Kur Lulzim Basha thotë 'S’jam në garë me Edi Ramën'

Kur Lulzim Basha thotë 'S’jam në garë me Edi Ramën'

Edi Rama dhe Lulzim Basha

“Kjo nuk është një përballje mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, por një përballje e shqiptarëve me kryeministrin”. Teksa bëhet gati të veshë këpucët e fushatës elektorale, kryetari i opozitës ka një merak të madh që nuk arrin ta fshehë dot. Kërkon të fshihet pas tre milionë zgjedhësve, në një garë politike ku do të jetë emrin i tij në krye të fletës së votimit. Në anën tjetër të llogores, Edi Rama e sheh dhe e dëgjon këtë ikje të kundërshtarit nga fusha e lojës dhe bën pikërisht të kundërtën e asaj që do dhe shpreson Basha.

Edi punon, Basha fle gjumë, është motoja e fushatës së re të socialistëve, të cilët kanë përllogaritur se kontrasti mes dy liderëve do të jetë thembra e Akilit e opozitës në 25 prill. Një kontrast i ndërtuar me kujdes për ta vënë në siklet jo vetëm vetë Bashën, por edhe për të përforcuar e shumfishuar idenë se në prill do të votohen në njërën anë një lider që bredh rrënojave të tërmetit apo spitaleve të Covidit, e në anën tjetër një politikan që iu ka ikur takimeve të rëndësishme me karrierën e tij politike dhe që përgjithësisht e ka ndërtuar lidershipin e tij nën hijen e rëndë të Sali Berishës.

Në një hark kohor prej një dekade e gjysmë, Edi Rama ka ndërtuar gur pa guri partinë e tij, e cila sot ka pak lidhje me partinë e vjetër socialiste që ai mori në dorëzim nga Fatos Nano në vitin 2005. Pas dy mandateve në qeverisje, Rama mund ta luajë fushatën elektorale të 25 prillit vetëm duke u bazuar mbi personalizimin e mesazhit, shitjen e imazhit dhe të markës së tij prej njeriu praktik, prej “lypësi” ekzemplar në emër të Shqipërisë, prej politikani që flet hapur dhe fort kur nuk është dakord dhe që sfidon, në vend që të tërhiqet. Në kushtet e dy krizave tejet të rënda dhe komplekse, si pandemia dhe tërmeti, profili personal i liderëve shqiptarëve do të vihet veçanërisht në sprovë. Përtej cinizmit, këto dy drama të mëdha kombëtare janë sot njëherësh edhe dy mundësi të arta politike për një figurë si Edi Rama. Mes shtëpive të reja të tërmetit, tek spitali i ri në Fier, në Rinas duke pritur vaksinat apo tek Erdogani me dorë në zemër, Edi Rama e ka kuptuar se fati i zgjedhjeve do të luhet në hapësirën mes dy krizave, tërmetit dhe pandemisë.

Lulzim Basha e sheh dhe e kupton këtë situatë që është sa e volitshme për të elektoralisht (qeveria e mbytur nga rrënojat dhe vdekjet e Covidit), aq edhe hileqare dhe e paparashikueshme në funksion të zgjedhjeve. Basha e di që në gjithë këtë zallamahi njerëzore të vitit të fundit, ai vetë mbeti një lojtar i jashtëm pa shumë rol, që improvizonte sikur merrte kontakt me të djathtët evropianë për të sjellë vaksina apo që jepte porosi nga katedra për tërmetin.

Fakti që ai i mëshon idesë se në 25 prill nuk do të ketë një garë mes tij dhe Edi Ramës, por një lloj referendumi për figurën e kryeministrit, është një sinjal shqetësues për konsideratën modeste dhe stekën e ulët që ai i akordon vetes në këtë përplasje që mund të jetë fatale për fatet e tij të mëtejshme në krye të PD.

Personalizimi i fushatës është emëruesi i përbashkët i dallueshëm për së largu, në taktikën e Edi Ramës. Me një qeveri gjithnjë e më pak të dallueshme në emra e profile, me një parti që bën kryekëput lojën e tij politike, Rama është i qetë pas shpine, në shtëpinë e vet. Kurse Basha duhet të menaxhojë, veç hijes së Doktorit, pabesisë së Metës e LSI, tekave të Mediut e partive të reja që kanë lindur djathtas, edhe personalitetin e tij të dobët e problematik. Me një kryetar që ‘de facto’ tërhiqet ende pa rënë gongu, fushata e opozitës humbet peshë dhe imazh. Ky është Lulzim Basha. Ata që e njohin dhe i rrinë pas, ia dinë këtë trajtë dobësie, këtë defekt të pariparueshëm që ka si lider.

Prandaj edhe simbolika e Çadrës së 2017, kur Rama e tërhoqi në kurth kundërshtarin e tij më të ri me disa orë bisedime, mbetet ende në këmbë kërcënuese dhe e pranishme edhe në pranverën e vitit 2021. Lulzim Basha që refuzon të pranojë se është në garë me Edi Ramën, por që fshihet pas shqiptarëve, është tam-tami i parë negativ i fushatës opozitare.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ben Tironci: 04/02/2021 00:12

    Basha eshte eshte gare me hijen e tij ...

    Përgjigju
  • Seto: 03/02/2021 22:21

    E drejte, nuk eshte ne gare me Ramen por me organizaten me te peshtire kriminale te pare ndonjehere ne vend. Gazetar i zgjuar qe e ka kapur kete fakt.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja