Në prag të ndërimit të viteve, kurdoherë dhe kudo njerëz të veçantë, por dhe shoqëritë në përgjithësi bëjnë bilancet e tyre, për të parë dhe kuptuar detyrimet që u kanë mbetur pa plotësuar dhe sfidat që i presin në të ardhmen. Kjo që bëjnë, nuk ka qënë më së shumti një dëshirë se sa një zakon i formuar dhe i detyruar nga koha që jetojnë. Nga koha, me të cilën kushdo ka lidhur një kontratë të përjetshme. Një kontratë që përmbledh të gjitha kontratat e tjera sociale dhe financiare. Por nëse këto të fundit, pavarësisht kamatave ndonjëherë edhe të kripura, të lënë t’i shlyesh vit pas viti, koha është më e pamëshirshme.

Ajo të lë gjithmonë e më mbrapa saj, kur të tjerët që ecin përkrah me ‘të, zakonisht ruajnë të pandryshuar karakterin e fortë të kohës, aq sa edhe përpjekjet apo mundimet e tyre në këtë rrugëtim ndjehen si variacione gjithnjë e më të këndshme të së njëjtës temë. Të tjerë, që gjatë jetës së tyre të flashkët thellojnë përherë e më tepër distancën me kohën janë të dënuar gjithnjë e më shumë të qëndrojnë në vobektësinë e tyre, kundrejt të tjerëve me “fat më të mirë”..

     Këto dallime të realitet jetësor, dita erdhi kur i pa, i kuptoi, i ndjeu mjaft qartë edhe shumica e popullit tonë, që me vrrullin e votave ndëroi qeverisjen e vet, duke i besuar për një mandat katërvjeçar kapjen e kohës, ose më saktë, afrimin me ritme të shpejta drejt saj. Dhe shumë shpejt, kur sapo hyri viti që tashmë po lëmë pas, nisi të vërtetohet një ritmikë e re, nga e cila ushtuan nota besueshmërie, për t’iu akorduar Shqipërisë në qershor statusi i Shtetit Kandidat për në Bashkimin Evropian.

Një status ky i refuzuar tre vitet e shkuar rradhazi. Mund të përmenden këtu operacionet për fshirjen nga harta vendore e plantacioneve të kanabisit dhe e objekteve të përpunimit të drogave të forta, që në tërësinë e tyre u vlerësuan në brendësi dhe nga të gjitha anët e kontinentit tonë realisht si starti i një rrugëtimi evropian. I rrugëtimit për një ndërgjegje të përbashkët, që krijohet sipas përvojave të përbashkëta në historinë evropiane, me të njëjtin orientim: sundimin e shtetit të së drejtës, te i cili bëjnë pjesë respektimi i dinjitetit dhe i të drejtave të njeriut, mbi çka mund të jetësohet privatizimi i besimit dhe distanca refleksive e njerëzve midis tyre, vlerësimi kritik i tregut dhe morali i luftës për më shumë drejtësi sociale, zbutja e dhunës shtetërore dhe sensibilizimi i qytetarëve për paradokset e përparimit.

     Mbi këto baza mbështeten edhe vlerësimet e vendosmërisë së qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe dizenjimin e një urbanistike moderne në të gjithë vendin, pa bërë seleksionime midis atyre që i ngritën ato ndërtime-shprehje të së njëjtës praktikë paligjshmërie.

Të kësaj praktike, që ka përfshirë për dy dekada rresht edhe vjedhjet e energjisë elektrike, vjedhjet masive dhe debitë e frikshme ndaj një aseti strategjik, pa të cilin përparimi i përgjithshëm mbetet veçse një ëndër. Përballja energjikisht e organeve publike me personat që ushtrojnë veprime të tilla mbi ligjin, duke bërë kështu që brenda pak kohësh shumë e shumë persona të mësojnë ku bien arkat e shlyerjes së detyrimeve dhe t’u nënshtrohen rradhëve të gjata për pagesa, s’është veçse një tjetër arritje e kësaj qeverie, në  backgroundin apo bilancin vjetor të së cilës përfshihen edhe përmirësimi i dukshëm dhe i ndjeshëm i parametrave të qarkullimit rrugor, mungesa e të cilëve deri tani ka ndikuar që të cilësohen rrugët e vendit tonë në autostrada të vdekjes. Sikurse përmirësimi në senset më pozitive të mundshme të parametrave të arsimit të lartë...

     Por, të gjitha këto arritje do të fshiheshin nga vëmendja e opinionit të gjerë publik brenda dhe jashtë vendit tonë, nëse bisneset dhe konsumatorët nuk do të shfaqnin besim te mundësitë në rritje të zhvillimi ekonomik. Mjafton të përmenden të dhënat më të fundit të INSTAT, sipas të cilave gjatë tremujorit të tretë të këtij viti treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit me 3.7 për qind dhe kuota optimiste shënohen në industri, ndërtim dhe shërbime.

