Lasgush Poradeci: Gjeneza e
vjershave atdhesore të Asdrenit

Lasgush Poradeci: Gjeneza e<br />vjershave atdhesore të Asdrenit
RILINDASI/ Të vërtetat që nuk dimë për poetin. Ja pse përpjekjet e shqiptarëve gjenin një ripasqyrim pothuajse të aty-për-atyshmë në metrikën vjershëtore të tij. Satira në dorëshkrimin e pabotuar të Asdrenit. 

Gjashtëmbëdhjetë vjet sekretarije në Konsullatë vërtetojnë zellin e kushtimit të tij si nëpunës dhe të drejtën e pensionimit si veteran. Studimi i Lasgush Poradecit me temë “Himni kombëtar  “Flamurit pranë të bashkuar” dhe gjeneza e tij” bëhet një burim argumentesh shkencore për disa çështje shumë të diskutueshme në studimet albanologjike. Ja disa nga çështjet që ka trajtuar Lasgush Poradeci në këtë studim: Paravajtja e Himnit: marshi atdhesor në dorëshkrim “Ejani sot, o shqipëtarë”; Rreth flamurit të përbashkuar: himni kombëtar i kollonisë shqiptare të Bukureshtit;

Himni i Flamurit drejt udhëtimit të tij kombëtar panshqiptar; Shugurimi popullor i himnit të Asdrenit si himn kombëtar; Fryma kombëtare shqiptare e Himnit të Flamurit; Kisha shqipe e Bukureshtit, dhuronjësja e Himnit Kombëtar. Mes tyre është dhe “Gjeneza e vjershave të atdhesore të Asdrenit”, ku zbulohen mjaft të dhëna nga jeta e poetit. Lasgush Poradeci rrëfen jo vetëm veprimtarinë atdhetare, por edhe diskriminimin që i është bërë poetit, siç janë përvetësimi i pensionit. Interesante në këtë studim është edhe një satirë në dorëshkrim e Asdrenit me temë korrupsionin e nëpunësave të shtetit.   
 
Lasgush Poradeci
 Asdreni, të cilin me gjithë atributet duhet ta quajmë “vjershëtorin e Kollonisë shqiptare të Bukureshtit”, pasqyronte në çdo moment dhe prej vetiu veprën e saj të pafjetur. Gjithë vjershat dhe këngët e tij patriotike, kanë qenë pema e këtij pasqyrimi të vazhduar. Mund të themi dhe duhet t’a themi, se kjo, Kollonija shqiptare e Bukureshtit me çështjet dhe lëvizjet e saj të papushuara, të ditëpërditëshme për Shqipëri, i-a pat vënë Asdrenit pendën e vjershërimit, pendën e vjershërimit të punëve të saj shqiptare në dorë.

Ata - më thotë poeti rishtas për shqiptarët e Kollonisë- nuk më linin të qetë me mbledhjet e tyre, unë nxehesha kur m’i theshin vendimet dhe nuk shëkonja dot punën t’ime, dyke dashur t’i ve në vjersha.
E kam shënimin nga vera e vitit 1938, kur isha ta shoh Asdrenin në fshatin e tij të freskët lindjak, në Drenovë, që i ka falur jetën me gjak shqiptari nër remba. Aty ndoqi ay shkollën fillore, plotësoj mësimet e gjimnazit në Korçë me profesor privat, dhe mori dhe ay udhën e mërgimit për në Bukuresht.

Po kap rastin këtu të përpikësoj, se Asdreni nuk ka mbaruar gjimnazin grek të Korçës, siç është shkruar (Aleko Vançi, Pranë Kllanikut, Bukuresht 1940: Asdreni, vjershëtori kombëtar), po vetëm i plotësoj, me zellin dhe me vijimësinë më të paprerë që ish e mundur, mësimet gjimnazore me profesor privat.
Punën t’ime është detyra e përditëshme e djersës së ballit të tij në tregëtoren e një atdhetari, i cili, i kuptuar dhe zemërmirë, nuk i-a mirte për të keq fletët me vargje të përzjera nëpër shkresat e llogaritarisë. Prej kësaj kohe, që është koha e rinisë më së parë, datojnë një grumbull vjershash fillimtare të librës Rreze Dielli.

Gjithë poezitë patriotike të Asdrenit, jo vetëm patriotiket po dhe një sasi e të tjerave me subjekt të ndryshmë, veçanërisht satirik, janë shkruar rastërisht, me paraqitjen e një rasti atdhesor për punë ose për manifestim. Rasti paraqiteshe gjithnjë në gji të Kollonisë në Bukuresht, qoftë se kjo e shkakëtonte vetë me vepërimet e saj të shumëanëshme dhe të pambaruara, qoftë se i vinte së-jashtmi, nga viset e mërgimit ose nga çetat shqiptare.

Me qenë që nuk mund të ngjante asnjë përpjekje për atdhe, sikur dhe më e vogla të ishte dhe më me pak rëndësi të dukurshme, pa mos gjetur jehonën e përforcuar në zemrën dhe prej zemrës së Kollonisë, kuptohet vetiu mburimi kryesor i këtyre rasteve të vjershërimit patriotik të Asdrenit: ay mburim ishte shoqërija e Kollonisë shqiptare të Bukureshtit, me lëvizjet dhe organizimet e saj të shumta rreth mëmëdheut.

Në bashkëfjalimet që kam patur fatin të më japë Asdreni, m’a ka theksuar shpesh këtë fakt të punëtorisë së tij: faktin rastor të hartimit, jo rrallëherë dhe të improvizimit të vjershave patriotike, siç pamë drejt-për-drejt me marshin Ejani sot, o Shqipëtarë.

Kësisoj përpjekjet e shqiptarëve që jepnin rastin e jashtmëm, gjenin një ripasqyrim pothuajse të aty-për-atyshmë në metrikën vjershëtore të Asdrenit, e cila i ka fiksuar si të theshim kronologjikërisht ato përpjekje. Kur të jenë caktuar me datën e tyre sa më të përpiktë këto vjershërime patriotike dhe satirike, do jetë bërë i mundur së-paku në një pjesë- në pjesën poetike asdrenore- dhe rrëfimi kronistik i analeve të Kollonisë, kur se anasjelltas istoriografimi i saj i dokumentuar do këthjelltësojë në mburimin e vet të bashkëkohëshëm lindjen e shumë poezive rastore të tilla.

Pjesa më e madhe e këtyre vargjeve- marshe, oda, himne, këngë patriotike- është shkrojtur me ngutësi, nënë shtytjen e pandaluar të momentit; ngjan se ato s’kanë një pretendim arti, i vetëmi ambicion i tyre dyke qenë mbrothësimi ose harrijtja e qëllimit të shenjtë kombëtar për të cilin qenë ngjizur: të vështruara nënë këtë pikëpamje ato qëndrojnë të gjitha plotërisht në lartësinë e ambicioni. Ay dhe i tejkalon caqet e veta në Himnin e flamurit, të pranuar dhe të përhapur me shpejtësi nëpër gjithë Shqipërinë, për t’u shuguruar më në fund prej popullit si një simbol i math i përpjekjes kombëtare.

Në këtë kategori hyn, me sendësime artistike të dukura, poezija e volumit Ëndra e Lote që mban titullin Vlera e atdheut, e shkrojtur përpara ngritjes së flamurit. Asdreni u vu t’a bëjë në vazhdim-e-sipër të disa mbledhjeve të shpeshta të Kollonisë gjatë vëngjilit të evenimentit istorik. Vlera e atdheut, poezi me frymëzim të ngrohët, është siç kujtojmë dhe artistikërisht midis më të bukurave nga gjithë poezitë e vëllimit. Toni shpirtëror i saj kumbon i plotë dhe i njëjtë që nga vargjet e para të fillimit:
                       
                        Sa të dua, o Shqipëri!
                        Sa mall ndjenj, e sa dëshirë!
                        Për ty zjarr e dashuri
                        Mun ndë zemër më ka mbirë!
           
Sesi i hartonte Asdreni këto poezi patriotike të rastit, ç’rrjedhje shpirtërore dhe ç’përfundim lëndor kishin ato nër mërgimtarë, na e sjell para sysh vjersha Zëri i kryengritësve e botuar në Ëndra e Lote pranë shumë të tjerave të llojit të saj.
Po e marrim si shëmbëll këtë vjershë, sepse ajo është tipike për të shfaqur më mirë qëllimin e këtyre radhëve: duam me këtë shënim të japim një mbështetje të parë për vëzhgimin e veprës atdhetare të Asdrenit, të shprehur në vjershat përkatëse.

Një vlerë kryesore e tij, tashi që kemi mundësinë t’i-a shohim jetën dhe artin në perspektivë të kohës, është pikërisht qëllimi i paramenduar i poezive të tilla, të vëna pa as edhe më të voglin përjashtim në shërbimin e çështjes kombëtare. Dhe mënyra si e ka përmbushur ay atë shërbim, kjo rastësi vjershëtore e tija, na jep drejtimin themeltar për t’a vëzhguar.
Le të riprodhojmë këtu disa strofa të vjershës së sgjedhur për t’a vështruar në rastin e krijimit dhe në përfundimet e saj më pas.
 
                            Zëri i kryengritësve
                       
                        Ne s’duam paqen, prehjen të ju prishim,
                        Ne s’duam të na falni pasuritë,
                        As dorë zgjatim, lipës s’e durojmë,
                        Në luftë që të rini ne s’u grishim,
                        Të lini lark fëmijët dhe shtëpitë.
                        Asgjë për veten t’onë ne s’kërkojmë,
                                    Asgjë nuk duam, nukë,
                                    Veç armë dhe ca bukë.
 
                        Me kryet lart në zjarr të luftës vemi,
                        Dhe armët rrokin gratë-e na gjurmojnë;
                        Me gas e derdhim gjakun për lirinë,
                        Rezikun s’e peshojmë kudo jemi:
                        Prej zë trumbetash malet kur gjëmojnë,
                        Të shkretë e lemë vatrën dhe fëmitë.
                                    O, gjë nuk duam, nukë,
                                    Veç armë dhe ca bukë.
 
                        Shtëpi ne kemi shpellat, vrimat, malet,
                        Nesh rotull gjith armiq e tradhëtorë,
                        Pa vetëdije-e njerës të pabesë,
                        Një-argjendit, arit tjatri- i falet,
                        Kush helmin heth, kush shpatën mban në dorë
                        Dhe kush vëllanë- armikut do t’i-a shesë.
                                    Për Zotin s’duam, nukë,
                                    Veç armë dhe ca bukë.
 
                        Këtu na njihet vlera, trimërija,
                        Këtu rrëfehet forca e kombësisë;
                        Se ne, me t’u bashkuar, tundet dheu,
                        I thyet çdo armiku krejt fuqija:
                        Çel trëndafil’ i bukur i lirisë,
                        Përtrihet kombi, ngjallët Skënderbeu.
                                    O, gjë nuk duam, nukë,
                                    Veç armë dhe ca bukë.
 
                        Ç’na duhen krahat, dot kur s’i përdorim,
                        Ç’na duhet jeta, robër gjithëmonë,
                        Kur s’shohim djellin, dritën e lirisë:
                        Pra hënën, errësirën që t’a shporrim,
                        Të ngjallim kombin, far’ e fisin t’onë,
                        Për nderin t’uaj, nderë- e Shqipërisë,
                                    Gjë tjatër s’duam, nukë,
                                    Veç armë dhe ca bukë.
           
Këto vargje kaq të thjeshta, të vëna në matë dhe rithmë dhe bashkëtingëllim menjëherë sapo u çfaq rasti, e kanë përmbushur plot misionin vjershëtor që është çquarësisht misioni patriotik i tyre.
Ato bënë më një kohë të vështirë, të madhe për kombin: Kryengritja e malësorëve zjente më 1911 me vendim, zëri i atdheut i-u sillte shpresa kollonive të mërgimit, Evropa dhe bota ish dyke ndjerë përsëri emrin shqiptar. Luftonjësit vetë s’kishin kohë të mirren me zhurmën e jashtme; atyre i-u lypseshin mjete për të luftuar- predha, armë, ushqime, të holla, që të përmbahet sa më shumë dhe sa më mirë kryengritja.

Në Çetinjë ish atëhere Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Risto Siliqi dhe Ismail Qemali, të vendosur atje me komitet të fshehtë që nuk dukej faqeza, po që zhvillonte një veprimtari të pafjetur për kurajimin dhe financimin e kryengritjes. Luigj Gurakuqi u dërgua nga ana e komitetit në Bukuresht për të mbledhur ndihma midis shqiptarëve të Rumanisë, të cilat dhe nuk munguan të derdhen në matën e asaj hieje së rëndë së lëshuar kurdoherë nër t’atilla raste nga Kollonija veterane e Rumanisë.

Kjo lëvizje e malësorëve, në ndryshim me të mëparshmet, për Kolloninë ishte një lëvizje e shpirtit të përgjithshëm kombëtar, sepse ajo i shëkonte kështu të vëna pjesërisht në vepërim mundimet e gjata të qënies së saj si organizatë. Prandaj dhe ndihmoj si përhera me dorën plot. Asdreni që ish eksponenti i saj poetik, e bëri detyrën nga ana e vet. Ay u flakërua me ardhjen e Luigj Gurakuqit dhe mbledhjen e Kollonisë, dhe shkrojti vjershën Zëri i kryengritësve, të cilën i-a-u kushtoj shqiptarëve të pasur për t’i nxitur èdhe më fort për ndihma: U flakërova se lypseshe të bënja një vjershë, kam shënuar nër fletët e mija nga goja e Asdrenit mi këtë rast. Dhe kaq, për vragën shpirtërore të poetit veteran, është e mjaftuar.

J-a lëçiti Asdreni më parë Luigj Gurakuqit vjershën dhe ay e pëlqeu: Është mirë për propagandën e momentit tha Gurakuqi. Këto fjalë i-a tha në tregëtoren e një shqiptari të flaktë- Jovan Efthimi Furxhiu- në Kalimin Vilakros (Pasagiul Vilacros).
Kjo ishte në muajin Maj dhe që aty-e-sipër Asdreni i-a dërgoj vjershën për botim një fletoreje të kohës, Drita e Sofjes, të cilën gjithë atdhetarët dhe veçanërisht ata të Bukureshtit e të Rumanisë e prisnin të dalë me shumë etje.

Buja që bëri kjo vjershë e Dritës pat qenë e madhe, nuk mund të thuhet kujt i takonte vlera më shumë, shqiptarëve që e flakëruan Asdrenin për të vjershëruar apo Asdrenit që i flakëroj shqiptarët për të ndihmuar, vetëm e vërteta mbetet se u mblodhë katërmbëdhjet mijë frënga ar për malësorët dhe i-u dorëzuan Luigj Gurakuqit mi emërin e komitetit të kryengritës.
Gurakuqi u këthye kështu me të shpejtë në Cetinjë ku e priste komiteti; këtë mbreti Niqita i Malit-të-Zi e përkrahte për sy e faqe që të përfitojë nga mundimi i shqiptarëve, sikundër dhe përfitoj: mori ato që mori nga tokat shqiptare dyke i sulmuar dhe shkatërruar malësorët, të cilët nuk deshin të ndahen në kohën e Luftës Ballkanike më 1912 nga viset e tyre dhe u shkretuan e mbetnë pastaj të mjerët si moa më keq.

Ata, malësorët, pjesë fisnike e racës shqiptare u therrorësuan, po shpirti i kombit triumfoj, e dhanë përqindjen e vet në këtë triumf dhe burrat e Kollonisë së Bukureshtit me lajmëtarin zë-ëmbël të tyre Asdrenin.
Kur e mendoj Asdrenin me karakterin e tij aq të kulluar, aq të drejtë, habitem sesi ësht’ e mundur t’a cënojnë gjembat e padrejtësisë dhe atë. Vërtet, Kollonija e Bukureshtit ka qënë e gjërë, zemërzgjdhur kundrejt vjershëtorit të saj. Që në çfaqjet më të para të talentit të tij ajo e pranoj me kënaqësi shpirti, e rrethoj me përkrahjet e saj të pandryshuara.

Kohëshkrimi i Rilindjes me mirënjohje duhet të shënojë vendimin e këshillës administrative të shoqërisë ujrash minerale Izvor (Mburimi) të Bukureshtit- e përbërë nga akcionarë vetëm shqiptarë- për t’i dhënë Asdrenit ad infinitum një përqindje të caktuar jetese nga të ardhurat e shoqërisë.
Ad infinitum? Gjer kur??

Gjer në krijimin e shtetit shqiptar dhe gjer në krijimin e Konsullatës Shqiptare në Bukuresht. Atëhere Asdreni i-u shmënget përkrahjeve dhe i përvishet nëpunësisë shtetore. Gjashtëmbëdhjetë vjet sekretarije në Konsullatë mjaftuan për të vërtetuar zellin e kushtimit të tij si nëpunës dhe për të vulosur të drejtën e pensionimit si veteran. Kur se e para mbeti, e dyta mungoj. U desh javitja e një tipi dyshimesh- për t’i-a përvetësuar nëpunësinë...
 
                        Sunt lacrymae rerum...
           
Dhe Asdreni pra mbeti pa Konsullatë dhe pa Izvor, dhe u gjend prej këtij rasti vetëm me një satirë në dorëshkrim, të pabotuar. Ja:
                       
            Portret. Dipllomati shtatanik
                       
                        E ka shtatin tri pëllëmbë
                        Dhe fytyrën qyramidhe,
                        Si sqeparë ka ca dhëmbë
                        Dhe një t’ecur karavidhe.
 
                        Një grusht këmbët i ka miku,
                        Në këpucë fron të lartë;
                        Bark e kokë si shiniku
                        Dhe një pamje sysh të thartë.
 
                        Dhe nga duart ësht i gjatë:
                        Po: shpesh-her’ i ka të gjata...
                        Gjith të duket t’jet’ i urtë,
                        Po në shpirt m’i zi se nata.
 
                        Kur shkon rrugës s’e nxe vëndi,
                        Shkel e mfryhet si gjel deti,
                        Djatht’ e mëngjër heth sy shpëndi
                        Me mënyra mëndje-lehti.
 
                        Kur me shokët rri me fjalë
                        Për t’i bindur sa q’u thotë,
                        Perpelitet mun si ngjalë
                        Pa dhe trupn’ e kthen si rrotë.
 
                        Miqësinë e ka për cipë,
                        Peshë kurrë s’i ka vënë,
                        Dhe sado q’i shtije kripë,
                        Kripa shije s’i ka lënë.
 
                        Di të sillet qysh të duash
                        Plot mënyra ledhatare,
                        Por mënyrat po t’i-a gjuash
                        Sheh se dhelpër qënka fare.
 
                        Jet’ e tija plot mystere
                        Si dhe letrat sibiline,
                        Vepërat si gjëmba ferre:
                        Rend si korbi pas stërvine.
 
                        Ndron përdita mij besime
                        Për qëllime satanike,
                        Merr e jep e çfaq mendime
                        Me dredhi maqjavelike.
 
                        Fjal’ e tija ka të bindur
                        Veç për sa që nuk e njohin,
                        Sa për vepra, s’është i lindur-
                        Flas për vepra që të ngrohin.
 
                        Një bisedë porsa nisi,
                        I çthurr fjalët si të dojë:
                        Djallëzi q’ e ka prej fisi
                        Si pas çastit në nevojë.
 
                        Se ka frymë diplomati,
                        Le të mburret zotërija,
                        Por q’ ashtu me q’ e do fati:
                        Si lum ne dhe Shqipërija!
           
Kështu pat qënë dhe do të jetë rrëfimi i gjithë bënjave bujare në këtë botë, kanë qënë dhe bënjat e Kollonisë dhe të Asdrenit- bënjat si është ndërtuar gur-me-gur Shqipërija- dhe këto bënja duhen rrëfyer për t’u ditur dhe për t’u njohur nëpër komb. Prandaj dhe kur ndonjë kësi tipesh bëri hap të sulmojë Asdrenin me të sulmuar veprën e tij, i nënëshkruari dyke rruajtur shentërisht bindjen se të sulmosh Asdrenin do-me-thënë të sulmosh Shqipërinë, i dërgoj veteranit nga mërgimi që larg përshëndetjen kujtonjëse që është përshëndetja e veteranërisë shqiptare:
 
            Kujtim’ i Asdrenit
                       
                        Djem të rinj e pleq të shkuar
                        Që të shajnë pa pushuar-
                        Djem e pleq Atdhe-mohuar,
                        S’dijnë më ç’ j-u ke dhuruar:
                        S’dijnë, sepse kanë-harruar
                        Kush Atdhenë- e pat krijuar...
 
 Tiranë, 18 Qershor 1943             
  Lasgush  Poradeci

Shkrimi u publikua sot (16.02.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane