“Krom”, metafora që buron
nga grabitja e arit në Bulqizë

“Krom”, metafora që buron<br />nga grabitja e arit në Bulqizë
“E sheh këtë gur të zi si ndriçon në diell. Ka përqindje ari. Ky merret nga të huajt, shkrihet në fabrika speciale dhe del ari, floriri”. Vetëm ky dialog i shkurtër i një adoleshenti me vëllain e tij më të vogël”, tregon atë ngacmim të fortë që i ka bërë realiteti i sotëm i shfrytëzimit të mineralit të kromit në minierën e Bulqizës regjisorit Bujar Alimani. Dhe vetëm ky detaj i vogël do t’i mjaftonte për të shkuar shumë më larg me mesazhet e një filmi.  

Filmi “Krom” i regjisorit Bujar Alimani, që do të shfaqet premierë nesër më 16 tetor, dje paradite u shfaq në fokusin  e mediave. Titulli i filmit aq intrigues “Krom” bën një efekt të fortë, edhe për faktin se është xhiruar në Bulqizë; nëse kujtojmë shfrytëzimin e grave dhe fëmijëve që bëhet herë pas here në minierën e Bulqizës...
Por regjisori Bujar Alimani na sjell një “zhgënjim” të bukur artistik, që fshihet pas majës së ajsbergut të fjalës “krom”.    

Është një film i realizuar më së miri në aspektin figurativ. “Kromi” i Bulqizës kthehet në metaforë të “përqindjes së arit” që fsheh brenda tij. Në krye të mesazheve këtë film Bujar Alimani ia ka dedikuar figurës së gruas.

Filmi rrëfen sesi një nënë memece, pas dy humbjeve të bashkëshortëve i duhet të vazhdojë të rrisë fëmijët e të jetojë edhe ajo vetë jetën e prerë përgjysmë. Djali i saj pesëmbëdhjetë vjeç që përpiqet të njohë vetveten, duke kaluar një adoleshencë të vështirë, ndjehet keq kur një mashkull hyn në jetën e tij dhe të nënës dhe ndjenja e krenarisë e pavarësisë e çon atë të kërkojë punë në minierën e “Kromit”.

Sa për minierën e kromit nuk ishte nevoja të trajtohej si fabul më vete, sepse çdo përfytyrim na e krijuan detajet dhe fotografia e filmit në një skaj të asaj miniere ku gra dhe fëmijë mblidhnin copat e mineralit. Një krijimtari artistike më vete rezulton skena në minierë. Në sytë e adoleshentit Adi, jeta nis të zgjerohet. Ai krijon miqësi edhe me mësuesen e tij të matematikës një rock-ere që është rebeluar dhe ka ikur nga shtëpia, ndërsa punon mësuese larg Tiranës. Pak çaste në jetë ajo i bëhet personazhit Adi (që e luan bukur Fredjon Ruçi) si një engjëll që  e ndihmon të gjej rrugën e tij, ku në film nuk mungon edhe tendosja e shqetësimi i lindjes së një flirti mes tyre, por as roli i një mësueseje. Ajo i mëson të kundërtën e rrugës që ka ndjekur vetë, rrugën e drejtë, të mos braktis prindërit.

Ndërkohë personazhi i nënës, i realizuar mjeshtërisht nga aktorja Klodiana Keco i transmenton shikuesit një personazh qendror, që nuk flet e as dëgjon e që rrit dy fëmijë me mundim e sakrifica. Në rrjedhën e jetës me problemet e fëmijëve dhe të bashkëjetesës me të dashurin, regjisori i “ka hequr fjalën”, por megjithatë autoriteti i saj merr një rëndësi të madhe në film, ku harmonizohet edhe me talentin natyral me të cilin një grua i jep jetë familjes. Edhe pse regjisori Alimani ka arritur të realizojë nëpëmjet fotografisë dhe efekteve të tjera filmike imazhin e qartë të peisazhit e punës që zhvillohet në jetën e Bulqizës, epiqendra e filmit mbetet gruaja me sfidat e dashurisë për jetën dhe fëmijët, familja.

“Jam mësuar që edhe në shoqëritë që kanë një mentalitet patriakal e duket sikur drejtojnë burrat, gjithmonë femra ka një pushtet të nëndheshëm. Këtë e kam vënë re edhe në familjen time, tek nëna, tek gjyshja”, rrëfehet regjisori Alimani. “Madje mund t’ju them se ideja e filmit ka nisur nga një konflikt me nënën time. Unë nënën time e dua shumë, por në këtë film i jap një rëndësi, jo gjendjes sociale, varfërisë apo shfrytëzimit social, por marrëdhënieve familjare”, thotë ai.

Regjisori Alimani, ndryshe nga një pjesë e regjisorëve shqiptarë të pas ‘90-s, me filmin “Krom” ka dhënë një realitet tipik të mënyrës së jetesës së shqiptarëve, nëse kujtojmë që një pjesë e regjisorëve marrin detaje jo aq tipike, duke u fokusuar në çastet ekstreme apo sporadike të varfërisë, të korrupsionit dhe imoralietit, duke i dhënë vendit tonë një imazh jo të mirë në botë. Në fokusin e këtij filmi, regjisori Alimani i referohet vendit të tij me dashuri dhe nostalgji. 

“Gjashtë muaj pasi kisha shkruar versionin fillestar të skenarit kuptova që dy personazhet kryesore merrnin jetë nga dy vëllezër që njihja kur isha fëmijë. Tani më kujtohet që vëllezërit rrinin gjithmonë të veçuar e ishin të mbyllur në vetvete. Gjithë lagjia, përfshi mua, talleshim me gjysmëvëllezërit, sikur të ishte faji i tyre që kishin baballarë të ndryshëm. Ndoshta “KROM” ishte një formë ndjese që kam dashur t’ju kërkoj gjithmonë atyre fëmijëve”, tha regjisori pas shfaqjes së këtij filmi.

Duke ndjekur filmin vihet re se efektet e fotografisë, ndjesitë që përcjell filmi të lënë “pa gojë”, ashtu siç është edhe personazhi qendror i filmit “Krom”. 

krom

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Meteori ndriçon qiellin në Spanjë dhe Portugali (VIDEO)

Meteori ndriçon qiellin në Spanjë dhe Portugali (VIDEO)