Kryeministri Edi Rama e cilësoi protestën e zhvilluar në Tiranë si një mesazh që duhet dëgjuar nga qeveria. Gjatë diskutimit në Gjermani me temë “IA mes Inovacionit, Rregullimit dhe Përgjegjësisë”, Rama tha se rëndësi nuk ka numri i pjesëmarrësve, por shqetësimet që ata përcjellin.
"Si kryeministër, e konsideroj këtë protestë një mesazh të rëndësishëm për mua dhe qeverinë time. Po përpiqem ta kuptoj këtë mesazh me shumë kujdes, jo duke numëruar njerëzit në rrugë, por duke u përpjekur të dëgjoj shqetësimet e njerëzve”, tha Rama.
Duke iu referuar protestës, Rama tha se në të njëjtin bulevard ku sot protestohet, vite më parë pati viktima gjatë demonstratave. Sipas tij, më pas protesta u shfrytëzua nga aktorë dashakeq dhe ndikimi i algoritmeve në rrjetet sociale shtrembëroi perceptimin e realitetit.
"Në të njëjtin bulevard ku protestojnë flamingot, kishim njerëz që u vranë, protestues që humbën jetët, jo shumë kohë më parë. Ajo që dua të them është se pas protestës, u shndërrua në arenën e aktorëve dashakeq. Miliona njerëz që nuk kishin vënë as këmbën në Shqipëri u ndikuan nga algoritmi, u shtrembërua realiteti përmes optimizimit. Algoritmi nuk ka nevojë që të shtypë përmes një policie sekrete, ai thjesht mbyt gjithçka tjetër përveç indinjatës”, tha Rama.
Në vijim të fjalës së tij, kryeministri u ndal te transformimi dixhital i administratës shqiptare. Ai tha se dixhitalizimi ka ulur kontaktin mes qytetarit dhe administratës, duke reduktuar hapësirat për korrupsion.
"Këtu vjen korrupsioni. Është një dështim arkitekturor. Lulëzon kudo ku mbijeton pushteti i vendimmarrjes së panevojshme. Bëmë një zgjedhje. Shpërbëmë marrëdhënien mes qytetarit dhe pushtetit, tullë pas tulle dixhitale, e sot Shqipëria ka më shumë se 100 shërbime publike dixhitale. Të gjitha këto përbëjnë afro 95% të totalit të shërbimeve”, tha Rama.
Rama u ndal edhe te roli i inteligjencës artificiale në qeverisje, duke theksuar kufijtë e saj dhe përgjegjësinë që mbetet gjithmonë njerëzore në vendimmarrje.
"Demokracia nuk mund t'i delegohet një algoritmi. Gjykimi mbetet njerëzor, përgjegjësia është njerëzore. Ajo që bën ai është diçka që është më e thjeshtë dhe më e thellë. Algoritmi nuk është i mençur, nuk ka ndërgjegje, por nuk ka kushërinj, nuk mund të ftohet për darkë, nuk mund të vendosë që sot do të bëjë sikur nuk sheh. Qëllimi ishte të ulim atë pushtet njerëzor për të vendosur në terr. Dielli nuk negocion me hijet, thjesht i largon ato”, tha Rama.
Rama tha se inteligjenca artificiale nuk synon të zëvendësojë punonjësit e administratës, por të rrisë transparencën dhe efikasitetin. Ai përmendi edhe projektet "Diella" dhe "GovAI", të cilat sipas tij do të ndihmojnë në modernizimin e shtetit dhe në procesin e integrimit europian.
"Ne nuk e sollëm AI për të zëvendësuar nëpunësit publikë, por për të rikonceptuar një prej niveleve ku qeverisja demokratike është më e cenueshme. Po ndërtojmë GovAI. Nëse Diella është fytyra e transformimit, GovAI është sistemi nervor që në heshtje funksionon nën institucionet e shtetit. Askund ky transformim nuk është me kaq ndikim sa në projektin e vendit tonë, anëtarësimin në Bashkimin Europian”, tha Rama.
Kryeministri Rama e nisi vizitën e tij në Duseldorf të Gjermanisë me një takim me kryeministrin e landit gjerman Nordrhein-Westfalen, Hendrik Wüst.
Nw takim diskutua për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe një prej rajoneve më të fuqishme ekonomike e industriale të Gjermanisë.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e investimeve, teknologjisë dixhitale, arsimit profesional, si dhe mbështetja për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Komente











