'Kushtet për të dalë në pension për sportistët, trajnerët, arbitrat'

'Kushtet për të dalë në pension për sportistët, trajnerët, arbitrat'

Eksperti Fadil Kepi në Report Tv

Një nga ekspertët më të mirë të problematikave të pensioneve, profesor Fadil Kepi, si çdo javë u është përgjigjur pyetjeve të qytetarëve në Report TV, në emisionin “Këndi i Ekspertit” i drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli. Në këtë javë profesor Kepi u ndal fillimisht në sqarimin e një kategorie të veçantë, por mjaft të gjerë, siç janë personat që kanë qenë sportisë në disiplina të ndryshme sportive.

Në kët kategori eksperti ka përfshirë edhe personat që kanë punuar për sportin si trajnerët, arbitrat apo mjekët e gazetarët sportivë. Për këtë kategori profesor Kepi ka sqaruar se cilat janë kushtet për të dalë në pension por edhe se kur ata marrin pension të posaçëm. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur edhe pyetjeve nga qytetarët për problematikat specifike.

Disa ndjekës të emisionit tonë, si sportistë, gazetarë, trajnerë, por edhe arbitra, na pyesin se cilat janë kushtet për të dalë në pension.
Sqaroj se femrat, të cilat janë sportiste në fusha të ndryshme sportive, si në volejboll, në basketboll, pse jo edhe në futboll, në qitje e të tjera, në vendin tonë, këtë vit deri në datën 31 dhjetor, u kërkohet që të plotësojnë dy kushte: mosha 60 vjeç e 8 muaj dhe të kenë gjithsej 36 vjet e 4 muaj punë në vendin tonë, nga mosha 16 vjeç. E theksoj këtë sepse ka disa lloje sporti, sidomos në cirk, ku aktiviteti fillon në moshë të re. Meshkujt që merren me këto disiplina, sportistë, trajnerë, gazetarë, dalin në pension në moshën 65 vjeç.

U kërkohet 36 vjet e 4 muaj punë, po duke filluar nga mosha 16 vjeç. Diferenca është se femrave u quhet vjetërsi pune periudha e shkollës së lartë ditën, me burës ose pa bursë, brenda ose jashtë vendit, deri më 32 dhjetor të vitit 2032. Ndërsa meshkujve nuk u quhet vjetërsi pune shkolla e lartë ditën, por u quhet periudha kur kanë kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, të vërtetuar me vërtetim nga dega ushtarake, e cila i ka marrë në shërbim. Është e kuptueshme që ata, të cilët kanë mbaruar shkollën e lartë, nuk kanë kryer shërbim të detyrueshëm ushtarak. Ne kemi shumë raste kur sportistët tanë kanë luajtur në ekipe të ndryshme jashtë vendit.

Këto vite, kur ata kanë ushtruar aktivitet jashtë vendit tonë, u janë paguar nga vendet ku kanë ushtruar veprimtarinë e tyre. Ato vite pune do të quhen si vite pune për të marrë pension në ato shtete të tjera. Meqenëse këto periudha janë të shkurtra, sportistët mund të mos arrijnë që të marrin pension në ato shtete, por kanë të drejtë të bëjnë sigurime vullnetare në vendin tonë për atë periudhë, t’i mbledhin me vitet e punës që kanë punuar këtu, dhe kur të plotësojnë moshën e pensionit, do ta gëzojnë pensionin. Sigurimet vullnetare shoqërore janë me leverdi për t’u bërë sepse edhe kuotat e tyre janë të lira.

Për t’u siguruar duhen 5.164 lekë të rinj në muaj ose 92.208 lekë të rinj në vit. Nëse një sportist ka qenë jashtë vendit 10 vitet e fundit, atëherë ai ka të drejtë që të sigurohet vullnetarisht për këtë periudhë, në qoftë se ka nënshtetësi shqiptare ose dy nënshtetësi, pavarësisht se në çfarë shteti ndodhet. Gjithashtu, duhet të jetë e qartë që sigurimet vullnetare nuk mund të fillojnë para moshës 18 vjeç. Ka sportistë, trajnerë, gazetarë dhe mjekë, të cilët janë pjesëtarë të ekipeve që kanë edhe tituj shkencorë. P.sh. në Universitetin e Sporteve ka disa pedagogë që kanë qenë sportistë të nderuar, të cilët kanë edhe tituj shkencorë.

Atëherë, femrat dhe meshkujt që kanë titullin shkencor profesor i asocuar, pavarësisht nga gjinia, dalin në pension në moshën 65 vjeç dhe në qoftë se Universiteti i Sporteve p.sh., ka nevojë për ata, mund të bëjë kontratë pune me afate 3-mujore, 6-mujore apo 1-vjeçare, si të bien dakord, dhe mund të punojnë edhe mbi moshën 65 vjeç. Ndërsa personat e tjerë, femra dhe meshkuj, që kanë titullin shkencor profesor, dalin në pension në moshën 68 vjeç, pavarësisht nga gjinia. Ka edhe një kategori tjetër sportistësh cilësorë, në shumë fusha të sportit, që pasi dalin në pension pleqërie, për rezultate të dallueshme në punën e tyre, kanë të drejtë të kërkojnë pranë organeve kompetente të Këshillit të Qarkut dhe pastaj Këshilli i Qarkut i kërkon Këshillit të Ministrave, pensione të posaçme.

Në vendin tonë janë rreth 60 sportistë, të cilët marrin pensione të posaçme. Në mes tyre ka futbollistë, volejbollistë, basketbollistë, mundës, qitës, ngritës peshash, gazetarë sportivë, trajnerë etj., të cilët marrin pensione të posaçme. Pensioni i posaçëm është 28.000 lekë të rinj mbi pensionin e pleqërisë. Sa herë shtohen pensionet e zakonshme, shtohet edhe pensioni i posaçëm. Por, pensioni i posaçëm nuk i trashëgohet pjesëtarëve të tjerë të familjes. Kështu p.sh. në rast se një sportist i nderuar ndërron jetë, bashkëshortja e tij ka të drejtë të marrë pensionin e vet ose gjysmën e pensionit të zakonshëm, por nuk merr pjesë nga pensioni i posaçëm. Po kështu veprohet edhe për femrat. 

Flas nga Fieri. Aktualisht jam ushtarak prej 27 vjetësh. Mund të dal në KEMP, por a e fitoj edhe pensionin e KEMPI-t edhe pensionin suplementar të ushtarakut?
Po, e përfiton. Por, të lutem, do të lexosh me kujdes Ligjin nr. 10142, datë 15.05.2009. Është 37 faqe dhe ka 36 nene. Dhe aty është përcaktuar se çfarë përfiton kur ke pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, i cili përfitohet në moshën 47 vjeç për burrat, të cilët duhet të kenë 15 vite si ushtarakë. Ju thatë që keni 27 vjet si ushtarak. Atëherë 27 vjet si ushtarak shumëzohet me 1,5% të pagës për çdo vit që ke qenë ushtarak dhe të takon 40,5% të rrogës, por ke të drejtë të punësohesh.

Në qoftë se ke tokë, mund të vetëpunësohesh në bujqësi dhe përfiton edhe këtë pension. Në qoftë se je i punësuar në sektor privat, përsëri i merr të dyja. Mund të punësohesh në sektor shtetëror por jo si ushtarak. Nëse shkon të punosh atje ku ke qenë, të ndërpritet se nuk mund të marrësh në një punë shtetërore edhe rrogë edhe pension. Kur punësohesh, ky pension zbret sa një pension bazë, pra rreth 12.700 lekë të rinj në muaj. Kontributet e sigurimeve shoqërore për ushtarakët që marrin pension për vjetërsi shërbimi, kur nuk punësohen, i paguan shteti. Ndërsa kontributet, kur ju ripunësoheni, i paguan qendra e punës.

Ndërsa për shumën 12.700 lekë të reja, i paguan përsëri shteti. Gjatë kësaj kohe, njeriu mund të dalë edhe invalid. Gjatë kohës që je në pension të parakohshëm, nëse del edhe invalid, merr edhe një shtesë, e cila është e përcaktuar në nenin 14 dhe 15 të ligjit që përmenda më lart. Lexoje mirë këtë ligj. Nëse të del ndonjë problem, mund të shkosh dhe të interesohesh në KEMPI-n e Sigurimeve Shoqërore të rrethit përkatës, pse në Drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore të rrethit të Fierit.

Flas nga Tirana. Jam një pensionist miniere. Marr një pension minimal prej 180.000 lekësh të vjetra në muaj. As statusin nuk ma japin. Nuk më lejohet as që të punësohem në sektor privat. 
Zotëri i nderuar, dje është botuar në “Fletoren Zyrtare” një vendim i qeverisë, me nr. 301, datë 23.05.2018, i cili thotë kështu: “Minatorët e nëntokës të cilët kanë dalë në pension sipas Ligjit 150/2014, nga data 6 dhjetor e vitit 2014 e në vazhdim, kanë të drejtë të dalin në pension të plotë, kur plotësojnë këto tre kushte: mosha 55 vjeç, të kenë gjithsej 30 vite pune përfshirë edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak, dhe nga këto 12 vjet e 6 muaj nën tokë”. Plus një kategori tjetër, të cilët kanë marrë trajtim të veçantë nga viti 2000 deri në mars të vitit 2001.

Është një ligj me nr. 8685, për trajtimin e veçantë. Përsëri këta dalin në pension të plotë në moshën 55 vjeç, me 30 vite punë, dhe 11 vjet e 6 muaj nën tokë. Pra, me 1 vit më pak se sa të tjerët që nuk kanë marrë trajtim të veçantë. Sipas një ligji të Sigurimeve Shoqërore, me nr. 27, të vitit 2017, thuhet që “nuk kanë të drejtë këta minatorë të nëntokës, qoftë ata me 12 vjet e 6 muaj nën tokë, qoftë ata me 11 vjet e 6 muaj, të punësohen në sektorin privat”. Nëse punësohen në sektorin privat, atyre u ndërpritet pensioni. Minatorët, me të drejtë janë ankuar. Këtë problem, nëpërmjet jush, edhe ne e kemi trajtuar këtu. Këtu thuhet: “Minatorët e nëntokës, që kanë dalë në pension nga data 6 nëntor e vitit 2014 e në vazhdim, nëse u është mbajtur pensioni, do t’u kthehet, ndërsa të tjerëve nuk do t’u mbahet më pensioni, do të lejohen të punojnë edhe në sektorin privat”.

Ligji i mëparshëm e kishte këtë mangësi, që nuk i lejonte minatorët të punësoheshin në sektorin privat. Fatmirësisht ligji u përmirësua, kjo mangësi u korrigjua nga organet kompetente, nga qeveria, dhe tani minatorët e kanë të drejtën të punësohen. Për zbatimin e këtij ligji, qeveria ka ngarkuar Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Të lutem, vendimi ka nr. 301, datë 23.05.2018, i cili dje është botuar në “Fletoren Zyrtare”. Edhe diçka tjetër, deri tani elektricistëve dhe mekanikëve që kanë punuar në minierë nën tokë, nuk u quhej punë nën tokë, sipas një vendimi të vjetër. Qeveria, në vendimin e fundit që ka botuar dje në “Fletoren Zyrtare” me nr. 78, thotë: “Për këto dy probleme ngarkohet Instituti i Sigurimeve Shoqërore”. 

Flas nga Kavaja. Jam 62 vjeçe. Kam 1 vit që kam dalë në pension. Kam punuar 1 vit si leshpunuese dhe 2 vjet te Fabrika e Qelqit. I kam të shënuara në librezën e punës, por nuk gjenden dokumentet në arkivin në Lundër. Kam punuar edhe te konservat. As ato vite nuk gjenden. Më kanë humbur 5 vite pune. 
Zonjë e nderuar, që këto vite pune nuk gjenden, nuk është faji i Sigurimeve Shoqërore. Por nuk është as faji juaj. Dihet se ka shumë raste kur kanë humbur dokumentet, janë bërë të papërdorshme, janë djegur. Atëherë, si duhet të veprosh? Të lutem, konsultohu me ndonjë jurist në Kavajë. Me dy dëshmitarë që kanë punuar bashkë me ty në ato ndërmarrje, do të hapësh një proces gjyqësor ku të vërtetosh se ke punuar në ato ndërmarrje për aq kohë sa thua. Unë jam i bindur që ti do ta fitosh procesin gjyqësor. Ka shumë raste të kësaj natyre, kur dokumentet nuk gjenden, por njerëzit janë gjallë dhe dëshmojnë. Është një çështje që zgjidhet në këtë formë.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen