Deputeti i PD Saimir Korreshi tha të martën në Report TV se Partia Demokratike nuk duhet ta përsërisë gabimin e vitit 2014, kur bojkotoi reformën territoriale dhe ia la gjithë terrenin Partisë Socialiste.
Gjatë një interviste me Marsela Karapançon në emisionin Frontline, Korreshi shpjegoi se bojkoti i reformës territoriale i ka kushtuar politikisht opozitës dhe se sot PD duhet të jetë pjesë e procesit për të korrigjuar një reformë që, sipas tij, ka larguar shërbimet nga qytetari dhe u ka shërbyer më shumë interesave elektorale sesa nevojave reale.
“Ne nuk kemi qenë kurrë për bojkot, por kanë ardhur situata për të cilat PS nuk i është përgjigjur kurrë PD-së, siç është rasti i Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve, që edhe sot nuk ka një datë për mbledhjen e tij. Nuk mund të lëmë një çështje kaq emergjente dhe të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë”, tha Korreshi.
Ai pranoi se mosmarrja e pjesës në reformën territoriale ishte gabim.
“A është gabim të mos marrësh pjesë në reformën territoriale? Për mendimin tim po, sepse mënyra se si u konceptua dhe si u bë kjo reformë nga Partia Socialiste i solli përfitime të mëdha elektorale dhe vetëm kaq. Nëse do të kishim për të bërë pazar, nuk do ta bënim atë budallallëk. Ka qenë budallallëk i asaj kohe dhe jo pazar. Vetëm një budalla mund ta bënte atë. Lulzim Basha e bëri bojkotin në atë kohë dhe demokratët bënë një budallallëk, për të qenë të vërtetë”, u shpreh ai.
Sipas Korreshit, prioriteti i reformës duhet të jetë shërbimi ndaj qytetarit.
“Pika e parë është kthimi i shërbimit për qytetarin. Qytetarët nuk duhet të udhëtojnë deri në 40 kilometra për të shkuar te kryetari i bashkisë. Ne duhet ta kthejmë bashkinë tek qytetari”, tha deputeti.
Korreshi mohoi zërat për përplasje të brendshme brenda PD-së sa i përket pjesëmarrjes në reformën territoriale, duke thënë se nuk ka pasur debate.
“Berisha vetëm ka dëgjuar. Nuk ka pasur asnjë mendim, nuk ka pasur debat. Secili ka thënë mendimin e vet”, u shpreh ai.
Sa i përket protestës së 10 shkurtit dhe faktit që kryeministri Edi Rama nuk ka rënë pas protestave të organizuara nga PD, Korreshi tha se prej kohësh është për radikalizim të aksionit politik, që përfshin grevë urie, ngujim të deputetëve dhe aksion politik, por jo bojkot.
“Fjala bojkot është hequr, sepse ka sjellë pasoja dhe kemi bërë gabim. Edi Rama nuk ikën vetëm me protesta”, përfundoi Korreshi.
Komente











