Mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, është diskutuar lidhur me hetimin e SPAK për drejtuesen e shkarkuar të SHISH, Vlora Hysenin, e cila dyshohet si bashkëpunëtore e Ergys Agasit, i arrestuar më herët për dosjen e AKSHI-t.
Gjatë fjalës së tij, ish-prokurori Besnik Muçi tha se është e mjerueshme që institucioni më i rëndësishëm i sigurisë kombëtare të vendit, Shërbimi Informativ Shtetëror, të jetë në këtë gjendje.
Muçi tha gjithashtu se SPAK ka aq shumë informacione që kompromentojnë Vlora Hysenin, sa tashmë sipas tij, ‘jemi në majë të olimpit të krimit’.
Më tej Muçi tha se SPAK nuk ka nevojë të sekuestrojë celularin personal të Vlora Hysenit, pasi sipas tij, aty ka shumë informacione sekrete dhe duhet certifikatë sigurie e NATO-s për ta analizuar.
“Është e mjerueshme që institucioni më i rëndësishëm i sigurisë kombëtare të këtij vendi të jetë në atë gjendje. Është trishtuese madje që ai institucion, që ka informacionin më të rëndësishëm për të gjithë sigurinë e shtetit shqiptar, ka gjithë informacionin më të rëndësishëm që ka të bëjë me luftën kundër krimit të organizuar, me luftën kundër korrupsionit, me kundërzbulimin, pra me veprime që shtete jo miqësore kryejnë kundër Shqipërisë, të jetë në këtë gjendje të mjerueshme.
Titullari i institucionit i raporton, mban kontakte dhe i jep dokumenta një personi që është tashmë zyrtarisht, pothuajse po shkon në akuzë nga SPAK për grup të strukturuar kriminal. Pra çdo e dhënë që Hyseni i ka dhënë bashkëpunëtorit në krim, është sekrete. Gjetja e 9 dokumentave në makinë me logon e shërbimit, ne nuk e dimë se çfarë kanë këto dokumenta. Janë sekrete shtetërore. Jemi në majë të olimpit të krimit. Duke qenë drejtuese e Shërbimit Informativ, Prokuroria është në siklet tani. Boll informacion sekret ka marrë nga këto informacione deri tani, t’i marrë edhe telefonin e vet? Po për çfarë i hyjnë në punë ato? Kush do i analizojë? Sepse duhet certifikatë sigurimi e NATO-s për t’i analizuar ato”, tha mes të tjerash Muçi.
Nga ana tjetër, ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi, tha se ndaj Vlora Hysenit, SPAK duhet të vendoste një masë më të rëndë sigurie.
Kjo pasi sipas Prençit, çështja mes Hysenit dhe Agasit përfshin shumë skandale, të cilat sipas tij janë të dokumentuara në dosjen e SPAK.
Ai tha gjithashtu se Vlora Hyseni, për llogari të kryeministrit Edi Rama, është marrë personalisht edhe me kreun e opozitës shqiptare, Sali Berishën, me qëllim denigrimin e imazhit të tij.
“Ndoshta mund të ishte marrë një masë sigurie më të fortë, sepse Vlora Hyseni, për shkak të detyrës që ka pasur mund t’i rrezikohet jeta. Sepse njeriu që mund të viktimizohet më lehtë është Vlora Hyseni. Në zyrën e Agasit, në prezencë të Vlora Hysenit, 2 anëtarë të kabinetit qeveritar ‘Rama 3’ janë kompletuar me dashnore. Më pas i kanë shantazhuar keq, në raport me disa vartës të tyre me të cilat kishte interesa Gys Agasi dhe pastaj i kanë degjeneruar duke u hequr portofolin dhe nuk u përfshinë në ‘Rama 4’, duke insistuar Agasi te Rama se këto 2 persona s’do të përfshiheshin më në kabinetin qeveritar.
Edhe pse ishin 2 ministra potencial, njëri i krahut të Belës dhe tjetri i krahut të Ramës dhe nuk u përfshinë. Çështja e Vlora Hysenit dhe Agasit nuk ka nisur akoma dhe SPAK duhet të vijojë të ecë. Burime të sigurta brenda SPAK dhe BKH i kanë nxjerrë këto informacione, sepse e dinë shumë mirë se çfarë katrahure është bërë. Hyseni është marrë personalisht edhe me kreun e opozitës shqiptare për ta denigruar, si dhe luftën pa kompromis të Hysenit ndaj opozitës, për llogari të Ramës”, tha Prençi.








Komente
Komento