Qeveria e Kosovës nuk i jep rëndësi draf statutit të propozuar nga BE për asocacionin të prezantuar në 2023. Një këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, i tha KosovaPress se dokumenti mund të marrë karakter detyrues vetëm nëse Serbia do të kishte pranuar që të nënshkruhet Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, të dakordësuara vitin e kaluar.
Jeton Zulfaj thotë se draft-statuti i asociacionit i hartuar nga BE-ja ka mbetur si një propozim.
“Vitin e kaluar ju e mbani mend, më 26 tetor qe ofruar nga kryeministri që të nënshkruhet marrëveshja në mënyrë që drafi, të cilin ata e kanë propozuar, të mund të merrte epitetin e një obligimi, që pastaj mund të kthehej për Kosovën. Mirëpo Serbia refuzoi ta nënshkruajë dhe qëndrimi i kryemoinistrit menjëherë ka qenë: pa nënshkrim nuk ka pranim. Rrjedhimisht kur Serbia ka refuzuar ta nënshkruajë, ajo nuk e ka pranuar”,- thotë Zulfaj.
Zulfaj akuzon Serbinë për destruktivitet në dialog dhe moszbatim të marrëveshjeve, ndërsa pret qasje të re në proces nga BE-ja për normalizimin e raporteve mes dy vendeve edhe pse për momentin nuk janë planifikuar takime të nivelit të lartë në Bruksel.