Kulla: Marrëveshja Kosovë-Serbi
duhet përfshirja e SHBA dhe Rusisë

Kulla: Marrëveshja Kosovë-Serbi<br />duhet përfshirja e SHBA dhe Rusisë
TIRANË – “Prishtina ka bërë ç’ka qënë e mundur deri në këtë moment e gjykoj se pavarësisht kësaj, shanset për një marrëveshje janë minimale. Pa futjen e disa aktorëve të tjerë, përfshirjen e Rusisë dhe SHBA-së, është e pamundur që Brukseli të arrijë sukses”.

Ky ka qënë opinioni i analistit Ilir Kulla, dhënë sonte në studion e “A1Report!”, ku ai u ftua për të komentuar dy ngjarjet e e mëdha politike të lidhura me Kosovën: marrëveshjen që ka pësuar ngërç në Bruksel dhe mbledhjen e Parlamentit Europian në Strasburg për Kosovën.

Kulla shpjegoi pjesë të marrëveshjes që po synohet të nënshkruhet. “Pala kosovare ka rënë dakord deri në konceptin shoqatë e komunave”, - tha ai, -“që parashikohet të kenë një autonomi më të gjerë se ajo e parashikuar në paketën “Ahtisari”, por Serbia ka kërkuar lëshime te tjera.

Cilat janë ato: S’duhet të ketë këmbë polici shqiptar në veri të Mitrovicës; këto komuna s’duhet të kenë lidhje tokësore me Mitrovicën; ata të zgjedhin edhe forcat e sigurisë, mbrojtjes, shërbimet sekrete, policinë dhe në përgatitjen e buxheteve financiare, komunat e veriut të Kosovës s’duhet t’i japin llogari Kosovës, por nënkuptohet, Serbisë. Kjo nënkupton kantonizim të Kosovës, pra, që ajo të njihet një e tërë vetëm në letër, kurse ndodh që të kemi një ndarje faktike të Kosovës. Kjo është linja e kuqe, pra, për të dyja palët

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, harta e parashikon veriun e saj të bashkuar. Në preambulën e Kushtetutës, në marrëveshjen e paketës “Ahtisari” thuhet që Kosova është shtet i pavarur me kufij të pandryshuar në të ardhmen. Ndërsa në Kushtetutën e re të Serbisë, thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë.

Pra, një marrëveshje, që do çonte në njerin drejtim, kërkon ratifikimin e parlamenteve përkatëse. Në Serbi, në këtë moment, është e pamundur që edhe vetë Presidenti të bjerë dakord edhe deputetët të shkojnë pa probleme në ratifikimin e një marrëveshjeje të tillë. Kjo do çonte në ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, që nënkupton zgjedhje.

Ndërsa, në Kosovë, çfarëdo lëshimi që të bëjë Hashim Thaçi, nënkupton ndarjen e Kosovës, rënien e qeverisë dhe një fushatë elektorale në të cilën Thaçi do të përballet me akuzën shumë të rëndë të shitjes së Kosovës në tavolinë".

Pyetjet se çfarë u është premtuar këtyre dy shteteve kundrejt nënshkrimit të marrëveshjes, analisti tha: "Kundrejt nënshkrimit të marrëveshjes, Serbisë i është premtuar data për çeljen e negociatave në Europë, ndërsa Kosovës, lëvizja e lirë.

Por, draftet që përmenda  janë ende të papranueshme. Edhe kësaj radhe mendoj që do jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje dhe qeveria e Kosovës duhet të ketë një plan të ri B dhe C.

Mendoj se do të kalohet në një anëtarësim të Kosovës në OKB, siç u bë me Palestinën. Unë jam për zgjidhje nëpërmjet negociatave, ndërsa Serbia nuk e pranon këtë për shkak të politikës së brendshme, mbështetjes së Rusisë në prapaskenë dhe një loje pak më të lartë. Ndaj, Kosova duhet të ketë një plan B.

Në këto moment, SHBA-ja nuk po kalon momente të mira në pjesën tjetër të globit. Ne dimë rastin e Sirisë, ku rusët kanë vendosur anijet në Mesdhe në mbrojtje të aleatit të tyre. Edhe në Iran, Kina dhe Rusia bëjnë aleanca në mbrotje të tij e në rastin e Kosovës, nëse BE dhe Brukseli nuk e kanë këtë forcë politike, Kosova duhet t’i rikthehet partneritetit me SHBA-në dhe planit të njoheve të njëanshme.

Serbët kërkojnë që të rritet pazari politik, por ç’mund t’u jepet më shumë?! Se mund të hapet loja e minishteteve, që do duan t’i ngjiten shtetit amë, Serbisë së madhe.

Çështja Beograd-Prishtinë konsiderohet si çështje e brendshme e BE-së dhe BE është investuar shumë në të. Ne duhet të kuptojmë që një pjesë e komisionerëve europianë përfshirë Fyle, i kanë dhënë shumë relaks Serbisë, nisur nga një ndjenjë faji që ndoshta u ekzagjerua me bombardimet e tani t’i jepet një shans i ri. Por duhet thënë që elektorati në Serbi është shumë nacionalist dhe ultraortodoks fetar, aq sa t’i detyrojë forcat politike në Serbi të zhduken nga poltika, si psh.Nikoliç e Tadiç. Ata kishin synime europiane, por morën goditje politike.

Prishtina ka bërë ç’ka qënë e mundur deri në këtë moment e gjykoj se pavarësisht kësaj, shanset për një marrëveshje janë minimale. Pa futjen e disa aktorëve të tjerë, përfshirjen e Rusisë dhe SHBA-së, është e pamundur që Brukseli të arrijë sukses”, - tha në përfundim Kulla.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset