Tri fetë kryesore në Shqipëri shënojnë një rritje të befasishme të numrit të besimtarëve. Sidomos të rinj. Duket sikur, pa ditur shumë për fenë, të rinj dhe besimtarë të tjerë, shkojnë në dyert e xhamive e kishave fillimisht për të qetësuar apo shëruar shpirtin dhe zemrën. Të ekspozuar ndaj konflikteve pa fund të kohëve tona moderne, nga performanca shitmendëse, nga garat për bukuri, për forcë, pasuri e simpati mes ndjekësve dhe gjithë botës globale, ka një fenomen që nuk jemi të parët që po e përjetojmë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësia fetare po kthehet në një shtyllë përherë e më e fortë saqë edhe ndërmarrje kolosale, pas trendeve me palestra, masazhe, mensa me dieta të shëndetshme, kanë rikthyer për punonjësit e tyre kujdesin fetar dhe shpirtëror.Është e habitshme se si po lindin profesione të reja rreth këtij fenomeni, si për shembull, organizimi i eventeve fetare për sipërmarrje të mëdha, krijimi i paketave të përshtatshme sipas kërkesave dhe mundësive që çdo sipërmarrje ka për punonjësit e vet, etj.
Ndërsa për probleme shëndetësore shkojmë tek mjekët, për probleme të mendjes, te psikologët, duket sikur fetë vazhdojnë të mbajnë rekordin e qetësimit dhe shërimit të shpirtit dhe zemrës. Një dhunti që me kalimin e shekujve jo vetëm që askush tjetër nuk po e përvetëson, por po rikthehet e fortë pas një kohe të gjatë skepticizmi.
Në dimensione më të vogla fenomeni po merr krahë edhe në vendin tonë, ku ateizmi i gjatë komunist çorientoi për vite me radhë besimtarët edhe në kohën e lirisë. Ndoshta, sidomos, edhe më fort, në kohën e lirisë së mendimit dhe të besimit.
E megjithatë, fetë kanë mundur të mbajnë, mes shumë problemeve, përmes retorikës së tyre të mirëstudiuar dhe të perfeksionuar në kohë të kohëve, “ilaçin” shpirtëror për t’u prezantuar besimtarëve dritën e një Zoti të mirë dhe të kujdesshëm. Tri fetë në Shqipëri duket se arrijnë t’i ekspozojnë besimtarët ndaj dritës pozitive dhe shëruese duke lehtësuar dhimbje me të cilat nuk do të merrej njeri. Me predikimet në rituale përcjellin me kujdes se ç’është e mirë dhe ç’është e gabuar dhe e pashëndetshme. Nuk flasim këtu për fenomenet ekstremiste dhe të sëmura edhe brenda vetë feve, pasi është e kuptueshme dhe e dukshme për të gjithë se edhe fetë kanë anën e tyre të errët me të cilën janë marrë dhe do të vazhdojnë të merren. Tamam si dhe psikologët që dëgjojnë qindra pacientë, por e kanë vetë të domosdoshme të dëgjohen edhe ata prej kolegëve të tyre.
Duket se sa vjen dhe rritet rëndësia e veçantë për kujdesin për zemrën dhe shpirtin, sidomos pastrimi dhe pastërtia e tyre. Ekspozimi ndaj dritës dhe të mirës është i domosdoshëm tamam si të ishte një rrobë e lagur dhe e ftohur nga stuhitë e kohës dhe të jetës, që ka nevojë të thahet nën dritën e ngrohtë e të pastër të diellit. Kjo duket se po ndodh edhe në Shqipëri: e dëshmojnë komunitetet fetare, e dëshmojnë qytetarët që mbushin sheshet, kishat, xhamitë dhe ndjekin ritualet. Dhe sa më e pastër, e qartë dhe efikase drita e hedhur për të vërtetën, aq më mirë do të njohim së pari vetveten, e me radhë, më pas, të tjerët dhe ngjarjet do të gjejnë vendin dhe përmasat që meritojnë.
Komente









