Kuvendi miraton me 87 vota
ligjin për Organet e Drejtësisë

Kuvendi miraton me 87 vota<br />ligjin për Organet e Drejtësisë
Kuvendi ka miratuar me 87 vota ligjin për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë, i mbartur në Kuvend prej katër seancash, në pritje të konsensusit të opozitës.
 
Ky ishte ligji i shtatë i paketës prioritare të reformës në drejtësi, miratimi i të cilit kompleton kështu reformën.
 
Opozita nuk mori pjesë në votim, pasi më herët kërkoi përmes Oerd Bylykbashit shtyrjen e ligjit, me pretendimin se deputetët nuk janë njohur me amendamentet e reja. Mhill Fufi i ishte i vetmi nga radhët e demokratëve që votoi pro projektligjit, pavarësisht vendimit të grupit parlamentar demokrat.   
 
"Janë 104 amendamente që nuk janë shqyrtuar nga deputetët. Duhet të ishin depozituar në Kuvend 24 orë përpara seancës. 104 amendamentet e deputetëve hedhin poshtë punën e komisioneve. Të shqyrtohen sipas rregullores. Do ishte e papërgjegjshme të kalonte ligji me ndryshime të rrufeshme në momentin e fundit. Këto amendamente, të bëra nga një deputet më pak se 24 orë përpara seancës, pa i dhënë kujt mundësi të bëjë debat", u shpreh Bylykbashi.  



Nga ana e tij, kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj, u shpreh se amendamentet janë punuar me ekspertë të EURALIUS dhe OPDAT, mbledhje në të cilat siç theksoi ai, përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi ka munguar, duke refuzuar të negociojë mbi amendamentet.  
 
"Opozita nuk votoi dy ligjet e mëparshme, edhe pse ishim dakordësuar në komisionin e ligjeve, ka paraqitur propozime, janë marrë në shqyrtim, e nuk i votoi ligjet. Sa i takon projektligjit, besoj është në kujtesën e fiksuar në procesverbalet e kësaj seance, ju në seancën e kaluar keni kërkuar shtyrjen e shqyrtimit të këtij projektligji, për t'i dhënë mundësi opozitës të përfshihej në një proces reflektimi. Gjatë këtyre javëve, z.Bylykbashit i është kërkuar të bëhej pjesë e kësaj negociate. Ai ka refuzuara të marrë pjesë për të negociuar amendamentet. Ka qenë një kërkesë permanente e partnerëve ndërkombëtarë. Sot, amendamentet që janë paraqitur, janë amendamente të punuara me ekspertë të EURALIUS e OPDAT, në të cilat ka munguar z.Bylykbashi. Por, në funksion për të pasur konsensus, kemi arritur në këto amendamente të cilat nuk janë 104, por replikohen gjatë nenit. Janë të njëjta, por për institucione të ndryshme bëhen copy-paste", tha Xhafaj.  
 
Me miratimin e këtij ligji, reforma në drejtësi, e miratuar me konsensus seancën e 21 korrikut, kompletohet bashkë me projektligjet. Megjithatë, funksionimi i saj do të varet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ligjin e vettingut, të cilin e pezulloi dy javë më parë, ndërsa i është drejtuar Komisionit të Venecias për një opinion përfundimtar. Miratimi i këtij ligji nga Kuvendi mbart dhe specifikë politike, pasi mazhoranca tregoi dhe njëherë tjetër se i ka numrat në Kuvend. Edhe ligjet e tjera u votuan me mbi 84 vota dhe më konkretisht, ligji për Sigurimet Shoqërore u miratua me 88 vota, Kodi i Procedurës Civile, me 88 vota, Kodi Civil me 87 vota si dhe ligji për Procedurat Tatimore u miratua me 86 vota. 

Ndërkohë, rezoluta për dënimin e krimeve të komunizmit u votua unanimisht. Rezoluta shpreh mirënjohjen e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e përfaqësuesve të klerit në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut. Nisma synon të zbardhen krimet e tmerrshme ndaj klerit, torturat, dhe ekzekutimet e tyre.

Hysi: Me këtë ligj fillon ngritja e institucioneve të drejtësisë
 Deputetja socialiste Vasilika Hysi prezantoi për mediat ndryshimet në ligjin për Organet e Drejtësisë. Ajo tha se ndryshimet janë bërë për KLGJ dhe KLP. Ngrihet komisioni i posaçëm ad hoc që do të jetë filtri për seleksionuar kandidaturat që duan të jenë anëtarë të institucioneve të reja të drejtësisë.
 
"Është projektligji më i rëndësishëm. Më këtë ligj fillon ngritja e institucioneve të organeve të sistemit të drejtësisë. Me këto 7 ligje, baza e reformës është hedhur. Me këtë ligj fillojmë të ngremë institucionet", u shpreh Hysi.  
 
 Duke komentuar pretendimet e opozitës, Hysi tha se PD të kishte paraqitur amendime për ligjin dhe koha prej 4 javësh e vënë në dispozicion, ka qenë për të dakordësuar këtë ligj, tha ajo.  
 
"Unë jam ajo që i paraqita në seancë amendamentet. Falenderoj të gjithë ekspertët që punuan për të përgatitur këto amendamente, misionet ndërkombëtare, ambasadën e SHBA, zyrën e Brukselit, e një falenderim i veçantë për të gjithë deputetët", tha Hysi.  



OPDAT e EURALIUS ndryshojnë ligjin për Organet e Drejtësisë 
Përfaqësuesit e EURALIUS dhe OPDAT kanë reflektuar ndryshime në ligjin për Organet e reja të Qeverisjes Gjyqësore. 

Sipas ligjit të ri, ngrihet një Komision ad hoc për filtrimin e kandidaturave për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, përpara se kandidaturat të kalojnë në Kuvend.

Më parë, kandidaturat kalonin nga Dhomat e Avokatisë, Noterëve dhe Juristëve, ku filtroheshin dhe zgjidheshin 5 anëtarë nga 10 kandidatura të mundshme.  

Kurse aktualisht, kush është i interesuar i dorëzon dokumentet te Komisioni që bën filtrimin dhe ia përcjell Kuvendit. 

Opozita kërkon që të gjithë kandidatët të dorëzojnë CV-të në Kuvend. Por kjo formulë u kundërshtua nga mazhoranca me pretendimin se kandidaturat mund të ishin të shumta në numër.
 
Do të jetë komisioni ad hoc i kryesuar nga Avokati i Popullit, ai që do të administrojë dosjet e aplikantëve. Pasi kandidaturat filtrohen nga ky komision, i përcillen Kuvendit për votim dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj për KLGJ dhe KLP. 

euralius

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Australi, program kundër izolimit social

Australi, program kundër izolimit social