Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për çështjen e pagave të magjistratëve, pasi Gjykata Administrative pranoi paditë e GJKKO-së dhe Gjykatës së Durrësit, duke urdhëruar pezullimin e vendimit të Ministrisë e Financave dhe degëve të Thesarit, si dhe zhbllokimin e menjëhershëm të pagesave.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Rama ka shkruar se Gjykata Administrative bëhet e para gjykatë në historinë botërore, që venos sigurim padie, jo për të ndaluar një akt po për të kryer një akt.
Më tej ai thotë se rritja e kërkuar nga gjyqtarët, është sa 51 % e pagës aktuale. Ndërsa vetëm pjesa e prapambetur që u duhet paguar gjyqtarëve nga viti 2023, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, shkon në 130 milion euro.
Sipas llogarive të kryeministrit, një gjyqtar i Shkallës së parë do të përfitonte mbi 81 mijë euro, i Apelit mbi 84 mijë euro e i Gjykatës së Lartë mbi 87 mijë euro. Ndërsa për një gjyqtar apo prokuror të SPAK, vlerat e prapambetura arrijnë në mbi 143 mijë euro.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, nëse vendimi i saj nuk zbatohej Brenda 31 korrikut 2026, pagesat e prapambetura do të duhet të përllogariten duke marrë si referencë pagën bazë të drejtorit të Përgjithshëm në Kryeministri, e njëjta formulë me të cilën magjistratët kanë vendosur të llogaritet dhe rroga e muajit gusht.
Kujtojmë se Gjykata Administrative përmes një vendimi të marrë ditën e djeshme, urdhëroi Ministrinë e Financave dhe degën e Thesarit të Tiranës që të zhbllokojë menjëherë pagat për gjyqtarët dhe administratën e Gjykatës së Posaçme të shkallë së parë, si edhe për Gjykatën e Durrësit. Të njëjtat kërkesa kanë depozituar, njëra pas tjetrës edhe pjesa më e madhe e gjykatave të vendit. Të gjitha kërkesat janë regjistruar dhe janë në proces gjykimi.
Reagimi i Ramës për çështjen e pagave të magjistratëve:
"Ndjesë për informimin e pjesshëm mbi kuturisjen e djeshme të Gjykatës Administrative, e cila përmes sigurimit të parë të padisë në historinë botërore jo për të ndaluar një akt po për të kryer një akt, nuk kërkon vetëm rritjen e menjëhershme të pagave me 51% për gjykatësit, po edhe “të prapambeturat” që nga prilli 2023, sepse sipas tyre pagat duhet t’u ishin rritur që atëherë aq sa duan t’i rrisin vetë tani.
Gjeni në tabelën bashkëngjitur sa do të merrte çdo gjykatës personalisht në dorë nesër si shumë të prapambetur, sikur ministri i financave të shkelte ligjin dhe të shkonte pas berihajit të kësaj vendimmarrjeje ekstra-parlamentare."
Kriza e pagave në sistemin e drejtësisë kulmoi pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP vendosën që nga 1 gushti paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, plus 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin. Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat me këtë përllogaritje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendi.

-
Si nuk mori njehere pergjegjesi ky! Pse nuk thote pse nuk e kaloi ligjin ne Parlament brenda 31 Korrikut.kaq
Përgjigju









Komente
Komento