Ikën Albin Kurti! Votohet qeveria e re në Kosovë, Hoti kryeministri i ri (Emrat e ministrave të kabinetit)

Me 61 vota pro, 24 vota kundër dhe 1 abstenim, në Kuvendin e Kosovës është votuar Qeveria e koalicionit LDK-AAK-Nisma-minoritetet, me kryeministër Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Seanca u drejtua nga Kujtim Shala, nënkryetar i Kuvendit nga radhët e LDK’së. Në Kuvend mungonte i gjithë Grupi Parlamentar i Lëvizjës Vetëvendosje. Qeveria me në krye Albin Kurtin u rrëzua pas mocionit të mosbesimit që erdhi si rrjedhojë e shkarkimit të Agim Veliut nga posti i Ministrit të Punëve të Brendshme.

Ndërkaq, njoftimi për dekretimin e Hotit erdhi pasi presidenti Hashim Thaçi më 22 prill, konstatoi se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit, andaj këtë të drejtë ia kaloi LDK-së, si partia e dytë më së shumti vota në zgjedhjet e fundit.

Çështjen e dekretit Vetëvendosje e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Pas kësaj, Kushtetuesja më 1 maj kishte vendosur si masë të përkohshme deri më 29 maj duke pezulluar deri në një vendim të plotë dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër.

Ndërkaq, më 28 maj Gjykata Kushtetuese i hapi rrugë formimit të një qeverie të re me një votim shtatë pro dhe dy kundër dekretit të Presidentit, Hashim Thaçi për mandatarin e Qeverisë.

Kushtetuesja ka konstatuar se dekreti i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:41
'Erdhi dita' për të lënë zyrën pas 4 muajsh! Albin Kurti bën bilancin: S'bëj pranim-dorëzim detyre, qeveria e re është koti (VIDEO)

Pas miratimit të qeverisë së re në Kosovë me kryeministër Avdullah Hoti ditën e sotme, kryeministri i larguar tashmë Albin Kurti  shprehet se nuk do të jetë i pranishëm në dorëzimin e detyrës kryeministrit të ri, pasi sipas tij nuk mund të pranojë atë që e ka shkarkuar vetë dhe se i është dorëzuar presidentit.

Kurti e ka cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si antikushtetuese dhe ka bërë një përmbledhje të qeverisjes së tij në 4 muaj qeverisje. Në bilancin e tij, Kurti shprehet se kanë qenë 4 muaj qeverisje e mirë dhe se Vetëvendosja është partia më e madhe në vend dhe në Kuvend.

“Qeveria e re është e pavlefshme. Kjo është qeveri koti. Ne jemi qeveria alternative. Nesër nuk do ta bëj pranim dorëzimin sepse nuk mund ta pranoj atë që shkarkova, ndërsa edhe u dorëzua tek presidenti. ne vazhdojmë betejën. Do të kthehemi përsëri dhe shumë shpejt. Faleminderit të gjithëve”, thotë Kurti

Ora 16:17
BE-ja uron Kryeministrin Avdullah Hoti duke theksuar rëndësinë e dialogut me Serbinë

Bashkimi Evropian ka uruar votimin e qeverisë së re të Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, duke thënë se mezi pret të bashkëpunojë në përparimin e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

“Një rifillim i shpejtë i dialogut Beograd-Prishtinë i lehtësuar nga BE-ja, me mbështetjen e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, është thelbësor për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është mënyra e vetme për ta kthyer të ardhmen evropiane të Kosovës në një realitet për qytetarët e saj”, thuhet në komunikatën e përbashkët të shefit për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Komisionarit të Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Dy zyrtarët e lartë të BE-së thonë se pandemia e koronavirusit do të mbetet një sfidë e përbashkët për të ardhmen.

“BE-ja do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës dhe njerëzve të saj. Ne gjithashtu duam ta shohim Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane. Kjo do të kërkojë përpjekje për reforma si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, veçanërisht luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në komunikatë.

Qeveria e re e Kosovës me kryeministër, Avdullah Hotin, u votua të mërkurën nga Kuvendi i Kosovës, me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim.

Kryeministri Hoti, ka thënë më parë se qeveria e drejtuar nga ai, do të heqë të gjitha pengesat që e bllokojnë rifillimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, vendosi tarifën 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës.

Më pas, qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri, Albin Kurti, e shfuqizoi vendimin për tarifën, duke e zëvëndësuar atë me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Heqjen e masës së reciprocitetit e kanë kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara.

Ora 15:58
Qeveria e re në Kosovë/Presidenti serb Aleksandër Vuçiç: Nuk përjashtohet mundësia e rifillimit të dialogut

Serbia humb një milion euro në ditë për shkak të masave tregtare të Prishtinës, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

"Ne do të shohim se çfarë do të bëjë qeveria e re e Prishtinës, nëse do t'i heqë ato masa", tha Vuçiq gjatë një vizite në Novi Pazar.

I pyetur nëse është realiste që dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojë në fund të qershorit, Vuçiqi u përgjigj se kjo është e mundur, nëse autoritetet në Prishtinë, heqin kufizimet për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve nga Serbia.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, vendosi tarifën 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës.

Më pas, qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri, Albin Kurti, e shfuqizoi vendimin për tarifën, duke e zëvëndësuar atë me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Heqjen e masës së reciprocitetit e kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Qeveria e re e Kosovës me kryeministër, Avdullah Hotin, u votua sot nga Kuvendi i Kosovës, me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim.

Kryeministri Hoti, ka thënë më parë se qeveria e drejtuar nga ai, do të heqë të gjitha pengesat që e bllokojnë rifillimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ora 15:56
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani deklarohet kundër qeverisë

Pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, kryetarja e këtij institucioni, Vjosa Osmani, duke folur për refuzimin e saj që të drejtojë seancën në të cilën u votua qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, tha se kjo qeveri nuk përfaqëson vullnetin qytetar.

“Në radhë të parë një qeveri, e cila në tërësi varet nga votat e Listës Serbe, do të thotë nga Beogradi, dhe së cilës votën e 61 ia siguroi presidenti Thaçi në kundërshtim me rolin e tij kushtetues asnjëherë nuk mund të jetë përfaqësuese e vullnetit qytetar”, deklaroi Osmani.

Osmani nuk bëri të ditur nëse do të vazhdojë të mbajë pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Në vazhdimësi Osmani ka bërë të ditur se ishte në favor të formimit të një qeverie teknike me mandat gjashtë deri në nëntë muaj dhe shkuarje të vendit në zgjedhje pas pandemisë së koronavirusit.

Qeveria Hoti është votuar sot në Kuvendin e Kosovës me 61 vota për 24 kundër dhe një abstenim.

Votë vendimtare ishte ajo e deputetit të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, i cili në fillim të seancës tha se do të votonte qeverinë pasi ia kishin ndërruar mendjen presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilët siç tha ai, e kishin vizituar në shtëpinë e tij.

Ora 14:38
I dërguari i posaçëm amerikan përshëndet qeverinë e re në Kosovë: Grenell mesazh kabinetit “Hoti”

I dërguari i posaçëm amerikan në dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell ka mirëpritur votimin e qeverisë së re në krye me Avdullah Hotin.

Në një komunikatë nisur për media nga zyra e Grenell, thonë se i dërguari amerikan në dialog mezi pret rifillimin e bisedimeve me Serbinë.

“E mirëpres Qeverinë e re të Kosovës dhe mezi pres që të rifillojë partneriteti me ta në dialogun me Serbinë”, thuhet në deklaratën e Grenell.

Ora 14:37
SHBA inkurajon qeverinë e re të Kosovës: Urime! Mezi presim të punojmë për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin

Ambasada Amerikane ka reaguar pas votimit të Qeverisë Hoti.

Në urimin zyrtar, thuhet se ambasada e SHBA-ve mezi pret të punojë me qeverinë Hoti.

“Urime për formimin paqësor të qeverisë së re. Mezi presim të punojmë me qeverinë Hoti për të vazhduar punën e rëndësishme për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin, duke përfshirë përpjekjet për të forcuar marrëdhëniet rajonale dhe luftimin e COVID”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-ve në Kosovë.

Ora 14:02
Kryeministri i ri i Kosovës: Do t’i dalim zot vendit, do të punojmë edhe me opozitë

Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti në prononcimin e parë para medieve pasi u zgjodh u shpreh se “Sot në një seancë të organizuar jashtëzakonisht mirë është votuar qeveria e re, unë jam shumë i kënaqur që përfundimisht pas një punë më shumë se një muaj kemi bërë bashkë një program që i adreson nevojat më emergjente që ka shteti i Kosovës, që është lufta kundër kësaj pandemie”, ka thënë ai.

Hoti tregoi edhe objektivat e qeverisë së tij. “Unë sot kam dhënë zotimet para deputetëve për ndërrimin e diskursit publik në vend, për të kthyer normalitet dhe siguri në jetët tona të përditshme dhe për të kthyer e për forcuar miqësitë tona ndërkombëtare jam i vetëdijshëm për sfidat që i kemi, jam i bindur në koalicionin që kemi ndërtuar. Do t’i dalim zot këtij vendi, duke punuar edhe me opozitën”, ka thënë ai.

Ora 13:23
Presidenti Hashim Thaçi reagon pas votimit të Qeverisë: Ditë e rëndësishme për demokracinë

Pas votimit të Qeverisë se re në Kosovë me kryeministër Avdullah Hotin, ka reaguar edhe presidenti Hashim Thaëi në Facebook

Postimi i Thaçit:

I përgëzoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për votimin e Qeverisë së re. Kjo është një ditë e rëndësishme për demokracinë tonë dhe për qytetarët e vendit. Qeverisë së re i uroj sukses në përmbushjen e programit qeverisës dhe i ofroj bashkëpunim të plotë në jetësimin e agjendës kombëtare dhe ndërkombëtare.

Me bashkëpunim dhe koordinim ndërinstitucional mund ta rimëkëmbim ekonominë tonë dhe të lëvizim me hapa më të shpejtë drejt integrimit euroatlantik, duke e fuqizuar partneritetin me SHBA-në dhe me të gjitha shtetet mike. 

Ora 13:20
Avdullah Hoti shpallet Kryeministër i ri i Kosovës! Qeveria e koalicionit LDK-AAK-Nisma-minoritetet

Me 61 vota pro, 24 vota kundër dhe 1 abstenim, në Kuvendin e Kosovës është votuar Qeveria e koalicionit LDK-AAK-Nisma-minoritetet, me kryeministër Avdullah Hotin.

Hoti e ka prezantuar kabinetin e tij qeveritar, me gjithsej katër zëvendëskryeministra dhe 18 ministra.

Hotit iu hap rruga për formimin e Qeverisë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë dekretit të presidentit Hashim Thaci për mandatarin e formimit të Qeverisë.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit të 2019’ës, nuk e ka pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Qeveria e Albin Kurtit, që ishte produkt i koalicionit mes LVV’së, si parti e parë dhe LDK’së, si parti e dytë, u rrëzua me 25 mars, me mocion mosbesimi të nisur nga partia e Isa Mustafës.

Mocioni u inicua pasi Kurti ia shkarkoi LDK’së Agim Veliun nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme, pasi ai shprehu një qëndrim të tijin përsonal në një studio televizive, e Kurti e pa të papranueshme.

Mocioni i LDK’së bazë për rrëzim të Qeverisë e kishte rrezikimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vetë Hoti në fjalimin e tij të sotëm tha se “raportet me Amerikën janë lënduar nga një politike populiste e Qeverisë së fundit”.

