Kritika, Natasha Lako: Mesazhet
e kolosëve të SHBA në Shqipëri

Kritika, Natasha Lako: Mesazhet<br />e kolosëve të SHBA në Shqipëri
TIRANE-  Duke hyrë për të parë filmin e Martin Skorcezes “Ujku i Uollstritit”, domosdo e dija se do të futesha në botën e financave. Por për çudi, kur dola prej filmit, në vend të Skorcezes flokëbardhë, këtij perandori të madh që nuk di të perëndojë në krijimtari dhe që do të gjendet për vit në sallën e ndarjes se çmimit Oskar, m’u fanit pamja gjatoshe e dramaturgut Artur Miler, i cili u shfaq në reklamat mediatike plot bujë, gati si i zënë gafil dhe me pamje të murrëtyer vetëm kur pati për krah Merilin Monronë. Ndoshta se, po në vitin 1956 ai shijoi, edhe zotërimin e bukurisë, edhe akuzat për pjesëmarrje në takimet me shkrimtarët komunistë.
 
Miler, gjithashtu ka qenë pjesëmarrës në takime shkrimtarësh të ish-Jugosllavisë, të sëmurë nga nacionalizmi fatkeq, të cilin ai e demaskon me finesë gjatë krizës së Bosnjës. Por vetëm fjala demaskim nuk i shkon për shtat gjuhës artistike, edhe kur sheh filmin e fundit të Skorcezes, i cili krijon afreske të sotme, mbështetur në jetën e një njeriu të dënuar, ku ai përpiqet të zbërtheje një botë të plotë sipërfaqësore, ku të gjithë duket sikur nuk jetojnë, por rrëshqasin me patina.
 
Të dy këta kolosë të kulturës amerikane dhe botërore, në kohë dhe rrethana të ndryshme zbuluan figurën e një komisioneri, Skorceze me filmin e tij të fundit, dhe Miler në dramën “Vdekja e komisionerit”. Ndoshta janë dy drama, njëra e skenës dhe e ekranizimeve të pareshtura dhe tjetra e ekranit të sotëm, që bashkojnë në një, jo vetëm kapërcimin nga shekulli i XX te shekulli XXI duke dhënë fytyrën më dramatike të shoqërisë së sotme, por edhe kohëzgjatjen e madhe shqiptare, mes kohës që profesioni i komisionierit nuk kuptohej fare dhe kohës të komisionierit që po shfaqet ne horizont.
 
Filmi i Skorcezet, me ndihmën e Milerit na bën më të vetëdijshëm për të analizuar  si plotësim të epokës, jo vetëm këto dy vepra, por edhe rrugën e kapërcimit të shoqërisë shqiptare nga koha e komisarëve në atë të komisionerëve. Kjo mund të quhet kohë e përthyerjeve të mëdha, dhe devijimeve spekulative që ndjekin njëra-tjetrën, pasi dihet që, nga malli ideologjik i gradacionit kallp, është rrezik të përfundosh në mënyrë kriminale edhe në mallin kallp që kërkon fitime. 
 
Sa afër realitetit shqiptar janë Miler dhe Skorceze
Sa për trajtimet e Miler ose Skorcezes,sa larg dhe afër me realitetin shqiptar, jemi me fat madje qe mes këtyre periudhave të stërzgjatura, qëndron në mes edhe fytyra e bukur e Merilin Monrosë, që nuk pati kohë të luajë nën regjinë e Martin Skorcezes ndoshta, por përgatiti figurat e tij të ardhshme artistike të gruas. Kjo tregon se sa larg dhe pranë, radhiten dhjetëvjeçarët e këtyre kolosëve të mëdhenj që ndoshta sipas mënyrave të tyre, kanë lënë edhe testamentet artistikë, për miliona dhe miliona të rinj të këtij fillim mijëvjeçari.
 
