Kryesia e PD ka vendosur të miratojë sot me votë unanime vendimin e KOKOE në PD për të lënë kandidat në zgjedhjet e 23 majit vetëm Sali Berishën.
Votë unanime për vendimmarrjen e saj edhe mbi përjashtimin e anëtarëve të tjerë, mes të cilëve për Ervin Salianjin, me argumentin se nuk është anëtar i PD.
"Përsa i përket kandidaturës së ish-deputetit Salianji, i cili ishte një nga kandidaturat të cilat mediatikisht është promovuar si kandidaturë ose aplikim i vlefshëm në garën për kryetar të Partisë Demokratike, KOKOE-ja vlerësoi se ky kandidat nuk plotëson kushtin thelbësor, atë të qenies anëtar i Partisë Demokratike, pasi me veprimet e tija dhe me aktet e veta politike, është në shkelje të Kodit të Etikës së Partisë Demokratike, nenit 10 të tij, si dhe të nenit 24 të statutit të Partisë Demokratike, përsa i përket lidhjeve të papërshtatshme me eksponentë të krimit të organizuar, çka e bëjnë automatikisht jo anëtar të Partisë Demokratike", tha Ivi Kaso.
Vendimi i Kryesisë u bë me dije pas mbledhjes nga deputeti Ivi Kaso, i cili tha se Berisha ishte e vetmja kandidaturë që plotësonte 3 kriteret e vendosura nga PD për të qenë pjesë e garës.
“Komisioni njëzëri vlerësoi se zoti Berisha i plotësonte të treja këto kritere, ndërkohë që dy kandidatët e tjerë, pavarësisht se plotësonin kushtin e të qenit anëtarë të Partisë Demokratike, si zonja Sela dhe zoti Mulaj, nuk plotësonin kriteret e tjera përsa i përket eksperiencës së tyre drejtuese në strukturat qendrore dhe vendore të Partisë Demokratike për një periudhë 10-vjeçare, dhe për këtë arsye u konsideruan të papërshtatshme nga KOKOE-ja dhe u konsideruan gjithashtu të papërshtatshme dhe nga kryesia e Partisë Demokratike për të garuar.
Sikundër, kryesia u njoh me arsyetimin e KOKOE-s përsa i përket disa kërkesave të tjera të paraqitura, të cilat nëpër deklarata të tjera publike nga individë të ndryshëm janë konsideruar si aplikime të vlefshme për garën për kryetar të Partisë Demokratike.
Këto kërkesa, në radhë të parë, KOKOE-ja vlerësoi dhe kryesia e Partisë Demokratike njëzëri miratoi këtë vlerësim të KOKOE-s, se janë paraqitur nga persona të cilët nuk plotësojnë kushtin themelor, atë të anëtarësisë së Partisë Demokratike, i cili sipas nenit 10 dhe sipas nenit 19 të statutit të Partisë Demokratike, është rekuziti thelbësor për hyrjen në garën për kryetar të Partisë Demokratike”, tha Kaso.
Lajmi kryesor:
Zgjedhjet në PD/ Berisha: Jemi parti e hapur ndaj garës, s’pranojmë kandidatë të ‘rremë’! Kryesia vulos përjashtimin e Salianjit dhe rivalëve të tjerë











