TIRANE, 9 Qershor /ATSH/. -  Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, do të marrë pjesë te merkuren në konferencën kombëtare "Nxitja e praktikave politikëbërëse të informuara nga evidencat".
Burime nga MAS bejne te ditur se konferenca kombëtare vjen në kuadër të zbatimit të Programit Rajonal për Promovimin e Kërkimit Shkencor në Ballkanin Perëndimor (RRPP) dhe është hartuar si një event gjithëpërfshirës që  integron gjetje dhe rekomandime nga tre forumet, diskuton sfidat dhe mundësitë e përbashkëta dhe identifikon alternativat dhe strategjitë pasuese për një dialog kombëtar të qëndrueshëm.
Konferenca përfshin politikëbërës strategjike, shkencëtarë të orientuar drejt politikave, ekspertë dhe 'ofrues' të dhënash, të cilët do të diskutojnë mbi gjendjen aktuale të politikëbërjes së informuar nga evidenca në Shqipëri, mbi kapacitetet e politikëbërësve në përdorimin e kërkimit shkencor dhe kërkuesve në gjenerimin e produkteve cilësore, si dhe mbi incentivat që nxisin politikëbërësit të përdorin kërkimin shkencor. /m.z/ /a.ke/