Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.1 ballë të shkallës Rihter me epiqendër në Hamallaj ka lëkundur vendin tonë ditën e sotme. Tërmeti me epiqendër në Durrës është regjistruar në orën 11:01, ndërsa është shoqëruar edhe një disa lëkundje të tjera më pas duke shkaktuar frikë dhe panik te qytetarët, pasi është ndjerë në disa qytete. Lëkundjet janë ndjerë edhe në Tiranë, Elbasan, Krujë dhe Fier, ndërsa sizmologët shprehen se lëkundjet do të vazhdojnë deri nesër.

Sipas Emergjencave Civile në Shqipëri pas tërmetit 5.1 ballë të shkallës Rihter janë regjistruar edhe disa lëkundje të tjera sizmike nga ora 11:08 deri në orën 15:30 minuta. Nga informacionet e deritanishme, nuk rezulton të ketë dëme në njerëz por vetëm dëme materiale. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes janë regjistruar deri më tani 40 banesa të plasaritura si pasojë e lëkundjeve në qarqet Elbasan, Tiranë dhe Durrës, ndërsa sipas gazetarëve të Report Tv në rrethe banesat e dëmtuara janë më shumë.



(Me të kuqe epiqendra e tërmetit në zonën Hamallaj-Armath-Gjiri i Lalzit)

Banorët në Tiranë në panik, dalin nga banesat
Lëkundjet kanë shkaktuar panik te banorët në Tiranë të cilët kanë lënë shtëpitë dhe zyrat e kanë dalë në rrugë. Në një video të siguruar nga Report Tv duken punonjësit e një Call-Center në Tiranë, të cilët ja mbathin të gjithë, në momentin kur zyra e tyre dridhet nga tërmeti.  Tërmeti ka shkaktuar edhe probleme me internetin dhe telefoninë në vend.


Seria e lëkundjeve nga tërmeti në Shqipëri

Tërmeti goditi linjat e OST-së, normalizohet situata
Tërmeti që u ndje sot në mesditë në Durrës, Tiranë dhe në disa qytete të vendit, ka shkaktuar problem dhe në linjat 110 kV të OST, si pasojë e lëkundjes tektonike. Kështu, në orën 11.00 është lajmëruar për dëmtim të shkarkuesit në Zbarrat 110 kV të N/stacionit Lac 2.

Si pasojë e kësaj avarie u stakuan linjat 110 kV të OST Shkopet – Rubik, Ulëz – Laç 2 dhe Bushat i ri – Lezhë. Si rezultat i veprimeve operative për kthimin e skemës u stakua për disa minuta energjia elektrike.

Brenda orës 12 të ditës së sotme u rilidh energjia elektrike në të gjitha nstacionet e prekura nga defekti: Fushë- Arrëz, Kalimash, Kalimash Tunel, Kukës, Tuc, Pukë, Krumë, Lac 2, Fushë-Kuqe, Rrilë, Rubik, Rreps, Rrëshen, Kaçinar, Gropaj, Bajram Curri, Bushat i Vjetër dhe Lezhë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:56
Plasaritje të tavanit, reagon Kuvendi: S’ka asnjë dëmtim

Kuvendi i Shqipërisë, ka reaguar pas videove të publikuara në media se në ambientet e tij ka patur dëme nga lëkundjet e Kuvendit.

Në njoftimin e shpërndarë për media, zyra e shtypit mohon të ketë patur dëmtime të tilla.

Si pasojë e tronditjes së fortë, janë shkaktuar dëme të mëdha në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Ju bëjmë me dije se, pas verifikimeve të kryera në ambientet e Kryesisë së Kuvendit dhe të sallës së seancës plenare, ju informojmë se nuk ka pasur asnjë dëmtim nga lëkundjet e tërmetit. Puna në Komisionet Parlamentare vijon sipas agjendës së rendit të ditës.

Njoftimi i Kuvendit

Ora 12:22
Tërmeti në Durrës, Dako flet në Report Tv: Jemi në gatishmëri, deri tani s’kemi evidentuar dëme

Kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, në një lidhje telefonike për Report Tv ka thënë se nga verifikimet e deritanishme, në Durrës nuk raportohet të ketë dëmtime.

Në Hamallaj nuk kemi dëme të evidentuara. Kemi kontaktuar me qytetarë të thjeshtë dhe administratorin, por s’rezulton të ketë patur dëme në shtëpitë e tyre. Kemi mbledhur shtabin e Emergjencave.

Është shumë shpejt të flasim për dëme të evidentuara nga njerëzit tanë. Jemi në gatishmëri. Shtabi i Emergjencës është mbledhur në  Durrës.

Vangjush Dako, kryetar i Bashkisë Durrës

Ora 12:06
Tërmeti/Xhama të thyer, mure të plasaritur e dëme materiale në Krujë, Durrës dhe Elbasan

Pas lwkundjeve sizmike kanë ardhur dhe evidentimet e para të dëmeve të tërmetit. Nga Kruja ka ardhur informacioni se ka dëmtime në disa banesa, ka xhama të thyer si dhe tavane të dëmtuar në disa banesa.



Ndërsa në Malësi ka pasur plasaritje muresh nëpër banesa të ndryshme.

Ndërsa në qarkun e Durrës, sektori i Emergjencave në Prefekturë bën me dije se është dëmtuar një banesë në Manëz. Dëme në banesa ka edhe në Elbasan. Nga lëkundjet e tërmetit fatmirësisht nuk raportohen persona të lënduar. 

Ora 11:49
Tërmeti 5.1 ballë, reagon Ministria e Mbrojtjes: S’ka dëme materiale as në njerëz

Pas lwkundjeve që përfshiu vendin, ka ardhur dhe reagimi zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes. Ministria njofton se deri më tani s’ka raportim për dëme materiale dhe as për njerëz të lënduar.

Ju informojme se ne oren 11.01, te dates 04.07.2018, eshte rregjistruar termet me epiqender ne Hamallaj/ Durres, me intensitet 6 balle dhe magnitut 5.1 e shkalles Rihter. Deri tani nuk ka asnje raportim per deme materiale dhe as ne njerez. Per cdo rast te mundshem kontaktoni ne nr 112 per tiu ardhur ne ndihme banoreve.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes

Ora 11:37
Tërmeti 5.1 ballë, sizmiologu për Report Tv: Janë ndjerë rreth 20 lëkundje

Sizmiologu Rexhep Koçi konfirmoi për Report Tv se vala goditëse e tërmetit ka qenë me magnitudë 5.1 ballë i shkallës rihter, i cili lëkundi Tiranën, Durrësin dhe thuajse të gjithë vendin.

Koçi thotë se lëkundjet kanë qenë të forta dhe një magnitudë e tillë bën që të jemi në një situatë në kufijtë e alarmit. Pas dy lëkundjeve të forta, sizmiologu Koçi thotë se ka pasur rreth 20 lëkundje me intensitet të dobët.

Tërmeti ka qenë me magnitudë 5.1 ballë i shkallës Rihter. Jemi në një situatë pothuajse alarmante. Janë ndjerë rreth 20 lëkundje. Epiqendra ka qenë në Hamallaj, në Durrës. 

Sizmiologu Rexhep Koçi për Report Tv

Pavarësisht lëkundjeve të forta dhe panikut që ka shkaktuar te banorët, ende nuk raportohet për dëme materiale, ndërsa probleme janë shkaktuar me lidhjet e internetit dhe telekomunikacionit.