Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve vendos që kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, nuk është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të mandatit.

Nga i gjithë verifikimi ka rezultuar se Tonin Marinaj nuk rezulton të jetë dënuar me vendim të formës së prerë. Nuk rezulton të jetë i dënuar dhe të jetë proceduar, i arrestuar ose i ndaluar në asnjë shtet tjetër.

Në korrik të vitit 2024, grupi parlamentar i PD-së i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Prokurorit të Përgjithshëm për verifikimin, sipas ligjit të dekriminalizimit, të kryetarit të Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj.

Sipas Partisë Demokratike, Marinaj akuzohet nga Prokuroria e Antimafias Italiane si drejtues i një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës.

PD thoshte aso kohe se: “Nga informacionet që disponohen nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Tonin Marinaj, me detyrë kryetar i Bashkisë së Malësisë së Madhe, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, në kuptim të ligjit nr. 138/2015. Kjo kërkesë bëhet në kushtet kur ekzistojnë të dhëna dhe informacione që ngrenë dyshimin e arsyeshëm se subjekti Tonin Marinaj ka kryer veprimtari të paligjshme.”