Parlamenti po debatonte prej orësh për aktin normativ të qeverisë për tubimet, që kishte hyrë në fuqi më 29 tetor, kur Gjykata Kushtetuese njoftoi se kishte pezulluar zbatimin e pikës që parashikon gjobën prej 5 mijë lekësh për bllokimin e rrugëve gjatë protestave.

Deputetët e opozitës kërkuan në kor ndërprerjen e shqyrtimit të aktit normativ.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të lexohet si një paralajmërim serioz. Ju nuk mund të miratoni me akt normativ atë që Kushtetuta e ndalon”, tha Tedi Blushi.

“Këto akte janë pezulluar. Është në nderin e këtij Parlamenti që të mos çojmë përpara diskutimet për dy akte të pezulluara në Gjykatën Kushtetuese. A ka mundësi që të ndalojë diskutimi, që një herë të vetme të zbatoni një vendim të Gjykatës Kushtetuese?”, tha Jorida Tabaku.

“Dekretet e qeverisë ose miratohen siç janë dhe nuk mund të ndryshohen në asnjë nen, çka do të thotë se ky dekret i hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese nuk mund të shqyrtohet në Parlament. Nuk ka tagër Parlamenti”, tha Sali Berisha.

Por për kryetarin socialist të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja opozita thjesht po abuzonte me interpretimin e vendimit të Kushtetueses

“Është e pavërtetë që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar zbatimin e aktit normativ. Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për kalimin e çështjes në seancë plenare për ta shqyrtuar dhe ka pezulluar pikën lidhur me gjobat për bllokimin e rrugës, me arsyetimin që ka formulim të përgjithshëm dhe paraqet paqartësi në zbatimin e saj nga organet kompetente. Deri në shqyrtim, vetëm kjo pikë do të pezullohet”, tha Manja.

Përplasja për vendimin e Kushtetueses erdhi pas disa orësh debat për aktet normative. Socialistët akuzuan PD-në se nuk u distancua nga sulmet me molotovë ndaj punonjësve të policisë. Taulant Balla tha se personat që hodhën molotovët u strehuan në selinë e PD-së, ndërsa demokratët akuzuan policinë për dhunë ndaj protestuesve në tubime dhe në komisariate.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:15
“U fute në lice duke pikturuar makinën e diktatorit”- Gonxhja përplaset me Berishën: O zhele e rëndomtë, kam vizatuar që 3-vjeç! Enver Hoxhës i kam dhuruar portretin e Qemal Stafës (VIDEO)

 

Kryedemokrati Sali Berisha dhe ministri i Kulturës Blendi Gonxhja, janë përfshirë në replika të ashpra në Kuvend ditën e sotme.

Gjithçka nisi pas akuzave të Berishës, i cili tha se Gonxhja ka hyrë në lice pa meritë, por pasi sipas kreut të PD, i ati i tij dorëzoi te diktatori Enver Hoxha një pikturë të 'Mercedesit' të tij. Berisha tha se piktura u supozua se ishte realizuar nga Gonxhja, asokohe në moshë të vogël dhe për këtë sipas tij shkruajtën edhe gazetat e kohës.

Kjo sipas Berishës e detyroi liceun e arteve që ta pranonte Gonxhen. Duke akuzuar Gonxhen në Kuvend, për ta përforcuar tezën e tij, Berisha lexoi në tablet edhe mesazhin e një 'qytetari dixhital' për këtë histori.

“Edhe ky këtu, më fal se do lexoj pak se si u bë piktor ky. Dëgjojeni pak, prisni tani, dëgjoni pak këtu. ‘Doktor, si shkoi Blendi Gonxhe në lice për pikturë se piktor nuk u bë asnjëherë’. Do e lexoj këtu pak, se është shumë e bukur. ‘Doktor, në vitin e largët 1976, Enver Hoxha shkoi në Gjirokastër dhe të nesërmen e arritjes do të takohej me popullin.  Agimi, ish-shefi i shëndetësisë i divizionit, do të ishte në rreshtin e parë. Ai i thotë djalit: Blendi, i cili ishte 8 vjeç dhe shkonte në rrethin e pikturës në Shtëpinë e Pionerit, Blendi vizatoje makinën e xhaxhit Enver. Blendi në një letër format 4 e vizatoi një Mercedes dhe vuri targën.

Të nesërmen, Agimi, i ati, ulur në rreshtin e parë, e shtyn Blendin dhe i thotë, ik tregoja pak xhaxhit Enver vizatimin. Blendi shkoi dhe shoku Enver, si gjigant që ishte, i thotë Agimit, dhe Agimi se kishte frikë se mos ishte i deklasuar, Agimi i thotë i imi shoku Enver, me shumë krenari për të’. Por kur ky shkoi dhe u paraqit në konkurs në lice, e rrëzoi juria. Dhe tani si hyri? Hyri duke dërguar gazetat që shkruajtën se Blendi vizatoi makinën e xhaxhit Enver”, tha mes të tjerash Berisha.

Gonxhja i kundërshtoi deklaratat e Berishës dhe tha se në lice ishte futur me meritë. Ministri deklaroi se veç pasionit për të pikturuar makina, që theksoi që e kishte që 3 vjeç, i kishte dhuruar Enver Hoxhës në moshën 8-vjeçare një portret të Qemal Stafës. Sali Berishën, Gonxhja e quajti një sekretar të rëndomtë partie që sipas tij, e ka dëmtuar Shqipërinë për 37 vite.

“Unë kam vizatuar që 3 vjeç, prandaj në Lice nuk mund të hyja me mik. Kisha pasion të vizatoja makinat. Benzi që vinte në Palorto në atë kohë ka qenë fiksim i një fëmije dhe sigurisht që e kam vizatuar. Një benz… unë nuk kam asgjë për të fshehur në jetë, sepse po ju tregoj historinë e një fëmije 8 vjeç. Një portret i Qemal Stafës ka dalë edhe në revistën pioneri, sepse ka qenë një portret shumë i bukur që unë në 1978 ia kam dhuruar Enver Hoxhës. Një fëmijë 8 vjeç nuk e dinte në atë kohë që ishte diktator. Edhe kush na tregon këtu, një sekretar partie i rëndomtë. Një zhele, një plak matuf që prej 37 vitesh nuk i shporret këtij vendi nga sytë. Por për respekt të qytetarëve, Gonxhja ka hyrë në lice dhe në akademine e arteve me meritë. Një artist që është marrë me jetën e vet dhe nuk i ka hyrë kurrë në hak askujt”, tha mes të tjerash Gonxhja.

Ora 18:36
Manja akuza Shehajt: A ke blerë dhe këmbyer kriptovaluta përmes Call Center? Shigjeton edhe Kaprin: Di veç t’i mbash çantën Agronit e t’i çosh byrekë (VIDEO)

 

 

 

 

Ulsi Manja e pyeti në Kuvend kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, nëse kishte blerë dhe këmbyer kriptovaluta në kuadër të aktivitetit të tij. Ai i kërkoi gjithashtu që në protestën e 28 nëntorit t’u shpjegonte qytetarëve se si e kishte blerë një vilë për 2 milionë euro dhe e kishte rishitur për 15 milionë euro brenda tre muajsh.

Bëhet fjalë për vilën në Forte dei Marmi, në Itali, për të cilën Shehaj është kallëzuar në SPAK për pastrim parash. Në deklaratën e pasurisë të vitit 2021, vila figuronte me vlerën 2,9 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 Shehaj deklaroi se e kishte shitur për 15 milionë euro.

Ulsi Manja-Agron Shehajt: Nuk dola këtu për Agron Shehajn, por dola në respekt të protestuesve, sepse kanë shansin që me datë 28 nëntor ta pyesin Agron Shehajn si është historia që e bleu vilën 2 milionë euro, e shiti 15 për 3 muaj, dhe fitoi 13 milionë euro. Më 28, jam shumë kurioz ta di a do u tregosh atyre protestuesve që i ke thirrur aty, ata punonjësit e tu të call centerave këtë truk ekonomik?

Kam një pyetje tjetër, a ke blerë dhe këmbyer kriptovaluta ti në aktivitetin tënd se ne dijeninë time me sa më thonë ti nuk ke konkurrent në këtë fushë. Mos vallë në ato e-mailet e ambasadës amerikane dhe atje ku ishin provat digjitale ka mbetur ndonjë cep i historisë tënde kur erdhe për të bërë biznes në Shqipëri me paratë e s’dihet se kujt ke ardhur, se dhe kjo do jetë e fshehur atje

Këto pres unë që me datë 28 ti t’ia tregosh protestuesve. Se kur ke ardhur këtu si deputet rishtas nuk dije as shqip o Gone, shqip. Gjuhën shqipe e ke mësuar këtu duke mashtruar qytetarët shqiptarë, merr lekë e ço në Itali. Këto mos harro ti me datë 28, të tjerat shohim e bëjmë.

Në debat ndërhyri edhe deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i cili e akuzoi Manjën se po përdorte kallëzimin për të shantazhuar deputetët dhe i përmendi përgjimet e dosjes së Dibrës. Manja iu përgjigj me ironi, duke i thënë Kaprit se e vetmja punë që di të bëjë në politikë është “t’i mbash çantën Agronit dhe t’i çosh byrekë te zyra kur është i përjashtuar nga Kuvendi”.

Erald Kapri: E pabesueshme çfarë po ndodh në këtë Kuvend, se si përfaqësuesit e kësaj mazhorance janë gati të shpallin autokraci të hapur. Vjen Manja dhe thotë: ‘Pavarësisht se çfarë vendos gjykata, ne jemi parlament dhe bëjmë çfarë të duam.’ Kur ta thotë këtë Manja, që është kapur në përgjime duke folur me mafiozë në dosjen e Dibrës, hajde ndaje këtë gjë. Në fakt, paria e Dibrës ka pasur një shprehje, Ulsi: ‘Në të mallkoftë njeri, kurrë mos përfundofsh një Ulsi.’

Si mund të dalë kreu i Komisionit të Ligjeve dhe të shantazhojë një deputet? Merresh ti me kripto? Tentoni të na shantazhoni me padi, një padi që e keni paguar sa një kullë. Nuk do t’ia dilni dot. S’keni për t’ia dalë dot. Duhet të shqetësohesh se po bëhen hetime.

Ti mendon se do t’ia hedhësh me ato përgjimet? ‘Mo nalt.’ ‘Më çoni në Bulqizë të kontrolloj kromin’, dhe Ulsiu thotë: ‘Kaq është pak, mo nalt, me burrë.’ Jo vetëm që je mediokër, por je edhe i kapur. Është turp i shqiptarëve që ke qenë ministër. Jo vetëm që je i kapur, por edhe banal. Një ish-ministër i Drejtësisë thotë këtu: ‘Nuk na duhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.’ Me shantazhe nuk ia dilni dot.

Manja - Kaprit : Të të marrësh ty seriozisht që të vetmen punë në politikë që di të bësh është t’i mbash çantën Agronit dhe t’i çosh byrekë te zyra kur është i përjashtuar nga Kuvendi, është sikur të kesh dy fundshpine që ta mbash e një ta çash, ik or djalë shiko punët e tua se më 28 nëntor nuk do të të marrin seriozisht as ata që ke në shtëpi, jo më qytetaria e Tiranës, ty dhe Shehajt nuk iu merr njeri seriozisht, këtë e di mirë unë

Ora 18:18
“O luan, je pedagog, si mund të thuash ‘do djeg Ministrinë e Arsimit?’”- Berisha përplaset me Braçen: Shko vish fustanin e Elisa Spiropalit, se ajo meriton ato të tjerat (VIDEO)

 

Kryedemokrati Sali Berisha dhe deputeti socialist Erion Braçe janë përfshirë në replika të ashpra në Kuvend, lidhur me protestat e zhvilluara në Tiranë kundër Qeverisë.

Braçe, duke e quajtur Berishën me ironi një ‘luan’, i përmendi ish-kryeministrit thirrjet e protestuesve në Tiranë ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’.

“Luanin që sapo degjova nuk arrij ta kuptoj pse këtu nuk thërret ‘Rama në burg Berisha në burg’, por e bën atje, dhe këtu nuk e bën. Cila është arsyeja që një luan trim nuk bërtet edhe këtu? Ky është një problem moral. Si mundet një pedagog të vijë këtu të thotë ‘po do ta djeg ministrinë e Arsimit se e dua’, ky është një problem i madh moral. Dhe të thuash që me 28 nëntor protesta është madhështore kur ajo nuk ka ndodhur është një problem logjik që nuk më rri”, tha mes të tjerash Braçe.

Nga ana tjetër, Berisha e ‘këshilloi’ Braçen që të veshë fustanin e Elisa Spiropalit. Kryedemokrati tha se Qeveria po ndryshon formën e trotuarëve, vetëm që protestuesit sipas tij, mos të përdorin pllakat e trotuareve për të sulmuar institucionet.

“Kam vetëm një këshillë, shko e vish fustanin e Elisës, se ajo meriton ato të tjerat. Me ty e kam. Mos provokoni qytetarët, keni filluar provokacione të ulëta, ju fyeni qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë. Çfarë do të thotë kjo ngritja e trotuarëve që po bëni? Keni frikë se protestuesit do marrin pllakat e trotuarëve. Pse i provokoni protestuesit, ata kanë qenë paqësor. Pse po çoni kudo trotuaret? Po e bëni për të nxitur dhunë, por çmimin më të lartë ju do e paguani. Ngrini trotuarët tani. Nëse ndonjë nga vajzat apo djemtë e protestës zgjedh pemë për të hedhur vezë, do prisni pemët e Tiranës? Ndaloni urgjentisht ngritjen e trotuarëve, mos prekni trotuarët”, tha Berisha.

Ora 18:02
Pezullimi i gjobave për bllokimin e rrugëve, Manja i përgjigjet Tabakut: Kushtetuesja nuk pengon Kuvendin të shqyrtojë aktin normativ! Më 28 nëntor festojmë pavarësinë, jo përçarjen (VIDEO)

 

Deputeti socialist Ulsi Manja i është përgjigjur demokrates Jorida Tabaku, e cila kërkoi ndërprerjen e diskutimeve për aktet normative pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e gjobave për bllokimin e rrugëve gjatë protestave. Manja sqaroi se Kuvendi ka kompetencën kushtetuese për të shqyrtuar aktin normativ brenda afatit 45-ditor, ndërsa theksoi se Gjykata ka pezulluar vetëm dispozitën që parashikon gjobat për bllokimin e rrugëve dhe jo të gjithë aktin normativ.

"Duhet të jemi të qartë nuk ka vendim gjykate që pezullon kuvendin të ushtrojë kompetencat sipas kushtetutës, që do të thotë ky kuvend ka komptentecë kushtetuese të shqyrtojë aktin normativ të këshillit të ministrave, brenda afatit 45 ditor. Është e pavërteta që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar zbatimin e aktivit normativ. Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për kalimin e çështjes në seancë plenare për ta shqyrtuar, dhe ka pezulluar pikën lidhur me gjobat për bllokimin e rrugës, me arsyetimin që ka formulim të përgjithshëm dhe paraqet paqartësi në zbatimin e saj nga organet kompetente. Deri në shqyrtim, vetëm kjo pikë do të pezullohet. Por kur nuk përbën vepër penale, se kur përbën vepër penale ka një kod Rrugor për bllokimin e rrugës. Ky është vendimi sot, këto të tjerat janë retorike politike për të rritur adrenalinën e protestës në 28 nëntor. Por në më 28 nëntor ne do festojmë pavarësinë - jo përçarjen" tha Manja.

Ora 17:59
Paketa antidhunë/ Berisha në Kuvend: Parlamenti s’mund të shqyrtojë një akt normativ të pezulluar nga Kushtetuesja, kjo është asgjësim i ndarjes së pushteteve (VIDEO)

 

Në Kuvend, ku po diskutohen aktet normative të Qeverisë, pjesë e paketës anti-dhunë për protestat, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur në Kuvend se Parlamenti nuk mund të shqyrtojë një akt ligjor të pezulluar nga Gjykata Kushtetuese.

Fjala e Berishës vjen pasi më herët Gjykata Kushtetuese vendosi që të pranojë pjesërisht kërkesën e studentëve dhe të pezullojë pikën 2 të aktit normative nr.5, për gjobat për bllokimin e rrugëve në protestë.

“Na parimin themelor të ndarjes së pushteteve, në asnjë rrethanë Parlamenti nuk mundet të shqyrtojë një akt ligjor të pezulluar nga Gjykata Kushtetuese. Kjo përbën një asgjësim të ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë apo autonomisë së pushtetit gjyqësor.

Dekretet e qeverisë ose miratohen siç janë dhe nuk mund të ndryshohen në asnjë nen, ç’ka do të thotë ky dekret i hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, nuk mund të shqyrtohet në parlament, nuk ka tagër parlamenti.

Është një nen tjetër i Kushtetutës që garanton votimin, të tërë ose asgjë, të dekreteve të qeverisë. Nuk i lejon parlamentit të ndryshojë dekretin.

Duhet t’i nënshtrohemi vendimit të Gjykatës Kushtetuese që nenin 5 pikën 2 e pezullon. Ju keni shpallur një armiqësi të egër, mendoni mirë se kjo armiqësi e egër që shpallni ndaj tyre mbart në vete shpërthime për të cilat do jeni shumë përgjegjës. Dekreti nuk mund të kalojë në parlament në momentin që gjykata ka pezulluar një nen të tij”, tha mes të tjerash Berisha.

Ora 17:58
Kushtetuesja pezulloi gjobat për bllokimin e rrugëve në protesta, Tabaku kërkon ndërprerjen e diskutimeve në Kuvend për aktet normative: Po ndryshoni Kushtetutën me to! (VIDEO)

 

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e gjobave për bllokimin e rrugëve gjatë protestave u mirëprit nga deputetja demokrate Jorida Tabaku në Kuvend, ku po diskutohet miratimi i buxhetit për vitin 2027. Tabaku i kërkoi drejtueses së seancës, Evis Kushi, të ndërpresë diskutimet për aktet normative.

"Këto akte janë pezulluar. Është në nderin e këtij parlamenti që mos të ccojmë përpara diskutimet për dy akte të pezulluara në Gjykatën Kushtetuese. Ju kërkuam që mos të miratohen në parlament. Pezullimi i bën nul këto akte. Tu ofrojmë qytetarëve një proces transparent. Po ndryshoni të drejtat themelore të njeriut. A ka mundësi që të ndalojë diskutimi, që një herë të vetme të zbatoni një vendim të Gjykatës Kushtetuese. A e kuptoni që po ndryshoni Kushtetutën me akt normativ?" tha ajo. 

Ora 17:52
Kushtetuesja pezulloi nenin për gjobat për bllokimin e rrugëve, Blushi: Nuk mund të miratoni me akt normativ atë që Kushtetuta e ndalon (VIDEO)

 

Kreu i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, reagoi në Kuvend pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pikës së nenit që parashikonte gjoba për bllokimin e rrugëve.

Blushi e cilësoi vendimin si një paralajmërim serioz për qeverinë, duke theksuar se protesta dhe kritika nuk mund të ndëshkohen me gjoba dhe se i njëjti standard ligjor duhet të zbatohet edhe për Policinë e Shtetit.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të lexohet si një paralajmërim serioz. Ju nuk mund të miratoni me akt normativ atë që Kushtetuta e ndalon. Sigurisht që dhuna nuk duhet të tolerohet, pasi çdo akt dhune duhet të hetohet dhe të ndëshkohet sipas ligjit. Por i njëjti standard duhet të zbatohet edhe për Policinë e Shtetit. Një qeveri që nuk e duron dot protestën dhe që i përgjigjet kritikës me gjoba, duhet të kuptojë se problemi nuk qëndron te qytetarët, por te raporti që pushteti ka me të drejtat themelore të njeriut"- tha Blushi.

Ora 15:48
A i organizoi PD aktet e dhunës në protestë? Korreshi ironizon Demon: Ktheje kasetën e Asamblesë së PS-së, akuzonit njëri-tjetrin për 300 mijë lekë për hedhje guri (VIDEO)

 

Deputeti demokrat Saimir Korreshi iu përgjigj me ironi ministrit të Brendshëm Ervin Demo, i cili pyeti nëse PD-ja ishte përfshirë në organizimin e grupeve për të ushtruar dhunë në protesta. Korreshi i tha ministrit të “kthente kasetën” e Asamblesë së PS-së, ku, sipas tij, socialistët akuzuan njëri-tjetrin për 300 mijë lekë për hedhje guri.

“Pyetjes sate nëse PD-ja është organizatore, përgjigjen ia ke në Asamblenë e PS-së, ku akuzoni njëri-tjetrin për 300 mijë lekë për hedhje guri. Ktheje kasetën e Asamblesë dhe do ta gjesh përgjigjen”, tha Korreshi.

Ora 15:40
200 minorenë të ndaluar gjatë protestave, Demo: U përdorën për akte dhune, e turpshme! Pyet sërish PD: A e organizuat ju dhunën? (VIDEO)

 

Ministri i Brendshëm Ervin Demo tha në Kuvend se mbi 200 protestues të ndaluar ishin të mitur dhe se, nga pak më shumë se 300 të lënduar gjatë protestave, mbi 200 ishin punonjës policie. Demo e cilësoi përdorimin e të miturve në akte dhune një kambanë alarmi dhe u kërkoi forcave politike ta dënojnë.

“Janë ndaluar mbi 200 protestues që kanë qenë të mitur. Kjo është një kambanë alarmi për një fenomen që është tejet i rrezikshëm. Është e pafalshme që grupe të caktuara, edhe politike, i përdorin të miturit për të mbuluar aktet e dhunës. Është vërtetuar edhe në procese gjyqësore se të mitur të caktuar janë paguar për të ushtruar dhunë në protestë.

Nëse do të kishte një gjë që do t’i bënte bashkë të gjitha forcat politike, do të ishte refuzimi me neveri i kujtdo që përdor të miturit për të kryer akte dhune. Asnjë i mitur nuk e ka vendin në protesta të dhunshme. Ata duhet të jenë në bankat e shkollës, nën kujdesin e mësuesve dhe të familjes. E shoh tejet shqetësuese që nuk dëgjojmë asnjë nga partitë e opozitës ta dënojë këtë veprim.

Nga pak më shumë se 300 të lënduar, mbi 200 kanë qenë punonjës policie. Ky është një fakt shqetësues, sepse kolegët çohen në foltore, flasin për vizitat që bëjnë në spitale dhe kërkojnë që të jetë i gjithë shteti aty. Unë kam qenë çdo natë në spital dhe s’e kam bërë publike. Disa deputetë shkojnë për të bërë videon e radhës dhe shkojnë vetëm te protestuesi. Askush nuk shkon te polici. Kjo nuk mund të jetë një shfaqje”, tha Demo.

Në fund, Demo i drejtoi sërish pyetje Partisë Demokratike, nëse ka qenë ajo organizatore e akteve të dhunës. 

Ora 15:25
Ministrja Ismaili: Opozita në grahmat e fundit, për karriget e humbura po nxjerr si mish për top edhe të miturit (VIDEO)

 

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili reagoi sot në Kuvend  duke e akuzuar opozitën për nxitjen e dhunës në protesta, instrumentalizimin e të miturve dhe përhapjen e të pavërtetave për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Ismaili deklaroi se dhuna nuk mund të trajtohet me standarde të dyfishta, duke denoncuar atë që e cilësoi si një dhunë të koordinuar në sheshe dhe në rrjetet sociale, në funksion të interesave për pushtet.

“Dhuna ka vetëm një perceptim, ka vetëm një emër, që është dhunë. Nuk mundet dot që të justifikohet dhuna as në sheshe, as online”, u shpreh ministrja.

Duke iu përgjigjur deputetëve të opozitës për të miturit e lënduar gjatë protestave, Ismaili vuri në pikëpyetje përgjegjësinë njerëzore dhe institucionale të organizatorëve.

“Po si mundet dot të vini me krenari këtu të lexoni një listë të tërë emrash minorenësh? Pak njerëzillëk nuk e keni?”, deklaroi ajo.

Ministrja denoncoi dhe pengimin e studentëve që kanë zgjedhur të vijojnë procesin mësimor në universitete, duke mbrojtur veprimet e Policisë së Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë.

“Ku është parë që huliganë protestues të shkojnë dhe të nxjerrin me dhunë studentë nga auditoret vetëm sepse nuk e pranokan dot që studenti shkon në universitet për të mësuar?”, tha Ismaili.

Në përfundim të fjalës së saj, Ismaili tha “në grahmën e fundit është një opozitë e cila ka humbur zgjedhje të lira e të ndershme dhe që për karriget e veta të munguara është gati të nxjerrë si mish për top edhe të miturit, ndër të tjera, dhe që është gati të vijojë të tentojë të bëjë të ardhmen e Shqipërisë kurban për gjithë dështimet madhështore që ka patur ndër vite.”

Ora 14:31
Protesta e 28 nëntorit/ Manja ironizon PD-në: Ne kemi Ditën e Pavarësisë, ju mbase doni të festoni përvjetorin e tortës së Lulit (VIDEO)

 

Deputeti Ulsi Manja tha se akti normativ për tubimet nuk ndëshkon protetsën paqësore, por aktet e dhunës që duhet të marrin ndëshkim. Manja tha se jo vetëm protesta në tetor, por edhe ajo e qershorit e organizuar nga “flamingot” ka qenë edhe më e dhunshme, me linçime publike ndaj qytetarëve që nuk iu bashkuan tubimeve. Ironi pati edhe me opozitën për protestën e thirrur me 28 nëntor, Ditën e Pavarësisë, së cilës opozita ka deklaruar se do t’i bashkohet. “Ne e kemi Ditën e Pavarësisë, po ju mbase doni të festoni përvjetorin e tortës së Lulit”, iu tha Manja demokratëve.

“Nuk ndëshkohet protesta paqësore, por dhuna. Protestat e qershorit kanë qenë më të dhunshme, sepse u shoqëruan me dhunë psikologjike, me linçim publik, personal dhe familjar të kujtdo që nuk mendonte si protestuesit. Një grusht njerëzish i dhanë të drejtë vetes të përcaktonin se kush ishte patriot dhe kush ishte armik, kush duhej të jetonte dhe kush duhej të vdiste.

Kësaj gjuhe urrejtjeje, këtij helmi që prodhuan protestat e qershorit, nuk i shpëtoi askush, as personat publikë, as qytetarët e zakonshëm që u distancuan nga protesta, që nuk mendonin si këta që protestonin. Nuk e di nga e morën urdhrin, nga lart mbase, që këta ishin shumica në këtë vend.

Protesta si ato të qershorit dhe të tetorit dështuan, sepse qytetaria e Tiranës dhe e Shqipërisë nuk është dakord me dhunën në këtë vend. Edhe për atë të paralajmëruar më 28 nëntor, këtu do të jemi dhe do ta shohim nëse qytetari do t’i bashkohet apo nuk do t’i bashkohet. Ju doni ta ktheni në ditën e përçarjes. Ne e kemi Ditën e Pavarësisë, po ju mbase doni të festoni përvjetorin e tortës së Lulit. ”, tha Manja.

Ora 14:21
Akti normativ për tubimet, Zhupa: Gjobat janë antikushtetuese! Do t'i merrni mbrapsht me 10-të fish më shumë urrejtje dhe rebelim (VIDEO)

 

Nga foltorja e Kuvendit, Ina Zhupa i cilësoi gjobat për protestën si antikushtetuese. Zhupa replikoi edhe Ballën ku u shpreh se është një turp të vish në Kuvend për të votuar një paketë antikushtetuese.

"S'ka turp më të madh pasi ke bërë aktet më barbare dhe të vish këtu për të votuar një pakte. Sillni paketa antkushtetuese në emër të Ramës për protestuesit. Në cilin model e keni gjetur që ju ndalohet njerëzve të rrinë në grupe? Ku e keni gjetur ju që vendosni gjoba 5 milionë pse po kalon në rrugë apo pse po ngre flamurin shqiptar?

Kjo ekziston në shoqëritë komuniste. Ato janë antikushtetuese dhe do t'i merrni mbrapsht me 10-të fish më shumë urrejtje dhe rebelim. Sipas të dhënave të agjencisë suaj nuk keni identifikuar policët që thyen këmbët, çanë kafkat. Sot ju nuk përfaqësoni askënd, sot ju përfaqësoni vetëm një grusht.Gjobën më të madhe do ta merrni në zgjedhjet e ardhshme", tha Zupa.

Ora 14:15
Balla i kujton opozitës masakrën e 21 janarit: Flisni ju për dhunë në protesta? Qëlluat me plumba në mish protestuesit! Të hetohet i gjithë zinxhiri komandues (VIDEO)

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i kujtoi opozitës vrasjen e katër protestuesve më 21 janar, ndërsa në Kuvend diskutohej akti normativ për tubimet, që parashikon gjoba për aktet e dhunës gjatë protestave. Balla akuzoi PD-në se kishte strehuar në selinë e saj personat që hodhën molotovë ndaj policisë dhe se kishte paguar persona që, sipas tij, vodhën biznese gjatë protestave.

Me ironi, Balla i tha opozitës se nuk mund të flasë për dhunën në protesta kur më 21 janar protestuesit u qëlluan me plumba në mish dhe 4 prej tyre mbetën të vrarë. Ndërsa SPAK i bëri thirrje të hetojë gjithë zinxhirin komandues.

“Tani, e dashur Joridë, po më duket se edhe Tritani është më evropian se ti. Ky është degradimi i diskursit politik që vjen nga llogorja e SHQUP-it, magazina e molotovit. Dy gjëra qytetarët shqiptarë i dinë mirë. Së pari, kjo është protesta e vetme në Evropë ku numri i të lënduarve në radhët e policisë është më i madh se ai i protestuesve. Nuk ka një protestë tjetër në Evropë që të ketë këtë shifër. E vërteta është se edhe mes punonjësve të policisë ka pasur raste të rënda plagosjeje. Kemi një punonjës policie që kaloi orë të tëra në koma, pasi u godit pas koke me një mjet të rëndë prej çeliku. Kemi edhe një drejtues komisariati me syrin e dëmtuar rëndë.

Në debatin publik për këtë çështje, unë dua të them vetëm një gjë: kushdo që guxon të godasë një punonjës policie apo të mos zbatojë urdhrat e policisë, shkel rëndë ligjin dhe kryen një vepër penale, të cilën e kemi përcaktuar të gjithë bashkë këtu, sot dhe shtatë vite më parë.

Goditja e punonjësit të policisë për shkak të detyrës është vepër penale. Prandaj, Partia Demokratike, ose ajo që ka mbetur prej saj, duhet të kuptojë se respekti për Policinë e Shtetit duhet të jetë parimi i parë. Këtu fillon diskutimi.

Sa u përket protestuesve, ligji për tubimet ishte një ligj i vjetër. Megjithatë, edhe në atë ligj ishte sanksionuar ndalimi i përdorimit të maskave në tubime. Të gjithë personat e përfshirë në akte dhune dhe zjarrvënie gjatë kësaj proteste ishin të mbuluar, çka e bënte të vështirë identifikimin e tyre. Personat që marrin përsipër organizimin e tubimeve kanë edhe përgjegjësi për to.

Unë kam qenë një nga tre personat përgjegjës për organizimin e protestës së 21 janarit. Në fund të asaj proteste, prokuroria ka ardhur në Parlament dhe ka kërkuar heqjen e imunitetit për hetimin e ngjarjeve. Madje, kam qenë në këtë sallë kur i kërkova Parlamentit të votonte për heqjen e imunitetit, sepse mbaja përgjegjësi.

Në atë protestë u qëllua ndaj nesh me plumba kallashnikovi. Mbetën të vrarë katër protestues dhe u plagosën 26 të tjerë me plumba që u shkaktuan dëmtime në mish dhe në kocka.

Pasi sulmohet policia, pasi sulmohen të gjitha institucionet e shtetit, nga gjykatat te Banka e Shqipërisë dhe ministritë, pasi hajdutët që kishte sjellë me pagesë PD-ja vjedhin bizneset, vini këtu e flisni për të drejtat e njeriut? Në krye të partisë suaj ende keni një individ mbi të cilin rëndon një akuzë institucionale e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe e Gjykatës së Lartë, ku thuhet se për 21 janarin duhet të hetohet zinxhiri komandues i urdhrit për të qëlluar mbi protestuesit. Flisni ju për dhunë në protesta? E mban mend Saliun apo nuk e mban mend? Tha se nga mesi i protestuesve qëlluan me çadra-pistoletë.

Sa u përket akteve të dhunës, nuk ka diskutim. Jemi rasti i vetëm në Evropë ku personat që hodhën molotovë u mbyllën në selinë e PD-së dhe deputetët dolën te dera e SHQUP-it për të mos lejuar policinë të kryente veprimet që i takonin. Molotovi konsiderohet armë që mund të shkaktojë edhe vdekje. Keni goditur me molotovë punonjësit e policisë, u keni rrezikuar jetën dhe vini na bëni dëngla. Është detyrim i Kuvendit që ta votojë aktin normativ brenda 45 ditësh. Ta mbështesim ministrin e Brendshëm, Policinë e Shtetit dhe rritjen e pagave të punonjësve të policisë e të Gardës, që mbrojnë shtetin dhe demokracinë”, tha Balla.

Ora 14:06
Akti normativ për tubimet/ Tabaku: Shkel të drejtat e njeriut, të mos miratohet, çështja është në Kushtetuese (VIDEO)

 

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, kërkoi në Kuvend që akti normativ për tubimet të mos miratohet, duke thënë se ai shkel të drejtat e njeriut dhe po zbatohet ndërsa çështja ndodhet në Gjykatën Kushtetuese. Tabaku tha se e ka dënuar djegien e bizneseve, por akuzoi policinë se i la qëllimisht protestuesit të shkonin drejt tyre.

"Prej 170 ditësh qytetarët janë në protestë. Sot, parlamenti ka vetëm një lajm të mirë: ministri i Brendshëm doli nga shtetrrethimi dhe foli për dhunën e policisë. Ai ka marrë një kërkesë që në ditën e parë të protestës për të raportuar, por është fshehur. Kemi qenë në spital dhe në Bllokun e Sigurisë, por nuk kishte asnjë përfaqësues të mazhorancës për të parë nga afër se si ishin dhunuar të rinjtë, të cilët protestojnë për të ardhmen e tyre. A keni fytyrë të flisni për djegien e bizneseve, ndërkohë që ju po e digjni Shqipërinë çdo ditë? Unë kam qenë çdo ditë në protestë, mes dhunës, gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës. E kam dënuar edhe unë djegien e bizneseve, por policia i la qëllimisht protestuesit dhe turmën të shkonin drejt bizneseve private. Akti i parë normativ, i cili po zbatohet ndërkohë që çështja është në Gjykatën Kushtetuese, shkel të drejtat e njeriut dhe nuk ka nevojë të miratohet. Këtu po protestojnë shqiptarët për të luftuar korrupsionin. Kjo protestë ka zgjuar rininë shqiptare.”

Ora 13:51
Akti normativ për tubimet/ Demo: Policia zbatoi ligjin, PD s’e dënoi aktet e dhunës! A jeni përfshirë në organizimin e grupeve që ushtrojnë dhunë? (VIDEO)

 

Ministri i Brendshëm Ervin Demo mbrojti në Kuvend reagimin e policisë gjatë protestave, duke thënë se ajo zbatoi ligjin dhe se në rastet kur forca e përdorur tejkaloi kufijtë, u morën masa. Gjatë debatit për aktin normativ për tubimet, Demo akuzoi PD-në se nuk e dënoi dhunën dhe e pyeti nëse ishte përfshirë në organizimin e grupeve për të ushtruar dhunë në Tiranë.

"Kuptohet që pyetje specifike për rrethana të individëve të caktuar patjetër që unë nuk mund të jap përgjigje për raste të konkrete, sepse duhen bërë verifikimet. Por do mundohem t'ju jap disa përgjigje. Së pari, mua më vjen shumë keq që ne bëjmë sikur kemi një lloj filtri për sa i përket ngjarjeve që ndodhin në Tiranë dhe zgjedhim vetëm një pjesë të asaj çfarë ne shohim. Do të ishte, besoj, e pafalshme për çdo parti politike, e cila nuk dënon dhunën, pikë së pari, dhe aq më tepër për ditë të tëra nuk ka dhënë asnjë fjalë për ato ngjarje të rënda që kanë ndodhur në Tiranë. 

Tani, për sa i përket emergjencës, duhet të kuptojmë që në momentin që akti normativ ka dalë, institucionet shtetërore, Policia e Shtetit, bizneset private, institucionet e pavarura, Gjykata e Lartë, Gjykata e Apelit, Banka e Shqipërisë, kanë qenë nën një sulm barbar. Nëse kjo është jo një situatë emergjente, unë nuk di se çfarë duhet të ndodhi në Tiranë për të kuptuar që dhuna që ushtrohet ndaj sistemit juridik, në fakt, është jashtë normalitetit. 

Patjetër që ka pasur raste kur persona, të cilët kanë kryer akte dhune janë shoqëruar, patjetër që ka pasur reagim nga forcat e policisë për të ruajtur rendin kushtetues dhe zbatuar ligjin. Sepse ajo është detyrë e Policisë së Shtetit kur ka shkelje të ligjit, duhet të veprojë në proporcionalitet dhe absolutisht ju garantoj që qëndrimi im si Ministri i Brendshëm ka qenë konstant që në ditën 1, që Policia e Shtetit duhet të zbatojë ligjin, Policia e Shtetit duhet të tregojë masa proporcionale në reagim dhe në ato raste kur ka pasur tejkalim të proporcionalitetit, ne kemi marrë masat e duhura. 

Mos të harrojmë që janë pezulluar 9 punonjës policie gjatë protestave. Mos të harrojmë që sot që ne flasim, agjencia për sa i përket kontrollit mbi Policinë e Shtetit ka 50 raste të cilat janë duke u hetuar nga pikëpamja administrative. E mos të harrojmë në të njëjtën kohë që Policia e Shtetit, dhe AMP-ja, janë duke bashkëpunuar me prokurorinë për raste të cilat janë regjistruar në prokurori për aktet e dhunës.

Kjo është përgjegjësia politike e imja si ministër, por patjetër edhe e qeverisë shqiptare. Por ne ligjin duhet ta kërkojmë që të zbatohet nga të gjithë. Unë nuk diferencoj një punonjës policie që mban uniformën e Policisë së Shtetit, i cili mund të shkelë ligjin, nga një qytetar që shkel ligjin. Ligji është i barabartë për të dy. Kur flasim për të drejtën të protestuar, dhe e kam shprehur shpesh herë, dhe në fakt e besoj fort që detyra e Policisë së Shtetit është për të garantuar të drejtën e çdo qytetari që të protestojë paqësisht, por duhet të jemi të qartë: të protestojë paqësisht, mos të dhunojë as individë që ecin në rrugë, mos të dhunojnë as pronën private, mos të dhunojnë Policinë e Shtetit, mos të dhunojnë institucionet shtetërore apo ato të pavarura. 

Nëqoftëse ne biem dakord për këtë, qytetarët kanë të gjithë të drejtën për të protestuar për çdo gjë kundër meje, kundër qeverisë, kundër kujtdo. Është e drejta e tyre. Dhe Policia e Shtetit duhet aty për ta garantuar këtë të drejtë kushtetuese. Dhe këtu nuk ka asnjë dyshim që nga dita e parë që jam Ministri i Brendshëm dhe deri tani jam i bindur që detyra jonë është të garantojmë këtë të drejtë. Por në të njëjtën kohë, ju jeni deputet, jeni një forcë politike, më e madhja opozitare, por ne duhet të mbajmë edhe pak përgjegjësi për sa i përket pozicioneve publike që ne mbajmë kundrejt dhunës së ushtruar ndaj punonjësve të policisë. Punonjësit e policisë nuk mbrojnë parti politike. Punonjësit e policisë mbrojnë atë çfarë ligji parashikon. Dhe në qoftë se ne nuk biem dakord që ligji duhet të zbatohet nga të gjithë, atëherë unë nuk e di çfarë debati jemi duke bërë?! 

Jam i bindur që çdo qytetar, kur ndodhet në vështirësi, e do Policinë e Shtetit të jetë aty, çdo qytetar që ndihet i dhunuar e do Policinë e Shtetit që të ushtrojë forcë proporcionale për të mbrojtur jetën e qytetarëve, pronën e qytetarëve. Po pse nuk duhet Policia e Shtetit të veprojë në mënyrë proporcionale kur ushtrohet dhuna e institucioneve? Kur ushtrohet dhunë ndaj punonjësve të policisë, kur është kjo e drejtë e cila mbrohet vetëm në një krah? 

Unë jam me të gjithë qytetarët të cilët protestojnë paqësisht dhe ju garantoj që si Ministri i Brendshëm, me të gjitha mekanizmat që kam në dispozicion, do të garantojmë këtë të drejtë. Por në të njëjtën kohë ne nuk mund të bëjmë si një vend i cili do ta aderojë në Bashkimin Europian, dhe nuk pranojmë që demokracitë të konsoliduara, këtu nuk e përmend askush, çfarë ka ndodhur në Itali, çfarë ka ndodhur në Francë, çfarë ka ndodhur në Spanjë, për sa i përket nismave ligjore që këto vende kanë ndërmarrë kur kanë qenë protestat gjatë javëve të fundit? I kanë ashpërsuar më shumë masat parandaluese të protestave. Disa herë më të mëdha, dhe në fakt kanë dhe masa shtrënguese që ne nuk i kemi fare. Po pse që nga Italia demokraci që bën këtë gjë dhe ne s'jemi? Pse që nga Franca vend demokratik dhe ne s'jemi? Pse që nga Gjermania vend demokratik dhe ne s'jemi? Pse që nga Spanja vend demokratik dhe s'jemi? Jo, ato janë vende demokratike sepse besojnë te një parim: opozita del dhe dënon dhunën. Këtu pse nuk del opozita? A ka dalë opozita një ditë të vetme të thotë jo, dhuna kundër institucioneve është e papranueshme? A keni dalë ju kur janë djegur punonjësit e Policisë së Shtetit dhe keni thënë jo, jeta e policisë së shtetit vlen? 

Ata janë qytetarë pikë së pari, s'janë punonjës policie. Dhe si mundet, t'ju bëj një pyetje tjetër, se më bëtë disa pyetje, a është Partia Demokratike në dijeni dhe në organizim të grupeve të caktuara për të ushtruar dhunë në Tiranë?", tha Demo. 

Ora 13:47
Akti normativ për tubimet, Ibrahimaj: Nismë që garanton protestën, por gjobisin ata që shkaktojnë dëme! Dhuna është e papranueshme (VIDEO)

 

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se akti normativ për tubimet u ndërmor si nismë edhe nga nxitja e dhunës nga paralamenti duke iu referuar PD.

"Lekët e gjobave janë një efekt dhe jo shkaktarë. Shkakatari i kësaj nisme është edhe dhuna e nxitur edhe ngaky parlament. Dhuna është e papranueshme. Ato pamje që përjetuam, janë pamje që na kujtuan vitet famëkeqe 97 dhe 99. Ne kemi punuar që fëmjët tanë të jetojnë në një vend demokratik. Ne ndërmorëm  dy nisma që i paraqitëm sot që garantojnë protestën, por gjobisin ata që shkaktojnë dëme. Pse duhet të digjet prona publike", tha Ibrahimaj.

Ora 12:50
Përjashtimi nga grupi i PS/ Elisa Spiropali ‘internohet’ në krahun e djathtë të sallës së Kuvendit, në rreshtat e fundit pranë deputetëve të PD-së (VIDEO)

Partia Socialiste ka ndërruar vendin e deputetes Elisa Spiropali pas vendimit për përjashtimin nga grupi parlamentar. Tashmë deputetja socialiste do të ulet në rreshtat e fundit pranë deputetëve të PD-së. Pas përjashtimit, Spiropali tha se është një vendim nul.

Ora 11:42
Akti normativ për tubimet/ Berisha: Anulojeni, nuk mund t’ua mohoni qytetarëve të drejtën për të protestuar (VIDEO)

 

Kreu i PD-së, Sali Berisha, kërkoi në Kuvend anulimin e aktit normativ për tubimet, duke e cilësuar antidemokratik dhe në shkelje të së drejtës për të protestuar. Ai akuzoi policinë për dhunë ndaj protestuesve dhe tha se, nga 600 ndalime, gjykatat i kishin shpallur të paligjshme të gjitha me përjashtim të katër rasteve.

“Akte antidemokratike që dhunojnë themelet e shtetit ligjor dhe të drejtat themelore të qytetarëve, të garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të nënshkruar nga Shqipëria që në vitin 1995. Me asnjë akt, asnjë vendim apo votim, ju nuk mund t’ua mohoni qytetarëve të drejtën për të protestuar. Ky veprim që ndërmerrni, pas qëndrimeve shtazarake ndaj protestuesve paqësorë, u tregon shqiptarëve se asnjëri prej tyre që ka marrë plumba në ballë, në gojë apo pas veshit, që është goditur me breshëri plumbash në trup apo që i janë thyer kockat dhe gjymtyrët, nuk ka qenë i përfshirë në asnjë akt dhune.

Unë informoj qytetarët shqiptarë se, nga 600 personat e ndaluar, gjykatat i kanë shpallur të gjitha ndalimet të paligjshme, me përjashtim të vetëm katër rasteve, edhe këto, sipas pretendimeve të mia, pas ndërhyrjeve të fuqishme politike. Gjykatat kanë konstatuar paligjshmërinë e ndalimeve. Do të hysh në histori. Anuloje!”, tha Berisha.

Ora 11:33
Përplasje në Kuvend/ Balla-Berishës: Partisë, t’i hash atë që nuk thuhet! Korreshi ironizon: Do të kalojmë te brisku! Po çfarë t’i hash partisë suaj? (VIDEO)

Nga foltorja e Kuvendit, Sali Berisha hodhi akuza në drehtim të Taulant Ballës dhe partisë socialite duke e quajti partia e krimit. Ndërsa Berisha mbante fjalën, kreu i grupit të PS, Taulant Balla është filmuar teksa thotë “Partisë, ti hash atë që nuk thuhet.”

Pas kësaj fraze, deputeti demokrat Saimir Korreshi reagoi me ironi, duke thënë se nëse fyerjet vazhdonin, “do të kalojmë te brisku”. Më pas iu përgjigj Ballës me pyetjen “Po çfarë t’i hash asaj partie suaj?”

“Pjesa e majtë, dëgjoni! Nëse do të vazhdoni me sharje dhe fyerje, do të kalojmë te brisku. Është bërë e disata herë që ofendoheni dhe nuk merret asnjë vërejtje nga ana e majtë. Nëse vazhdon kështu, do të fillojmë edhe ne, pasi të gjithë e mbajmë briskun me vete.

‘Na hëngsh atë që nuk thuhet, partisë suaj’, tha. Po çfarë t’i hash asaj partie suaj?

Të sjellim një akt normativ që protestuesit të dënohen me vdekje, çfarë do të bëni ju, do ta votoni? Nuk mund të legjitimoni përmes këtij akti çnjerëzor kthimin e diktaturës. Nuk mund të legalizoni ato pistoleta që ua keni drejtuar protestuesve në fytyrë. Nuk mund të legalizoni shkopinjtë e gomës dhe dhunën kundër protestuesve, as gazin lotsjellës, për të cilin nuk dihet as origjina.

Kam qenë vetë aty, nuk e kam parë nga televizori. E kam parë sesi i keni burgosur dhe rrahur protestuesit brenda furgonëve, sesi keni dërguar nga tre-katër persona çdo natë në qeli. Ky akt normativ bie ndesh me liritë themelore të njeriut. Bëhet fjalë për liritë negative, të cilat ky akt synon t'i kufizojë”, tha Korreshi.

 

Ora 11:24
Akti normativ për tubimet/ Zhupa: Mazhoranca mbron dhunën e policisë, asnjë polic i dënuar apo i arrestuar (VIDEO)

 

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa u shpreh kundër aktit normativ për tubimet të propozuar nga qeveria. Ajo tha se mazhoranca po mbron dhunën që policia ka ushtruar ndaj protestuesve duke injoruar dhe thirrjet e Evropës për të marrë masa ndaj uniformës policore.

“Jeni në kufijtë e një përralle. Si ka mundësi që, pavarësisht gjithë këtij reagimi që ka edhe Parlamenti Evropian, zotit Balla i intereson të çojë ndërkohë eurodeputetët? Do të citoj Tarquinin: ‘Dhuna nisi nga policia dhe më pas iu përgjigjën protestuesit’. Këtë e tha eurodeputeti, sepse pa atë që pa çdo shqiptar dhe e gjithë Evropa: sesi policia i kaloi të gjithë kufijtë dhe dhunoi protestuesit.

Si ka mundësi që nuk keni asnjë polic të vetëm të dënuar apo të arrestuar? Ende nuk dihet se kush ia nxori syrin Erionit, kush ia theu këmbën Lorencit dhe kush e lidhi Klevin pas kangjellave. Ju i mbroni, sepse keni krijuar bandën e policisë. Këtë e provon edhe ministri i Brendshëm, të cilin për sjellje heroike e emëroni drejtues politik në Tiranë, me pretendimin se do ta kandidoni për bashkinë e kryeqytetit.

Shqiptarët nuk kanë rrugë tjetër, përveçse të dalin në rrugë dhe t’ju qëndrojnë përballë për të kërkuar lirinë e tyre. Më 28 nëntor, të gjithë në shesh, të bashkuar!”, tha Zhupa.

Ora 11:05
Berisha akuza Ballës në Kuvend, nuk lëshon foltoren! Deputeti i PS nuk e përfill, qëndron në laptop (VIDEO)

 

Kreu i PD, Sali Berisha mbajti të bllokuar fioltoren për disa minuta, ndërsa po lëshonte akuza në Kuvend kundrejt Taulant Ballës. Niko Peleshi i bllokoi teelfonin pasi i përfundoi koha e fjalës, por Berisha refuzonte të largohej. Deputeti i PS, ndërkohë qëndronte në laptop dhe nuk replikoi.

Sali Berisha: Ke fytyrën e kriminelit. Ai e ka vendin në qeli. Telefoni i tij është 339, me të cilin janë porositur vrasjet. Telefoni i tij është telefon i regjistruar, me të cilin ai merret me aferën begojaris. Ky është parlament krimi. Aq më të vetëdijshëm do të bëhen qytetarët për t’ju përcjellë në kanalet e ujërave të zeza.

Më datën 20.02.2020, Mario Çela informon PIN-in AMSP 802 se kishin rënë dakord mes tyre që të mos i kërkonin Taulant Begojarosit, Tos. O kriminel, për ty është kjo, që rri ulur me imunitet. I thotë: “Kemi rënë dakord me Taon, asnjë tender publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord të kërkonin.” Ky mesazh iu përcoll Taos, kriminelit Taos. Dhe i dhanë afat deri në dhjetor.

Niko Peleshi: Kush është kriminel nuk e vendosni ju. Nuk jeni as prokuror, as gjyqtar.

 

Ora 10:55
Kuvend/ Lirimi nga detyra i kreut të AKEP futet në rend dite! Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri do të komandohet anëtari më i vjetër

Lirimi nga detyra i kryetarit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Gentian Sala është futur në rendin e ditës së sotme

Deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri, detyra do t’i besohet anëtarit më të vjetër të Këshillit Drejtues të AKEP-it, i cili do të komandohet përkohësisht në krye të institucionit.

Sala, i cili ishte emëruar në drejtimin e AKEP-it në shkurt të vitit 2025, dorëzoi dorëheqjen më 20 nëntor.

Ora 10:50
Balla: E keni degjeneruar PD-në një fabrikë të prodhimit të molotovëve! Demokracia ngrihet me votë, jo me dhunë (VIDEO)

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, nuk ka kursyer kritikat ndaj Partisë Demokratike dhe kryetarin të saj, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare në Kuvend.

Balla akuzoi opozitën për nxitje të dhunës dhe mungesë distancimi nga aktet e dhunshme, duke e cilësuar PD-në si “një fabrikë të prodhimit artizanal të molotovëve”.

Ai theksoi se dhuna nuk është pjesë e demokracisë. Balla nënvizoi se demokracia bëhet me votë jo me akte të tilla.

"Në fund, përmendi edhe sekretarët e partisë së punës. I vetmi sekretar partie i partisë së punës është kryetari i partisë tënde. Ta mbash me shëndet dhe jetë të gjatë ishalla përpara. Por sekretarët e partisë mos i shiko nga ne. Ne, PS, e kemi dënuar diktaturën më 12 qershor 1991 dhe prej asaj dite jemi të angazhuar çdo ditë për projektin më të rëndësishëm të historisë së re të Shqipërisë, anëtarësimi në BE. Sot është dita që edhe ju, PD, nëse doni të punoni bashkë me ne për këtë projekt, jeni të mirëpritur. Sot mbahet Këshilli Kombëtar i integrimit evropian në prani të Komisioneres Marta Kos.

Unë besoj se mesazhi i përbashkët i të gjitha forcave politike duhet të jetë puna për të çuar përpara të gjithë reformat. Ende deri më sot PD nuk ka votuar qoftë edhe një ligj të vetëm të përafrimit të legjislacionit me atë komunitet, dhe përmbushjen e  reformave që Shqipëria ka në këtë fazë historike. Koha është tani për të lënë pas dhunën në rrugë që e frymëzon vetëm një njeri, ai është kreu i partisë suaj (Sali Berisha). Distancohuni nga dhuna. E  keni degjeneruar PD në një fabrikë prodhimi molotovësh.

Do të kemi diskutim të plotë për aktin normative. Penalitetet në BE janë shumë herë më të ashpra se tek ne. mos harroni policia e shtetit është për të garantuar sigurinë. Jeni e vetmja parti që nuk jeni distancuar nga dhuna. Demokracia ngrihet në votë, mos harroni se në 9 maj janë zgjedhjet vendore. 

Ftojmë PD të bashkëpunojmë për të bërë kodin zgjedhor për zgjedhjet e 9 maj, koha kur ju mund të mbanit peng reformën ka mbaruar më 11 maj 2025, ju ftojmë por mos harroni që disa çështje rekomandime të OSBE, janë edhe detyrë për integrimin. Brenda vitit duhet të mbyllim edhe ligjin e financimit të partive politike. Të ecim përpara për depolitizimin e komisioneve zgjedhore. Në 30 nëntor mbaron mandati i komisionit të posacëm, kemi 13 vjet që e shtyjmë, ndërkohë më 9 maj ka zgjedhje. Pse kundërshtoni teknologjinë në zgjedhje, votimin dhe numërimin elektronik. E kemi pilotuar dhe do ishte rast i mirë për ta zbatuar në 2027-ën.

Të paktën turpit pafund të ditëve duke numëruar duhet ti japim fund. Ne do të pranonim edhe numërim në QV, në mënyrë që qytetarët ta marrin vesh të dielën në darkë se kush është kryetari i bashkisë. Pse të rrimë me ditë të tëra kur e kemi teknologjinë. Sot është një ditë e madhe për Shqipërinë, votohet buxheti historik. Të gjithë veshët e shqiptarëve janë këtu”, tha Balla.