‘Babai i skenës dhe i filmit’, Robert Ndrenika feston 82-vjetorin, kolegët me urime zemre: Artist i papërsëritshëm!

‘Babai i skenës dhe i filmit’, Robert Ndrenika feston 82-vjetorin, kolegët me urime zemre: Artist i papërsëritshëm!

Ikonë e teatrit dhe kinematografisë, që ka ditur të skalisë një larmishmëri karakteresh, aktori Robert Ndrenika feston sot 82-vjetorin e lindjes. Miq e dashamirës i kanë bërë urimet gjatë ditës së sotme, që nisi me muralin dedikim të Poem Poshkës, vajzës së aktorit Xheladin Poshka.

“Krenare me Ty kumbari im!”, i shkruan Poem, vajza e aktorit nga Maqedonia e Veriut. 

Ndërsa nuk kanë munguar urimet nga regjisorja Elma Doresi.

“Edhe 100 vite Babai i skenës dhe i filmit. Të uroj shëndet dhe jetë të gjatë”, shkruan Doresi.

Regjisori dhe autori i shumë veprash të suksesshme Pëllumb Kulla, veçon kontributin skenik të artistit si dhe miqësinë me të.

 

“Gëzuar, o artist i papërsëritshëm, o aktor i ëmbël, idhull i artdashësve të hapësirave shqiptare. Eshtë një ditë e veçantë sot, për ne të dy. Kjo dita e dhjetë e janarit na ka sjellë në drite që të dyve! Por mua më solli dy vjet më parë se ty. Ti u vonove dhe unë nuk të prisja dot më! Por ai janari yt na i paskesh prurjet më të mira, me cilësira më të larta. Do të kisha bërë mirë të të prisja. Mbase dhe unë do te isha bërë më i mire dhe më i talentuar. Si ty. Fati është fat. Megjithatë, faleminderit fatit që në universitet na bëri bashkë shok klase dhe kaluam katër vite te paharruara. Jetë të gjatë e të lumtur, Robert Ndrenika, me shendet e gaz në buzë! Qoftë e pavdekshme miqësia jonë dhe ajo e fëmijëve tanë. GËZUAR!”, shkruan Kulla. 

Ndërsa aktori Arben Derhemin që ka ndarë sheshin e xhirimeve me Ndrenikën, dhe po ashtu ruajnë raport miqsor i uron “Shekullofsh djalë”.

Robert Ndrenika ka një karrierë të pasur në skenën e teatrit. Sa i përket dramaturgjisë shqiptare, ai ka interpretuar në pjesë si "Besa" e Sami Frashërit, "Ura" e Minush Jeros, "Prefekti" i Besim Levonjës, "Familja e peshkatarit" e Sulejman Pitarkës, "Bashkë me agimin" e Kolë Jakovës, "Midis dy njerëzve" e Kiço Blushit, "Skënderbeu" i Lec Shllakut, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” të Ismail Kadaresë, "Lumi i vdekur" i Jakov Xoxës, "Fytyra e dytë" dhe "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo" të Dritëro Agollit, "Shkallët" dhe "Shtëpia me dy porta" të Ruzhdi Pulahës etj.

Ndërsa nga pjesët e huaja ka aktruar në "Shumë zhurme për asgjë", "Nata e dymbëdhjetë" dhe "Zbutja e kryeneçes" te Shekspirit, "I sëmuri për mend" dhe “Kopraci” të Molierit, "Udha e largët" e Arbuzovit, "Luiza Miler" e Shilerit, "Prometeu" dhe "Njeriu që pa vdekjen me sy" të Viktor Eftimiut, "Dashuri e tillë” e Kohoutit, "Banja" e Majakovskit, "Arturo Ui" e Brehtit, "Vdekja e një komisioneri" e Millerit, "Vizita e damës plake" e Dyrrenmatit, "Magjia e madhe” dhe “Cilindri” të De Filipos, "Darka e të marrëve" e Veberit, “6 vjet shtatzënë” e Cikliropulosit, “Pulëbardha” e Anton Çehovit, “Histori zooparku” e Ollbit, etj.

Lidhur me kontributin në kinematografi ka interpretuar në filma si "Horizonte te hapura", "I teti në bronz", "Kapedani", "Shtigje lufte", "Në shtëpinë tonë", "Koncert ne vitin 1936", "Bolero" etj.

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Trump do të blejë Grenlandën, Danimarka rrit shpenzimet për mbrojtjen e ishullit

Trump do të blejë Grenlandën, Danimarka rrit shpenzimet për mbrojtjen e ishullit