Legalizimet, si zhvillohet procedura për emigrantët

Legalizimet, si zhvillohet procedura për emigrantët

Ervin Bushi, drejtor i ALUIZNI-t për Qarkun Fier

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, këtë javë ka qenë i ftuar Ervin Bushi, drejtor i ALUIZNI-t për Qarkun Fier. Ervin Bushi pasi është ndalur në problematikat specifike si dhe ecurinë e procesit të legalizimit në qytetin e Fierit, u është përgjigjur pyetje të qytetarëve.

Një javë më parë mediat pasqyruan lajmin e legalizimit nga ana e institucionit tuaj të një objekti kulti, siç ishte xhamia e Fierit, e ndërtuar 13 vjet më parë, por e palegalizuar. Ndërkohë, si po vijon procesi në të gjithë qarkun tuaj? A mund të flasim me shifra konkrete?
Me shifra konkrete mund të flasim. Në të gjithë Qarkun e Fierit jemi duke ofruar 20 mijë leje legalizimi, nga 25 mijë aplikime që janë bërë në të gjithë këtë qark që unë mbuloj. Së fundmi, ne, edhe në saje të bashkëpunimit me të gjitha kultet fetare, me porosi edhe të Drejtorinë sonë të Përgjithshme, kemi qenë të kujdesshëm me kultet fetare dhe kemi legalizuar xhaminë e Fierit, në bashkëpunim edhe me Myftininë e atjeshme. Gjatë punës sime, një nga kënaqësitë që unë kam pasur dhe që dua ta ndaj me ju dhe teleshikuesit, ka qenë edhe legalizimi i të gjitha objekteve fetare, kisha dhe xhami. Si një vend që ne promovojmë bashkëjetesën fetare, edhe ne jemi treguar të kujdesshëm me të gjitha këto ndërtime duke vazhduar legalizimin e tyre.

Duhet theksuar që qarku juaj, pra Qarku i Fierit është një nga qarqet që ka ecur më shpejt me procesin e legalizimeve të ndërtimeve pa leje. Ju jeni shprehur se do të jetë e afërt dita, kur do të mbyllet tërësisht ky proces. I qëndroni kësaj deklarate, zoti Bushi?
Po, i qëndroj kësaj deklarate. E thashë edhe më lart që ne po u ofrojmë 20 mijë familjeve pajisjen me lejen e legalizimit. Në një inventar të përgjithshëm që po bëjmë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme, neve na kanë mbetur edhe shumë pak dosje. Në të gjitha njësitë vendore jemi pothuajse në shifrën mbi 90% të dhënies së lejeve të legalizimit. Kanë mbetur vetëm ato leje legalizimi për të cilat është i nevojshëm bashkëpunimi me qytetarët, si p.sh. në ato raste kur qytetari ka aplikuar por ka ndërruar jetë dhe duhet të çelet dëshmia e trashëgimisë. Pra, në këto raste është i detyrueshëm bashkëpunimi me qytetarët.

Por në ato raste kur nuk ka qenë i nevojshëm bashkëpunimi me qytetarët, ata janë pajisur me lejen e legalizimit dhe të gjitha këto leje legalizimi i kemi përcjellë në Hipotekë. Dua të shpreh që edhe këtu, në saje të ndërhyrjes së Drejtorisë së Përgjithshme dhe të kryeregjistruesit, po ecim shumë mirë edhe me regjistrimin, se ka qenë një problematikë regjistrimi i lejeve të legalizimit deri në këto momente. Por, në saje të këtij bashkëpunimi, ne jemi duke i pajisur të gjithë qytetarët që kanë aplikuar dhe që kanë marrë lejen e legalizimit, me certifikatën e pronësisë.

Statistikat tregojnë se krahas objekteve të ndërtuara pa leje, në qarkun tuaj ka mjaft shtesa pallatesh, të cilat po ashtu, presin legalizim. Po me këto, si po vijon procesi?
Për të qenë i sinqertë, ne kemi vazhduar procesin me të gjitha ato objekte që ne kemi menduar se ecin më shpejt, pra që legalizohen më shpejt. Me mbështetjen edhe të Drejtorisë së Përgjithshme, ne kemi punuar me zona informale, çka do të thotë që në zonat informale ka pasur shumë ndërtime pa leje, por aty ku kushtet janë më të lehta, ne kemi vazhduar dhe kemi dhënë mbi 90% të lejeve të legalizimit.

Për të qenë i sinqertë, te shtesat ne nuk kemi ecur shumë, për arsye se në një bashkëpunim të mirë edhe me bashkinë, kemi qenë të kujdesshëm që vërtet të pajiset me leje legalizimi ai objekt që i plotëson kushtet. Qëllimi i legalizimit, në bashkëpunim edhe me qeverinë, ka qenë që ne të legalizojmë objektet, por jo të zëmë ambientet e përbashkëta, çka do të thotë që do të vazhdojmë me të gjitha ato shtesa pallatesh, të cilat plotësojnë kriteret ligjore. Shumë shpejt, duke qenë se jemi në fund të procesit të legalizimeve në zonat informale, do të fokusohemi te shtesat e pallateve.

Flas nga Fieri. Prindërit e mi kanë një shtëpi në qytetin e Fierit dhe disponojnë vetëm lejen e ndërtimit, të cilën e kanë marrë në vitin 1965. Si do të veprohet me këto shtëpi?
Për sa i përket objekteve që janë pajisur me leje ndërtimi, e gjithë fusha e zbatimit të ligjit për ne, është pas vitit 1991. Pra, të gjitha objektet që janë para vitit 1991, u bënë edhe ndryshimet ligjore së fundmi, në saje të bashkëpunimit që bën institucioni i madh i pronave, këta qytetarë do të pajisen me certifikatë nga njësia vendore. Pra, të gjithë ata qytetarë, që kanë ndërtuar objektet e tyre para vitit 1991, nënkuptohet që janë të pajisur me leje ndërtimi të kohës, sepse në ato vite nuk ishte e mundur që të ndërtohej pa leje, dhe i gjithë procesi vazhdon nga njësia vendore në hipotekë. Në saje të ndryshimeve ligjore që do të bëhen, shumë shpejt do të ketë edhe ndryshime ligjore për 01-shin, sepse ka pasur probleme me objektet e vjetra, të cilat në gjuhën popullore ose në njësitë vendore quhen 01-shi.

Rikonceptimi i qendrës së qytetit të Fierit është rehabilitimi i lumit Gjanica. Ka një tjetër spektër problematikash. Si po vijon ky proces?
Është e vërtetë. Në saje të bashkëpunimit me Bashkinë e Fierit dhe me Kryetarin e Bashkisë, Armando Subashi, ka filluar e gjithë prishja dhe hapja e ambienteve publike për pjesën e lumit Gjanica, me miratimin e projektit edhe nga qeveria shqiptare. Ka qenë një bashkëpunim i mirë dhe ne aty kemi bërë për të gjitha ato objekte që nuk plotësonin kriteret, që ishin afër me lumin dhe preknin këtë projekt, kemi bërë skualifikimin e tyre, për t’i hapur rrugën një projekti të bukur për qytetin dhe për qytetarët e Fierit.

Flas nga fshati Darzezë. Si po procedohet me objektet e ndodhura në fshatin Darzezë, pasi kemi aplikuar që në vitin 2006. E dimë që ende nuk ka kaluar azhurnimi. Ju lutem, një sqarim.
Në saje të bashkëpunimit edhe me bashkinë, duke qenë se Darzeza është një fshat buzë detit, kemi bërë një projekt pilot dhe shumë shpejt ne do të fillojmë azhurnimin. Ky bashkëpunim do të bëhet ndërmjet të tre institucioneve, bashkisë, zyrave tona të legalizimit dhe hipotekës. Pas azhurnimit do të vijojmë me pajisjen me lejet e legalizimit për të gjitha banesat që kanë aplikuar. Aty ka edhe një problematikë tjetër sepse fshati është shtuar në zonën e pyllit, që ka qenë pylli i vjetër.

Nuk është zonë e mbrojtur dhe në bazë të ligjit për procesin e legalizimit nuk është një shqetësim. Pra, banorët nuk duhet të tremben. Por ne, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Mjedisit, kemi pasur një marrëdhënie korrekte me ta. Është zgjeruar edhe bashkia. Është zgjeruar edhe vija e verdhë e fshatit dhe shumë shpejt këta qytetarë, siç e thashë, në saje të bashkëpunimit të tre institucioneve, duke zbatuar projektin pilot, do të pajisen edhe me certifikatat e pronësisë për tokat bujqësore, të cilat i kanë përfituar në bazë të Ligjit nr. 7501; si edhe me lejet e legalizimit të banesave të tyre, ata qytetarë që kanë aplikuar në procesin e legalizimit.

Flas nga Greqia. Kam ndërtuar një shtëpi në Fier, në vitin 2005 dhe nuk e kam bërë regjistrimin e shtëpisë. A mundem që ta bëj regjistrimin tani?
Me sa kuptova, qytetarja nuk ka aplikuar për proces legalizimi, për arsyen se ka qenë emigrante. Për të gjithë ata që nuk kanë aplikuar, në rast se qytetarja vjen me pushime sepse duhet të jetë vetë prezente, ne jemi në gatishmëri edhe pse janë muaj pushimesh. Qytetarja duhet të bëjë kërkesën dhe ne, në bazë të verifikimit që bëjmë në terren, bëjmë aplikimin e banesës së qytetares dhe vazhdojmë procesin e legalizimit. Pra, qytetarja është ende në kohë vetëm se duhet të vijë vetë dhe të paraqitet pranë zyrave tona.

Përfitoj nga rasti të theksoj se, të gjithë emigrantët, në bazë edhe të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, zotit Artan Lame, në momentin që kthehen në vendin tonë dhe që duan të paraqiten pranë zyrave tona për procesin e legalizimit, do të kenë përparësi. Edhe për ne është një ndihmë sepse shtëpitë e tyre janë të mbyllura dhe ne nuk mund të bëjmë verifikimin e tyre në terren. Kështu që në muajt korrik dhe gusht ose edhe në kohën e festave të fundvitit, kur ata janë prezent në Shqipëri, ne patjetër që do t’u japim përparësi të gjithë atyre emigrantëve që kanë bërë kërkesë ose duan të bëjnë kërkesë për legalizimin e objekteve që ata kanë ndërtuar.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja