Kundërshtari dhe beteja e parë e vërtetë e Bashës quhet Sali Berisha

Kundërshtari dhe beteja e parë e vërtetë e Bashës quhet Sali Berisha

Kreu i PD, Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Prej gati 9 vjetësh Lulzim Basha vijon një betejë maratonomake për t’u konfirmuar kryatar i PD. Që nga 2013-ta kur Sali Berisha bashkë me humbjen e thellë në zgjedhje vendosi të lërë edhe drejtimin e PD, Bashës iu desh të nisë një epokë politike plot sfida për t’u njohur e pranuar si lideri i ri i demokratëve dhe opozitës shiqitare.

Në këtë sfidë atij iu desh që rrugës të përballej me kundërshtarë që kishin të shkuar dhe kontribute të hershme në PD, duke filluar që nga i ndjeri Sokol Olldashi në zgjedhjet partiake të vitit 2013, Eduard Selami në 2017-ën e me rradhe më pas në vitin 2021 me Agron Shehajn, Ed’ith Harxhin e Fatbardh Kadillin. Në të gjitha këto beteja konfirmimi fillimisht, e më pas rikonfirmimi, Basha kishte sigurinë dhe komoditetin e fitores falë mbështetjes së sponsorit dhe menaxherit të tij politik në PD, Sali Berishës. Ishte ai që i shtroi tapetin e kuq Bashës, që aprovoi në heshtje spastrimet e beniaminit të tij në parti.

Nga PD po largoheshin njerëz me kontribute, me arsyetimin se po iknin ministra e drejtorë të korruptuar që i kishin shkaktuar humbjen PD në zgjedhje dhe ishin dëm imazhi për një parti që kërkonte të tregonte se po distancohet nga të korruptuarit dhe po përtërihej. Ndërkohë në parti vijonin të gëlonin të korruptuarit dhe për më tepër dembelët politikë dhe me kuota të ulëta e me përfaqësim të dobët në zgjedhje. Por këto nuk e shqetësonin as Bashën as Berishën, madje askënd tjetër pasi si një trup i vetëm bashkuar rreth kryetarit humbës periodik i zgjedhjeve, të gjithë bashkë nën direktivën (qoftë dhe të heshtur) të Berishës e votuan Bashën me mbi 80% të votave të anëtarësisë si kryetarin e vazhdimësisë edhe pse sapo kishte humbur zgjedhjet e Prillit e Rama kishte marrë mandatin e tretë qeverisës, histori e pa ndodhur më parë.

Zëri kundërshtues dhe kritikues i Mark Markut në Kuvendin e Vazhdimësisë në korrik të vitit 2021 tingëlloi si një rrufe në qiell të hapur. Askush se mbështeti, askush se dëgjoi. Shurdhëri deri në pakuptim. Basha mori vota, brohorima e duartrokitje si askush më parë, edhe duartrokitjet dhe urimet e Berishës si gjithnjë. Tanimë kishte arritur të vendoste autoritetin absolut në parti. Ishte humbja e dytë në zgjedhjet e përgjithshme dhe e katërta bashkë me ato lokale, por pak rëndësi kishin ato, e rëndësishme ishte beteja e vazhdueshme për të t’u konfirmuar kryatar i PD. Dhe sapo dukej se ky cikël kishte përfunduar dhe tanimë Basha ndjehej se partinë e kishte tërësisht nën zotërim i plasi sfida më e paimagjinuar dhe pamenduar, përballja me “tutorin” e tij politik, Sali Berishën.

Natyrisht kjo nuk ishte një zgjedhje e tij, por një përballje e detyruar nga imponimi amerikan që kishin shpallur ndërkohë Berishën person non grata “të padëshiruar” për SHBA. Ata e vunë Bashën para faktit që o me ne, o me Berishën kundër nesh, ndaj ke vetëm një mundësi zgjedhjeje. Përballë vendimit dinjitoz për investimin dhe mbështetjen që Berisha i kishte dhënë ndër vite, Basha nuk zgjodhi dorëheqjen por nën motivin e shpëtimit të PD nga izolimi, vendosi atë që i kërkuan amerikanët, distancimin nga Berisha. Pozicionimi krah tyre kërkonte prova jo thjeshtë fjalë dhe prova që Basha dha ishte largimi i Berishës si pjesë e grupit parlamentar të PD.

Për Berishën kjo ishte një besprerje politike dhe njerëzore. E kishte zhgënjyer njeriu ku ai investoi gjithë kapitalin e tij politik. Ndaj kjo do ta kthente pas nga rruga e pensionimit politik për të rimarrë kontrollin politik të PD, për dy qëllime, së pari për të larguar beniaminin tradhëtar si kryetar dhe së dyti për t’u rifaktorizuar e hyrë në tratativa me amerikanët, për të zhbërë statusin non grata. Nga ana tjetër kthimi i Berishës në arenë ka vënë Bashën për herë të parë në një betejë e sprovë të fortë reale politike. Nëse e fiton kjo do të jetë fitorja e tij e parë që e arrin pa ndihmën e Berishës qe e kishte krah deri dje, e sot e ka kundërshtar. Por ironia e fatit është se edhe pse duket si një betejë epike, sërish ajo po bëhet për një post partiak, për kryetarin e Partisë Demokratike. Pra ndërkohë që Rama gëzon mandatin e tretë qeverisës, Basha vijon të luftojë për të konfirmuar mandatin e tretë si kryetar partie. Të paktën këtë herë e ka sfidë prej vërteti, nëse do ia dalë do na provojë se tani është gati të bëjë edhe beteja pushteti.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gazi: 14/12/2021 13:11

    Mire e ka shkruar. Por nuk duket si sfide kjo pune. Me teper si spiunllik. Nuk duket qe te kete patur qellim ndonje avancim te interesit te PD sesa sabotim dhe nenminim te udheheqsise se "vjeter" te saj. Pra spastrim. Ndaj dhe me Berishen nuk eshte ose nuk ka guxuar te perplaset. Per ti lene ndjesine e besimit. As ne gjoja rizgjedhjen e tij te fundit ku Saliu u duk se u terhoq perfundimisht nga skena. Sapo ka marre porosine nga lart (shoket dhe shoqet ne DASH) Basha goditi sic i kemi pare gjerat ne menyre per te mbyllur procesin e "spastrimit". Kushdo mund te mendoje si te doje, ky person pra Basha ka nje problem shum te madh besimi dhe do te mbetet nje njolle ne analet e politikes se Shqiperise.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja