Me tensione është shoqëruar protesta para Parlamentit. Breshëri vezësh u lëshuan mbi automjetet e deputetëve, ndërsa situata përfundoi me përlasje dhe me policinë. 6 nga protestuesit u ndaluan, ndërsa disa orë më pas Dritan Goxhaj dhe 5 të tjerët u liruan. Në mbështetje të tyre manifestuesit u mblodhën përpara drejtorisë së policisë.
***
Me thirrjet “Ju erdhi fundi” dhe “parlamenti i krimit” një grup qytetarësh u mblodhën jashtë Kuvendit në nisje të seancës plenare. Për të mos u përballur me protestuesit, një pjesë e ligjvënësve hynë në Kuvend përpara orës 10:00. Ndërsa disa të tjera nuk shpëtuan dot irritimit të protestuesve. Thirrja nuk shkoi vetëm për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, por edhe kundrejt opozitës duke e quajtur “opozitë e shitur”. Protestuesit në kor thërritën ‘Rama në burg, Berisha në burg”.
Zhvendosja e protestës në ditën e 31 të saj para Kuvendit shënoi momente përplasjeje, mes manifestuesve dhe policisë, ndoshta më të ashprat që prej nisjes të valës së tubimeve anti-qeveritare.
Fillimisht tubimi nisi paqësisht, me thirrje kundër parlamentit dhe deputetëve. Incidenti i parë që do të shënohej do të ishte ai me deputetin socialist Tërmet Peçi i cili u gjend i rrethuar nga protestuesit nën thirrjen “Nuk na përfaqëson”.
Me tej, nisën goditjet me vezë nga makinave të deputetëve. Nuk u kursyen as mjetet e parkuara në rrugë pa asnjë lidhje me ligjvënësit, duke shkaktuar zemërim te drejtuesit.
Kulmi i tensionit arriti kur vezët u hodhën breshëri në drejtim të mjetit të zv kryeministres Albana Koçiu që po largohej nga seanca plenare si dhe ndaj mjetit të parkuar të deputetit Erion Brace, të cilën e largoi prej andej një efektiv policie.
Në këtë moment tensioni, nuk u kursyen as vetë efektivët e policisë drejt të cilëve u qëllua edhe me shishe uji.
Policia nisi shoqërimet. Për minuta të tëra sheshi para parlamentit u kthye në përplasje fizike mes protestuesve dhe forcave të Shqiponjave.
Mes 6 të shoqëruarve edhe një nga protagonistët e protestave, Dritan Goxhaj. Pas aksionit të policisë, protestuesit hodhën disa kapsolla dhe nisën zhvendosjen drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës me thirrjet “Lironi djemtë tanë”. Pak orë pas protestës, Goxhaj dhe 5 të tjerët u lriuan nga qelia.

Zv.kryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas tensioneve në protestën e zhvilluar ditën e sotme para godinës së Parlamentit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar pamje nga përplasjet e protestuesve me Policinë dhe fjalën e një gazetari i cili bënte thirrje për përshkallëzim, Koçiu ka shkruar dhuna verbale e fizike gjatë tubimit është e papranueshme.
Më tej në reagimin e saj, Koçiu ka shkruar se skenarët për destabilizim dhe kaos janë të orkestruar nga një grup i vogël njerëzish që sipas saj, i vendosin agjendat e tyre politike mbi interesin e vendit.
Koçiu ka theksuar gjithashtu se jeta politike dhe publike e Shqipërisë nuk do të mund të merret peng nga ky grup njerëzish, për interesa personale.
Reagimi i Koçiut:
Dhuna verbale dhe fizike e shfaqur sot jashtë Kuvendit është e papranueshme dhe jashtë çdo kornize demokratike.
Sjellje të tilla agresive nuk i bëjnë nder as protestës dhe as kujtdo që pretendon të përfaqësojë qytetarët e këtij vendi.
Skenarët për destabilizim dhe kaos, të orkestruar nga një grup i vogël njerëzish që i vendosin agjendat e tyre politike mbi interesin e vendit, nuk mund dhe nuk do ta marrin kurrë peng jetën publike dhe politike të Shqipërisë.
Këto tentativa do të dështojnë gjithmonë, ashtu siç kanë dështuar edhe në të kaluarën, duke u lënë njollën e turpit dhunuesve dhe braktisjen e qytetarëve, të cilët sot, më shumë se kurrë, zgjedhin rrugën e zhvillimit dhe të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka reaguar pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës së sotme para Kuvendit, ku u shoqëruan në Komisariat 6 protestues, mes të cilëve edhe Dritan Goxhaj.
Përmes një reagimi publik, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka shprehur shqetësim për përdorimin e forcës fizike nga ana e policisë ndaj protestuesve.
Në reagim thuhet se protestat që po zhvillohen prej 30 ditësh në Tiranë, kanë qenë përgjithësisht paqësore dhe ndërhyrja e Policisë duhet të jetë proporcionale.
Gjithashtu në reagimin e KShH thuhet se gjatë shoqërimit në Polici të protestuesve, disa prej tyre janë tërhequr zvarrë nga forcat e policisë, një praktikë kjo sipas Komitetit, jo-proporcionale.
Por Komiteti Shqiptar i Helsinkit është ndalur edhe te organizatorët dhe pjesëmarrësit në protestë, të cilëve u ka bërë thirrje të ushtrojnë të drejtën e tyre paqësisht dhe të shmangin çdo veprim që përshkallëzon situatën.
Reagimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit:
Bazuar në pamjet e bëra publikë ne media , Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) shpreh shqetësim për incidentet e datës së sotshme në protestën e mbajtur, përpara Kuvendit të RSH, ku ndërhyrja e policisë u shoqërua me përdorim force fizike, shoqërim protestuesish në komisariat dhe pamje që tregojnë tërheqjen zvarrë të protestuesve, me elementë të ngjashëm nga pamjet e protestës së Zvernecit të një muaji më parë, ku një protestues u tërhoq zvarrë nga dy shtetas civilë.
E drejta për tubim paqësor garantohet nga neni 47 i Kushtetutës dhe neni 11 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Çdo kufizim i kësaj të drejte duhet të jetë i parashikuar me ligj, i domosdoshëm dhe proporcional, referuar nenit 17/1 të Kushtetutës dhe nuk duhet të cenojnë thelbin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe as të tejkalojë kufizimet e KEDNJ-së, referuar nenit 17/2 të Kushtetutës.
KShH vëren se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GjEDNJ) ka theksuar vazhdimisht se autoritetet shtetërore duhet të tregojnë një shkallë tolerance ndaj tubimeve paqësore dhe se forca është mjeti i fundit (Kudrevičius dhe të tjerë k. Lituanisë [DhM], 2015; Oya Ataman k. Turqisë, 2006). Tërheqja zvarrë dhe forca fizike ndaj protestuesve ngrenë shqetësime në raport me nenin 25 të Kushtetutës dhe nenin 3 të KEDNJ, të cilët mbrojnë dinjitetin dhe integritetin e personit. GJEDNJ ka ritheksuar se respektimi i dinjitetit njerëzor është thelbësor edhe në mënyrën se si autoritetet policore sillen me qytetarët (Bouyid k. Belgjikës [DhM], 2015).
KShH vlerëson se duke qenë se protesta prej rreth një muaji është zhvilluar në përgjithësi paqësisht, sikurse është pasqyruar gjerësisht edhe në median vendase e ndërkombëtare, çdo përdorim force duhej të ishte masë e fundit dhe rreptësisht proporcional, në përputhje me ligjin nr. 82/2024 "Për Policinë e Shtetit".
KShH u bën thirrje autoriteteve të garantojnë ushtrimin efektiv të së drejtës për protestë paqësore, të respektojnë standardet konventore dhe kushtetuese për përdorimin e forcës, të shmangen format e kufizimit të lirisë, dhe atëherë kur ato zbatohen si masa e fundit proporcinale, të sigurohet për çdo person të shoqëruar respektimi i garnacive ligjore procedurale. KShH i bën thirrje organit të prokurorisë të hetojë në mënyrë të pavarur e efektive çdo pretendim për përdorim të tepruar force nga protestuesit.
Njëkohësisht, KShH u bën thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve të ushtrojnë të drejtën e tyre paqësisht dhe të shmangin çdo veprim që përshkallëzon situatën.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar pas tensioneve në protestën e sotme të zhvilluar para Kuvendit, duke akuzuar Policinë e Shtetit për përdorim të dhunës ndaj protestuesve. Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa sjell në kujtesë episodin e fund-majit ku një protestues kundër investimit në Zvërnec u tërhoq zvarrë nga rojet private, akt që shkaktoi shumë zemëratë në popull dhe përbëu pikënisjen e protestave anti-qeveritare.
Duke shpërndarë pamje nga protesta, Zhupa shtroi pyetjen nëse policët dallojnë nga banditët e firmës private që dhunuan qytetarin në Zvërnec dhe insistoi se protesta është një e drejtë kushtetuese dhe policia duhet të garantojë rendin, jo të ushtrojë dhunë ndaj qytetarëve.
" Nga çfarë ndryshojnë këta policë nga banditët e firmës private në Zvërnec, të cilët ushtruan dhunë ndaj qytetarëve? Nëse njëri përdor uniformën e një kompanie dhe tjetri uniformën e shtetit, por të dy godasin njerëz të pambrojtur që protestojnë. Ku është ndryshimi? Për disa vezë të hedhura në shenjë proteste, Policia e Shtetit zgjodhi të përgjigjej me grushte, shqelma, tërheqje zvarrë dhe dhunë ndaj qytetarëve. Pamjet janë tronditëse dhe të papranueshme në një shtet demokratik. Protesta është një e drejtë kushtetuese. Policia ka detyrimin të garantojë rendin, jo të hakmerret ndaj qytetarëve. Kur përdoret forcë e pajustifikuar për të frikësuar këdo që ngre zërin kundër qeverisë, atëherë kemi të bëjmë me një polici kriminale që i shërben pushtetit dhe jo shtetit. As dhuna, as frika dhe as represioni nuk do ta zgjasin jetën e një pushteti që ka humbur besimin e qytetarëve. Historia e ka treguar se çdo qeveri që zgjedh forcën në vend të dialogut e afron fundin e saj.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka publikuar në faqen e tij në Instagram një fotografi ku duket Gentjan Progni duke goditur me vezë punonjësin e Policisë, gjatë protestës së sotme jashtë sallës së Parlamentit.
Balla ka shkruar krahas fotografisë së publikuar se Gentjan Progni është një shkelës i hershëm i ligjit, i cili sipas tij, tashmë sulmon edhe efektivët e Policisë së Shtetit.
Më tej Balla i ka cilësuar protestuesit që ishin sot jashtë Kuvendit dhe që shkaktuan tensione, si një bandë kriminale e terroriste.
Deputeti socialist ka theksuar se persona si Gent Progni, sëbashku me kryetarët e partive të vogla, po i përdorin protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë për interesa personale.
“Gentjan Progni, ky shkelës i shumëhershëm i ligjit, godet Policin e Shtetit
Janë kjo bandë kriminale dhe terroriste, bashkë me kryetarët e partiçkave me një anëtar dhe me të tijët që po e përdorin për interesat e veta këtë protestë”, ka shkruar Balla në faqen e tij në Instagram.
Dritan Goxhaj ka folur pasi lirimit nga qelia, ku u shoqërua për shkak të tensioneve dhe sulmeve me vezë në drejtim të makinave të deputetëve. Goxhaj tha se nuk u ushtrua dhunë nga policia ndërsa mbahej në komisariat.
“Thjesht u shoqëruam me dyshimin për kundërshtim punonjësve të policisë Vetëm kaq Sjellja e policisë në në komisariat ishte brenda normave etike njerëzore dhe që parashoi ligji Pra s'ka pasur asnjë akses një lloj gjëje Na u la telefoni për të lajmëruar familjarët ujë të gjitha mjetet e tjera Pra kjo ishte çdo sjellje ishte brenda normales Respekti ka qenë reciprok nga të dyja palët Nuk kemi pasur asgjë A ju morën juve në pyetje dhe a është atëherë Nuk ka nuk ka marrje në pyetje nga askush Askush nuk është marrë në pyetje por është dhënë vetëm deklaratë Pra si persona të shoqëruar atë që është parashel ligji që duhet të japësh një deklaratë vetëm kaq Nuk ka akuzë për askënd Pra nuk ka akuzë Vetëm për një person ka akuzë Edhe ai u lirua kurse pjesa tjetër janë vetëm të shoqëruar Ishin të shoqëruar dhe normalisht që çështje procedurash siç po e shihni po lirohen me radhë Pra nuk ka asnjë lloj Ju folët për respekt reciprok brenda komisariatit Po gjatë arrestimit edhe gjatë protestës mund të themi para kuvendit Gjatë arrestimit ka pasur pak dhunë të ushtruar nga policia drejt kundrejt disa të shoqëruarve Ajo vetëm në momentin e arrestimit”, tha Goxhaj.
Taulant Balla ka ndarë një video të protestuesve përpara Drejtorisë së Policisë të cilët kanë rrethuar Agron Shehajn duke i kërkuar llogari që s’ishte krah tyre në protestën para Kuvendit.
Në video, ndërsa protestuesit e pyesin dhe i thonë që të mos bëjë deklarat politike, Shehaj ‘ngec’ dhe u përgjigjet me zërin që mezi i dëgjohet se i kishin thënë të paraqitej te drejtoria. Protestuesi vlonjat dallohet teksa i thotë Shehajt të largohet nga protesta, duke theksuar se vlonjatët nuk harrojnë.
-Protestuesi: Kur ishte gjithë populli atje, pse nuk ishe me popullin? Pse nuk ishe me mua e të tjerët?
Agron Shehaj: Qetësohu mo zotëri!
-Protestuesi: Jam vlonjat unë! Nuk harrojmë ne! S’ka deklarata politike këtu!
Agron Shehaj: Më thanë hajde këtu...
--Protestuesi: Kush të tha? Kush?
-Protestuesi Kemi dalë që në mëngjes ne!
Krahas videos Balla shkruan, “Agron Shehajn e kapin protestuesit me vezë në duar dhe e bëjnë “për një lek”. Po ky as turp ka, burrëri dhe moral jo e jo”.
Policia ka liruar Dritan Goxhajn dhe 4 protestues pasi u shoqëruan pas përplasjeve te protesta te Kuvendit. Shkëlzen Buzi është një prej protestuesve të liruar. Ata janë pritur nga një grup qytetarësh të cilët janë mbledhur tek komisariati numër 1 në Tiranë.
Pas shoqërimit në Polici të gjashtë protestuesve, mes të cilëve edhe Dritan Goxhaj, disa protestues të tjerë u mblodhën para Komisariatit nr.1 të Policisë së Tiranës (ku qëndrojnë të ndaluarit), për të kërkuar lirimin e tyre.
‘Lironi çunat’ dhe ‘polici bespreme’ ishin disa nga thirrjet kryesore të protestuesve, që kërkonin para Komisariatit nr.1 në Tiranë lirimin e protestuesve të tjerë.
Më herët, po me të njëjtën kërkesë për lirimin e të shoqëruarve, protestuesit u mblodhën para Drejtorisë së Policisë të Tiranës.
Avokati i Popullit, Endri Shabani, vizitoi protestuesit e shoqëruar në polici pas përplasjes te Kuvendi. Shabani tha se janë të shqetësuar nga pamjet e shoqërimeve dhe se do të nisin hetim për sjelljen e policisë.
“Ne kemi nisur një hetim për sjelljen e Policisë së Shtetit. Arsyeja përse erdhëm këtu, ishte dh epër të parë a u garantohen të drejtat këtu, por para se të vinin këtu, ishin aty, dhe e drejta për të protestuar është e drejtë kushtetuese. Jemi shumë të shqetësuar për videot që kemi parë. Në vlerësimin paraprak është një sjellje shproporcionale e Policisë së Shtetit. Do ta hetojmë, dhe do rekomandojmë masa nga i pari të zinxhiri i fundit i vendimmarrjes. Kush e ka dhënë vendimin, si është bërë ndërhyrja, sepse e drejta kushtetuese për të protestuar nuk mund të kufizohet as nga sjellja e një punonjësi policie, as nga urdhrat e drejtuesve të policisë. Në këtë fazë, ato video janë jashtëzakonisht shqetësuese, prandaj ne erdhëm sot këtu.
Ne jemi çdo ditë në monitorim të protestës. Kemi patur vetëm nëj rast, ku një grup protestuesish kanë bërë ankesë te ne, të cilën e kemi ndjekur dhe po t’i pyesësh protestusit, çdo ndalim, sa herë kanë shkuar në komisariat, kanë shkuar me praninë e punonjësve të Avokatit të Popullit.”, tha Shabani.

Avokati i protestuesve, Gentian Serjani, thotë se gjashtë të shoqëruarit nga protesta përpara Kuvendit po mbahen në mënyrë të paligjshme nga policia. Ai thotë se nuk ka ende akuza ndaj tyre, ndërsa me ta janë takuar Avokati i Popullit dhe deputetët, pasi avokatët nuk janë lejuar.
“Gjashtë të shoqëruarit janë tek komisariati nr. 1. Deri tani policia nuk ka ngritur akoma një akuzë për ta sepse nuk ka asnjë shkelje ligjore. As ne avokatët nuk po na lënë t’i takojmë të shoqëruarit e protestës. Do të qëndrojmë këtu. Do bashkohen edhe familjarë të tjerë për të kërkuar që të lirohen se po mbahen në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme nga Policia e Shtetit”, tha Serjani.
Një incident u shënua gjatë protestës para Kuvendit me deputetin e PS, Tërmet Peçi. Ky i fundit doli nga Kuvendi, ndërsa protestuesit e irrituar e ndoqën nga pas me thirrjet “hajdut”, “nuk na përfaqësoni”.
Pasi policia shoqëroi 6 protestues, pasi sulmeve me vezë ndaj makinave të deputetëve, protestuesit janë mbledhur para drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ata dëgjohet të thërrasin në kor “arrestoni Ramën”.
Në ambientet e Policisë së Tiranës kanë mbërritur edhe deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
Report Tv sjell me video momentin kur Policia shoqëron disa prej protestuesve te Kuvendi. Ndërhyrja e policisë erdhi pasi qytetarët sulmuan me vezë disa prej makinave të deputetëve.
Por gjatë momentit të tensioneve, protestuesit shihet të sulmojnë me vezë dhe shishe uji edhe efektivët, ndërsa njërit prej tyre i heqin edhe kapelën.
Protestuesit kanë sulmuar me vezë makinat e deputetëve dhe minitsrave gjatë protestës te Kuvendit. Një prej tyre ishte edhe makina e Erion Braçes, siç shihet në këto pamje që sjell Report Tv, e cila duket e mbuluar nga vezë e shihe uji të hedhur në të. Sulmi i fundit me vezë ishte ndaj makinës së Braçes, ndërsa më pas policia ndërhyri për të shoqëruar disa prej protestuesve.
Policia ka ndërhyrë dhe ka shoqëruar disa protestues pasi sulmuan me vezë makinat e deputetëve dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar. Report Tv sjell momentin kur policët shoqërojnë edhe Dritan Goxhajn.
Automjeti i zv.kryeministres Albana Koçiu është qëlluar me vezë nga protestuesit sapo ka dalë nga Parlamenti.
Një grup protestuesish sulmuan me vezë një makinë që po dilte nga Kuvendi. Në këtë pamje që sjell Report Tv dallohet momenti kur ata lëshojnë vezët apo shishe uji në drejtim të makinës.
Forcave të Policisë u janë bashkuar dhe ato të FNSH në protestën te Kuvendi. Tensione ka pasur përsëri teksa policia në kordon ka shtyrë protestuesit me qëllim largimin e tyre nga hyrja e Parlamentit.
Policia ka larguar protestuesit nga hyrja e godinës së Parlamentit duke i hapur rrugë kalimit të ministrave dhe deputetëve, të cilët me automjetet e tyre, kanë lënë ambientet e Kuvendit. Gjatë këtij momenti ata kanë hedhur dhe vezë në drejtim të makinave.







