Lamtumirë, plaku Mere!

Lamtumirë, plaku Mere!

Sali Berisha

Në Partinë Demokratike, gjërat po shkojnë drejt normalitetit. Nuk pati gjëma të mëdha atje pas përjashtimit të Berishës nga partia, nuk pati as greva urie, as kryengritje “brenda pallatit”, as vetëvrasje kolektive jo e jo, as vajtime me “oiii”, ndonëse këto u paralajmëruan në mënyrë të përsëritur prej tij.

Vetëm një deputet, nga pesëdhjetë gjithsej që ka partia (pra, dy për qind) e ndoqi për disa çaste pas të përjashtuarin në daljen e fundit publike në Kuvend, për t’i “lehtësuar” plagën. Tamam si Don Kishoti me Sanço Pançën shqiptar në fillim të shekullit 21. Kryetari Basha ia doli brenda pak ditësh t’i sqarojë deputetët dhe zyrtarët provincialë të partisë për domosdoshmërinë e veprimit “in estremis” të tij, aq sa ia arriti ta legjitimojë atë veprim, me gjithë “shkeljen” formale statusore, siç thuhet.

Basha, pra, më në fund, u bë burrë. Ditë pas dite po dalin publikisht edhe zëra të tjerë të njohur brenda dhe jashtë partisë në përkrahje të këtij vendimi historik. Disa kritikë të Bashës, kryesisht ata që kanë mbetur me apo pa të drejtë jashtë “tortës” parlamentare edhe asaj partiake, gjetën rast ta sulmojnë edhe një herë me sebepin e përjashtimit të Berishës. Por këtë e bënë për hesap të vet, jo për hesap të partisë, as të Berishës.

Edhe kjo ishte kritikë me gjysmë zëri, sepse përpara hijes së rëndë të SHBA-së, i mbyllën edhe ata me kaq mëritë e tyre. Kjo që ndodhi në atë parti, ishte një dramë e vërtetë, për të mos thënë më shumë, por natyrisht vetëm për kampin blu, jo për popullin shqiptar, i cili gajaset së qeshuri me ato që po ndodhin atje.

Të vrasësh politikisht liderin, tek i cili ke besuar prej tridhjetë vjetësh, kjo është e rëndë, sepse vetë lideri ishte kujdesur me zell të madh gjatë gjithë kësaj kohe të ngrinte në qiell “monumentin “ e tij prej “ari të kulluar” në zemrat e demokratëve. Por, ja që nuk kishte rrugë tjetër. Berisha këtë fund i kishte përgatitur vetes me duart e tij.

Ai mund ishte larguar vetë kohë më parë nga partia, qysh se humbi zgjedhjet më 2013, siç bëjnë gjithë politikanët normalë të kësaj bote, por nuk iku. Ai deklaroi atëherë se “po jap dorëheqjen, por nuk largohem kurrë nga politika”. Këtu e ka zanafillën edhe ky veprim i tanishëm amerikan ndaj tij. Ai qëndroi atje për të mbajtur peng partinë kryesore të opozitës, për t’i prishur punë asaj, sepse qytetari i thjeshtë, sapo shikon se ai është akoma lideri faktik i asaj partie, largohet prej saj dhe e hedh votën gjetkë.

Prandaj, ajo i humbi zgjedhjet edhe dy herë të tjera me radhë. Kjo dëmton demokracinë në tërësi, e cila nënkupton rotacionin e pushtetit. Që kur mësoi se amerikanët e shpallën me “pullë të kuqe”, ai kishte rastin edhe një herë tjetër të largohej vetë nga politika. Nuk është kurrë vonë për të bërë punë të mira. Ai nuk e bëri dhe deshi të sfidojë Amerikën me gjyqe ndërkombëtare. Ai harroi se amerikanët të fusin në thes e të çojnë në Guantanamo si terrorist. E kanë bërë këtë me plot liderë të tjerë në botë që u kanë dalë përballë. Nuk turpërohen ta bëjnë edhe me një politikan shqiptar që u prish punë.

Gjatë tridhjetë vjetëve, Berisha krijoi me kujdes një legjendë të gënjeshtërt rreth vetes dhe rolit të tij, legjendën e “demokratit të vërtetë”, që çliroi popullin nga diktatura dhe punon për të mirën e tij, që sakrifikon jetën dhe familjen për të tjerët etj., etj. Por kjo është vetëm legjendë, ndërsa njerëzit jetojnë me realitetin, jo me legjendat. Dhe realiteti tridhjetëvjeçar është i zi për Berishën. Nën udhëheqjen e tij, Partia Demokratike nuk i ka fituar asnjëherë e vetme zgjedhjet parlamentare.

E përsëris, kurrë. Në zgjedhjet e 31 marsit të vitit 1991 humbi pikërisht prej ekstremizmave të liderit të saj Berisha. Në vitin 1992, doli me parullën (e rekomanduar nga të tjerët, natyrisht) “Të gjithë bashkëvuajtës, të gjithë bashkëfajtorë”. Shqiptarët e besuan. Megjithatë, as atëherë partia e tij nuk i fitoi zgjedhjet e vetme. Fitoi fronti opozitar antikomunist që kërkonte ndryshimin e sistemit dhe ku bënin pjesë shumë parti, të cilat shpejt u distancuan nga Berisha.

Në vitin 1994 mori një shuplakë të rëndë nga populli shqiptar në referendumin kombëtar për Kushtetutën, por që në fakt ishte shuplakë kundër autoritarizmit të tij. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1996 vodhi votat duke i njohur vetes 131 deputetë, nga 140 që ka Parlamenti. Në zgjedhjet lokale të atij viti, në atmosferën e piramidave financiare, humbi bastionin e tij kryesor, Shkodrën, të cilën e fitoi e Djathta e Bashkuar.

Pse vodhi zgjedhjet e nëntëdhjetegjashtës, lejoi piramidat financiare, për të krijuar idenë e mirëqenies së gënjeshtërt, e cila çoi në krizën e vitit 1997, e shoqëruar me rreth 3000 viktima, të shkaktuara nga nxjerrja e armëve prej depove të ushtrisë. Si asnjëherë tjetër në historinë e Shqipërisë, nxiti Veriun të shkonte të luftonte kundër jugut, për të shpëtuar kolltukun e vet të thyer dhe shkatërroi shtetin shqiptar në atë masë sa që erdhën forcat ndërkombëtare për të vendosur rendin publik. Rierdhi në pushtet në vitin 2005 me pakicën e votave të popullit, prej përçarjes së maxhorancës së majtë, PS – LSI. Qeverisi me patericën e kësaj të fundit, duke shkaktuar dy gjëma të tjera për popullin shqiptar: atë të Gërdecit dhe të vrasjes së katër qytetarëve të pafajshëm në bulevard, me të cilat po merret ende drejtësia.

Kjo galloshe e vjetër komuniste, prodhim i viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, i brumosur me idetë e revolucionit kulturor proletar kinez, iu ngjit lëvizjes studentore si balta pas këpucës, duke ardhur nga zyra e Ramiz Alisë për kontrollimin e saj me moton “s’ka kala që nuk e marrin komunistët”. E përdori barbarisht postin që mori gjatë gjithë kohës që ishte në politikë. Gjatë tridhjetë vjetëve, që nga zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991 e deri më sot, ka gënjyer partinë dhe elektoratin e saj, duke thënë se “zgjedhjet nuk i humbëm, por na i vodhi kundërshtari politik”, për të justifikuar dështimin e tij dhe të atyre që vetë i vuri në krye të partisë. Këtë bëri edhe në zgjedhjet e fundit. Amerikanët, që shpallën “non grata” Berishën dhe që këmbëngulën në largimin e tij, kanë interesa strategjikë në Shqipëri.

Ata e dinë se shqiptarët janë populli më proamerikan në Europë, prandaj na pranuan në NATO. Ata po vijnë me investime të mëdha në fushën ekonomike dhe ushtarake. Ata po ringrenë bazën ushtarake të NATO-s në Kuçovë, po marrin përsipër ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Po vënë në punë TEC-in me gaz të Vlorës dhe po e bëjnë vendin tonë pikë furnizimi me gaz për Ballkanin, të sjellë nga Gjiri i Meksikës. Po drejtojnë dhe financojnë Reformën në Drejtësi. Në këto rrethana të ardhjes së tyre, ata duan një vend me demokraci normale, pa ferra e tensione politike nëpër këmbë, nuk duan zgjedhje të manipuluara dhe politikanë që kontestojnë zgjedhjet e rregullta në mënyrë të përhershme. Prandaj, ata po pastrojnë vendin nga ferrat e së kaluarës.

Berisha është njëri prej tyre. Ata janë për rrotacionin demokratik në Shqipëri, prandaj i hoqën opozitës pengesën kryesore të ardhjes së saj në pushtet. Amerikanët kanë qenë ata që mbrojtën kufijtë e shtetit shqiptar, edhe ashtu të cunguar, kur atë e kërcënonin shtete të mëdha pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Amerikanët çliruan Kosovën dhe po përpiqen që ajo të bëhet shtet funksional, i njohur ndërkombëtarisht. Prandaj, shqiptarët e kanë dashur dhe e duan SHBA-në, pavarësisht se cila parti është në pushtet atje. Berisha kërkoi të mbajë peng partinë e tij për të mbrojtur veten nga ky qëndrim i qartë amerikan, duke tundur tani flamurin e antiamerikanizmit. Lulzim Basha mund të ketë dhe realisht ka mjaft kusure, vese, mangësi, skuthëri etj. si politikan, për të cilat e sulmojnë të vetët. Por ai ka meritën që më në fund, ia tha Berishës publikisht:

“Boll më, nuk mund të paguajmë ende haraç për ty. Nuk mund të prishemi me aleatin tonë kryesor për një emër të konsumuar”. Më tej le të merren demokratët me kryetarin e tyre se kanë kohë për këtë. Partia Demokratike ka mjaft të rinj e të reja në radhët e saj që mund të këndojnë tani lirshëm vargjet e Migjenit: “Na të birt e shekullit të ri,/ që plakun e lamë në shenjtinë e tij…” etj. etj. Koha biologjike dhe koha politike për Berishën ka mbaruar. Të gjithë politikanët e moshuar, shqiptarë e të huaj, kanë ikur e po ikin nga politika. Edhe Kancelarja Merkel po ikën. Politika nuk është azil për pleqtë. Atje shkon, rri ca kohë dhe largohesh. Vetëm të mbaruarit nga mendtë e kokës mendojnë se do rrinë atje me oturak në dorë, derisa t’u vijë arkivoli te dera. Këta janë si personazhi i romanit të njohur të Dritëroit. Lamtumirë pra, plaku Mere!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tosi: 16/09/2021 02:29

    Sa bukur ky Hamdiu. Qe ta kuptojme se u shoshem, Saliu eshte komunist dhe duhet ta kalojme tek grupi i PS apo PS eshte perfaqesuese e te djathtes ne Shqiperi dhe Sala na mbetet pa parti??? Do zoti dhe i merr perendia mendjen ndonje prokurori dhe e con Saliun te 100 penxheret!! Sa per keta qe shkruajne sipas eres, gjynaf se jane shtuar ca si shume kohet e fundit, ashtu ne radhe per nje cike arome nga prapanica e Rames.

    Përgjigju
  • ???: 15/09/2021 22:07

    TA LUMSHA !!!!!

    Përgjigju
  • Carraniku: 15/09/2021 18:49

    Artikull super me argumenta,qeverisja e Sali Berishes qevirisja ma rrumpalle dhe e nyme me vrasje,perdhunime,vjedhje dhe qe ishte ne prag te luftes civile veri-jug ne 97 vetem se nuk ju bind populli.Ka zbatu te njejtat metoda si Enver Hoxha zhduku shokt e vet qe i shikonte si kundershtare veprime per te rujt kolltukun.Po e xane mallkimet e shqiptareve.

    Përgjigju
  • populli: 15/09/2021 17:28

    Vetem nje gabim: Nuk thuhet 'Lamtumire', por U Shporsh e u Harrofsh Per Jete Te Jeteve o Shkerdhata Dhe Maskarai Me i Madh e Krimineli Me i Ndyre i Te Gjithe Kombit Shqiptar!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Trump do të blejë Grenlandën, Danimarka rrit shpenzimet për mbrojtjen e ishullit

Trump do të blejë Grenlandën, Danimarka rrit shpenzimet për mbrojtjen e ishullit