SHKODER-Pas denoncimit të Lulzim Bashës pasditen e sotme se lagja ‘Rus’ pranë Dobraçit është jashtë kontrollit, forca të shumta të policisë dhe FNSH kanë rrethuar në mbrëmjen e sotme lagjen në qytetin verior.

Në këtë zonë jeton familja Bajraj që është akuzuar nga Partia Demokratike pak ditë më parë si e përfshirë në botën e krimit. Njëri prej anëtarëve të familjes është Safet Bajraj, që u bë i njohur pas historisë së përplasjeve në Belgjikë dhe akuzave nga PD, si i lidhur me një deputet të majtë.

REPORT TV sjell pamje ekskluzive nga aksioni i policisë në këtë zonë, ndërsa gazetari Ergys Kavaja raporton se po kryhen kontrolle të shumta në banesa dhe lokale për personat që janë në kërkim për ngjarjet kriminale.

Në Shkodër në muajt e fundit janë shënuar mjaft ngjarje kriminale. Ditën e shtunë në periferi të qytetit u vra biznesmeni Arjan Ferracaku, ndërsa në dy muajt e fundit në total janë 6 viktima dhe 2 të zhdukur. Ministri i Brendshëm Xhafaj paralajmëroi sot nga foltorja e Kuvendit se në vjeshtë do të goditen bandat.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:42
Pas Shkodrës, FNSH aksione blic edhe në Tiranë, Durrës e Lezhë

Pas ngjarjeve të fundit kriminale, përveç Shkodrës, policia po ushtron kontrolle edhe në Tiranë, Lezhë dhe në Durrës. Sipas burimeve të Report Tv, FNSH po ushtron kontrolle në disa pika në Tiranë, por edhe Lezhë e Durrës në kërkim të elementëve të dyshuar si të lidhur me ngjarjet e fundit kriminale.