Në qendër të kësaj ekspozite është riti. Fytyra dhe trupa njerëzish, të cilët përmes ritualit, besimit apo faljes largohen nga sjelljet e zakonshme dhe hyjnë në një regjim tjetër vëmendjeje.

Artisti Albes Fusha ka punuar për gati 20 vite me këtë projekt, të cilin e ka dokumentuar ndërsa ka vëzhguar nga afër momente që lidhen me ritin dhe pelegrinazhin e njerëzve në Malin e Tomorrit.

Por në fakt, përmes “Le të fillojë gjuetia”, Fusha kërkon të përcjellë jo një dokumentim të thjeshtë, por një gjendje: një kalim nga e zakonshmja drejt një përjetimi më të thellë shpirtëror, ku krijohet një lidhje me Zotin.

“Është një territor tjetër të menduari. Nuk ka të bëjë me politikën aspak, nuk ka të bëjë me dokumentimin e ritit të besimtarëve bektashinj. Nuk ka lidhje fare me këtë. Është një gjë tjetër. Në fakt është një projekt gati 20 vjeçar, që për të thënë të drejtën ka filluar si një dokumentim, e më pas duke shkuar pothuajse vit për vit u kthye në një projekt më tepër artistik sesa gazetaresk.”, thotë fotografi Albes Fusha.

Në fokus të këtij rrugëtimi është momenti kur individi largohet nga përditshmëria dhe hyn në një regjim tjetër vëmendjeje. Përmes përsëritjes së gjesteve dhe përkushtimit kolektiv, krijohet një gjendje ndërmjetëse, një përvojë që bashkon individin me turmën, por edhe me vetveten.

“Qëllimi im ishte të dokumentoj masivitetin e këtyre njerëzve që futeshin në një rit dhe për një kohë të caktuar mendonin në një dimension tjetër.”, vijon artisti.

Me kalimin e viteve, ndryshoi edhe këndvështrimi i artistit.  Nga një vëzhgim i jashtëm, ai u përqendrua tek intensiteti i brendshëm, tek devotshmëria dhe përkushtimi që e çon trupin drejt një gjendjeje pothuajse trans.

Ekspozita vjen pikërisht në muajin e shenjtë të Ramazanit, në një situatë, që shumëkush mund ta lidhë edhe me ngjarje të aktualitetit, por për Fusha përsërit se nuk ka të bëjë aspak me dokumentimin apo me politikën.

“Kur them gjuetia nuk ka të bëjë me materialen, por me shpirtëroren. Nuk ka të bëjë me politikën. Nuk është dokumentim i një fenomeni. Është një territor tjetër të menduari. Kur them ‘gjuetia’, nuk ka të bëjë me materialen, por me shpirtëroren. Mendoj që janë disa njerëz që shkojnë atje, kryejnë një rit për të dalë në një gjendje tjetër shpirtërore.”

Në këtë ekspozitë, imazhet nuk rrëfejnë një histori lineare. Ato ruajnë gjurmën e një përvoje të jetuar, një përvojë që kalon përmes trupit dhe bëhet kolektive. E çelur në galerinë FAB të Universitetit të Arteve, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 11 mars.