​Kosovë/ 100 eurot për fëmijë dhe pensionistë, fushatë zgjedhore apo ndihmesë?

​Kosovë/ 100 eurot për fëmijë dhe pensionistë, fushatë zgjedhore apo ndihmesë?

100 euro

Ndonëse e mirëseardhur ndarja e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët nga qeveria, ky vendim është cilësuar nga ekspertë të ekonomisë si fushatë zgjedhore për vota dhe jo ndihmesë për këto kategori. Sipas njohësve të ekonomisë, afaristëve dhe opozitës, ky vendim nuk kontribuon në krijimin e politikave zhvillimore dhe rritjen e mirëqenies. Derisa nga partia në pushtet mohojnë një gjë të tillë, porse sipas tyre, kjo është diçka ‘tradicionale’ që ka nisur nga qeveria aktuale.

Në të njëjtën kohë, qeveria kritikohet edhe për vonesat në realizimin e mjeteve për bizneset, si pjesë e platformës “Superpuna”, duke u akuzuar se po i dëmton ato në vend që të krijojë kushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Sipas njohëseve të ekonomisë dhe pronar të kompanive, qeveria në vend se të krijojë politika të qëndrueshme për bizneset, po e bënë të kundërtën.

Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj thotë se qeveria duhet të ketë të qartë se qytetari ka nevojë për diçka afatgjate dhe jo nisma të përkohshme.

“Por duhet të kemi të qartë se qytetari ka nevojë diçka afatgjate në mënyrë konsistente por jo një ditë... (në Anën tjetër nga SuperPuna) ka vonesa dhe kësi-lloj vetë e ka premtuar e proklamuar dhe sot bizneset të paguajnë vet me muaj të tërë, (nga vonesat) qeveria nuk po e luan rolin e vet të jetë pro bizneseve e t’i fuqizojë ato...Qeveria nuk duhet të luaj rolin e fondacioneve dhe shoqatave humanitare por rolin e politikave zhvillimore”, thotë Kadrijaj.

Edhe njohësi tjetër për çështje të ekonomisë, Nazmi Zeqiri vendimin e qeverisë për ndarjen nga 100 eurove për pensionistet dhe fëmijët e quan për fushatë zgjedhore, dhe shton se e njëjta ka ndikim negativ në buxhetin e shtetit.

“Ndikim negativ në buxhetin e shtetit, këto janë shpenzime të pamenduara mirë...Janë shpenzime të pamenduara me vendime Ad hoc për arsyeje se ndahen pa një analizë të mirëfilltë financiare...A mund të paramendoni se çfarë projekti kapital, ose çfarë projekti të mirë në aspektin afatgjatë në ekonomi do të ndodhte me ato mjete”, thotë Zeqiri.

Se ky vendim po lidhet me interesa të caktuara e thotë edhe afaristi, Ramiz Kelmendi. Ai thotë se për t’i ndarë këto 100 euro, qeveria i ka “vjelë” mirë bizneset dhe sektorin privat.

“Çdo ndarje për fëmijët dhe pensionuarit është një ndarje pozitive, por që është e kohë pas-kohshme dhe po lidhet me interesa, dhe duke u lidhur me interesa të caktuar po zbehet veprimi pozitiv, për arsyeje se tash kur do të jetë 100 euroshi i radhës. A duhet pritur zgjedhjet lokale që të kemi edhe 100 euro të radhës. Mirë është kur ndahet, se për t’i ndarë 100 euro qeveria, normalisht se i ka vjelë mirë bizneset dhe sektorin privat dhe ka krijuar buxhet duke mos investuar mjaftueshëm në infrastrukturë publike dhe ato i ka shpërndarë te qytetarët që kanë nevojë”, shprehet Kelmendi.

Në anën tjetër, sa i përket vonesave të qeverisë nga platforma “Superpuna”, Kelmendi thotë se në këtë mënyrë dëmtohet biznesi.

Vendimin për ndarjen 100 eurove për fëmijë dhe pensionistë e kritikuan edhe opozita. Për “dhuratat e fundvitit”, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Driton Selmanaj thotë se qeveria është duke abuzuar me paranë publike në prag të fushatës zgjedhore. Ai thekson se njerëzit nuk kanë nevojë për lëmoshë, por për mirëqenie.

“Korrupsion publik me paranë publike. Ka qenë vet ky kryeministër i cili ka thënë që kushdo që prek pagat ose ndan fonde në kohë fushatash janë në fushatë dhe janë kundër interesit të vet vendit. Është e padrejtë që të abuzohet me paranë publike me kategori të caktuar, Kosova nuk ka nevojë për lëmoshë ndaj kategorive të caktuara, njerëzit nuk kanë nevojë për lëmoshë, njerëzit kanë nevojë për mirëqenie, e kjo e fundit nuk rritet me 100 euro”, thotë Selmanaj.

Derisa deputetja nga partia në pushtet, Arbëresha Kryeziu ka mohuar akuzat e opozitës se ky vendim nga qeveria lidhet me fushatë zgjedhore. Sipas saj, qeveria vazhdimisht përgjatë këtij mandati katërvjeçar është angazhuar të bëjë programe të cilat e ndihmojnë dhe lehtësojnë jetën e qytetarëve të vendit.

“Opozitës gjithçka i duket fushatë elektorale, çdo veprim që qeveria merr për ta është fushatë elektorale. Të njëjtat veprime ka pasur edhe fund vitin e vitit që kemi lënë pas. Vazhdimisht përgjatë këtij mandati katërvjeçar qeveria është angazhuar që të bëjë programe të tilla të cilat e ndihmojnë dhe lehtësojnë jetën e qytetarëve të vendit. Fëmijët nuk kanë marrë shtesa ndonjëherë në Republikën e Kosovës, nënat lehona nuk janë mbështetur nga shteti ndonjëherë, dhe kjo ka ndodhur për herë të parë gjatë këtij mandati qeverisës. Sado që për opozitën këto shtesa mund të jenë të vogla, kjo është diçka që ka nisur dhe në të ardhmen pritet të shkojë duke u rritur”, thotë Kryeziu.

Qeveria e Kosovës ka marr vendim të ndajë nga 100 euro shtesë të njëhershme për pensionistët dhe fëmijët e moshave nga 0 deri 16 vjet.

Kjo u konfirmua nga kryeministri i vendit Albin Kurti dhe ministri i Financave Hekuran Murati në një konferencë për media të dielën.

Kryeministri, Kurti tha se kjo nuk është vetëm dhuratë për fundvit nga shteti, por investim në mirëqenien e fëmijëve pa dallim dhe mbështetje edhe për pensionistët që kontribuuan dhe ndërtuan në shtetin tonë./ Kosova Press/

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë