Parathënia e librit ‘ALIZOT EMIRI - Njeriu, librári e gázet fisnike’
UNË, LEXUESI I PARË
Libri që na vjen në dorë është një dëshmi e rrallë dashurie. Është as më shumë as më pak, një përmendore për babanë. Fëmijët e familjes Emiri, prindër të dhemshur dhe ata, ndërmarrin një punë të bukur duke qëmtuar, mbledhur e përzgjedhur një numër të gjërë kujtimesh, përshkrimesh, anekdotash, fotosh për të krijuar një portret origjinal: atë të babait të tyre, Alizot Emirit. Ata janë të ndërgjegjësuar tashmë që babai i tyre nuk është një prind i thjeshtë, nuk është një anëtar familjeje çfarëdo, nuk është një baba i dashur gjithsesi, si miliona e miliona të tjerë. Babai i tyre është një figurë publike, emblemë e një lloji të veçantë, për të cilin nuk janë aspak vetëm fëmijët e tij, ata që e shquajnë dhe që nisin të shkruajnë, ata të parët, në memorialë dhe libra të tjerë.
Arsyeja e veçantisë, për të cilën është shkruar deri tani nga penat më të njohura të letërsisë dhe publicistikës shqipe, është se Alizot Emiri, ky gjirokastrit i mirë dhe i dashur, është bërë i famshëm edhe duke mos qenë fare njeri i pushteteve, hero legjendar, klerik me emër, pasunar i spikatur, artist, apo sportist i famshëm.
Jo, jo…! Asnjë nga këta! Alizot Emiri ishte një qytetar tipik i të tëra vuajtjeve ekonomike, një shtetas kokëunjur që përbuz dhe lufton heshturazi tërë pushtimet ushtarake dhe ideologjike, që kanë rrënuar aq shumë këto viset tona.
Madhështia e kësaj figure, për të cilën është shkruar dhe mbulon faqet e këtij libri të bukur, është të qenurit i afërt me botën e librit. Po, po, një librashitës, për të cilin këtë herë nuk do të përdorim cilësorin i thjeshtë.
Alizot Emiri ishte një përhapës, një promovues, një njohës i thellë dhe i vetëdijshëm i kulturës që rrezatonte dyqani i tij i vogëlth dhe raftet e mbushur e të vendosur në të. Ishte një shitore e pa zhurmshme, si shumë shitore të vendosura brinjë më brinjë në rrugën me kalldrëm, që të shpinte në ‘Qafën e Pazarit’ të qytetit piktoresk të Gjirokastrës…!
Djemtë e personit që është vendosur në qendër të librit, miqtë e mi të vjetër, më dërguan dorëshkrimin dhe me një gjuhë allasoj, në stilin e lëndës ku do të zhyteni dhe ju, më kërkuan të jem lexuesi i parë i librit të tyre, gjë që unë natyrisht e pranova me dëshirë dhe emocion. U ndjeva i privilegjuar e mjaft i nderuar tek më thanë ta prisja këtë shirit që më vunë përpara.
Babai i tyre edhe për mua, që nuk e pata takuar asnjëherë, nuk ish kurrsesi i panjohur fare. Por jo aq i njohur edhe i dashur sa është tani, që përdora një frymë të vetme në leximin e këtyre faqeve. Përveçse, siç thashë, shkruhet për një njeri të përkushtuar në përhapjen e dijes, moralit dhe edukatës, ajo që këtë libër e bën tërheqës edhe më shumë, është se kemi të bëjmë me një lëvrues të humorit.
Këtu hasim një njeri gojëmprehtë që natyra, jeta, vuajtjet dhe leximet e pajisën me një mendje edhe më të mprehtë akoma. Të thënmet, shakatë, truket e tij i patën kaluar me kohë kufijtë e qytetit të gurtë.
E folura e tij e figurshme dhe bile poetike, shpotitë me të cilët sulmonte nëpunësit, shkrimtarët, shokët, pjesëtarët e familjes, duken se gjatë viteve balancuan ferrin e vuajtjeve me parajsën e buzagazit.
Kemi të bëjmë me një arkiv, me një memorial tërë shend. Alizoti është model i hokatarit të stilit; qit e prit. Asnjëherë ai nuk e vononte përgjigjen e thekur, se humbja e kohës i ulte vlerat përgjigjes.
Ai rrezatonte një kulturë të gjerë që i vinte nga kontaktet e shumta me të. Duke pasur për vite të tëra lidhje të shumta me botën e sidomos, me Italinë, duke zotëruar më së miri gjuhën e italianëve, e duke qenë lexues i etur i botimeve të tyre, ai ishte vetiu hapa përpara librashitësve të tjerë, shumë përkthyesve dhe bile, pa teprim, edhe një sërë shkrimtarëve.
Kultura dhe shija e tij vinte natyrshëm edhe ngaqë ish pjesë e një rrethi shoqëror mjaft të ngritur, përbërë nga shkrimtarë dhe artistë, mjekë, gazetarë dhe politikanë. Ai zinte një vend të denjë dhe të respektuar në mjedisin e tyre.
Shpesh tipa të tillë, si hokatari ynë, gjykimet sipërfaqësore i klasifikojnë si të lehtë, si joseriozë, shakaxhinj e aq. Në të vërtetë, në faqet e këtij libri, ju do ta gjeni atë në episode tronditës. Janë përleshje të ashpra me të keqen tipike të këtij kombi. Këtu flitet për burgun e pamerituar të Alizotit. Këtu tregohet lufta e tij për bukën e gojës, injektimi i edukatës së punës tek fëmijët, këmbëngulja e tij despotike për rezultate të mira në shkollat e tyre.
Të gjitha këto, janë të thëna herë me humor, herë me paravolira dhe nëntekste të thekura, gjëra që fëmijët që kaluan dekada në shkollën e atit, i kapnin fluturimthi. Tastiera e gjerë dhe e shtrirë e ndjenjave të Alizotit, më preku pa masë me sensibilitetin e rrallë të babait, që mban fëmijët deri në mes të natës të përgatisin kuti kartoni e, t’i shpien të nesërmen, të përfunduara gjatë rrugës për në shkollë.
I biri tregon për një natë, që duke punuar në këmbë, ai, fëmijë i rraskapitur, qe përgjumur dhe ish në rrezik të binte përmbi një thikë të mprehtë. Alizoti u tmerrua dhe e zgjoi të birin, duke e sharë për rrezikun që mund të vinte nga kjo. Djali pranoi se pat fjetur në këmbë, por për ta kaluar e për të krijuar pak atmosferë të gëzueshme, rrëfeu se pat parë një ëndërr. I tha se kish qenë një ëndërr me gjellë restoranti, me ca gjellë të shijshme, gatuar me vaj ulliri.
Por asnjë gaz nuk erdhi nga ajo ëndërr. “Pashë Zoten (Alizotin) – tregon i biri, Shpëtimi, – që po rrinte si i ngrirë me kapëset dhe kutinë në duar. Ndërkohë, pas gjumit, unë po ndërgjegjësohesha. Vura re se po shkëlqenin qelqet e syzeve optike të Zotes…! Nuk ishte shkëlqimi i qelqeve. Sytë e babait ishin njomur! U bëra esëll. U ndjeva fajtor…! Nuk duhej t’ia tregoja atë ëndërr. Nuk ishte faji i tij, që ne ishim të varfër. Pas pakë më thirri: – Lere tani, hajt të biem të flemë, u lodhëm”!
Dashuria e Alizotit për familjen është e pamat dhe kjo i jep librit një ngrohtësi të veçantë. Fëmijët bëheshin shpesh objekt qitje për breshëritë e shpotive të tij. Aq më tepër gruaja e tij, Fetja e dhembshur. Fëmijët kujtojnë mamanë që punonte deri në mesnatë në një rrobaqepësi, teksa një natë, pas turnit, ajo pat hyrë në shtëpi me frymëmarrje të shpeshtuar duke u qarë, se një i panjohur e pat ndjekur nëpër sokakë.
Ajo iu shkreh të shoqit fajtor, që nuk kish dalë ta priste. “Kush ishte ai”? – pyeti Zotia. “Nuk e di, nuk e pashë”. – “E pse nuk e ktheve kokën ta njihje atë maskara?! Aty ku kish drita, të ktheje kokën dhe ai kur të të shihte fytyrën, nuk do të të ndiqte më”.
Vini re mjedisin e gjerë demokratik në familjen Emiri. I ati e pat lëshuar këtë frazë të mprehtë dhe fëmijët e citojnë me krenari. Unë, lexuesi, pata një dyshim dhe nxitova të shoh albumin e fotografive që zbukuron librin.
U lumturova. Bashkëshortja e Alizotit, më pas ndoshta edhe gjurmët e jetës me shumë halle mund të kenë bërë punën e tyre, por duket të kishte qenë mjaft e hijshme në rininë e vet. Ajo mirëpriste thumbat e të shoqit, mjaft që në fëmijë të mos fashitej gazi. Por unë nuk kam ndërmend aspak të vazhdoj t’u heq kureshtjen të tjerëve…! Le të flas pak për punën e autorëve…
Stili i të treguarit është i rrjedhshëm dhe elegant, një stil i denjë për figurën që trajtojnë. Duke përgëzuar autorët-bij, ngul këmbë se unë po vazhdoj të ngre lart figurën e Alizot Emirit. Në faqet e këtij libri bën ferk thjeshtësia, shija e përzgjedhjes të gojëdhënave të panumërta nga thesari i babait.
Një fllad vetë-ironie fryn tej e mbanë rrëfenjave të tyre. Shembull i bukur ilustrues është një episod, kur babai shkon në korridoret e universitetit, për të pyetur për rezultatin e provimit të njërit prej djemve dhe aty takon shoqet e kursit të djalit.
Në shoqëri me to, Alizot Emiri shkëlqen me hokat dhe batutat e kripura. Që nga ai çast e deri në mbarim të studimeve, djalit nuk iu ndanë asnjëherë femrat. Falë baba Zotes! Djali tjetër duket sikur psherëtin, kur shkruan: “Eh! Babai nuk më erdhi asnjëherë në korridoret e fakultetit tim”!
Në disa kapituj tregimi i ngrohtë i lojërave fëmijërore merr trajtat e një narrative alla-Tom Sojer, të Mark Tuenit. Lojëra plot të papritura, mbushur me fantazi dhe zbukurime dekorative që mbështesin gjasmet e çiliminjve. Duket sikur këta kapituj qëndrojnë më vete, ngaqë Zotia futet rrallë në skenë, por prania e tij ndihet fort.
Është pikërisht një tjetër meritë e tij, që vogëlushët, bij dhe nipër, shfaqnin atë begati imagjinate. Më vete qëndrojnë edhe episode ku bie në sy ngulmimi i atit për edukimin e pjellave të tij me ndjenjën e punës dhe me nderimin e duhur për njerëzit që derdhin mund e djersë.
Askujt më mirë se këtyre bijve me kujtesë të mahnitshme nuk do t’u kishte hije që këtë libër ta bënin, siç e kanë bërë, një radhua mirënjohjesh për njerëzit e mrekullueshëm të Gjirokastrës, qytet që duket sikur ofron bujarisht gurët e tij për këtë përmendore që ata po ngrenë për prindin e tyre të paharruar.
“Kemi shkruar ca faqe, – më shkruajnë miqtë e mi autorë të librit, në letrën e tyre të bukur që shoqëronte dorëshkrimin, – që po të renditen, trashen sa për një libër. Bile ne pretendojmë se ato janë me humor…! Përveç kësaj, humori nuk është i yni. E kemi të marrë.
Nuk do të ketë konflikt për të drejtën e autorit. Autori nuk jeton më! Nga ju nuk na del llafi për këtë hile”. Dhe, siç e patë, unë u mundova që të mos u dalë! “Mbahu i dashur, kurajo! – më thonë ca më poshtë. – Ne se ke kohë për të humbur, po të ndihmojmë ne”.
Modestë, sa nuk mban më! Por u gabuan tërësisht dhe ndodhi ajo që ata në të vërtetë besonin: lexuesi i parë e përfundoi librin duke qeshur, duke ua cituar shokëve, që gjatë leximit rastisnin t’i ndodheshin pranë. Vë bast se kjo gjë do të ndodhë edhe me ju. Dhe a mund të quhet humbje kohe, kjo?/ Memorie.al
Komente