Ora 12:46
Kosovë, Avdullah Hoti prezanton kabinetin, 4 zv.kryeministra e 16 ministra, këta janë emrat

Avdullah Hoti ka rezantuar sot në Kuvendin e Kosovës emrat e kabinetit qeveritar ku do të ketë 4 zv.kryeministra e 16 ministra, këta janë emrat

Besnik Tahiri i AAK’së do të jetë zëvendëskryeministri i parë, ndërsa Driton Selmaj zëvendëskryeministri i dytë. E treta zv.kryeministre është Albulena Balaj-Halimaj nga Nisma Socialdemokrate. Goran Rakiq i Listës Srpska do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal.

Hykmete Bajrami – Ministre e Financave

Besian Mustafa – Ministër io Bujqësisë

Vlora Dumoshi – Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport

Arban Abrashi – Ministër i Infrastrukturës

Agim Veliu – Ministër i Punëve të Brendshme

Selim Selimi – Ministër i Drejtësisë

Armend Zemaj – Ministër i Shëndetësisë

Anton Quni – Ministër i Mbrojtjes

Blerim Kuqi – Ministër i Ekonomisë dhe Ambientit

Meliza Haradinaj – Ministre për Punë të Jashtme dhe Diasporë

Ramë Likaj – Ministër i Arsimit

Skender Reçica – Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale

Vesel Krasniqi – Ministër i Tregitsë dhe Industrisë

Dalibor Jevtiq – Ministër për Kthim dhe Komunitete

Goran Rakiq – Ministër i Pushtetit Lokal

Enis Kercan  – Minisër i Zhvillimit Rural

Ora 12:15
Avdullah Hoti jep premtimin si kryeministër i ardhshëm i Kosovës: Nuk lejoj shkëmbimin e territoreve

Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Avdullah Hoti ka premtuar sot se me të në krye të qeverisë nuk do të ketë shkëmbim territoresh.

Ai tha se prioritet dialogu i udhëhequr nga BE dhe SHBA por territoret nuk preken dhe ai nuk do e lejojë një plan apo projekt për shkëmbim me Serbinë.

“Prioritet do të jetë edhe marrja e përgjegjësive për të çuar procesin e dialogut në bashkëpunim me BE e SHBA duke mos lejuar ndryshim territori e shkëmbim territorit”, tha Hoti.

Ora 12:11
Avdullah Hoti paraqet programin: Qeveria e re do burojë nga Kushtetuta, jo populiste si e kaluara

Sot mund të jetë një ditë historike për karrierën politike të Avdullah Hotit. Ai është duke mbajtur ekspozenë e tij si kandidat për kryeministër para legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës.

Ai e nisi atë duke falënderuar punonjësit e vijës së parë në luftën pandemike duke thënë se kjo kohë ishte testuese si për shoqërinë kosovare ashtu edhe për skenën politike, njofton Klan Kosova.

“Gjatë këtyre tre muajve kemi ndarë fatin e gjithë botës në përballje me pandeminë. Po e filloj fjalën me një falënderim për stafin mjekësor dhe policët. U shpreh ngushëllime viktimave të kësaj pandemie e të prekurve të shërohen sa më parë. Këto kohë të vështira po testojnë moralin tonë për t’u përballur me këtë pandemi të përmasave globale”.

Hoti falënderoi edhe ata që me votën e tyre do të mund ta bëjnë kryeministër.

“Falënderoj partitë e koalicionit për besimin. Ky besim ishte një akt i guximshëm i vendosjes së lartë politike dhe ndjej përgjegjësi ndaj këtyre deputetëve, e në veçanti ndaj qytetarëve e Kushtetutës. Kosova ende po përballet me armikun e padukshëm dhe në veçanti ata që janë më të brishtë nga shëndeti. Ky virus ka prekur ekonominë tonë dhe po dobëson fuqitë tonë për përballje. Jemi vënë në provë edhe për vlerat tona si solidariteti dhe sakrifica”.

Hoti citoi Nënë Terezën për përballjen e popullit me pandeminë.

“Pavarësisht se jemi shtet i ri, si shoqëri kemi treguar forcë për të vepruar me përgjegjësi për të ndjekur postualatin e Nënë Terezës se mund të bëjmë gjëra të vogla më dashuri të mëdha. Ne që kemi mbi supe peshën e votës qytetare jemi të obliguar për të qëndruar krah njëri-tjetrit, por për t’i dhënë demokracisë tonë një çlirim të ri”.

Hoti duke kritikuar populizmin e Qeverisë Kurti ku ishte zëvendës i postit që po synon tha se qeveria e re nuk do të ketë asnjë fuqi tjetër përveç asaj që buron nga Kushtetuta.

“Kur kemi pranuar këtë sfidë jo të lehtë, por pa alternativë, jemi nisur për të respektuar demokracinë. Demokracia jonë duhet të avancojë në drejtim të demokracisë perëndimore dhe në asnjë drejtim tjetër. Jemi nisur nga bindja jonë se nevojitet gjithëpërfshirje, jo stigmatizim e përjashtim. Nuk do të ketë qeveri me sfond populist si e kaluara”.

I.C./I.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Nëse do t’ju jepej mundësia të jetonit në një vend tjetër, a do të largoheshit nga Shqipëria?

Komento

Komente

  • Tahip: 03/06/2020 21:42

    Turp e faqja e zeze, plerat e serbise dhe mbetjet e pushtuesve 500 vjecare mjere shqiperia e shqipetare cfar po i shofin syte! Plera plera plera

    Përgjigju
  • Emi: 03/06/2020 21:15

    Si pilitika shqiptre si populli jan kote se ashte tjeter kushte si na komandoj thjeshte jena si delete ne fush si i con ka do ti.

    Përgjigju
  • [email protected]: 03/06/2020 19:56

    Ska si shkinte ndryshe shqipri kosov fito gjithmon i koruptuari e populli sy lesb ri e ben sehir. Tu rojn deshmoret e atij vendi lavdi pacin gjithmon , dhe vetem zi ju boft jeta ktyre qe kan vendos serbin zv kryeminister. Turp turo turp

    Përgjigju
  • naska: 03/06/2020 19:29

    Qeveria Hoti nuk eshte jolegjitime. I ka 60vota,sepse vota e deputetit Etem Ademi nuk vlen pasiqe ai eshte i denuar me burg. Kjo eshte ajo bene qeveria Hoti.

    Përgjigju
  • Vlora: 03/06/2020 16:50

    Mban brek qeni..??? Aq mban dhe albini kryeminister...

    Përgjigju
    • O arber: 04/06/2020 00:41

      Po ik o barbon se duhet te ecin para kombet e jo te qajn te kaluaren cdo shtet ne bot ka ber luftera mes vedit dhe nuk po permenden jeta vazhdon

    • Arbëri: 03/06/2020 21:28

      Ti nuk je vlora por je shkin shkjau! 20 mijë nëna dhe motra janë dhunuar nga këta qetnik serb, prandaj ti ja fut kot!

  • Blenard: 03/06/2020 16:38

    Turp tju vij te shitur hajduta te paudh dhe jo shqiperar turp presidentit Thaci maskara

    Përgjigju
  • Maji: 03/06/2020 15:22

    Kurti nuk diti te udheheq. e pat koalicionin e madh me LDK, dhe e prishi. Fajin ja kane keshilltaret e tij qe e e keshilluan gjithehere mbrapsht.

    Përgjigju
  • Kosovari: 03/06/2020 15:07

    Hiq nuk jam besimtar fetar.Por,kesaj here po lutem!Inshalla,fjala jote n'vesh t'Zotit! Del ashtu, kjo qe e paske thene!? Eshte per ta deshiruar dhe eshte per ta pritur.

    Përgjigju
    • Sidrit Golemi: 03/06/2020 16:18

      o "Kosovari"!!!!!, ndoshta vertete nuk je besimtar fetar, po e sigurt eshte qe je i ftohur keq nga te gjitha anet, sepse aq shume besoke ne idiotesine tende sa nuk ke kuptuar asgje nga ajo qe kam shkruajtur une. Zoti te te shpetoje mendjen dhe gjithe cfare ke!

  • Sidrit Golemi: 03/06/2020 14:25

    Ne 4 qershor 2020, kemi nje Avdullah ne krye te njeres nga qeverite shqiptare, dhe kemi patur, jo shume muaj larg, disa Lavderim, Perparim, Dritan, ... etj., etj., qe luftonin e jepnin edhe jeten per ISIS, ne Siri, Afganistan, ..... edhe vete myslimanet do habiteshin e duke thene "Allah, Allah kjo e jona dyrnja ....."

    Përgjigju
    • Sidrit Golemi: 03/06/2020 20:39

      o "Hvc", te tradhton edhe pseudonimi, si qen "Hale e nevojtore" qe leh e ben zhurme tu sha me rob shtepie, sepse nuk je i zoti as per ciken tate, ndaj mbylle bucen e qelbur e shko shihe fytyren "patriotike" ne pasqyre, kur te kesh lexuar Kushtetuten e Republikes se Kosoves dhe listat me antaret e te gjitha qeverive qe prej 2008, sa kuota u ka garantuar ajo me pa te drejte e apriori serbeve dhe sa u jane dhene atyre nga secila qeveri deri me sot. Qe te mos behesh e mbetesh edhe ti me "Avdullah" se "Avdullahi" (as emrin nuk di t'ia shkruash te "Madherishmit" tend, eshte mire te mesosh gjuhen shqipe nga libra e mesues Shqip e jo nga libra e mesues qe shkuhen e flasin "shqip" duke perkthyer libra e tekste serbe.

    • Hvc: 03/06/2020 17:02

      3 ministra serb dhe te beri pershtypje avdullai? Te q++++ racen e serbit paske mesuar shqip mire o p....m..o.t.re

  • UKU MOMLIT: 03/06/2020 14:12

    Me formimin e qeverise hoti, per presidenthashimin fillon nje betej e veshtire te cilen nuk do ta fitoj edhe duke shpallur zgjedhjet e parakoheshme. Kulisat ne prapaskenen mustafathaçiharadinaj do te prodhojne nje boomerang qe do ti lere te tre me gisht ne goje shume,shume shpejt. Me Kosoven nuk mund me lujt kurrkush as edhe keta tre luftetare te korrupsionit dhe pasuesit e tyre brenda e jashte Kosoves. Populli kosovar eshte i mençur.

    Përgjigju
  • Bravo: 03/06/2020 13:47

    Shum mir qe iku kurti e nxori koken me vendimin e fundit qe i bllokoj gjith shqiptart ne kufi me kerkesen absurde te tamponit . Ik bej protesta me molotov se nuk din te besh gja tjeter o albin

    Përgjigju
    • O arber: 03/06/2020 15:47

      Je i verbuar ti e gjith ju qe i besoni albinit ai nuk di te drejtoj shtet vetem protesta dhune . E pe bllokimin qe ju beri ne dogan ? Mijera mallra shkuan dem se i majtu te bllokuar ne dogane . Ai duhet shpall nn grada ne shqipni . Dka per te marr pushtet kurr me ai kelysh molotovi

    • Zani: 03/06/2020 14:36

      O arber ,ti do jesh nnga ata qe po gezonin kur kurti i bllokoj hyrjen ne Kosove shqiptareve.Jeni bukshela e mos mirnjohes ju te vetvendosjes.Nese eshte dikush qe favorizone serbet jeni ju me sjelljen tuaj karshi shqiptarëve dhe amerikaneve.

    • Arbëri: 03/06/2020 13:54

      I thua. Bravo qeveris serbe o i verbuar



×

Lajmi i fundit

John

6 gatimet që mund t’i konsumoni natën pa fituar peshë (FOTO)