Kosova përmbylli zgjedhjet vendore të radhës duke shënuar disa të pritura dhe të papritura që ndodhën për herë të parë e që i dhanë asaj formatin e një shteti demokratik në konsolidim e sipër.
Për herë të parë në Kosovë janë zhvilluar zgjedhje në të gjithë territorin, me  pjesëmarrjen edhe të komunitetit serb, falë një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, arritur me ndërmjetësinë e Bashkimit Europian. Që do të thotë se nuk do të kemi më pushtete paralele, në komunat me shumicë serbe, por do të kemi pushtete të zgjedhura dhe të pranuara. Në njëfarë mënyre, ndonëse jo të deklaruar, Serbia e ka njohur Kosovën si konstelacion të pavarur politiko-juridik. Bie në sy fakti që pothuajse të gjithë komunat me shumicë serbe janë fituar nga “Lista Srpska” ose lista që ka mbështetjen e Beogradit. Serbia ka institucionalizuar influencën e saj në pjesët me shumicë serbe, duke shtuar rrezikun e përdorimit politik për interesat e saj. Mbetet të shihet se sa do të jetë e angazhuar pakica serbe për tu përfshirë në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm në Kosovë.

Për herë të parë në Kosovë kemi pasur një proces zgjedhor të pranuar nga të gjitha palët, zhvilluar në një ambjent të përgatitur relativisht mirë, qyshkurse proceset zgjedhore janë administruar nga vendorët, duke shënuar kështu falimentimin e industrisë së manipulimit të votës. Rezultatet e votimit janë dhënë në kohë rekord, njësoj si në vendet e zhvilluara europiane, duke mbyllur çdo mundësi manipulimi. Kosova pati marrë nga Shqipëria flamën e rrezikshme të manipulimit të votës sapo ndërkombëtarët hoqën dorë nga administrimi i proceseve zgjedhore. Kjo industri solli pushtete të kontestuara, në qendër e në bazë, pasojë të cilëve ka qenë korrupsioni në rritje, shoqëruar me tensione të shumta. Realiteti i ri postzgjedhor ka rritur shpresat se në vijim do të kemi edhe zgjedhje paralmentare të lira dhe të ndershme.

Për herë të parë në Kosovë të gjitha partitë kryesore politike janë deklaruar të kënaqura nga rezultati i zgjedhjeve. Kjo falë natyrës që paraqesin zgjedhjet vendore, ku është e vështirë të dallohet fituesi i qartë, për shkak të votimit për dy institucione: këshillin dhe kryetarin. PDK-ja e Hashim Thaçit, ka dalë partia më e votuar në proporcional, duke siguruar numrin më të madh të këshilltarëve komunalë. Por kjo parti ka lëshuar drejtimin e disa komunave të rëndësishme si Mitrovica, Gjilani dhe Ferizaj, gjë që mund ti kushtojë në zgjedhjet parlamentare. LDK-ja e Isa Mustafës ka arritur të përmbysë, në favor të saj, disa nga komunat e mëdha si Gjilanin, Ferizajn dhe Pejën, por vetë Isa Mustafa ka humbur garën për Prishtinën.

LDK-ja ka përparuar dukshëm edhe në proporcional  duke rritur shanset për të qenë partia e parë në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. AAK-ja e Ramush Haradinajt ka dalë e kënaqur pasi ka shënuar një rritje të dukshme në proporcional duke marrë rreth 15% të votave edhe pse ka humbur dy bastionet e saj më  të forta, Pejën dhe Gjakovën. Kjo parti shpreson të marrë në rolin e king-maker-it në  zgjedhjet parlamentare dhe më tej në realizimin ëndrrës së liderit të saj për tu ringjitur në postin e Kryeminsitrit, nëpërmjet ndonjë marrëveshjeje në tavolinë. Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit ka arritur të bëjë surprizën më të madhe në historinë e zgjedhjeve kosovare, duke marrë komunën e Prishtinës, por ka pësuar një rënie të dukshme, gati në përgjysmim, në mbështetjen proprocionale.

Ky rezultat ka dhënë shenjat e para të dobësimit të kauzës së saj që bazohet në çështjen kombëtare, ndërsa ka vënë në provë aftësitë qeverisëse vendore. Shpend Ahmeti ka shpëtuar anijen e Vetvendosjes nga rreziku i përmbytjes në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare. Së fundi, AKR-ja e Behgjet Pacollit, ka rikuperuar shpresat pasi ka arritur të marrë dy komuna të rëndësishme në balotazh, Gjakovën dhe Mitrovicën, për të mbetur në një lojë nga e cila, me shumë gjasa, mund të dalë.

Zgjedhjet vendore në Kosovë dhanë shenja të forta të prevalimit të vlerave të individit mbi burokracitë partiake. Qytetarët kanë reaguar në mbrojtje të interesave të tyre përkundër propagandës false që shpesh herë bëjnë partitë e mëdha në institucionet vendore. Rasti i Prishtinës, por edhe ai i Mitrovicës, është një sinjal i qartë në këtë drejtim.

Disa prej gjërave që ndodhën për herë të parë janë produkt edhe i sistemit zgjedhor në Kosovë. Votimi me dy raunde i ka favorizuar të papriturat e këndshme, për të cilat do të flitet gjatë. Ndryshe, psh. me sistemin që aplikohet sot në Shqipëri, ku votohet me një raund, e ku fitues shapllet ai që ka marrë relativisht më shumë vota edhe pse jo mbi 50% të votave, nuk do të kishim pasur kurrëfarë surprize në zgjedhjet kosovare, as në Prishtinë sigurisht.

Në Kosovë, prej kohësh, ka filluar një proces diskutimi për reformë zgjedhore, e cila pritet të reflektojë ndryshimet që kanë ndodhur në dhjetë vitet e fundit, për të pasur një shkallë sa më të lartë demokracie bazuar në vullnetin e qytetarëve. Kjo reformë do tu japë përgjigje disa problematikave të rëndësishme që kanë të bëjnë, në rend të parë me sistemin zgjedhor, ndoshta në favor të sistemit proporcional rajonal, nga ku do të reduktohej numri i madh artificial i vendeve të rezervuara për pakicat në parlament (20 vende nga 120 gjithsej) që ka çuar shpesh herë vendin në prag krizash qeverisëse, ose i ka detyruar politikanët të bëjnë kompromise jo përfaqësuese në tavolinë, në favor të interesave të tyre. Reforma zgjedhore llogaritet të prekë edhe mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, duke ja lënë popullit në dorë, si dhe të përsosë procesin e administrimit të zgjedhjeve në Kosovë.

Disa ngjarje të tjera pritet të ndodhin për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014. Më e rëndësishmja ndër to do të ishte pjesëmarrja e serbëve, e cila do ti jepte Kosovës formatin e plotë të një shteti unitar dhe që do të konsolidonte përfundimisht dy perspektiva: së pari, njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet e BE-së dhe së dyti, integrimin e Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Europian.
 
Shkrimi u publikua sot (12.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)