TIRANË- Asnjë surprizë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Belinda Ballukun. Kështu e komenton kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi rikthimin e Ballukut në detyrë me vendim të Gjykatës Kushtetuese, derisa të shqyrtohet ankimi i kryeministrit Rama kundër GJKKO-së.
Gazment Bardhi shkruan se Gjykata Kushtetuese iu nënshtrua presionit të kreut të qeverisë, ndërsa këtë të fundit e akuzon se po pengon drejtësinë të bëjë punën e saj me qëllimin që të mbrojë veten dhe bashkëpunëtoren e tij.
“Koha mund të blihet. Llogaridhënia jo! Asnjë surprizë nga vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese për të pandehurën Belinda Balluku. Nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet presionit mafioz të Kryeministrit. Opozita e kishte paralajmëruar këtë që ndodhi prej ditësh.
Madje 5 anëtarët në shumicë kishin bërë shumë mirë që as nuk kishin marrë mundimin të shkruanin qoftë dy fjali për të argumentuar vendimin e tyre, sepse fundja ai vendim s’ka asnjë lidhje me to, me Kushtetutën dhe me ligjin. Ai është vetëm një akt politik i Edi Ramës për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur veten e bashkëpunëtoren e tij, dhe për këtë arsye nuk ka asnjë nevojë të justifikohet me sajesa juridike”, shkruan Bardhi.
Më tej, Bardhi shkruan se ky vendim është i përkohshëm dhe nuk mbyll çështje, duke shtuar se fundi i kësaj historie ka për të qenë triumfi i të vërtetës, drejtësisë dhe interesit publik.
“Mirëpo, kush gëzon sot, do të hidhërohet më shumë nesër! Dhe, më mirë se kushdo, këtë e di Edi Rama, Kryeministri peng i të pandehurës së vetme në historinë e Bashkimit Europian që as nuk jep dorëheqje, as nuk lejon ta shkarkojnë. Për fat të mirë, vendimi i djeshëm është vetëm një akt i përkohshëm, që i jep pak kohë Edi Ramës për të mbrojtur aferat e tij korruptive dhe për të fshirë lotët e krokodilit përpara Belindës.
Vendimi nuk shuan përgjegjësi, nuk mbyll çështje, nuk i rikthen 50 milion eurot e grabitura, dhe nuk garanton mbrojtje afatgjatë. As për Edi Ramën, as për Belinda Ballukun. Aktet madhore korruptive nuk neutralizohen me manovra procedurale dhe as me vendime të përkohshme të marra nën presion të pashembullt ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Fundi i kësaj historie nuk ka për të qenë triumfi i pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit. Ka për të qenë triumfi i të vërtetës, drejtësisë dhe interesit publik. Sepse koha mund të blihet, por llogaridhënia jo”, përfundon Bardhi.
Zv.Kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, me vendim të Gjykatës Kushtetuese u rikthye në detyrë. Me shumicë votash, u vendos pezullimi i vendimit të GJKKO-së i datës 20 nëntor. Gjykata ka vendosur të merrë në shqyrtim ankimin e Kryeministrit Rama për një përplasje kompetencash së krijuar nga akti i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut nga detyra, pasi u mor e pandehur për shkeljet me tenderin e Tunelit të Llogarasë, si edhe po hetohet për shkeljet me tenderin për lotin 4 të Unazës së Madhe.

Edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që riktheu në detyrë Belinda Ballukun deri në shqyrtimin e ankimit të kryeministrit Edi Rama. Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku shkruan se vendimi i Kushtetueses i dha kohë qeverisë, por nuk i heq vulën e korrupsionit këtij rasti. Më tej Tabaku shprehet se një zv.kryeministre që përballet me akuza penale nuk mund të qëndrojë në detyrë.
“Me apo pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese, Shqipëria nuk mund të ketë një zëvendëskryeministre të pandehur. Debati sot nuk është vendimi i GJK-së dhe as procedura. Debati i vërtetë është standardi moral i një qeverie normale.
Si mund të qëndrojë në detyrë një zyrtare e lartë që ndan para publike me mesazhe nga shtëpia? Si mund të qëndrojë në detyrë një zëvendëskryeministre që përballet me akuza penale?
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i dha kohë qeverisë, por nuk i heq dot vulën e korrupsionit këtij rasti. Shqiptarët meritojnë një qeveri që sillet si europiane në standarde dhe moral, jo një qeveri që përdor integrimin si mburojë për të mbrojtur të korruptuarit.
Europa nuk është slogan. Europa është standard. Dhe standardi i parë është morali në qeverisje”, shkruan Tabaku.
Komente











