Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Letonisë Edgars Rinkevics.
Presidentja Jahjaga dhe ministri Rinkevics biseduan për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë si dhe për bashkëpunimin bilateral midis dy vendeve, ku u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit dhe të mbështetjes për Kosovën sidomos në proceset e integrimit në strukturat veri-atlantike.
Presidentja Jahjaga theksoi se prioritet për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës është sundimi i rendit dhe ligjit, luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit si dhe zhvillimi ekonomik i vendit.
Ajo nënvizoi se përkundër sfidave, Kosova sot promovon paqen dhe stabilitetin në rajon dhe ky është sukses i përbashkët i institucioneve, qytetarëve të Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë.
Presidentja Jahjaga diskutoi me ministrin Rinkevics edhe perspektivën evropiane të Kosovës, përfshirë nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociim gjatë verës dhe përmbushjen e kushteve për liberalizim të vizave.
Njëri ndër kushtet e mbetura është edhe arritja e marrëveshjes për riatdhesim midis Republikës së Kosovës dhe Letonisë. /atsh/