Këtë e ndjen edhe po të shohësh fytyrat e heshtura të spektatorëve të shumtë të moshave të reja, kur me përfundimin e filmit kapërcejnë sprovën e Martin Skorcezes, që e kthen artificialitetin në një kërcënim shkatërrues që e pranojnë njerëz me veti të rralla. Të zhbirosh deri ne masën e tyre të shfytyrimit, do të thotë të kapërcesh nga bota e Makbethit, në botën e rrezikut të tragjedisë së sotme të një grupi që kërkon të mbijetojë me çdo kusht nëpërmjet gënjeshtrës financiare edhe kur dënohet nga shoqëria. Ky spekulim ka rrezik të kthehet në një fuqi në vetvete.
 
Të analizosh dy vepra kaq të ndryshme në reflektimet e sotme shoqërore, mund t’i afrohesh sado pak atyre gjurmëve të mëdha të të gjithë botës që krijojnë edhe reflektimin shqiptar. Kështu ne e bëjmë një vepër arti edhe pjesë të kulturës sonë. Të ndërhyje në kohën e komisarëve me kohën e komisionerëve nuk ishte pak. Drama e Artur Milerit ”Pamje nga ura”, e shkruar dhe e vënë në skenë për herë të parë në vitin 1949, do të jetë vënë ndoshta për herë të parë në skenën e teatrit të Korçës nga regjisori Pirro Mani, andej nga fillimi i viteve 60. Ishte koha e një pranvere fare të vogël që solli zhgënjime të mëdha, thua që edhe dramat të bëheshin grackat ku njerëzit ziheshin si laraska. Por ajo mbijetoi, ndoshta në saj të moskuptimeve dhe pasojave të Makartizmit dhe komenteve kontraversale të kritikës lindore.
 
Aso kohe asnjeri nuk mund të kuptonte drejtpërdrejt detyrën e një komisioneri, që përpiqej të shiste në kushte krize, duke mbajtur në duar një valixhe mallrash. Miler sipas viteve biografike, ishte brumosur si adoleshent në vitet e krizës së madhe të viteve ‘29-‘30 dhe në krijimtarinë e tij pasqyroi gjithë krizat e ekzistencës. Por aso kohe të përqendroheshe në një dramë familjare ishte si të të vinte shiu në një kohë shkretëtire. Dhe në lavdinë e saj drama zbërthen një in treco të famshme mes një babai dhe një biri, që ishte edhe më shumë tabu në skenën shqiptare.
 
Komisioneri i filmit ”Ujku i Wolltstritit” jeton në fund të viteve tetëdhjetë, kur nuk kemi një komisioner të ngratë dhe të depresuar që troket derë më derë për të bërë një tregti artizanale,si në dramën “Pamje nga Ura”, por një njeri të lojërave të mëdha spekulative,të cilat e kanë kthyer në një industri të re detyrën e komisionerit. Etja për sukses, merr kështu në dy vepra, gradacione krejt të ndryshme. Te njëra është suksesi i njeriut që kërkon të mbijetojë për te mbajtur dashurinë e një familjeje, te tjetra është mbijetesa në botën e sipërfaqes së të parës.
 
E ndriçuar nën një dritë familjare, e qetë dhe e përqendruar te tre personazhet e Artur Milerit, në veprën krejt të ndryshme të zgjidhjeve vizuale të Martin Skorcezes ajo zgjerohetnë një plan më të gjerë shoqëror, kur të gjithë të lidhur me suksesin, janë të detyruar t’i qëndrojnë njëri-tjetrit deri në fund edhe në shpërfytyrim e sipër. Me sa duket filmi i Skorcezes ka marrë përsipër të pasqyrojë një nga grupimet më kontradiktore të interesave, që përbëjnë shoqërinë e sotme të tregut, atë të spekulimit të madh. Nuk e teproj po të them se Martin Skorceze, qoftë edhe pa dashjen e tij, e paraqet botën e spekulimit si botën që ringjallet nga e para sa herë tenton t’i presësh kokën.
 
Pasi ajo di të bashkëjetojë me çdo pjesë të shoqërisë, duke shtrirë tentakulat në botën e seksit, drogës dhe të krimit financiar. Filmi i Skorcezet tregon sesi shfrenimi dhe spekulimi i pushtetit të parasë shkon paralel me shfrenimin seksual, ku trupi i gruas kthehet si një copë monedhe. Kjo, madje tregohet në film me detaje artistike. Që të shpëtojë perandorinë e tij pothuaj të fshehtë financiare, duke futur në treg etjen që lind nga më të varfrit deri në më të pasurit e Wollt Stritit, Xhordan, heroi i filmit i luajtur nga Leonardo De Capri, i duhet t’i transferojë milionat në Zvicër të mbështjella në trupin e grave dhe një familjeje të tërë të kompromentuar.
 
Në botën e gënjeshtërt të spekulimeve
Skena të tëra orgjish të tipit të Sodomë dhe Gomorës, zhbirimet drejt efekteve shkatërruese në marrëdhënie për shkak të drogës, pa të cilin nuk mund të futesh në botën e gënjeshtërt të gjithë spekulimeve, janë krijuar si afreske të mëdha tronditëse, gati në formën e një shuplake. Dhe gjithçka fillon thjesht dhe dramaturgjikisht. Në një nga skenat e para të filmit, spekulimi kthehet gati në një shpëtimtar, pa të cilin shoqëria nuk jeton dot. Një grua e re i mjafton të qethë flokët e saj të bukur gati në një spektakël dëfryes, që të arrijë të fitojë një shpërblim për t’i ndjekur vajza kolegjin.
 
Duket sikur Skorceze ka trokitur nga dera në derë për të gjetur tragjicitetin e kësaj mbiekzistence për të ecur me çdo kusht përpara. Filmi i Skorcezes nuk përqendrohet në dramën familjare, por ai e jep atë me forcë ndonëse të kursyer. Në zenitin e komisionerit të tij kemi një njeri që bën çmos për të shpëtuar veten. Aq paskrupull bëhet gjithçka, sa ai duket sikur humb vetëm makinën e tij Porsh dhe bashkëshorten e tij Barbi, dy nga standardet e një njeriu që kërkon të kapërcejë me mospërfillje edhe tragjiken e tij, e që nuk e përballon dot jetën ndryshe, por vetëm duke qenë fals.
 
Jeta e komisionerit të Miller është jashtëzakonisht e thjeshtë. Ajo vërtitet mes tenxhereve të së zonjës së shtëpisë. Por krizat janë të njëjta, gati ciklike dhe kur nuk përballohen dot nga shoqëria, përballohen nga titanë të mëdhenj të artit dhe kulturës. Martin Skorceze duket sikur është i shkollës së Artur Milerit. Ai tregon sesi hyn njeriu kaq mekanikisht në një lojë të madhe që nuk e di, por dalëngadalë dhe mjeshtërisht e zotëron deri në fund. Thua që ai nuk ka ç’të bëj tjetër. Në rastin e dramës së Artur Milerit kemi pamundësinë e një komisioneri, në filmin e Skorcezet kemi mundësitë e një komisioneri deri në përmasa të skajshme, pothuaj virtuale.
 
Që ta shprehë këtë botë të virtualitetit financiar, që në pamjet e para, Skorceze fut njësoj si Bunuel alegorinë filmike, duke treguar sesi në zyrat financiare mund të kaloj serbes-serbes vetë luani. Të hysh dhe të zhbirosh sesi një njeri arrin të penetrojë dhe të shfrytëzojë krizën shoqërore ose krizën e çdo njeriu, pa e çarë kokën fare, do të thotë të hysh në një botë ku përfundojnë skrupujt. Unë që dikur nuk e kuptoja se çfarë mund të bënte një komisioner, pasi po rritesha nën etatizmin më të flaktë, tani jam gati të përfytyroj Martin Skorcezen, regjisorin e preferuar dhe shprehës të njeriut të disa dekadave, sesi është mbarsur ndoshta për këtë film nga dita, kur ka mësuar se bankat e Ëolt Stritit llogaritën të parat fitimet për vete, edhe kur i shpëtuan falimentimit në saj të mbështetjes financiare shtetërore.
 
Të jesh vetëm një kritizer i botës financiare, mund të përfundosh edhe nën rrënojat e fashizmit që u ngrit, madje zuri fill, me frazat kundër oligarkisë financiare. Mund të gjendesh edhe në rrënojat e totalitarizmit komunist, ku zhbironte urrejtjen ndaj mundësisë njerëzore...Por të shohësh të vërtetat në sy, duke analizuar botën dhe ndjesitë më të skajshme të njeriut, në një kohë kur je bashkudhëtar i çdo fenomeni njerëzor dhe shoqëror, tregon se dëshiron të jetosh me sinqeritet të madh. Këtë sinqeritet na e ka dhënë edhe Artur Miler edhe Martin Skorceze.  
 
Nga koha e komisarëve, në kohën e komisionerëve

Para disa ditësh një artist amerikan nëpërmjet rrjetit Linkedin, kishte hapur diskutimin, nëse arti dhe kultura mund të kenë lidhje të drejtpërdrejtë me tregun. Por si përgjigje ndoshta fillova të shkruaj këto përshtypje. Personalisht nuk i takoj ndonjë rryme të purifikuar. E besoj paradigmën e tregut që kërkon dhe shpreh nivelin e interesave dhe të përgjegjësisë së çdo njeriu. Por arti e ka kapërcyer me kohë nivelin e thashethemeve, dëshirën dhe kuriozitetin e njeriut për të parë një jetë tjetër, jo më nga kortinat e dritares, por nga ato të teatrit ose të ekranit.
 
Miller dhe Skorceze iu takojnë atyre artistëve të mëdhenj që e çlirojnë njeriun nga ky vanitet artistik. Por ata nuk mund ta shpëtojnë botën nga vaniteti i tregut. Ja përse rritet jashtëzakonisht respekti për punën krijuese të Skorcezes, i cili buzëqesh pa dëshpërim dhe pa ironi të drejtpërdrejtë, se njerëzit janë gati të hyjnë me të madhe në botën e sotme të shitje-blerjeve, si në botën që i shpëton prej vetes.
 
Nuk jemi më pranë njerëzve të ulur pranë njëri-tjetrit në një sallë kinemaje si në filmin e Tornatores, na thotë skorceze. Njerëzit janë ulur pranë njëri-tjetrit për të dëgjuar leksionet e para të tregtisë dhe fitimit. Faleminderit Skorcezes, që vjen në Shqipëri në kohën e kalimit nga koha e komisarëve në kohën e komisionereve. Faleminderit Pirro Mani që mbijetove mbi të keqen  dhe faleminderit Artur Miler, qe ke ardhur të na trokasësh edhe me rivënien e dyte të dramës “Pamje nga ura” me lojën me mjeshtërore të Timo Fllokos në rolin e komisionarit si dhe me suksesin e Robert Ndrenikes te “Vdekja e komisionarit” në vitin 1986.
 
Arti do të ishte qesharak të tregoj suksesin absolut ose hallin absolut të kësaj bote. Por ai ndërhyn për të komentuar realitetin që mbetet prapa. Pasi, përderisa ekzistojmë edhe e kemi përjetuar. Njeriu hyn në një film a në një dramë si në një takim me veten. Arti jep pikëtakime të mëdha edhe në diferenca të jashtëzakonshme. Por ndoshta edhe vargmalet janë kopje të njëra-tjetrës, po t’i futesh gjeologjisë.
 
 Nuk është keq të dëgjojmë se bota nuk pret gjë nga çdo njeri që shkatërron veten, duke kërkuar një sukses që nuk ekziston në të vërtetë. Realitetet nuk mund të jenë adekuate, por epokat e komisionerëve na tregojnë si atë komisionerin e thjeshtë që i kalben domatet përpara derës, si atë spekulantin tjetër, që më mirë se kushdo e gjejnë dhe e shfaqin ca amerikanë. Ja përse në një kohëzgjatje të tillë hapash dhe dukurish të botës njerëzore jemi me fat që kemi medituar për këto dy vepra, që kanë hyrë edhe në jetën tonë

 Shkrimi u publikua sot (21.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane