“Ndezur është kjo gjëja?” Gafa të
udhëheqësve me mikrofonin hapu

Për njerëzit e mësuar të jetojnë nën blicet e medias, është e habitshme se sa shpesh udhëheqësit botërorë harrojnë rregullin e artë të transmetimeve: Gjithmonë mendo që mikrofoni është ndezur.

Ja disa prej rasteve më të paharrueshme, kur gjërat kanë shkuar keq:

1. Obama, Sarkozy flasin keq për Netanjahun Presidenti Barak Obama, si dhe homologu i tij i atëhershëm francez, Nikolas Sarkozi, u gjend nën zjarrin e kritikave në nëntor 2011, pasi u dëgjuan tek flisnin për Kryeministrin izraelit, Beniamin Netanjahu në samitin e G20-ës. Sarkozi i tha Obamës: “Nuk e duroj dot, është gënjeshtar”, sipas faqes së internetit Arret sur Images. Thuhet se Obama u përgjigj: “Je lodhur prej tij; pa më pyet mua? Mua më duhet të merrem me të përditë”.

2. Gordon Braun për votuesen fanatike

Fushata e Kryeministrit të atëhershëm britanik, Gordon Braun nuk po shkonte shumë mirë, por ai as e kishte idenë se sa do të përkeqësohej, kur të ndalej dhe të bisedonte me një votuese në Rochdale, Angli, një javë para zgjedhjeve. Xhillian Dafi, një pensioniste 66- vjeçare e qortoi Braunin, duke shpjegaur përse – pavarësisht se kishte mbështetur laburistët e tij gjithë jetën – tani kishte turp të pranonte përkatësinë politike. Brauni vazhdoi me një bashkëbisedim të sjellshëm me të para kamerave, më pas u largua, pa e ditur që mikrofonin e kishte ende ndezur. Kur hyri në makinë, ai iu ankua këshilltarëve: “Kjo ishte katastrofë. Nuk duhej të më kishin vënë kurrë me atë grua… Qesharake… grua fanatike”. Më pas Brauni kërkoi ndjesë, por i humbi zgjedhjet.

3. Xhorxh Bush dhe Toni Bler

Paraardhësi i Braunit, Toni Bler ishte dëshmitar i një prej gafave më të mëdha me mikrofonin ndezur nga presidenti Bush, gjatë një dreke pune në samitin e G8- ës në Rusi. Bushi e përshëndeti Kryeministrin duke thirrur “Yo Blair!” dhe e falënderoi për një pulovër, që Bleri ia kishte dërguar së fundmi si dhuratë. Më pas, ai nisi të diskutojë për situatën në Lindjen e Mesme, duke ofruar një zgjidhje jo dhe aq diplomatike për vështirësitë mes Siris dhe Izraelit. “Ajo që duhet të bëjnë”, i tha ai Blerit, “është ta detyrojnë Sirinë që të detyrojë Hezbollahun t’i japë fund këtij m…, dhe kështu e gjitha merr efund”.

4. Bushi për një gazetar

Presidenti i 43 i SHBA i kishte zakon gafat – për “Bushizmat” e tij të famshme janë shkruajtur libra të tërë – dhe ato u shfaqën edhe gjatë fushatës. Në një ndalesë në Illinois në vitin 2000, Bushi u kap nga kamerat duke e quajtur Adam Klajmerin e Nju Jork Tajms një “trap të madh”, dhe Dik Çenej iu përgjigj atypëraty: “Oh po, shumë i madh”.
Më pas Bushi tha se i vinte keq që komentete tij ishin dëgjuar. “Më vjen keq që komentet private u shfaqën në televizione”, tha ai. “Më vjen keq që njerëzit i dëgjuan”.

5. Princi Çarls për korrespondentin e Familjes Mbretërore

Bushi nuk është e vetmja figurë publike që ka shprehur zemërim dhe irritim ndaj mediave në një moment kur e kanë kapur pa dashje kamerat. Princi Çarls u kap nga media britanike teksa pëshpëriste për një gazetar, me të bijtë, Uilliam dhe Herri, gjatë një seance fotografish kur ndodheshin me pushime për ski në Zvicër.

“Nuk e duroj dot atë njeri. Eshtë i tmerrshëm, vërtetë i tmerrshëm”, tha ai për Nikolas Uitçuell, korrespondent i BBC për familjen mbretërore. Komenti ndihmoi shumë pak për të rregulluar marrëdhënien e tij me median, dhe vërtetoi që gafat sërish mund të ofendojnë, edhe kur thuhen me gjuhë të sjellshme.

6. Xho Bajden dhe Obama

Zëvendës presidenti i SHBA, Xho Bajden është në një nivel vërtetë më vete. Në një prej gafave të tij më të famshme, ai u kap në kamera duke përdorur fjalën Fuck teksa përgëzonte obamën për firmosjen e një ligji të shumëdiskutuar për ribërjen totale të kujdesit shëndetësor, në mars 2010. Duke ia prezantuar presidentin mediave, ai u kthye të përqafojë Obamën, duke pëshpëritur: “This is a big fucking deal”.

7. Xhon Mejxhër për kolegët… dhe vetveten

Zgjedhjet janë gjithmonë një terren pjellor për gafa, teksa politikanët luftojnë për kohë televizive dhe tituj gazetash, por kryeministri i atëhershëm i Britanisë së Madhe, Xhon Mejxhër u gjend në telashe në vitin 1993, kur pranoi se nuk e kuptonte përse njerëzit vazhdonin ta votonin.
Një ditë pasi pjesëtarët e Partisë së tij Konservatore ishin rebeluar në Parlament, për shkak të planeve për zgjerimin e lidhjeve të Britanisë me Europën, Mejxhër që zakonisht ishte shumë i rezervuar, u dëgjua tek i quante “bastardë” ligjvënësit euroskeptikë, dhe kanosej që t’i “kryqëzonte”. Duke folur me një gazetar pas një interviste – kur mendonte se mikrofoni ishte fikur – Mejxhëri tha se “nuk e kuptoj përse një burracak si unë vazhdon të fitojë”.

Zhak Shirak për ushqimin britanik

Presidenti i Francës, Zhak Shirak gjithashtu është kapur pa dashje nga kamerat, duke kritikuar një komb të tërë. Shiraku po luante një rol udhëheqës në përpjekjet e Parisit për të organizuar Olimpiadën e vitit 2012, kur u përpoq të bënte maksimumin me atë që e shihte si avantazh të qartë ndaj konkurrentit britanik: ushqimin. “E vetmja gjë që ata kanë bërë ndonjëherë për bujqësinë europiane, është sëmundja e lopës së çmendur”, i tha ai presidentit rus, Vladimir Putin dhe kancelarit të atëhershëm të Gjermanisë, Gerhard Shrëder. “Nuk mund t’u besosh njerëzve që kanë kuzhinë kaq të keqe”. Komentet provokuan zemërimin e tabloidëve britanikë, por ata që qeshën të fundit ishin pikërisht britanikët, pasi fituan të drejtën për organizimin e Olimpiadës.

Ronald Regan për Rusinë

Një shaka e presidentit Ronald Regan në kulmin e Luftës së Ftohtë mund të kish patur pasoja vërtetë serioze. Duke marrë pjesë në një kontroll të zërit pak përpara fjalimit të përjavshëm radiofonik në gusht 1984, Regani u tha dëgjuesve: “Bashkatdhetarët e mi amerikanë, jam i kënaqur t’ju shpall sot se kam firmosur ligje që e nxjerrin Rusinë të paligjshme, një herë e përgjithmonë”. CNN – Në shqip nga Bota.al

(d.b/Shqiptarja.com)
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave