TIRANE - Gjykata e Apelit të Tiranës ka caktuar datën 21 nëntor për mbajtjen e seancës ku do të shqyrtohet kërkesa e Izet Haxhisë për rigjykim për dosjen "Azem Hajdari". 

Shorti i Gjykatës ka caktuar si trupë gjykatësit Valdete Hoxha relatore, Astrit Haxhialushi, Genti Shala. 

Izet Haxhia, i dënuar me 25 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, kërkon rigjykim pasi pretendon se i janë shkelur të drejtat në një gjykim i cili është zhvilluar në mungesë dhe sipas tij, pa prova. Izet Haxhia u ekstradua nga Turqia në Shqipëri në maj të këtij viti për t'u përballur me dënimin çerekshekullor dhe akuzat e drejtësisë shqiptare për "vrasjen e shekullit". 

Izet Haxhia u arrestua në vitin 2006 në Turqi, por drejtësia turke nuk ishte shprehur ende për ekstradimin e tij, ndonëse pala shqiptare kishte bërë kerkesa të vazhdueshme në kohën kur në pushtet ishte Sali Berisha. Për 12 vjet me radhë gjykata turke kishte urdhëruar thjesht që ai të mos largohej jashtë vendit, ndërsa në shkurt të këtij viti befas u mor vendimi që ai të ekstradohet.

Vetë ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar ish-njeriun e tij të besuar se është ai vrasësi i Azem Hajdarit, sëbashku me Fatmir Haklajn dhe Jaho Mulosmanin. Ndërsa nga ana tjetër, Izet Haxhia kërkon të zbulohet personi që nxori Azem Hajdarin nga selia e PD mbrëmjen e 12 shtator, duke hedhur dyshime të forta te ish-kryetari i PD, Sali Berisha.