Ish-deputeti Spartak Braho deklaroi të mërkurën se çështja e 21 Janarit është drejt mbylljes dhe se ish-kryeministri Sali Berisha do të përfundojë në burg shumë shpejt. Deklaratat Braho i bëri në emisionin Frontline Intervieë në Report TV, ku u diskutua për drejtësinë dhe zhvillimet politike të pritshme të 2026ës.

“Berisha është i ngarkuar. Shpresoj që brenda tremujorit të parë të 2026, çështja e Berishës të zgjidhet dhe parashikoj që Berisha do të shkojë në burg për 21 Janarin. Kjo çështje përthith çdo çështje tjetër. I del dhe i tepron 21 Janari Berishës”, u shpreh Braho.

Duke komentuar dëshmitë që ka mbledhur SPAK në hetimin për 21 janarin, Braho veçoi dëshminë e ish-presidentit Bamir Topi, duke e cilësuar atë si thelbësore për hetimin. 

“Dëshmia e Topit është konkrete dhe plotëson të gjithë kuadrin e çështjes. Duke qenë president, ai është në dijeni të shumë gjërave. Natyrisht pati edhe përplasje me Berishën, i cili e quajti ‘puçist’”, tha ai.

Ndërsa për dëshminë e Ilir Metës, Braho u shpreh skeptik:

“Nuk e di për çfarë ka folur Meta, por nuk besoj se ai mund të dijë diçka pikante që t’i shtohet hetimit. Meta nuk është në pozicionin që ta rëndojë Berishën”, deklaroi Braho.

Braho iu rikthye edhe kujtimeve nga dita e 21 Janarit, duke përmendur një episod që lidhet me ish kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën.

“Mbaj mend një episod kur Lulzim Basha mori Ilir Metën në telefon dhe tha: ‘Na rezulton që fisheku i gjetur në trupin e viktimës nuk i përket Gardës së Republikës’. Kjo telefonatë ndodhi atë ditë, më 21 Janar”, tregoi Braho.

Sipas tij, deklarimi i Bashës për kalibrin e fishekut ishte i pasaktë.


“Basha tha që fisheku ishte i kalibrit 9.2, por unë i thashë që Garda përdor pikërisht këto armatime që vijnë nga Turqia me të njëjtin kalibër. ‘Ik interesohu dhe pyet’, i thashë. Më pas më mori në telefon dhe më dha të drejtë”, tha Braho.

I pyetur nëse deklarimet e Bashës mund të rëndojnë pozitat e Berishës për 21 janarin, Braho u përgjigj:

“Deklarimet e Bashës nuk kanë rëndësi, sepse materiali është i bollshëm. Transkriptimet e përgjimeve e mbyllin kuadrin e provueshmërisë”.

Braho foli edhe për tentativën për fshirjen e serverave të Kryeministrisë në ditën e ngjarjes, duke e cilësuar "një veprim budallenjsh".

“Tentativa për të fshirë serverat ka qenë veprim budallenjsh. Serverat kurrë nuk fshihen. Mund të bësh tentative për ti canceluar por mbetet një qelizë aty që i zbërthen të tëra . Ekspertët amerikanë i rikuperuan dokumentet dhe ato janë dëshmi kryesore në SPAK”, deklaroi ai.

Sipas Brahos, çështja e 21 Janarit është thuajse e gjykuar dhe akuza e plotësuar, ndërsa vendimmarrja përfundimtare pritet në muajt e parë të vitit 2026.

 Braho nuk i kurseu kritikat për defektet e Partisë Socialiste në trajtimin e kësaj çështjeje. 

“Është e pafalshme zvarritja e hetimit dhe gjykimit të kësaj çështjeje. Këtu fillon defekti i drejtuesve të Partisë Socialiste sepse vazhdimisht kanë luajtur me ngjarjen. Krimet e Berishës kanë qenë të pranuara. Në grushtin e shtetit në vitin 1998, kam qenë në komision hetimor bashkë me Ngjelën dhe më pas rezultoi që ato urdhëra për bombardime erdhën nga Berisha” tha Braho.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:07
Kërkesat e PD për qeveri teknike, Braho për Report TV: Shashka në ajër!

Ish-deputeti Spartak Braho ka komentuar zhvillimet lidhur me hetimin ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke thënë se çështja tashmë është në proces hetimi dhe nuk ndikohet nga vendimi që pritet nga Gjykata Kushtetuese më 22 janar.

“A do e lëshojë Rama Ballukun? Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Po pas datës 22 çfarë do bëjë Rama? Çështja është në hetim, sido që të shprehet Gjykata Kushtetuese. Ajo nuk po shqyrton fajësinë apo pafajësinë. Çështja nuk kthehet mbrapsht. Në mos në janar, në shkurt, në mars, kjo çështje do të shkojë në hetim dhe gjykata përkatëse do të shprehet për fajësinë apo pafajësinë”, tha Braho.

Braho i cilësoi kërkesat e PD-së për qeveri teknike si shashka dhe komentoi edhe  qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për mbajtjen në detyrë të Ballukut.

“Kërkesat e Partisë Demokratike për qeveri teknike janë shashka në ajër. Rama, deri tani, ngarkohet moralisht, por nuk dimë a ngarkohet penalisht. Moralisht ai nuk e sheh të udhës të japë dorëheqjen. Kur të dënohet Balluku… atëherë… të gjithë skenarët dhe qëndrimet janë në lojë, por janë në vullnetin politik, moral dhe ligjor të Edi Ramës”, deklaroi Braho.

Ai ironizoi edhe skenarët ekstrem të Berishës për arrestimin e kryeministrit të cilët nisën pas rrëzimit të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro.

“A do munden forcat Delta të shkojnë në Surrel të kapin Ramën zvarrë siç kapën Maduron? Me urdhrin dhe mendjen e Berishës do shkojnë?! Janë ëndrra!. Berisha nuk mund të japë urdhra”, tha Braho.