Pa lënë jashtë statistikave edhe pagesat e shlyerjes me ritme të shpejta të detyrimeve dhe borxheve të konsiderueshme që qeverisja e mëparshme u kishte bizneseve, duke asfiksuar kapacitetet ekonomike, çka tani mund të përkthehet në stimulimin e një frymëmarrje të gjerë të këtyre bizneseve të mëdha, për t’u vënë së shpejti në efikasitet të plotë, pra edhe në rritje të punësimit. Këtij kuadri besueshmërie u përkasin jo vetëm nënshkrimet e dy marrëveshjeve të huasë me FMN dhe Bankësn Botërore, që të dyja sëbashku kapin 300 miljonë dollarë, por edhe lëvrimi në kohë i kësteve të tyre, me ndikim jo të vogël në zhvillimet ekonomike.

     Por, sado që të vazhdonim me arritje në sektorë të tjerë,  numërimi i gurëve kilometrikë në rrugëtimin e integrimit evropian vështirë të bëhej i saktë apo i plotë, po qe se nuk do të viheshin në dukje disa vlera të qenësishme në zbatimin e programit të qeverisjes së Koalicionit të Aleancës për Shqipërinë Evropiane. Le të ndalemi vetëm në tre momente të rëndësishme të këtyre muajve.

Konkretisht, vizita e Papa Françeskut në Shqipëri më 21 shtatorin e kaluar nuk u bë për të shuguruar ndonjë kardinal, siç ndodhi në rastin e ardhjes këtu 21 vite më parë të Papa Vojtilës; ajo ishte një mesazh për gjithë botën Perëndimore, që ta drejtonte edhe më shumë vëmendjen te ky vend i varfër, por me vlera të padiskutueshme, midis të cilave mbetet për t’u shënuar harmonia fetare dhe bashkëjetesa e komuniteteve. Më tej, pas rreth 20 vitesh premtime dhe zhgënjime u bë e mundur të lëvrohen pagesat e të gjitha kësteve të shpërblimeve për të pënndjekurit politikë dhe trashëgimtarët e tyre, çka u hap këtyre një perspektivë më të afërt të integrimit me dinjitet në rradhët e shoqërisë shqiptare.

Tek e fundit, BE, drejt të cilit është orientuar rrugëtimi ynë i integrimit evropian, nuk është vetëm një komunitet ekonomik. Përkundrazi, ai është një Bashkim Evropian ku vlerat luajnë gjithashtu një rol të madh. Dhe në tërësinë e tyre, solidariteti çmohet jo pak. Pra, solidariteti midis vetë njerëzve, midis shoqërive dhe shteteve të tyre, një provë e së cilës edhe plesëmarrja e Shqipërisë me kapacitetet e pakta, por të bëra dinamike, ushtarake, portuale dhe të lundrimit, si edhe me ato të shëndetësisë, për zhvillimin dhe përfundimin me sukses, krahas Greqisë dhe Italisë, të operacionit shumë të vështirë për shpëtimin e qindra pasagjerëve nga një traget i përfshirë nga flakët në me të detit plot dallgë.

     Megjithë këto arritje, do të ishte mangësi të mos shënoheshin edhe përpjekjet e qeverisjes aktuale për të hedhur hapa në disa reforma të tjera, përmbushja e të cilave vlerësohet nga Brukseli si kusht për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Por ato vetëm sa kanë filluar. Për shembull, për reformën administrative- territoriale u dizenjua Harta e re, por ende nuk është hartuar dhe miratuar ligji për decentralizimin e pushtetit vendor; për reformën e administratës publike janë hedhur hapa të mëdha, por ende nuk janë bërë plotësisht efektivë institucionet për shërbimin civil; për reformën në drejtësi, krahas ndryshimeve kushtetuese, ndonëse janë ngritur ca tryeza institucionale dhe grupe ekspertësh, sidoqoftë vërehet vonesë etj, etj.

Vonesa këto që shkaktohen edhe nga fakti, se për ’to është i domosdoshëm konsensusi me opozitën, Dhe opozita, ashtu sikurse për çdo arritje të qeverisjes që kritikon, shan dhe shpif pa shprehur variante alternative, në qendër të programit të saj ka konfliktin institucionale. Konfliktin, që gjatë këtij viti mori përmasa të jashtëzakonshme. Ndonëse bojkotit të punimeve të parlamentit ajo i dha fund, pas firmosjes së një marrëveshjeje të sjellë nga Brukseli, ende nuk i ka ulur tonet e zërit të çjerrë për të rrezikuar ndaljen apo vonesën e integrimit evropian.

Për të bërë pikërisht këtë, kur vullneti i përgjithshëm i formuar mbi bazën e parimit të shumicës (siç e kanë bërë të qartë doktrinarët e shoqërisë moderne) nuk rezulton aspak një veprim diktatorial i imponuar nga shumica pakicës, por nga ndikimi i ndërsjellë që të dyja grupet ushtrojnë ndaj njëri tjetrit.

Për vitin 2015 është ende herët të parashikohen zhvillimet e mëtejshme në qëndrimet e opozitës, por një gjë është e sigurt: vendosja e qeverisjes aktuale për të shpënë më tej punët e nisura, veçanërisht për 5 reformat e mëdha. E pra, kjo veprimtari e ngjeshur e saj, sigurisht që do të sjellë fryte për tërë popullin. Sepse, siç thamë në titullin e këtyre rradhëve, kontrata me kohën të shpërblen, nëse e shlyen atë.     


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)