati në fshatin Goriçan, NJA Kutalli Dimal, ju janë përmbytur toka bujqësore dhe disa hektar me sera bujqësore. Këto sipërfaqe tokash janë përmbytur edhe nga reshjet e ditëve të kaluara.

Ora 09:55
Moti i keq/ Del nga shtrati lumi Ishëm, qindra ha tokë nën ujë në Murqinë të Krujës

 

Qindra hektarë tokë bujqësore në fshatin Murqinë, Krujë ndodhet nën ujë pas daljes nga shtrati të lumit Ishëm, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

“Kam falimentuar nga lumi, na ka përmbytur tokat. Çfarë kemi mbjellë si kemi korrur. Asnjëherë nuk kam marrë dëmshpërblim. Tokat janë të gjitha nën ujë”, tha Arben Troksi, banor i zonës.

“Gjendja është katastrofike. Del lumi sa herë bie shi, jemi në pikë të hallit. Kemi fëmijët për të çuar në shkollë, kemi njerëz të sëmurë. I bëjmë gjilpërat vet jemi bërë si në Mesjetë. Jemi të rrethuar dhe izoluar nga uji. Këtu është 1 metër ujë”, tha një banor tjetër për Report Tv.

Ndërkohë edhe një prej lagjeve të këtij fshati ka mbetur e izoluar pasi niveli i ujit në rrugë ka shkuar 40 cm.

Në vitet e kaluara kur vendi është përballur me situata të tilla, banorët e kësaj lagjeje janë evakuuar me gomone, teksa në raste të veçanta është dashur edhe ndërhyrja me helikopter.

Ora 09:51
Probleme me fiderat e nënstacionit në Farkë, mbesin pa energji elektrike disa zona të Tiranës

1764233667_ssss.webp

OSHEE njofton se disa zona në Tiranë janë pa energji elektrike. Bëhet fjalë për zonat pranë TEG - Mjull Bathore, Mullet, Daias dhe Rolling Hills. Shkak është bërë një problem në fiderat e Nënstacionit Farkë.  OSHEE thotë se po punon për të riparuar linjat e djegura.

 "Probleme në fiderat e Nënstacionit Farkë, grupet e #OSSH janë duke punuar për riparimin sa më të shpejtë të linjave të dëmtuara (djegur). Tre fiderat e parë janë vendosur herët në punë përmes skemës unazë, ndërsa për tre fiderat e tjerë jashtë pune janë angazhuar teknikët e avarive. Aktualisht pa energji elektrike janë zonat pranë TEG - Mjull Bathore, Mullet, Daias dhe Rolling Hills.", njofton OSHEE.

Ora 09:40
Moti i keq/ Dëmtimi i një ure izolon banorët e disa fshatrave në Gjirokastër, probleme me dy akse në Dropull e Përmet! Rihapet rruga Kolonjë-Golem

1764242618_gjr.JPG

Reshjet e 12 orëve të fundit në Gjirokastër shkaktuan bllokimin e aksit rrugor Kolonjë-Golem, duke izoluar me dhjetëra banorë të Golemit. Bllokimi erdhi për shkak të inerteve por tashmë është rihapur. 

Në Dropull, mbetet ende i pakalueshëm aksi Glinë-Nepravishtë. Edhe në Përmet, është izoluar rruga Frashër-Verçisht, Frashër-Miçan për shkak të shkarjeve të dherave. 

Ndërkohë vazhdojnë të jenë të izoluara fshatrat Peshkëpi e Sipërme, Peshkëpi e Poshtme, Radat, Vrahogoranxi dhe Glinë si pasojë e dëmtimit të urës. Banorët qarkullojnë me këmbë në rrugë alternative përmes Nepravishtës. Deri tani emergjencat nuk kanë asnjë masë përveçse bllokimit me inerte në të dy hyrjet e urës për të parandaluar qarkullimin me makinë për shkak të dëmtimit të konstruktit.