Krimet mjedisore mbeten një problematike e madhe në Shqipëri, që nga ndotja mjedisore, mosmenaxhimi i mbetjeve, ndotja e ujit dhe ajrit. Për Report Tv, i ftuar në studion e ‘Sot, Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, ishte eksperti i mjedisit, Mihallaq Qirjo.

Mihallaq Qirjo thotë e Kodi Penal përmban 7 nene për të dënuar krimet mjedisore, por pavarësisht kësaj zbatimi është i vogël ndërsa shton se këto krime kanë marrë tipare të krimit të organizuar.

“Dëmtimet e mjedisit mund të jenë të tipare të ndryshme, shkelja administrative kur dëmi në mjedis është i lehtë, por kur dëmi ka përmasa të mëdha dhe ndikim të rëndë, atëherë kthehet në krim mjedisor dhe dënohet në bazë të kodit penal. Kodi Penal përmban 7 nene, siç janë për prerjen e pyjeve, të dëmtimit të mjediseve të ndryshme dhe të ndotjes së ujit, ajrit dhe tokës.

Një raporti prezantuar nga Qendra Burimore e Mjedisit ka nxjerrë në pah, që pavarësisht kuadrit ligjor shqiptar, zbatimi ka qenë i vogël, dhe i pamjaftueshëm për të ndaluar shkatërrimin e mjedisin. Dëmtimi mjedisor nuk është më një vepër individuale, por ka marr tipare të krimit të organizuar. Bëhet me qëllime të caktuara për shndërrimit të hapësirave të territorit për zhvillime infrastrukturore” tha Qirjo.

Referuar ndryshimeve në dispozitave që parashikohen të bëhen në Kodin e ri Penal, eksperti mjedisor thotë se dhe ligji aktual nuk është i pamjaftueshëm, por se numri i veprave mjedisore që trajtohen, është shumë i vogël. Ndër të tjera, Qirjo komenton dhe kapitullin mjedisor të çelur nga BE në kuadër të negociatave për anëtarësim. Ai thotë se përmirësimi ligjor nuk është i mjaftueshëm, por se sfidë është zbatimi.

“Kodi aktual që përmban dënime me 5 vite apo më shumë, nuk është pak. Çështja është se kur një çështje referohet në polici dhe më pas i kalon prokurorisë e më pas në gjykatë, shohim që numri i veprave mjedisore që trajtohen është shumë i vogël. 0.25% e totalit e veprave që shkojnë në gjykatë, i takon krimit mjedisor, një situatë krejt ndryshe nga realiteti shqiptar.

Praktikisht Kodin Penal mund ta përforcosh, por mbetet i pazbatueshëm. Kjo vjen nga arsye si mungesa e kapaciteteve në adresimin e krimeve, pra numri i punonjësve të policisë që është i kualifikuar, është i ulët. 70% që nga policia kalojnë në prokurori dhe pushohen për mungesë të provave, një pjesë e mirë e krimeve mjedisore mbeten pa autor. Kur shkon në gjykatë një vepër e krimit mjedisor, duhet të vlerësohet për dëmin ekonomik që ka shkaktuar. Hallkë pas hallke dënimi për krimet mjedisore bëhet i munguar.

Jemi kthyer në abuzues me vlerat e përbashkëta. Është një nga kapitujt më të vështirë. Brenda kapitullit 27, është përgatitja institucionale dhe zbatuese e vendit tonë ndaj direktivave të krimit mjedisor. Kapitulli i mjedisit shumë mirë që është hapur, por nuk mjafton vetëm përmirësimi ligjor. Sfida është në zbatimin e këtij kuadri ligjor”, tha eksperti mjedisor.

Ndër të tjera, Mihallaq Qirjo thotë se nga denoncimet qytetare në Komisariatin Digjital, nga rreth 700 raportime, asnjë prej tyre nuk është referuar në polici.

“Komisariati digjital që ka qenë aktiv në vitet 2020-2022, ka pasur një numër rreth 700 raportimesh për krime mjedisore. Nëse shohim sesa nga këto raportime kanë shkuar në prokurori, këtu vjen pjesa pesimiste. Asnjë raportim nuk ka shkuar në prokurori. 95% e zjarreve në pyje janë të qëllimshme dhe për asnjë rast nuk ka të dënuar. Ka pasur 3 zona pilote, Tirana, Elbasani dhe Korça. Zonat me intensitetin më të lartë për krimin mjedisor janë ato me zhvillimin ekonomik më të lartë”, tha Qirjo.