“Zgjedhim mes euros e dhrahmisë”
Apeli i fundit për elektoratin grek

“Zgjedhim mes euros e dhrahmisë”<br />Apeli i fundit për elektoratin grek
ATHINE – Carrefour po ikën. Drejtuesit e linjës së famshme franceze të supermarkatave e konsiderojnë vendin tepër të rrezikshëm. Më mirë t’ia shesin kuotat ortakut vendas (për 220 milionë Euro) dhe të përqëndrohen në tregje të tjera. Sidoqë të votojnë grekët të djelën, Athina frikëson investitorët e huaj. Ndonëse tani Bashkimi Europian duket se premton një ndihmë për fituesin e zgjedhjeve. Ekziston një plan – tregon e përditshmja Financial Times – për të zbutur masat e rrepta, një zvogëlim i taksës së interest ndaj miliarda eurove që duhen kthyer dhe një shtrirje në kohë e pagesës së borxhit.

Ndihma – shpjegon një burim nga Brukseli – është menduar fiks për figurën solmne dhe serioze të Antonis Samaras, lideri konservator i Demokracisë së Re që sondazhet (të fundit të publikuara i përkasin dy javëve më parë) e japin në vend të parë. “Nëse bëhet kryeministër, do të pretendojnë nga ai impenjimin për të respektuar Memorandumin dhe më pas do ta ndihmonin: ja çfarë mund të ofrojmë për ta bërë jetën e grekëve pak më të lehtë”. Memorandumi është marrëveshja mbi shkurtimet dhe masat ekonomike për të cilat është rënë dakort me troikën (BE, Banka Qendrore Europiane, FMN) që Alexis Tsipras, kreu i të majtës radikale Syriza dhe rivali kryesor i Samaras, e konsideron letër të grisur.

Mbështetja e Brukselit ndaj Samaras është disi më e fshehur nga sa shkruan në faqe të parë edicioni gjerman i Financial Times. Që në një editorial në gjermanisht dhe greqisht fton të votohet për Demokracinë e Re: “Të dashur grekë, votoni me kurajo për reformat dhe jo me urrejtje kundër ndryshimeve strukturore të dhimbshme por të nevojshme. Vendi juaj do arrijë të qëndrojë në Euro vetëm me parti që pranojnë kushtet e kreditorëve ndërkombëtare. Refuzoni demagogjinë e Tsipras”. Ndërhyrja është kritikuar e refuzuar nga gjithë politikanët, edhe nga zëdhënësi i Demokracisë së Re: “Jemi një popull krenar. Nuk pranojmë urdhra nga askush”. Në mitingun e fundit në sheshin Syntagma, përpara Parlamentit, Samaras përsërit se “dëshiron të dalë nga kriza jo nga euro”. Prezanton votën si një zgjedhje mes monedhës së vetme dhe dhrahmisë: “Kthimi në të shkuarën do të çojë 50 vjet mbrapsht, të djelën vendosim të ardhmen e fëmijëve tanë”.

Edhe ai premton se do rinegociojë Memorandumin, një hipotezë e hedhur poshtë nga Michael Spindelegger, ministër i Jashtëm austriak, që e konsideron marrëveshjen të paprekshme. Zgjedhjet e të djelës janë transformuar në një referendum mbi euron, ai konsultimi që kryeministri socialist i atëhershëm, George Papandreou, kishte propozuar nëntorin e vitit të kaluar. “Ishte Nicolas Sarkozy (atëherë president i Francës, red) që bllokoi projektin – shpjegon në një bisedë më shtypin e huaj – ndoshta sepse ideja ime i hoqi vëmendjen në takimin e BE në Cannes. Angela Merkel, kancelarja gjermane, më kishte siguruar se ishte dakort”.

Para një muaji asnjë nga partitë nuk arriti të merrte mazhorancën prej 151 deputetësh dhe tratativat pas zgjedhjeve nuk sollën në lindjen e asnjë qeverie. Edhe këtë herë është e vështirë që fituesi të mund të qeverisë vetëm. Socialistët e Pasok vazhdojnë të humbin terren në sondazhe dhe lideri Evangelos Venizelos ka njoftuar se është i gatshëm për “qeveri të shpëtimit kombëtar”. Demokracia e Re dhe Pasok, që duke u alternuar kanë dominuar politikën greke për 38 vjet, mund të gjejnë një marrëveshje me të Të Majtën Demokratike, të themeluar nga avokati Fotis Kouvelis bashkë më të tjerë të larguar nga rradhët e Syriza-s.

(*Përshtatur në shqip nga Corriere.it)

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Mundësi Valiev fitoi medaljen historike për Shqipërinë, Rama: Një lajm që flet shumë! Komitetit ynë Olimpik ka rilindur

Paris 2024/ Mundësi Valiev fitoi medaljen historike për Shqipërinë, Rama: Një lajm që flet shumë! Komitetit ynë Olimpik ka rilindur